E enjte, 25.04.2024, 06:12 AM (GMT+1)

Mendime

Kujtim Sokrona: Gjakmarrja dhe Kanuni i neglizhencës

E enjte, 27.11.2008, 08:02 PM


Gjakmarrja dhe Kanuni i neglizhencës

 

Nga Kujtim Sokrona

 

Ju hap zemrën. Ju prezantoj rastin tim.

 

E përshëndes Tribunën Shqiptare dhe administratorin e saj për fushatën kundër gjakmarrjes. Disa artikuj të cilët i lexova tek ju, kohët e fundit, rrezatojnë shpresë me aq maturi dhe qëllim të mirë.

 

Nuk dua të përsëris këtu atë që kam thënë në komentin tim për artikullin « Kanuni i neglizhencës » * por më vjen mirë kur konstatoj se jeni duke bërë diçka. Ju lutem të vazhdoni. Imagjinoni rezultatet humanitare që do të arrini. Imagjinoni sa fëmijë të pafajshëm do të mund të shkojnë në shkollë! Sa fëmijë nuk do të durojnë më urinë? Sa zemra të pafajshme do të shpëtojnë nga plasja?... Imagjinoni një ditë kur nuk do të jemi më i vetmi popull në Evropë i pushtuar nga fenomeni i pandershëm dhe i pashpirt i gjakmarrjes. Imagjinoni atë ditë kur nuk do të jemi më një popull aq i palogjikshëm që i vret njerëit e vet në emër të nderit!

 

Unë e kam humbur një të dashur në një fatkeqësi. Duke e qarë të vdekurin, kanë ardhur pleqtë dhe është deklaruar gjakmarrja sipas një ceremonie famëkeqe. Ky rast e ka ndarë familjen time në dy pjesë. Njëra pjesë, ata që kanë bërë shkollë, e kanë ndier vetën të nënçmuar që të lejohet ndërhyrja e analfabetëve dhe injorantëve në këtë çështje kaq të rëndësishme. Pjesa tjetër,  pleqtë e pashkollë, pa urtësi, depresivë, të çmendur... i kanë hapur kthetrat për të treguar se kanë diçka në dorë... dhe kanë fituar në emër të nderit. Kanë fituar për shkak të neglizhencës së autoriteteve shtetërore!

 

Qe nëntë vjet, nuk flas me një pjesë të famijles në atdhe. Jam deklaruar haptas se nuk do të marr gjak sepse nuk jam vrasës dhe nuk kam asgjë të përbashkët me ata që zënë peng një familje nën pretekste absurde. Edhepse kam emocione, mund të them se gjykimi i shkaktuesit të vdekjes është bërë disi sipas normave. Sidoqoftë, anëtarët e familjes së tij sot i ekpozohen vdekjes. Janë varfëruar sepse nuk mund të dalin të punojnë edhepse, sipas meje, nuk kanë as më të voglin faj!

 

Unë e kam lënë vendin. Kam ikur nga familja. Kam kaluar disa vite në Montreal ku kam marrë azil politik. Në Kanada e kam njohur një franceze dhe kemi ardhur bashkë këtu në Francë nga ku po shkruaj tani. Kemi dy djem dhe dua t’i rris jasht atij konflikti të krijuar nga kanunarët e tërbuar. Bëjmë një jetë normale. Por, nuk mund ta fshij dot nga mendja dëshirën që një ditë të mund të shkoj me familjen time të ngushtë në vendlindje së paku për pushime.

 

Mund ta krahasojmë rastin tim me një familje ku djali e kryen fakultetin e ekonomisë dhe fillon punën si ekonomist. E merr rrogën dhe ia jep komplet plakut sepse, për shkak të vjetërsisë, ai di më mirë ta udhëheq ekonominë. Pleqtë tanë e udhëheqin drejtësinë, pse të mos e udhehëqin edhe ekonominë? Mjeksinë? Punët e jashtme? Të gjitha ministritë? Presidencën? Kryeministrinë...? Pse të mos i mbyllim të gjitha shkollat dhe, kur nuk dimë diçka, të shkojmë e t’i pyesim pleqtë e fshatit të cilët e interpretojnë Kanunin... të cilin as që e kanë lexuar? Ku ta lexojnë, kur s’dinë të lexojnë? Po të dinin të lexonin, do të silleshin ndryshe... do të ishin normalë si mbarë bota...

 

Kërkoj falje për ironinë. Me këtë shkrim, dua të shkoj pak më larg. Të gjithë ata që shkruajnë për faqen Tribuna Shqiptare janë njerëz me influencë. Aq më tepër, të gjithë  e njohin një shkrimtar, një artist, një animator, një mësues fshati...shkurt: një njeri tjetër me influencë. Të gjihë së bashku, me të tjerët, mund të intervenojnë për të bërë të njohur projektin. Një animator radioje ose televizioni, për shembëll, mjafton të pyes publikun në një kuiz: çka do të thotë shprehja: Kanuni i neglizhencës?  Publiku do të shkojë në Google e do të lexojë artikullin pastaj do të formulojë me fjalë të veta përgjigjen: ... organet shtetërore nuk mund vazhdojnë të arësyetojnë moskokëçarjen duke u fshehur pas zakoneve e traditave sepse pakujdesia e tyre në ketë aspekt po bëhet traditë. Tashmë mund ta quajmë rregullin e tyre me dy fjalë të huazuara: Kanuni i neglizhencës. Organet kompetente duhet të marrin të gjitha përgjegjësitë për mbrojtjen e atyre që nuk kanë bërë krim duke pasur parasyh se të afërmit e vrasësit nuk janë vrasës.... ( www.kanuni.tk )

 

Nga një koment, mora vesh se Tribuna Shqiptare do të organizojë një peticion. Mendoj se kjo është një mënyrë e mirë për të përhapur mospëlqimin e të gjithë shqiptarëve ndaj dukurisë së gjakmarrjes. Është gjithashu një formë e mirë pedagogjike sepse gjatë procesist të nënshkrimit të peticionit bëhet një vetëdijësim i masave popullore dhe nxitet diskutimi. Kur nxitet diskutimi dhe debati, injoranca e humb fuqinë e vet. Evropianizimi i problemit të gjakmarrjes ndihmon gjithashtu për t’i zgjuar pushtetarët dhe për t’i frenuar kanunarët.

 

Mendoj se nuk duhet treguar asnjë mirëkuptim as respekt ndaj atyre që vrasin në emër të nderit sepse nuk ka njeri më të pandershëm se vrasësi me paramendim. Babai e ka vrarë bijën nën pretekstin se nderi lahet me gjak. E ka vrarë që të mbijetojë nderi, kanunarët (apo ndonjë interes egosit që fshihet pas nderit ose kamuflohet me nder) e jo e bija, fëmija i vet dhe ëndrrat e saj për një jetë të cilën do ta drejtojë vetë. E ka vrarë të bijën se është i çmendur!!! Është i çmendur mu si ai baba (qoftë ai i imi apo i juaji) i cili do që biri i tij të vret dikënd në emër të nderit e të kalbet në burg duke bartur një vdekje në vetëdije dhe duke imagjinuar fëmijët e të vrarit jetimë e duke vuajtur gjithë jetën. Ja logjika dhe nderi i kanunarëve: çmenduria. Unë nuk e luaj atë lojë, e them këtë sheshit. Unë krenohem se kam frikë. Unë krenohem se kam frikë t‘i bëj keq dikujt! Ndërsa, për nderin e kanunarëve të çmendurve s’i jap pesë para.

 

Në fund, jam i bindur se shprehja “Kanuni i neglizhencës” (emri ose kodi i projektit tuaj) u bën me mjeshtri thirrje autoriteteve që të marrin masat e nevojshme, në një anë. Në anën tjetër, kjo shprehje vë në hije ( për të mos thënë e diabolizon në masë të merituar) Kanunin...  i cili e parasheh gjakmarrjen ose krimin në emër të nderit. Kjo shprehje do të duhej të bëhej aq shumë e njohur saqë kur një shqiptar ta përdor fjalën „kanun“, t’i vijë menjëherë në mendje shprehja: „ Kanuni i neglizhencës“.

 

Nëse nuk bëjmë asgjë në këtë drejtim, asgjë nuk do të ndodhë në këtë drejtim... Përveç vrajseve dhe vuajtjeve! Nuk guxojmë t’ua lëmë pasardhëve tanë këtë fenomen të pamoralshëm. Të reagojmë që tani!!!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora