Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edison Ypi: Tango

| E marte, 09.02.2021, 06:24 PM |


Tango

Nga Edison Ypi

Kontrabanda ndjeu nga pas në sup dorën e akullt të Shtetit. Nervoz, zevzek, flokët xhelatinë, mustaqespic, shteti e mbërtheu dhe e tërhoqi Kontrabandën vrullshëm në një rrotullim marramendës. Kur fytyrat e të dyve, Shtetit dhe Kontrabandës, u ndodhën ballë për ballë, ja krisi me zjarr Shteti;

O moj Kontrabandë më e lehtë se harabeli, më e rrëshqitëse se gjarpri, më e shkathët se shqarthi, më e heshtur se peshku, më llafazane se parlamenti, më e freskët se llogoraja, më e nxehtë se morena, më e shijshme se kurva, o moj shtrigë, moj zuskë, moj telendare, o ndërlikimi im i këndshëm, o shpirti im i pavdekshëm, më pëlqeve sa s'thuhet që u friksove prej meje sa desh vdiqe.

Javash o derr javash me gjith’ këto vërejtje dhe komplimente, o ngordhalaq që mezi mbahesh, o horr, o gënjeshtar, o fëlliqësir që s’lë vërrë pa futur hundët, ia ktheu Shtetit turivrëra Kontrabanda. Po t’i kisha unë këto cilësira kaq të larta, nuk do punoje pas shpine për të bërë ligje e stërligje për të më ngushtuar. Mos m’u ngjit kaq afër se ma shpife. S’ke turp. S’të ka mbetur asgjë kombëtare. Ke ardhur në këtë vallzim pasionant latinoamerikan sepse s’di të hedhësh asnjë valle shqiptare. Nuk ke shpirt dhe këmbë për Tango ti o kallkan, ti o skilipec. Por Tangon do vazhdojmë ta hedhim se dua të më thuash te veshi ca komplimenta të tjera, sa e ëmbël, sa e bukur, sa e shijshme jam. Pastaj do ta bëj unë ty qefin me mënyrat e mia, se më duhesh edhepse s'të shoh dot me sy.

Drejtësia shtrëmba-shtrëmba ka shtënë në dorë tekstin gërma-gërma. Duke e këqyrur vëngër nis t’i thotë me zë të mprehtë si thikë; O vetmitar i madh, ti që këtu në këtë Tango vjen për të shkriftuar gjymtyrët e ngrira nga frika se mos çmendesh. Unë shtremsja Drejtësia vdes të mi derdhësh elisiret e tua mes shalëve të mia. Por ti ke frikë nga ujvarat e përqafimeve dhe përlotjeve. Prandaj jeton i fshehur, i strukur. Mos u tut o qyqar. Vetmia është luks. Vetmia me vetëm përqafime është luks i madh. Vetmia me vetëm përlotje është katastrofë e madhe. Me të dyja, edhe me përqafime edhe me përlotje, është Parajsë. Kupto. Bëhu i mirë, i këndshëm, i lexueshëm. Ndizu. Digju. Mos mi ngul pas shpine gishtat me thonj si thika. Mos m’u lidh pas qafe si litari i të varurit.

Arti ka përfshirë për beli Opozitën dhe po i thotë; O Perëndi ç‘më gjeti mua me ty në këtë Tango. Shkarjet e tua po më duken si çakërdisjet e mia. Nuk të bën mirë fërkimi mbi muret e durimit duke thithur qumështin e zi që del nga sisët e pritjes. Kujdes me autostradat e shpifjeve, semaforët e sherreve, rrugicat e intrigave, pusitë e hakmarrjeve, llagëmet e pazareve. Mos u turbullo nga bukuria e fjalëve të mia se ngatrrohesh dhe rrëzohesh. Hidhe si duhet hapin, se më dërrmove.

Korrupsioni në vesh Pasurisë; Pasioni për t’u korruptuar është më i zjarrtë se pasioni për t’u pasuruar. Provë për këtë jam unë Korrupsioni, produkt i atij pasioni. Shkelmë, pështymë, bëmë ç‘të duash o qepazja ime. Mua s’më bën përshtypje asgjë sipërfaqsore. Jam mbret i brendësisë. Pas pak do zhytem në liqeret e pasqyrta të syve të tua. Prej atje do zbres në humnerat e tua të acarta. Do ndal tek clitoristrada. I strukur do këqyr trafikun e mishrave të të tjerëve brenda llagëmeve të tua derisa të më vijë rradha mua. E di që të erdhi qejfi. Mos më shtrëngo se më tepër se derdhemi duke vallzuar.

Ligji po i thotë Medias; Ti që më shpje krua më krua për të më dhënë ujë me pirua, afrohu. Eja ta gjejmë, pse në Shqipëri himnizohet ikja dhe urrehet prezenca, lartësohet hajdutllëku dhe poshtërohet ndershmëria, pas cilit lepur të vogël fshihet ferra e madhe. Eja ta ndezim së bashku një zjarr të ri me rrena të vjetra. S’po e heq mirë Tangon. Largo duart të fus këmbët.