Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Idriz Zeqiraj: Mërgimtarët po diskriminohen

| E marte, 09.02.2021, 07:27 AM |


IDRIZ ZEQIRAJ,

zëdhënës i Degës të LDK-së në Gjermani

Lënda: Kërkesë për zbatim të ligjit postar

DREJTUAR:

VJOSA OSMANI
Presidente e Republikës të Kosovës

2. AVDULLA HOTI

Kryeministër i Republikës të Kosovës

3. MELIZA HARADINAJ - STUBLLA

Ministre e Jashtme dhe e Diasporës

4. VALDETE DAKA

kryetare e KOMISIONIT ZGJEDHOR TË KOSOVËS (KQZ)

5. KRYETARËVE Të SUBJEKTEVE POLITIKE TË KOSOVËS

6. SHOQATËS PËR MBROJTJEN E TË DREJTAVE TË NJERIUT

7. SHOQËRISË CIVILE

MËRGIMTARËT PO DISKRIMINOHEN!

Pas konsultimit me përfaqësues të subjekteve politike dhe të shoqatave e klubeve të Mërgatës shqiptare, në disa shtete të Evropës dhe Amerikës, ju drejtohemi Ju, të emërtuarëve më lartë, që ta shqyrtoni, madje, me urgjencë, nguti, kërkesën tonë, për zbatim të ligjit postar botëror.

Kërkesa e mërgimtarëve, për votimin e lehtësuar në Mërgatë, është refuzuar, shpërfillshëm dhe me arrogancë, nga PDK dhe LDK. Votimi alternativ, me postë, ka hasur në probleme të shumta. Njëri syrësh është transporti i fletë-votimeve, përkatësisht, shërbimi postar.

Herave tjera, çështja e votimit në Mërgatë, ka kaluar në heshtje, siç ndodhë, zakonisht, në shtetet rrumpallë! Por, kësaj radhe diç po ndryshon. Dhe, kjo nxori në shesh shumë "të palara", fshehtësi të heshtura:

"Njoftohet se fletë-aplikimet kanë ardhur nga 67 shtete të botës, ku punojnë dhe jetojnë mërgimtarët tanë. Qarkullimi postar, në drejtim të Kosovës, lëvizë në kohë periodike: javor, një mujor, tre mujorë, 6 mujorë dhe një herë në vit", - jipen shpjegime nga KQZ. E gjithë kjo ishte mbajtur "top sekret" dhe mërgimtarët me kot ishin munduar dhe shpenzuar, duke përcjellur dokumentacion aplikues për regjistrim dhe votim.

Qëllimi i kësaj kërkese është: - Zbatimi i ligjit postar nga shteti i Kosovës -. Kudo në botë, në shtetet ligjore, numërimi kohor bëhet nga datimi i dërgesës të një letre, dokumenti, mbi vulën e pullës postare dhe asesi nuk llogaritet data e arritjes në destinacion. Normalisht, data llogaritëse e afatit të fundit, duhet të jetë 14 shkurti, ndërsa data e arritjes në KQZ, nuk është në vartësinë e aplikuesit, përkatësisht, votuesit. Një afatizim i tillë, që bënë, aktualisht, është alogjik, për të mos thënë idiotesk, kur kemi parasysh lëvizjen breshkore të postës ndërkombëtre, në drejtim të Kosovës.

Por, përshkak të hutisë, të krijuar, pikërisht, nga KQZ, dokumentacioni votues ende ka ngelur sirtareve e tavolinave të  mërgimtarëve, me frikën se nuk do të arrijnë në afat. Prandaj, afati i fundit i postimit të dokumentacionit votues të shtyhet për 21 shkurt, ndërsa afati i arrijtjes, i pranimit në KQZ, të mbetet i hapur, pa afatizim.

Tashmë, dihet se gjysma e popullsisë të Kosovës jeton në Mërgatë. Në Kosovë votojnë afro 800 mijë vetë. Po kaq duhej të ishin edhe votues nga Mërgata. Kohë më parë u lexua shifra prej 174 mijë  aplikimeve për votim nga mërgimi. Tani  kjo shifër u reduktua në 102 100 aplikues!? Dhe, kjo është abuzive, kriminale!

Prandaj, për ta zbutur, sado pak padrejtësinë, sa të madhe, aq edhe të turpshme, të bërë ndaj Mërgatës, shansi është në dorën Tuaj. Ky është një rast ideal i shtetarëve të Kosovës, ta demantojnë atë thënien e njohur, për regjimet kundra-popullore: "Qeveria bënë çfarë bënë, populli të mos hajë m...!

Më i rëndë se shantazhi, është vetëm haraçi, i praktikuar, në stil të gjerë, përtej dy dekadave radhazi, në Kosovë, nga bandat e dirigjuara nga "komandantët" e Dukagjinit, Drenicës, Llapit. Ka ardhur koha që zyrtarët të mbrohen nga shantazhi, që lidhet me kushtëzimin e detyrës dhe obligimet e marra të vartësve nga eprorët e tyre. Andaj, duhet të lirohen nga detyra, kuadrot e shantazhuar, që të mos jenë më në shënjestër të shantazhimit, për arsye të detyrës.

Zenkat e fundit në KQZ kanë motiv, kanë arsye logjike kundërshtie, sepse mërgimtarët po diskrimonohen, po provokohen. Kundërshtia e komisionerit Sami Kurteshi, nuk buron nga fakti se ai është i deleguar nga një subjekt politik. Realisht, ai mbron jo vetëm votuesit e partisë së tij, por, edhe të të gjitha subjekteve tjera.

E njoh mirë zotëri Kurteshin. Kemi punuar, së bashku, në Ministrinë e Informacionit të Kosovës në Gjenevë, më 1992, kur drejtohej nga ministri Xhafer Shatri. Samiu është burgaxhi politik i dinjitetshëm i regjimit serbo-sllav. Ai ishte dhe mbeti luftëtar i së drejtës. I tillë ishte edhe në misionin e Avokatit të Popullit. Ai nuk ka pranuar as diktatin dhe as shantazhin nga shtetarët e kohës. Thjeshtë, ka mbrojtur parimet dhe drejtësinë.

Zotëri Kurteshi, veç tjerash, kërkoi 7 orë më shumë kohë, për ta pranuar dokumentacionin votues nga Mërgata! Pse gjithë kjo nguti, sikur KQZ-ja  "të ishte me bythë në prush",-siç thotë populli. Ne mendojmë dhe, kur themi ne, flas në emër të Mërgatës: Jo 7 orë, as deri më 12 shkurt. Por, afati i fundit të dorëzimit të dokumenteve të votimit, të jetë data 21 shkurt, datë që dëshmohet nga vula e postës, ku dorëzohet zarfi individual apo familjar. Ndërsa, afati i arritjes nuk mund ta përcaktojë askush.

Ky rregull postar botëror, shpjegohet me grevat, qoftë të punëtorëve të postës, të hekurudhave, të aviacionit, sëmundjeve, siç është ndërprerë shërbimi postar, në mes të Francës dhe Kosovës, si dhe tjera anomalive, luftërave, të cilat janë të paparashikueshme.

Uroj dhe besoj të jemi të qartë, në kërkesën tonë të ligjshme.

Mbetemi me shpresë mirëkuptimi dhe presim përgjigje të përgjegjshme, në raport me seriozitetin e kërkesës së ngutshme. Mërgata është e anashkaluar, injoruar dhe e poshtëruar, nga zyrtarët e Atdheut të tyre - Kosovë.

Shpresojmë se votimi me postë, do të jetë i fundit!

Për lehtësimin e organizimit të votimit në Mërgatë, kemi dhënë shpjegime plotore, në shkrimin: "Skandaloze: LDK-PDK bllokojnë ligjin e votimit të Mërgatës!"