E premte, 29.03.2024, 12:35 PM (GMT)

Kulturë

Agron Xhagolli: Rreth veprimtarisë së një shoqate me vlerat e një institucioni

E marte, 09.02.2021, 11:52 AM


RRETH VEPRIMTARISË SË NJË SHOQATE ME VLERAT E NJË INSTITUCIONI

NGA PROF.DR. AGRON XHAGOLLI

Ka qenë një rastësi e këndshme që në një nga ditët e shtatorit të vitit 1979, kur një grup studiuesish nga ish-Instituti i Kulturës Popullore dhe Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë Shqipe, pranë Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, që ishim për kërkime folklorike dhe gjuhësore në Kosovë, na u ofrua të bënim një vizitë në Shkup. Do të na shoqëronte studiuesi kosovar Rexhep Ismajli, që mësuam se ishte nga Presheva. Ai na mundësoi që gjatë rrugës të ndalonim edhe në qytetin e tij, ku kishte dhe njerëzit e afërt.

Pranuam me kënaqësi dhe pas një udhëtimi, që ishte tepër interesant për ne që nuk e kishim njohur atë hapësirë deri në Preshevë, mbërritëm atje. Informacionet tona rreth Preshevës dhe preshevarëve ishin shumë të kufizuara, për shkaqe që tashmë janë të njohura. U habitëm nga pritja në shkollën e mesme të qytetit, ku nga hyrja dhe deri te zyra e drejtorit të shkollës ishin vendosur në të dyja anët nxënësit që na pritën me duartrokitje dhe na shikonin me një lloj habie. Ishte gjaku i përbashkët që dhe ne na përloti nga ajo mirëseardhje shumë entuziaste. Por e papritura vazhdoi kur na priti stafi pedagogjik, me në krye drejtorin e shkollës. U takuam me vëllezërit tanë, të përmallur dhe me shumë kërshëri për njëri-tjetrin. Për mua personalisht ishte e papritur e këndshme, që na e mundësoi vetëm ngulmimi i shoqëruesit tonë, të nderuarit Rexhep Ismajlit. Unë i jam mirënjohës për mundësinë e krijimit të një ideje fillestare rreth Preshevës dhe preshevarëve.

Do të kalonim shumë vite dhe më nuk kisha dëgjuar ndonjë gjë për Luginën e Preshevës. Erdhi rasti që një kolegu im në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe të Studimit të Artit në Tiranë kishte një ftesë nga Presheva dhe kishte vajtur atje për të mbajtur një kumtesë. Tema e asaj Konference kishte të bënte me vallet popullore në Preshevë dhe rrethinë. Kolegu më dha dhe librin me përmbledhjen e kumtesave të mbajtura. E lexova me vëmendje atë libër, nisur nga fakti se nuk kisha informacione për jetën dhe natyrën e folklorit në trevën e Luginës së Preshevës. Kushtet politike nuk më kishin mundësuar njohjen nga afër të atij folklori, ndaj përmes leximit të përmbledhjes me kumtesa mora dëshmitë e para rreth natyrës, afërsive dhe veçorive të folklorit në ato mjedise. Kureshtja profesionale ishte shumë e madhe dhe më hoqi ndrojtjen e të “lypurit” të ndonjë përmbledhjeje me krijime folklorike. Dy vëllime të kësaj natyre shumë shpejt ishin në duart e mia, që i përpiva duke i shfletuar me vëmendje të madhe.

Mësova nga kolegu se pothuajse çdo vit në Preshevë organizohej një konferencë shkencore me tema nga fusha të ndryshme të albanologjisë. Pas kësaj, erdhi rasti që edhe unë të isha pjesëmarrës shumë shpejt në një veprimtari të tillë. Ishte viti 2011 kur u ftova të merrja pjesë me kumtesë në Konferencën Shkencore me temë Këngët e dasmës – vendi i këngëve të dasmës në Luginën e Preshevës në këngët shqiptare të dasmës, organizuar nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore Preshevë.

Ndjeva një kënaqësi që do të rikthehesha edhe një herë tjetër në Preshevë, por kisha dhe kureshtjen se si do të ishte organizimi, cilët do të ishin pjesëmarrësit, cili do të ishte niveli i Konferencës. Sidoqoftë, përgatita kumtesën me titull Këngët e dasmës – Vendi i këngëve të dasmës në Luginën e Preshevës në këngët shqiptare të dasmës dhe në datën e caktuar ndodhesha në Preshevë. Ishte paraparë që Konferenca do të zhvillohej në datat 24 – 25 dhjetor 2011. Pritja ishte befasuese. Në atë të ftohtë dimri ishin mbledhur për të pritur të ftuarit në një nga lokalet e qytetit një numër i konsiderueshëm vendasish, me të cilët na prezantoi ai që ishte kryetari i Shoqatës që na kishte ftuar. Ky ishte z. Xhemaledin Salihu, një burrë në moshë të pjekur, me një buzëqeshje në buzë, brenda seriozitetit të tij, që përcillte respekt. Pas përshëndetjes me të gjithë, filluan njohjet më konkretisht dhe unë pashë se kishim të bënim me njerëz të formuar, me interesa dhe shqetësime, jo vetëm mikpritës, ashtu si i kujtoja në vitin 1979. Duhet thënë se nga të pranishmit në Konferencë, që ishin të shumtë, pati vlerësime shumë pozitive dhe inkurajuese për ecurinë e saj, për temat e trajtuara dhe u kërkua që veprimtari të tilla të organizoheshin sa më shpesh.

Kjo e fundit ishte një fjalë goje, por sa e vështirë ishte për organizatorët, me në krye kryetarin fjalëpak dhe punëshumë, z. Xhemaledin Salihun. E ndoqa nga afër punën dhe përpjekjet e organizatorëve, që nuk ishin përqendruar vetëm tek organizimi i veprimtarive shkencore. Krahas, siç e ka dëshmuar ndër vite puna konkrete e Shoqatës, interesimet dhe nismat konkrete kishin të bënin me hetimin, gjurmimin dhe dokumentimin e vlerave të ndryshme të trashëgimisë kulturore shqiptare në Luginën e Preshevës, për të arritur deri në botimin dhe ekspozimin e tyre. Qëllimi i të gjithë kësaj veprimtarie ka qenë dhe është mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore, si dhe kultivimi i kulturës shqiptare. Më pëlqeu dhe m”u duk me shumë interes kjo platformë e një pune të organizuar dhe të mirëmenduar, ndaj e vazhdova edhe më tej bashkëpunimin me Shoqatën për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Luginën e Preshevës, që vazhdoi gjatë, deri në ditët e sotme.

Rezultatet e deritanshme, të arritura nga Shoqata janë impresionuese. E mbështes këtë pohim duke u nisur nga fakte të shumta. Së pari, do të shënoja se formimi dhe funksionalizimi i saj ka fillesë nga viti 2010; dhe deri më sot ka organizuar suksesshëm 12 Konferenca Shkencore, me pjesëmarrje, jo vetëm të studiuesve lokalë, por dhe nga të gjitha trojet shqiptare. Së dyti, dhe me shumë rëndësi është dokumentimi i tyre përmes botimit të trajtesave të realizuara nga studiuesit, jo thjesht në nivel kumtese, por edhe të zgjeruara. Deri më sot në duart e studiuesve dhe të interesuarve, po të shtojmë edhe ndonjë botim individual, janë 11 botime, që bindshëm përcjellin me objektivitet problematika nga më të ndryshmet. Së treti, tematika e veprimtarive shkencore dhe, si rrjedhojë edhe e botimeve të realizuara, nuk ka të bëjë thjesht dhe vetëm me trashëgiminë kulturore të Luginës së Preshevës, por zgjerohet në nivel gjithëshqiptar. Së katërti, janë organizuar gjatë ditëve të Konferencave edhe veprimtari të tjera, si: ekspozita fotografike dhe nga kultura materiale e Luginës; akademi përkujtimore; promovime librash; vizita në objekte kulturore të dalluara për vlerat e tyre kulturore; së pesti, Shoqata ka bërë të mundur realizimin e projekteve të ndryshme, që kanë të bëjnë me regjistrimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore në Luginën e Preshevës, me kohëzgjatje 6-mujore. Së shtati, Shoqata nuk ka qenë e mbyllur në vetvete, por ka bashkëpunuar me shoqata të tjera ekzistuese, si në vetë Luginën, po ashtu dhe me shoqata të tjera simotra, me të cilat ka realizuar projekte të ndryshme, por edhe me Institutin Albanologjik në Prishtinë. Së fundi, por jo për nga rëndësia, është fakti se Shoqata për realizimin e pikësynimeve të veta ka pasur dhe ka vështirësi të ndryshme, midis të cilave sigurimi i fondeve monetare. Kryesia dhe kryetari i Shoqatës, përmes argumentimit të punës së tyre, kanë bindur, kryesisht, individë të ndërgjegjshëm, me mundësi financiare, që të kontribuojnë në realizimin e nismave të saj, duke shënuar të gjitha arritjet që u përpoqa t’i sjell me lart.

Këto përpjekje dhe punë të kryera tashmë e kanë shndërruar me të drejtë Shoqatën për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Luginën e Preshevës në një lloj institucioni shkencor, që ka marrë përsipër për të zëvendësuar rolin e nje instuti kërkimor-shkencor, në kushtet kur mungon një i tillë. Dhe nuk kanë të ndalur nismat e saj për të vazhduar me dëshirë dhe pasion këtë trashëgimi të arritur deri më sot. Dhe jo vetëm kaq. Shoqata ka marrë përsipër që bashkë dhe me OJQ të ndryshme të organizojë dhe të trajtojë debate për ato problematika që kanë të bëjnë me shoqërinë civile dhe rolin e saj në komunën e Preshevës, faktorët e zhvillimit ekonomik të kësaj komune, duke ndikuar në ndërgjegjësimin për ndjeshmëri më funksionale të organizmave shtetërore dhe sociale.

Në kushtet kur në Luginën e Preshevës mungon një institucion shtetëror për të realizuar projekte shkencore të trashëgimisë kulturore shqiptare, mund të them me bindje se puna dhe veprimtaritë e zhvilluara nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës kanë ndikuar së tepërmi në nxjerrjen në pah të trashëgimisë kulturore të Luginës së Preshevës, bërjen e saj të njohur për të gjithë të interesuarit, nxitjen dhe hapjen e fushave studimore.

Të gjitha këto që përmenda më lart janë vetëm një paraqitje e shkurtër e atyre përpjekjeve të mëdha të Shoqatës, dhe në veçanti të kryetarit të saj, profesorit Xhemaledin Salihu. Ai është një organizator i përkushtuar, që ka, jo vetëm një formim për të kuptuar dhe për të përcaktuar fushat e punës së Shoqatës, por edhe organizimin e punës dhe ndjekjen e tyre në vazhdimësi. Për më tepër, duhet të shënoj ndihmesën e tij prej vitesh si pjesëmarrës aktiv në Konferencat Shkencore, jo thjesht si organizator dhe drejtues, por dhe me kumtime, dëshmi për një njohje shumë të mirë të trashëgimisë kulturore në Luginën e Preshevës. Ndaj fushëveprimtaria e tij e ka mundësuar dhe shtyrë si një nxitje për hartimin dhe botimin e disa veprave me interes shkencor, që kanë të bëjnë me problematika të Luginës së Preshevës, midis të cilave do të veçoja librin voluminoz, “Presheva pjesë e pandarë e Lëvizjes Kombëtare nëpër shekuj”, botuar në vitin 2017. Do të shprehesha se një vepër e kësaj natyre, që bën fjalë: për mëhallat dhe toponiminë e Preshevës; aspekte të historisë së saj; trashëgimi kulturore, natyrore dhe shpirtërore; arsimi, kultura dhe informimi në Preshevë etj i ka dhe të gjitha të dhënat e nevojëshme shkencore, si burimet dhe literaturën e shfrytëzuar nga autori. Me këtë vepër z. Xhemaledin Salihu dëshmon për interesat e tij shkencore, pikësynimet që ka, jo vetëm për punët e veta shkencore, por dhe për gjallërimin e jetës shkencore, në shërbim të Luginës së Preshevës. Ndaj shpreh besimin personal, por besoj edhe të mjedisit më të gjerë, jo vetëm të Luginës së Preshevës, se me një drejtues të tillë puna shkencore do të marrë përmasa të reja, me thellime dhe prezantime gjithënjë e më cilësore.

Së fundi, dëshiroj që Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës dhe kryetari i saj të kenë suksese të tjera, edhe më të ndjeshme, në shërbim të komunitetit të kësaj krahine, si pjesë me rëndësi e trashëgimisë kulturore shqiptare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora