Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Besnik Dizdari: Kampionati që humbet identitetin e tij qytetar…

| E shtune, 22.11.2008, 02:12 AM |


Besnik Dizdari
Kampionati që humbet identitetin e tij qytetar…

 

Nga Besnik Dizdari

 

Në fund të fundit, një Kampionat Kombëtar futbolli, nuk nënkupton diçka tjetër, përveçse një shfaqje të përjavëshme të së shtunës apo të së dielës, ku njeriu, qytetari, i riu, i vjetri, në thelb familja, e shijon mbi të gjitha duke shkuar në stadium për ta parë ate. Sa për një kënaqësi shpirtërore aq edhe si një përfaqësim që zakonisht personifikohet prej skuadrës përfaqësuese të qytetit tënd. Ndërkaq, përmes emocioneve, luftës së mbrendshme dhe të jashtme që përmban një ndeshje e Kampionatit Kombëtar, ajo me vite shndërrohet në një simbol të vetë qytetit, një simbol përfaqësues të cilit qytetari i blaton ndjenjat dhe shpesh edhe identitetin (njinjishmëninë) e tij. Me një fjalë, ai bëhet pjesë e flamurit qytetas që mvesh në vetvete krejt personalitetin e skuadrës së tij.

 

Kësisoji, na duhet të pranojmë se në braktisjen sensacionale që ka rënë mbi Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë, ky kuptim ose ka humbë, ose thuajse po humb.

 

“TSG 1899 Hoffenheim” - një rast i rrallë identiteti të ri qytetar

 

Futbolli evropian ka në këte vit 2008 një rast krejt të pashembullt që mbërrin prej një Kampionati Kombëtar. Eshtë fjala për rastin gjerman në stinën e sivjetme 2008-09, që mban emrin e skuadrës “TSG 1899 Hoffenheim”, e cila kryeson Bundesligën e parë gjermane. Për herë të parë në historinë e Gjermanisë, skuadra përfaqësuese e një “fshati” me emrin Hoffenheim prej vetëm 3272 banorësh, që ndodhet në landin Baden Wurtemberg, në Gjermaninë jugperëndimore, aty, fare pranë, ku më 1983 Shpresa e Shqipërisë ka eliminuar Gjermaninë e 21 vjeçarëve të Berti Vogst (Trier), kërkon titullin e Kampionit të Gjermanisë. Interesantja është se në këte “fshat” nuk ka as internet, as diskotekë, dhe natyrisht as hotel me pesë yje, siç thotë një gazetar. Ai ka një rrugë kryesore, një kishë Evangjeliste dhe shumë shtëpi prej druri dhe një natyrë të pafund të gjelbërt. Aty ndodhet edhe parku Neckartal – Odenwald që është ndër më të mëdhenjtë e Gjermanisë me 1300 km2 sipërfaqe.

 

Tashti merreni me mend se si ky “fshat” i 3272 banorëve po ndërton një stadium me 32.000 vende që ka kushtuar 60 milion euro. Skuadra është vepër e Dietmar Hopp, i cili është një ndër dhjetë njerëzit më të pasur të Gjermanisë. Prodhues në industrinë e elektronikës, ky inxhinier nga profesioni, kishte parashikuar aty pari hyrjen e skuadrës së tij në Bundesligë, mu në vitin e 70 vjetorit të lindjes së tij, më 2010. E realizoi dy vjet më përpara. Këte ai e kishte projektuar andej kah fundi i viteve ’90, kohë kur “TSG 1899 Hoffenheim”, luante në kategorinë e 8-të të Gjermanisë!

 

Në të vërtetë “TSG 1899 Hoffenheim” nënkupton shkrirjen në një, të idesë komerciale të futbollit të sotëm me identifikimin (njinjishmëninë) e shpirtit qytetar të vetë futbollit të një Kampionati Kombëtar. Hopp ka harxhuar 210 milion euro për të blerë lojtarë, shumë të cilën mund ta harxhojë, bie fjala, vetëm një Bayern. Skuadra është një ndërkombëtarizim apo globalizëm i plotë i futbollit të sotëm: Demba – Senegal, Ogbuke – Nigeri, Carlos Alberto – Brazil, Nilsson – Suedi, Ibisevic – Bosnje Hercegovinë, Copado – Spanjë, Ozcan – Austri, Salihovic – Austri…

 

Në tanësi, “TSG 1899 Hoffenheim” nuk duket të jetë thjesht punë “fshati”, sepse “TSG 1899 Hoffenheim” i vogël, përfaqësuese e 3272 banorëve, në fund të të fundit është një pikë që gjendet mu në qendër të një zone të banuar prej 2.5 milionë banorësh, të cilët deri më sot nuk kanë pasur kurrnjiherë një skuadër futbolli mbrapa së cilës të gjejnë njinjishmëninë e tyre përfaqësuese. Shihet se kemi të bëjmë me përfaqësuesen e një “qyteti” të madh prej 2.5 milionë banorësh. Gjermania ka lëshuar vështrimin e saj lakmues te “fshati” “TSG 1899 Hoffenheim”, i cili shpejt do të ketë qendrën e tij futbollistike prej 160 hektarësh, me pesë fusha futbolli, fusha tenisi, sauna, pishina, bar-restorant, një “kështjellë” me zyrat pompoze administrative…

 

XXX

 

Nuk ka dyshim se Shqipëria nuk ka të bëjë asesi me ëndërra kësisoji të kalibrit gjerman. E treguam të gjithë këte vetëm për të prekur sado pak kuptimin e sotëm qytetar të futbollit, jo vetëm të ruajtjes së tij, por edhe të krijimit të ri të tij si në rastin e “TSG 1899 Hoffenheim”. E treguam jo thjesht se ky rast i rrallë ndodh në Evropën e sotme të futbollit, por sepse na u duk se shembulli i “TSG 1899 Hoffenheim”, na kujton se ndërsa në botën e sotme kërkohet të themelohen qendra të reja të idetinfikimit qytetar të futbollit, Shqipëria rrezikon të humbasë edhe ata që ka.

 

Kështu ngaqë historia na tregon se Shqipëria i ka pasë këto qendra, natyrisht në stilin e mënyrën e saj modeste, madje ato ende janë, veçse tejet të drobituna, të plakuna, të lodhuna, aty këtu edhe me shéje të shuarjes tashmâ.

 

Në vërtetim të kësaj po shkëpusim këte kalim prej një libri tonin, “Historia e Kampionateve të Shqipërisë – Vitet ‘30”, si për një kujtesë dhe ftesë për një gjallërim të futbollit tonë qytetar. Eshtë fjala për ndeshjen vendimtare SK Tirana – Vllaznia të 28 qershorit 1936, e cila ka hyrë në historinë e kampionateve shqiptare si një nga më sensacionalet, më historiket.

 

“Shkruante "Sporti Shqiptar" 1936 para kësaj ndeshje:

 

"Po ulen në kryeqytet lojtarët shkodranë. E asht ma mirë me thanë po ulet Shkodra sportive. Qindra e qindra shkodranë janë gadi me e përcjellë skuadrën e vet në ma të madhin match të kampionatit. Enthuzjazmi e morali i lojtarëve të Vllaznisë ka arritë kulmin. Të gjithë janë në formë, janë të freskët, janë të çkathët, presin me padurim ndeshjen, të gjithë mendojnë e thonë se do të fitojnë." … E Shkodra ka zbritur në fushë tejet e sigurtë për t'u bërë më në fund edhe ajo një herë kampione e Shqipërisë. Kronika e kohës thotë se 700 e sa shkodranë (një shifër gjigande për atë kohë) kanë ardhur nga Shkodra dhe veturat e tyre para Kafe "Kursal" nuk kanë të numruar. Shkodra është ndjerë kësisoj si në shtëpinë e vet, si në fushën e saj. Nuk e ka marrë me mënd se çka mund të ishte 20-vjeçari që quhej Riza Lushta!.. Fusha e Shallvares përjeton madhështi edhe në ceremonialin e kësaj ndeshjeje. Kësaj rradhe aty ka ardhur Banda Ushtarake. Përveç familjes mbretërore, vjen dhe kryeministri Mehdi Frashëri dhe disa ministra. Banda ekzekuton Hymnin Kombëtar dhe në orën 17.30 gjyqtari Alush Lleshanaku, pedagog i shquar i edukimit fizik, njeriu për të cilin askush nuk do të mund të parashikonte se pas rreth 20 vjetëve do të vritej në Shqipëri kur kishte ardhur për të përmbysur regjimin komunist, jep pra vërshëllimen e fillimit. Ishte ndoshta si "ndeshja e shekullit" për Shqipërinë, siç thuhet…”.

 

Edhe përmes këtyre rradhëve duket qartë se e kemi pasë futbollin qytetar identifikues, madje 70 e mâ vjet të shkuara.

 

Dhe për rastësi, mbas Javës 11 të Kampionatit të 70 Kombëtar (K70K) këtij 2008-09, papritmas veçohet mu dyshja e vitit 1936, Sportklub Tirana dhe Vllaznia. Ato fituan me dridhje në zemër të shtunën që shkoi, 1-0 ndaj KS Lushnjës dhe 2-1 ndaj Teutës, po ndeshjet e tyre qenë thujase një boshatisje qytetare. Qoftë edhe në stadiumin që deri para pak është mbajtur më i populluari në Shqipëri, ai “Loro Boriçi” i Shkodrës. Prej muajsh ai kurr nuk ka më tepër se nja 3000 shikues. U pa kjo edhe në ndeshjen e së shtunës që kaloi në fitoren dramatike të minutës 92 me Teutën e Durrësit. U pa sidomos në braktisjen e madhe të Stadiumit “Selman Stërmasi” të fitores së mundimshme të SK Tiranës 1-0 ndaj skuadrës lushnjare, ku si asnjëherë në histori për një kryesuese Kampionati, tribuna karshi thuajse ishte e boshatisur, ndonëse është fjala për skuadrën më të famshme shqiptare, mëtuese e dorës së parë edhe e këtij Kampionati në rrugë e sipër!

 

Qysh gati 10 vjet të shkuara, me shkrimet tona kemi paralajmëruar këte braktisje sensacionale, duke dhënë edhe shkaqet braktisëse Askush nuk na ka ndjekur në këte paralajmërim alarmues. Tash që njinjishmënia qytetare e skuadrave të futbollit thuajse po vendohet bukur e mirë deri në shuarje, zërat e vonuara të alarmit janë çuditërisht të shumta. Kanë vonuar 10 vjet të binden!

 

Kësisoji, nuk kemi qenë në gjendje ta parandalojmë. Një mik i yni nga Kolonja ka guximin të na thotë se po ndërtohet futbolli qytetar i Kolonjës, teksa ne shohim se Gramozi i Ersekës, zë vendin e dytë në Kampionatin e rangut të dytë të Shqipërisë, atë të cilin padrejtësisht FSHF e ka emërtuar Kampionati i kategorisë së parë. Çka do të thotë se Erseka për herë të parë në historinë e Shqipërisë, është skuadra e 14-të e Shqipërisë, kur dihet se në Renditjen tonë të Shekullit për skuadrat shqiptare ajo zë vendin e 31-të! Miku ynë kolonjar jeton në Gjermani dhe ne për një çast e humbim arësyen e na duket se një “TSG 1899 Hoffenheim”, po lind mu atje larg në malet e Gramozit. Endërr edhe kjo. Ndonëse nja njëzet e mâ vjet të shkuara, autori i këtushëm ka përjetuar një ndeshje “të madhe” futbolli në një ditë bore midis Partizanit dhe Gramozit të Ersekës për një Kupë ndoshta gazete, nëse nuk e gabon kujtesa, dhe pat shijuar një pasion të madh futbolli në këte pikë skajore të jugëperëndimit shqiptar ku Skenderbeu i dëgjuar i Korçëa ka mbjellë farën e tij shëndetplotë të futbollit, sot mjerisht të shkretuar…

 

Shqipëria rrezikon të humbë identitetin qytetar të Kampionatit të saj…

 

Në mos e ka humbë tashmâ…

 

Shqipëria sot ka një Kampionat të tillë, ku gazetat më fort se për askurgjâ tjetër flasin për të ashtuquajturit presidentë (në Kosovë iu thonë shqip “kryetarë”) të klubeve, portretet e të cilëve mbushin faqet e gazetave, përditë, po, po përditë. Janë njerëzit që intervistohen më fort se askush, ndoshta për hir të një imitimi të një stili perëndimor “gazetarije” që asesi ende nuk i shkon Shqipërisë. Ata kanë mposhtë lojtarët e fushës së blertë, trajnerët, tribunat e stadiumeve, në të vërtetë vetë sportin e qyteteve. Dhe po kaq kanë mposhtë edhe gazetarët!? Kjo është zotësi e tyre. Natyrisht ata janë njerëzit që harxhojnë jo pak për skuadrat e tyre, por ende asnjeri prej tyre nuk ia ka arritur të formojë një skuadër të vërtetë futbolli me të cilën të identifikohet (njinjisohet) qyteti, familja, të rinjtë, të vjetrit dhe tribunat e mbushura…

 

Shqipëria sot ndoshta ka Kampionatin më të pa ngjyrë në historinë e saj.

 

Sepse ai është braktisë prej shqiptarëve. Ose në një farë mënyre, ai është një Kampionat që deri diku ndjehet i fortë vetëm në faqe gazetash dhe në emisione të ngjashëm televizivë (temë për një ditë tjetër kjo) si dy pika uji…

 

XXX

 

Kështu apo ndryshe, të shtunën u luajt Java 11, që përkon me mbarimin e njerës prej tri periudhave të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë. Dikur ne, fituesen, në këte rast Sportklub Tiranën, së cilës ka kohë që shtypi ahistorik shqiptar ia ka ndërruar emrin zyrtar duke e quajtur thjesht “Tirana”, duke ia ç’identifikuar mu historinë (të paktën ta quajë “17 Nëntori” meqë “SK Tirana” nuk iu pëlqen) e emërtonim si “Kampione e Vjeshtës” (edhe këte përcaktim e kemi prej Anton Mazrekut). Eshtë një “kampione” stinore e cila lind prej kësaj Renditjeje të mbas 11 javëve:

 

1. SK TIRANA / Tiranë 22 6 4 1 12-5

2. VLLAZNIA / Shkodër 21 6 3 2 17-9

3. SHKUMBINI / Peqin 19 5 4 2 15-9

4. DINAMO / Tiranë 17 4 5 2 11-7

5. KS ELBASANI / Elbasan 16 4 4 3 8-7

6. TEUTA / Durrës 16 4 4 3 7-6

7. BESA / Kavajë 16 4 4 3 9-9

8. FLAMURTARI / Vlorë 13 3 4 4 7-9

9. BYLIS / Ballsh 12 3 3 5 7-11

10.APOLONIA / Fier 11 3 2 6 9-14

11.PARTIZANI / Tiranë 7 1 4 6 6-13

12.KS LUSHNJA / Lushnje 7 2 1 8 7-16

 

Eshtë një renditje e cila me përjashtim të dukurisë statistikore që tregon se ajo nuk ka lënë asnjë skuadër pa fitore, pa barazime, pa humbje, në të tjerat është ndër më të varfërat. Mbi të gjitha në “gjeografinë” e saj: 60 përqind e skuadrave i përkasin Shqipërisë së Mesme (Tiranë-Durrës-Kavajë-Peqin-Elbasan), rreth 33 përqind i përkasin asaj Jugore (Lushnje-Fier-Ballsh-Vlorë) dhe vetëm nja 8 përqind Veriut mirëfilli (Shkodër), teksa mungon Jugu i poshtëm ndonëse këtu kemi qendra të vjetra të futbollit (Berat, Korçë – Gjirokastër). Në këte varfëri gjeografike që pasqyron kjo 12-she e Renditjes apo e vetë Kampionatit, vështirë se edicioni i tij i 70-të, ky 2008-09, të mund të bëhet një emblemë përmes shifrës së tij të plotë përkujtuese.

 

Mu në këte varfëri “Kampionia e Vjeshtës” 2008, i takon kështu, të jetë SK Tirana, ajo e cila ka në arkivin e saj ka 23 tituj të kampiones (pa dy të Luftës, 1939 dhe 1940). Nuk qe një mbyllje fort bindëse kur kujton se sa problematike u bë për te ndeshja me skuadrën e shkallëve të fundit të Renditjes, siç është e sapoardhura nga Kampionati i rangut të dytë, KS Lushnja. Një gol i vetëm, madje një vetgol i vetëm i minutës “fatale” të 13-të, me “autor” Ndonin e skuadrës mike, dhuroi trepikëshin më të rëndësishëm për kryesuesit, të cilët qysh në Javën 4, nuk e lëshojnë kreun. Themi më të rëndësishëm, sepse teksa përshkohesh në rezultatet e Javës 11, me përjashtim të njërit, të gjithë të tjerët shkuan në të mirë të epërsisë kryeqytetase: humbi mëtuesja Dinamo, humbi mëtuesja tejetër Besa, dhe barazoi mëtuesi më i ri një Kampionati të Shqipërisë, Shkumbini, humbi e përtëritura Teutë, dhe barazoi KS Elbasani i shumë bëmave “të frikshme” të viteve të fundit në sfidat e tij kundër kryeqytetit, teksa kujton se humbja e vetme e Kampiones së Vjeshtës SK Tirana është mu ky Elbasan.

 

Ajo ishte një ditë triumfi për dy të parët, protagonistet e mësipërme të njinjisimit apo identifikimit qytetar të Kampionatit Shqiptar të vitit 1936, SK Tiranës dhe Vllaznisë së Shkodrës. Emrat e tyre nuk janë një Riza Lushtë, një Foto Janku, një Adem Karapici, një Rud Gurashi e Bik Jakova, as dhe një Ibrahim Dizdari e një Bimo Fakja apo një Reshit Rusi e një Asim Golemi datuar 1936 – të gjithë qytetarë të klasit të parë të Tiranës e të Shkodrës. Në largësi 72 vjeçare sot emrat Tiranë- Shkodër natyrisht janë të tjerë: B.Nallbani, Lila, Abraham, Kçira, T.Osmani, Pezo, Agolli, Muzaka, Dabulla, Devolli, D.Muka, Lilaj, Memelli, D.Xhafa, Grima, E.Beqiri, Lici, Shtubina, Kaçi, Belisha, Sinani, Hoti, Osja, I.Nallbani, Smajli, Boadu, Dhëmbi… Siç shihet, ndodhemi deri diku edhe përpara një ndërkombëtarizimi, madje edhe të një drejtimi ndërkombëtar, teksa kujton ndërkaq, se trajneri i Sportklubit është kroati i Bosnjës, Blaz Sliskovic, 26 herë me Kombëtaren e Jugosllavisë, dikur i ashtuthirruri “Maradona i Ballkanit”, futbollist i Mostarit, i Hajduk Split, i Olympique Marseille, i Pescara, po dhe trajner i Bosnje Hercegovinës dhe i Hajdukut të Splitit. Eshtë “kryetari” i një vërshimi sllav trajnerësh në Kampionatin e Shqipërisë kur pranë tij rreshton edhe Zlatko Dalic (Dinamo), Slavko Kovacic (Flamurtari) dhe krejt papritmas, të shtunën, Esat Karishik (Apolonia). Eshtë rasti iparë i jashtëzakonshëm që një e treta e trajnerëve të Kampionatit të Shqipërisë janë sllavë!

 

Për të mbërritur te “vuajtja” me skuadrën e Lushnjës, Sliskovic i mbështetur prej Presidentit tejet serioz të klubit, Refik Halili, është përpjekur ta shndërrojë disi kampionen e dëgjuar shqiptare, duke u mbështetur mu te ajo që është zbehur tejet vitet e fundit në Shqipëri: puna, stërvitja, disiplina. Kjo i ka dhënë 6 fitore, 4 barazime dhe vetëm 1 humbje në Elbasan, prej skuadrës të cilën të shtunën në mbrëmbjen e 15 nëntorit 2008, çuditërisht ai e pa plot 6 pikë mbrapa dhe në vendin e 5-të! Dhe po çuditërisht ndodhet në vetëm 1 pikë largësi prej skuadrës të cilën në Javën e 7-të e kishte plot 5 pikë larg: Vllazninë e Shkodrës! Ky ngushtim befasues ndoshta qe dhe “dështimi” i vetëm i mostarasit të shquar, i cili e la Stadiumin me emrin e themeluesit Selman Stërmasi, gati i zhgënjyer. Duhet të ketë qenë një çast i vetëm për njeriun i cili ka luajtur 26 herë nën fanelën autoritare të Jugosllavisë. Në fund të fundit, duke fituar një periudhë gare, ai hyn ndër trajnerët e rrallë të huaj të cilët fitojnë në Shqipëri një periudhë të vetme Kampionati. Janë vetëm 3: hungarezi Temesvari (SK Tirana, 2000-01), malazezi Hadziosmanovic (Vllaznia 2003-04) dhe boshnjakokroati Sliskovic (SK Tirana 2008-09). Duke mbetur kështu, ende e varfër, historia fitimtare e trajnerëve të huaj në Kampionatin e Shqipërisë, në këte rast me vetëm 12 gola në 11 ndeshje, në tanësi me golaverazhin ndër më të varfërit në kampionate, vetëm 12-5, Sliskovic dhe Sportklubi tij, ende nuk mund të themi se ia kanë rritur të krijojnë një fytyrë të re te kampionia shekullore shqiptare. Një gol barazues në dy tre çastet tejet delikate në ndeshjen me skuadrën lushnjare, mund të komprometonte gjithë punën e tij të mirë të këtyre 11 javëve.

 

Asisoji, kryesuesja do të mund të kishte qenë Vllaznia e Shkodrës, ajo që e ndjek nga vendi i dytë. Enigmatikja Vllazni 2008, e nënshtruara e Napolit në Kupën e Evropës, shitësja e bujshme e treshes së saj të talentuar Lika-Sukaj-Teli, ajo e cila pa këte shtyllë rinore të saj, arrin të qëndrojë vetëm 1 pikë larg mëtueses së madhe me emrin SK Tirana! Edhe skuadra shkodrane, e drejtuar me këmbëngulje prej trajnerit Agim Canaj, nga ana e saj nuk qe veçse një e “e shpëtuar” në njinjishmëninë e saj prej një goli të vetëm, madje një goli të vetëm të minutës së skajshme 92, ajo që qysh më 1931 italianët e njohin si “Zona Cesarini”. Eshtë një lokucion për golat që shënohen në minutat e fundit të një ndeshje futbolli. Ka mbetur ç’prej ndeshjes Italia – Hungaria e 13 dhjetorit 1931 në Torino, çast kur në rezultatin 2-2, mesfushori Renato Cesarini, i merr topin shokut të tij Costantino (ai që do të bëhet trajneri i Riza Lushtës në Bari), futet në zonë dhe mbas një finte të paharrueshme tund rrjetën e portjerit hungarez Ujvari, duke i dhënë Italisë fitoren 3-2, sepse nuk pati kohë më as që të vihej topi në qendër për rifillim të mëtejshëm. E duke qenë se ky Cesarini do të arrinte të shënonte disa kësisoj golash “vrasës”, mbeti emërtimi “Zona Cesarini”.

 

Shkodra nuk është e “Zonës Cesarini”. Ose është shumë rrallë, e thuajse nuk i ndodh kurrnjiherë asisoji. Spektakolar goli i kombëtarasit Elvin Beqiri, që lehtësoi tribunat gjysmë të boshatisura të “Loro Boriçit”. Një gëzim qytetar befasues në Shkodrën e futbollit, e për një çast ëndërra duket e bukur. 6 fitore, po aq sa SK Tirana, por 17-9 golaverazhi, më i miri i Kampionatit, padyshim shifra më e spikatun e një Renditjeje, së cilës më shumë se asgjë i mungojnë golat. Skuadrës shkodrane me Paulin Dhëmbin e “Korçës”, e cila përherë ka qenë tejet e mirëkuptuar me miqësinë sportive korçare, por ku më i përkujtueshmi mbetet portieri kampion i Shkodrës Gjergji Kushe i viteve ’80, duket se shitja e treshes rinore të sipërpërmednur, nuk i ka prishë punë. Nuk mendoj kështu megjithate. Dhe çka është më e rëndësishmja, është tepër vështirë për të parashikuar nëse do të kemi vërtet një duet Tiranë – Shkodër apo në 22 javët mbetura gjithçka të mund të jetë tjetër.

 

Epror prej dyshes SK Tirana – Vllaznia, Kampionati i 70-të megjithate nuk duket kurrsesi se ka në vetvete madhështinë jubilare të edicionit të tij të 70-të. Duket se do të kemi një festim të varfër, megjithë suksesin e madh të Shkumbinit të Peqinit – për herë të parë i treti i Shqipërisë, përveç të tjerave falë dhe drejtimit tepër serioz të trajnerit Gugash Magani, të cilin nuk e pamë një herë të vetme të buzëqeshë. Kësisoji nuk do të mund të ketë një festë. Ndodhemi përpara Kampionatit më të varfër të identiteti të tij tradicional, përderisa kemi jashtë tij më e pakta Skenderbeun e Korçës, Tomorin e Beratit, Luftëtarin e Gjirokastrës apo dhe Apoloninë e Fierit.

 

E përderisa kemi në vendin e fundit 15 herë kampionin Partizani, të cilit vazhdojnë t’i thonë “i lavdishëm”, ndonëse në 20 vjetët e fundit ka fituar vetëm 1 herë titullin e Shqipërisë! Të shtunën ai mbërriti t’i shmanget për një çast vendit të fundit duke mënjanuar për shkaqe goalsh KS Lushnjën, duke i dhënë tronditjen e parë treshes së boshtit Myzeqe-Mallakastër, Bylis – Apolonia – KS Lushnja. Ky Kampionat që hap mbas hapi zbehu ambicjet e Dinamos që dorëzohet mu në Ballsh, që ringriti Teutën, që dha grafikun e çrregullt të KS Ebasanit, të Besës dhe që ende nuk të lë të shpresosh për një përfshirje te ngjarje të mëdha të Flamurtarit dikur numër 1 në Shqipëri.

 

E gjitha është një pamje që vërteton titujt tonë të këtij shkrimi:

 

“Vitet e braktisjes së Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë”

 

“Kampionati që ka humbë identitetin e tij qytetar…”

 

Edhe teknikisht ndodhemi përpara një Kampionati që ka humbë prodhimin e tij më të parë: golat. Vetëm 115 në 66 ndeshje, ose 1.74 gola për ndeshje! Më e ulta e 34 vjetëve të fundit (më 1973-74 ishte 1.67 gola për ndeshje). Vështroni: vetëm 4 skuadra kanë shënuar 1 gol për ndeshje. Nuk ka ndodhur asnjëherë. 23 herë 1-0 dhe 11 herë 0-0 vetëm në një periudhë të Kampionatit. Dhe e gjitha kjo nuk është fryt i mbrojtjeve hermetike, sepse ato asesi nuk ekzistojnë. Eshtë paaftësi prodhuese futbollistike mirëfilli. Varfëri sulmuesish, aritmi, taktikë jozhvilluese e moderne, paqëndrueshmëri përbërjeje të skuadrave, në fund të fundit, humbje e identitetit dhe ajo me pasoja: kemi hyrë bukur e mirë në “vitet e braktisjes së Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë”. Kur nga ana tjetër tundimi “historik” televiziv i Kampionateve të mëdhenj të Evropës ka çuar te një diçka edhe më e frikshme që shkon përtej ç’identifikimit të futbollit qytetar shqiptar: shkon te çkombëtarizimi i vetë ndjenjës qytetare të futbollit shqiptar!

 

XXX

 

POST SCRIPTUM:

 

Kemi qenë në Asamblenë e futbollit javën që shkoi. Në Pallatin e Kongreseve në një sallë lakmuese dhe elegante si të ishim në një Asamble të UEFA-s (foli edhe Michel Platini). Një botim tashmâ tradicional i FSHF-së, shéja, flamuj, diskutime kryesisht “financiare”, por gjithnjë e më pak futboll i vërtetë identifikues Kampionati. Qoftë edhe ai i folur apo i diskutuar.

 

Diçka duhet bërë me Kampionatin e Shqipërisë. Sa nuk është vonë. Ndryshe ai rrezikon, më tragjiken: humbjen e plotë të identitetit (njinjishmënisë) së tij, çka rrezikon të të çojë deri te shuarja e kombëtarizimit të mjedisit futbollistik në Shqipëri.

 

Por: “Një skuadër futbolli shpreh deri në thelb veçorinë dhe kulturën e “etnosit” ku ajo është formuar”, siç na rikujton sentenza e përsëritur.

Tema