Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Pse e majta ekstreme sot ka simpati për radikalizmin islamik

| E diele, 14.02.2021, 12:30 PM |


Blerim Latifi:

Pse e majta ekstreme sot ka simpati për radikalizmin islamik dhe kauzat e tij antiperëndimore? Përgjigjjen ma të mirë e jep shkrimtari i famshëm Michel Houellebecq: Marksistët e rrënuar, të kalbur, në gjendje kome, për t'u ngritur nga llumi i historisë, orvaten të kapen pas fuqisë aktuale të lëvizjeve islamike.

___________

Prapa konceptit të “heshtjes zgjedhore” qëndron ideja klasike e Dekartit, themeluesit të filozofisë moderne : duhen suspenduar të gjitha impresionet e jashtme që të mund të mendojmë dhe të gjykojmë në mënyrë të pavarur. Politikanëve u ndalohet të nisin mesazhe në drejtim të popullit, në mënyrë që populli në gjendje heshtjeje dhe qetësie të mundet të mendojë, gjykojë e peshojë mesazhet e tyre të mëhershme dhe mbi bazën e një vlerësimi të pavarur të këtyre mesazhve të përcaktohet për njërën prej tyre. Por, siç thotë Ernest Gellner, problemi është se populli nuk është filozof që ka mundësinë të ndalet dhe t’i shqyrtojë idetë që i serviren nga ata që pretendojnë të flasin në emër të tij. Populli nuk ka kurrë mendim të pavarur. Populli, thotë Hegeli, nuk di se çfarë do; janë elitat ato që i tregojnë popullit se çfarë dëshiron ai. “Mendja e popullit” është një fushë që përpunohet vazhdimisht nga elitat dhe grupet që luftojnë për të marrë dhe mbajtur pushtetin në shoqëri. Kjo na jep të kuptojmë se pse me lindjen e demokracisë kanë lindur edhe mediat masive, mjetet e informimit, që, në fakt, janë mjete të formimit dhe fabrikimit të bindjeve të popullit.

___________

Fanatizmi politik e ndanë botën në bardh e zi, në dy pole të kundërta, e mira dhe e keqja. Ata që besojnë se janë në anën e të mirës, nuk e pranojnë asnjë fakt që ua cenon besimin dhe nese ndodhë që fakti është vështirë i mohueshëm, ata lëshohen në logjikën e justifikimit e arsyetimit të tij. Besimtari politik është identik me besimtarin religjioz. Ai nuk ta pranon argumentin që ia cenon përfytyrimin ideal për besimin e tij dhe nëse ti insiston në kritikën ndaj tij, fare lehtë mund të përfundosh i sulmuar prej tij, verbalisht ose edhe fizikisht.

________

Bora i paska vënë një plis të bardhë Agim Ramadanit të përjetësuar në bust, si ta dinte ëndrrën për të cilën ai ra, ëndrrën për lirinë e njerëzve me plis të bardhë, simboli i lashtë i Libertas, perëndisë së lirisë.