Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dukagjin Hata: Haxhi Dauti, udhëtimi mbresëlënës i një rrok stari shqiptar

| E marte, 09.02.2021, 04:23 PM |


Haxhi Dauti, udhëtimi mbresëlënës i një rrok stari shqiptar

Nga Dukagjin HATA

“Rrugëtimi muzikor më ka dhënë kaq shumë miq e shokë, fansa e bashkëpunëtorë, sa nuk do të mjaftonin dhjetëra jetë të zakonshme në një jetë për t’i pasur”, e nis rrëfimin Haxhi Dauti, rrok stari shqiptar që doli në rrugën e muzikës këtu e rreth pesë dekada të shkuara, në një qytet me asht të pëndezur shqiptarie, emri i të cilt qe lidhur pazgjidhshmërisht me këngën, artin dhe të bukurën, si koncept estetik dhe filozofik. Politikan, veprimtar i shquar shoqëror, lider i Lidhjes Shqiptare në SHBA, aktivist i përkushtuar i të drejtës shqiptare në Ballkan, në kacelaritë e Uashingtonit, ndjeshmëria dhe sensibiliteti më i lartë duket se e përfshinë atë burrë kur flitet për muzikën, dashurinë për të cilën e ka mbartur si një gur sizifian nga Struga në SHBA, në tokën e re të lirisë dhe progresit njerëzor. Kujtesa e tij rikthehet në kohë dhe gjen atje çaste të vështira dhe fatlume njeherësh, që me kohë u kthyren në etalion kërkimi drejt magjisë dhe përsësomërisë së artit muzikor, në një aventurë estetike,në dimensioned e një ëndrre të kulluar.

Kujton nisjen e parë, dyshimin, hezitimin, ndrojen, por dhe pasionin përndezës e flakërues, që ia ngrente zemrën peshë dhe e bënte të ëndërronte djalin e vogël, prindërit e të cilit ishin ngulur në Strugë vetëm para pak vitesh se të niste rrugëtimi mbresëlënës i këngëtarit të shquar. E nisi me mësimin e kitares, një dhunti e rrallë ndër vërsnikët e tij, sa e vështirë aq dhe impresionuese, kur mendon se brezi im, brezi i tij, me kitaren dhe notat muzikore, që vallëzonin në gishtat e kitaristit, ishin një imazh fluid, aq sharmant dhe ëndërrues, që përthyente mbi eterin e pritjes një botë fantastike, që rridhte përkundër normalitetit të kthyer në refuzim të lirisë.

Muzika ishte dhe mbeti kryedashuria e jetës së tij, në një udhëtim të vështirë, por të bukur dhe mbresëlënës, drejt thellësive të shpirtit artistik të një treve aq të lidhur me artin, poezinë dhe veçanërisht me muzikën.

Me emrin e shqiptarit strugan Haxhi Dauti lidhet një histori talenti dhe pasioni muzikor, që përzier me sharmin dhe vetëdijen atdhetare, për t’’iu dhënë frymë këngëve shqiptare në hapësirat e ish Jugosllavisë, me kohë do të kthejej në një ikonë të kësaj kënge, mesazhier i fuqisë së artit muzikor, për të ngritur peshë zemrat dhe shpirtërat e trazuar nën diktatin dhe dhunën pansllaviste.

Pra, e nisi herët udhëtimin muzikor, në atë moshë ende fëmijnore,kur ndiqte me etje dhe pasion ikonat e artit muzikor, Nexhmie Pagarushën, Sabri Fejzullain, Agron Berishën, Kozma Dushin, Vaçe Zelën etj dhe në heshtje, në fantazinë e tij projektohej udha drejt këngës, udhja drejt vetvetes më të thellë dhe më autentike, që mbante brenda tij farët e një talenti dhe pasioni të veçantë, përtej të zakonshmes.

Ishte ende djalosh dhe në sy i flakëronte një botë e përndezur ëndrrash, kur, siç e thamë, kitara u bë bashkëshoqëruesja e tij në Strugë, në Shkup, kudo në viset shqiptare në ish Republikën e Maqedonisë, ku tingujt e këngës së tij rinore të mbërthenin me fuqinë e ëndërrimit, spontanitetin dhe modernitetin.

Haxhi Dauti sapo kishte hyrë në një rrugë ku hyjnë mijëra e mijëra të rinj të brezave e kohëve të ndryshme, por vetëm pak syresh ia dalin mbanë, duke i shkuar gjer në fund rrugës dhe ëndrrës.

Në lagjen e tij, shoku i vëllait të tij drejtonte grupin muzikor “Jetë”, ku ndiqte me orë të tëra veprimtarinë e tyre muzikore, teksa në zemër projektohej si fantazi dhe si tentativë për t’u bërë realitet, dëshira dhe pasioni i papërmbajtshëm për t’iu përkushtuar artit muzikor.

Hap pas hapi, në fillim me ndroje e më pas me gjithë pasionin e moshës, nisi udhë kënga e tij. E nisi me këngët popullore si “O kce moj çikë”, “O moj Shkodër moj mizore” etj, për të vijuar më tej me muzikën e lehtë dhe veçanërisht atë rrok. Punonte shumë, vëzhgonte akoma më shumë dhe ëndërronte përtej kufijve të moshës, që një ditë të ishte dikushi, të ngrente nga harrimi dhe paragjykimi këngën shqipe, t’i jepte asaj fytyrë dhe mesazhim, në një hapësirë territoriale të mbushur me paragjykim dhe anatemim ndaj këngës dhe muzikës shqiptare.

Duhet thënë se Struga është një nga viset shqiptare me sensibilitetin mbase më të lartë për artin muzikor, ku kanë lulëzuar talente të këngës që me kohë janë kthyer në mite brenda e jashtë kufijve të shqiptarisë, e ndër to, maja e këtij arti është Haxhi Dauti, shqiptaro-amerikani, që me këngën e tij ka bërë për vete dhe ngritur peshë zemrat e qindra mijëra artdashësve të këngës, brenda e jashtë hapësirave etnike shqiptare.

I mërguar në SHBA që në vitin 1978, në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, ai e ka marrë pasionin dhe talentin për këngën dhe muzikën me vete, duke e shndërruar në një armë të fuqishme krenarie dhe qëndrese, identiteti dhe ardhmërie, atje në tokën e re të bekimit e adhurimit të lirisë së popujve e kombeve.

Në Strugë, bashkë me vitet e jetës fëmijnore dhe rinore, hodhi hapat e parë në fushën e muzikës, nga një “figurant” bordurash (po të përdorim një term pak sarkastik, që i shkon për shtat psikologjisë së kohës) tek një këngëtar që tentonte të këndonte këngë popullore, por që veten e gjeti tek muzika shpërthyese, muzika e rebelimit, duke u bërë një rrok star dhe yll në ngjitje i muzikës moderne antikonformiste.

Me mikun e tij të rinisë, Bashkim Zendelin dhe vëllanë e tij, Agim Zendelin, hodhën hapat e parë në skenën muzikore dhe iu dhanë dimension ëndrrave të një brezi të etur për frymën e lirisë, që sillte me vete kënga në kushtet e një totalitarizmi të dyfishtë, pansllavsit dhe komunist.

Pra, rrugën e muzikës e ka nisur që në fëmijëri, kur me një grup shokësh këndonin me kitarë në sheshin e Strugës, para shatërvanit, duke zgjuar kërshërinë dhe dashamirësinë e artdashësve struganë. Në klasën e pestë gjer në klasën e tetë u rregistrua në grupin artistik të shkollës, ku do të shkëlqente me talentin e tij në rritje.

Së bashku me shokun e fëmijërisë dhe rinisë së hershme Bashkim Zendelin krijuan grupin e rokut "Rock Café", një grup që u shfaq kundër rrjedhës shpërtheu sinoret e ngushta dhe limitet jashtëartistike të muzikologjisë së kohës. Është koha e fillimeve të para, kur Haxhiu me grupin e tij ishin pjesëmarrës në çdo ngjarje muzikore ne Strugë, në gjimnazin e qytetit, në shtëpinë e rinisë, në klubet e argëtimit, por dhe në festivalet lokale të rrokut në Strugë dhe Ohër.

Imazhi që përcillte Haxhi Dauti dhe grupi i tij te publiku ishte mbresëlënës dhe po krijonte një aureolë rrëzëllitëse rreth një muzike që i tejkalonte barrierat e kohës dhe apelonte frymën e lirisë së një brezi që nuk i pranonte më dogmat dhe fasadat mashtruese të regjimit.

Rregjistrimet e para, me këngët e tij origjinale, i ka bërë në Radiotelevizionin e Prishtinës, kur ishte ende adoleshent, pesëmbëdhjetë-gjashtëmbëdhjet vjeç, ku teksa udhëtonte me autobus drejt këtij metropoli të shqiptarisë, gjithë autobuzi, ku shumica ishin maqedonas,  teksa i afrohehsin Prishtinës, udhëtarët nisën të këndonin shqip dhe ai u bë pjesë e asaj kënge, që ia ngriti zemrën peshë.

Rregjistrimin në Radiotelevizionin e Prishtinës ia mundësoi Adi Lena, miku i tij shumë më i madh në moshë, por tek i cili gjeti përkrahje të madhe, çfarë e nxiti të vazhdonte më me pasion e përkushtim rrugëtimin e vështirë por mjaft mbresëlnës muzikor. Pas kësaj Haxhiu takoi tek Akademia Muzikore personalitete të muzikës si kompozitorë e këngëtarë të njohur, të cilët i kishte idhuj dhe me të cilët me kohë do të krijonte kontakte dhe bashkëpunim.

Atë vit bënë një veprimtari të bukur në gjimnazin e Strugës ku kënduan dhe vallëzuan shqip, çfarë ishte një ngjarje për tu mbajtur mend në atë atë kohë.

Në verën e atij viti grupi u shpërbë dhe Haxhiu iu bashkëngjit

Në vitin 1978 u largua për në Amerikë, ku nisi të punonte dhe njëkohësisht të mësonte dhe këndonte, duke bërë përojekje maksimale për tu intergruar në jetën e vrullshme të shoqërisë amerikane.

Pllakën e para e ka nxjerrë në vitin 1981 dhe e ka titulluar “Ëndrra e fantazisë”, për të vazhduar në vitin 1993 me albumin “Struga ime”. Shumë njerëz e kanë kritikuar pasi doli pllaka e parë u keqkuptua për shkak të emrit, për shkak të muzikës

Në Dhjetor 1993, falë njohjes dhe bashkëpunimit me të mirënjohurin Zhani Ciko dhe të ndjerin, poetin Alqi Boshnjaku Haxhi Dauti do të marrë pjesë në Festivalin e 32-të në RTSH, me këngën "Larg u largova", ku vetëm të nesërmen e debutimit në festival, kur e takonin kureshtje dhe përzemërsi fansat e shumtë, do ta ndjente shijen e suksesit.

Në Dhjetor 1994, merr pjesë në Festivali i 33-të në RTSH me këngën "E njejtë mbetet Itaka", me tekst të poetit brilant Rudol Marku, për të vijuar më tej në Dhjetor 1995, në Festivalin e 34-të në RTSH me këngën "Fletë Trëndafili". Në Janar 1997, Haxhi Dauti merr pjesë në “Nota Fest 1997” me këngën "Mos Shko" dhe në Maj 2013, merr pjesë në “Top Fest” 10 me këngën "Vetmia".

Në Maj 2015, Haxhi Dauti merr pjesë në “Top Fest” 12 me këngën "Iluzion", për të publikuar më tej, më 30 Shtator 2016, videoklipin "Strugan dhe Rock And Roll". Pason pas një muaj e ca ditësh publikimi i videoklipit "Dyzyme Endrrash", videoklipit "Shpirti i Lirë", videoklipit "Viti i Ri", videoklipit "Himni “Nji Flamur dhe nji Shqiponjë”, videoklipit "Shqiperia Ime", videoklipit "Lejla", videoklipit "Nëna", videoklipit "Nëntori i Ftohtë", videoklipit "Bija ime".

Për rrugëtimin muzikor të Haxhi Dautit në SHBA, ku u largua në vitin 1978, në moshën 18 vjeçare, për peripecitë, vështirësitë e integrimit dhe sfidat që i është dashur të përballojë, me talent, pasion dhe shumë dinjitet, do të flasim në një shkrim tjetër…