E shtune, 20.04.2024, 02:07 PM (GMT+1)

Kulturë

Bardhyl Maliqi: “Troja e kalit” si poezi e inversioneve dhe modernitetit

E hene, 08.02.2021, 02:45 PM


“TROJA E KALIT” SI POEZI E INVERSIONEVE DHE E MODERNITETIT

Nga Bardhyl Maliqi

“Troja e kalit” e Shaip Emërllahut si poezi e inversioneve dhe e modernitetit shfaq risi në përmbajtjen, formën dhe strukturën e librit. Përmbledhtas mund të themi:

Risitë në përmbajtjen dhe formën poetike të librit “Troja e kalit” janë të shumëfishta, pasi nuk i përkasin vetëm tematikës, por edhe ideve dhe mesazheve, duke rrahur qoshet e paprekura nga autorë të tjerë.

Preferenca ndaj simboleve, metaforave e veçanërisht ndaj inversioneve në sintaksën poetike i japin përparësi autorit në garën me të tjerë.

Qëndroni një çast te titulli, inversioni dhe shndërrimi i tij.: Kali i Trojës, Troja e Kalit, Troja dhe kali brenda nesh. Pra ç’pika të forta kemi dhe ç’duhet të ndreqim brenda vetes.

Poezia e Shaipit është moderne  në thelbin e saj, pasi mesazhet e saj filozofike, atdhetare e humane diktohen prej përmbajtjes, që ajo trajton dhe shprehin unin e tij poetik.

Poezia e tij filozofike shpreh burimin e mbijetesës dhe progresin tonë për sot dhe për nesër.

Poezia e tij atdhetare na mëson se ne si shqiptarë  kemi dëshirën e natyrshme: të vdesim të bukur!

Përmasa social psikologjike e kësaj poezie kalon nga trojet shqiptare brenda 5 shtetesh te ajo ç’ka jemi si qenie sociale, Ç’resurse të forta kemi brenda vetes për të ndryshuar veten dhe shoqërinë tonë, Ky duhet të bëhet objektivi progresist i energjive tona të brendshme në familje dhe në shoqëri.

“Troja e Kalit” është padyshim pjesë e personaliteti krijues të autorit. Këto veçori janë skalitur dhe performuar veçanërisht në 24 vitet e drejtimit të Festivalit Poetik Ndërkombëtar “Ditët e Naimit”. Këto vite treguan se zgjedhja e poezisë, e tubimeve, botimeve në shqip e gjuhë të huaja si botime më vete apo në ato antologjike si dhe ligjërimeve për poezinë, ishin alternativa më e besueshme për autorin, i cili ka shënuar arritje dhe vlera të reja nga libri në libër: “Pagëzimi i viteve”, “Projekt i thyer”, “Vdekja e paktë”, “Troja e kalit”  etj. Risitë në përmbajtjen poetike janë të shumëfishta, pasi nuk i përkasin vetëm tematikës, por edhe ideve dhe mesazheve, duke rrahur qoshet e paprekura nga autorë të tjerë dhe më tej: risitë në formën artistike apo në strukturë janë pjesë e organizimit të materialit poetik. Dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për tubimin dhe plotërimin e cikleve poetike me poezi me tematikë të përafërt, por edhe për ngrehinën e çdo poezie. Në këtë pikë poezia e të tjerëve ndryshon shumë nga poezia e Shaipit, pasi ai është poet më konciz. Gjithashtu preferenca ndaj simboleve, metaforave e veçanërisht ndaj inversioneve në sintaksën poetike i japin përparësi autorit në garën me të tjerë. P.sh. titulli i librit është një përmbysje e marrëdhënieve tradicionale midis Dy emrave antagonistë në togfjalëshin semantik nga Kali i Trojës, ku përparësi i jepet kalit, pra grekëve pushtues, tek Troja e Kalit, që e përmbys këtë marrëdhënie, pasi përparësi iu jep Trojës dhe trojanëve. Që këndej burojnë gjetja e fakteve dhe e faktorëve, zbërthimi i aleancave dhe analiza e prirjes parësore, ku idetë dhe mesazhet nuk janë më ato tradicionalet. Poetika e inversionit të Shaip Emërllahut nuk është rastësore, por prirje dhe zgjedhje e rëndësishme e krijimtarisë së tij në kuadrin e Festivalit Poetik Ndërkombëtar “Ditët e Naimit”, por dhe jashtë tij, pasi rrok qindra raste në brendësinë e librave të autorit apo përmbledhjeve poetike përfaqësuese si Troja e kalit, Pema e hijes (titulli i përmbledhjes poetike të festivalit të vitit të kaluar) etj. dhe këto, siç thamë, nuk janë rastësi.

Shpesh poezia e Shaipit e thur frazën si në ekstazë, është një përçartje apo një dehje që vetëm poetët e mirëfilltë e gëzojnë, të tjerët na thurrin fraza që ne i dimë. Ja, lexoni dhe bëni krahasimet me veten: Kështu ndodh kur ajrin e vishte avulli dhe meteori Lehma në një  mesnatë azdisje me bishtin e zjarrtë dukej sikur digjte pëlhurën e këmishës së dasmës së dhëndërrit. Por Erosioni shkoi, në mesnate bishërie meteori Bukra u shfaq dhe ne folëm çmendurisht. Ishim në ngarkesë lirëafshi dhe violinat e zërit po na ngjyreshin. Tek perëndia s’kemi asgjë, trajektorja do na gjejë me hokama zjarri, skulptura çmendie aktbishe. Se ne dimë ta zbresim Madridin mes nesh, kur ndjenjat bymehen në atë diell sysh. Tupani i lirisë paanë, tango e dëshirës së lirë. Po në këtë botë nuk jemi vetëm ne. Robi i bezdisjes, me sy vrojtuesi të vriste, hapësira e mundësisë, është jotham, se liria është si diell, prek qiellin dhe përshëndet perëndinë, ndaj pres të pi kafe me "Galaksi", dëgjoj paqen që merr formën tënde. Kur ajrin e vesh avulli, ti mos u bëj lodër kënaqësie, të kthehesh në violinë ulërimash, se silueta engjëjsh zbresin nga ky libër qytetërimi hyjnor. Ti me syze afshi ma lexon Evën e Adamin.

Te poezia e Shaipit krahas tubimit te imazheve dhe asocacioneve të lira figurave te stilistikës letrare si këto që shijuat, kanë përparësi simbolet, inversionet ose më shqip anasjellat, pasi  ky autor të tërheq vëmendjen edhe me fjalët e përbëra apo të përngjitura, të cilat shpesh janë vetëm të tijat, pra janë bashkëngjitje të reja të tipit libërqytetërimi, syzeafshi, por edhe fjalë të reja të tipit bishtëri apo mëkatim. Siluetat gaetjane dalin nga mendim i burgosur, se ishte dehur deti. Kuaj të bardhë krushqie rendnin në të dhe unë isha zgjuar dhëndër. Arbëreshe me zbriste nusja, por në Gaeta u gozhdua shikimi, kërthiza e rrugës u pre, hija plaset mbi udhëtarin, oh sa kohë e vështirë! Burim i etur kurrë mos mbet, se dromca jete gjithnjë do të ketë. Eh, valid i shkëlqimit të syve, shkelja e kujtesës, gjethe të episodeve të udhës gjithashtu gjithnjë do të ketë. Ndoshta se në çdo gjerdan jete, ka një trazim, që e formulon jetën, se dromca hovesh është jeta! Ti shpesh ke ankthin e kthimit, që mëngjesin ta zësh në vesën e tij. Dhe hija e thyer e hënës 15-të, vala e sertë e ikjes së anijes, çel perden e kujtimit me zemrën time, dhe vuaj vitet e nusërisë në lëkurë tupani, kalin e dashurisë e bëj zap...

Malegoizmi varet në shpirt (këtu fjala e përbërë malegoizmi vjen si kërcitëse), por raste të tilla janë të rralla, pasi në përgjithësi fjalëformimi kontekstual i Shaipit në përgjithësi funksionon mjaft mirë. Për shembull, kur ai flet për kohë e gabuar, kur u eklipsua buddha, kur maces së zezë i dukej bishti, (raste si ky, ku shprehen bestytnitë popullore e shtratifikojnë poetikën në truallin vendor, apo tjetra: djallin kishte në shishe). U gjenda gabimisht në orën e mëkatit, u homerizofshin sytë, sytë që panë epilogun e mëkatit, (fjala homerizofshin është në kontekstin u bëfshin sytë të verbër, si ato të Homerit të Iliadës dhe Odisesë).

Në një cikël poetik autori flet për Pëshpërimë dyzetmotesh. Në hapësira lirie nxinte një lagje njerëzish, erërat e ftohta tundnin flamujt që të ngrohnin krahëve të Sharrit, mbi Shqipëri zhëndërronin ëndrrën, (në mendësinë e shqiptarëve të Kosovës, të Malit të Zi, të Maqedonisë së Veriut dhe të Serbisë Juglindore kishte ëndrra dhe ëndërrime për Shqipërinë, si atdheun e të gjithë shqiptarëve të copëtuar padrejtësisht në pesë shtete, por kur pas viteve ‘90 u prek realiteti, ëndërrat e tyre u kthyen në zhgjëndrra, ky është edhe kuptimi i pëshpërimës 40 motesh, të cilat u bronxuan duke humbur imazhin e florinjtë, kur pranverat zgjoheshin prej kollitjes së tyre. Realiteti është krejt ndryshe për shumicën prej nesh. I florinjtë është emigrimi, i argjentë vendi ku jetojmë dhe i bronxtë atdheu i të parëve. E pra, këto janë kthesa të ashtit të historisë, do të thosha po të citoja Shaipin kur shkruan për poetin Azem Shkreli, i shndritshëm e i ringjallur si feniks në psalmin e Kosovës, ilirisht tall vdekjen e vet të bukur, dhe thotë se fitorja është hise e atij, që di të rilindet.

Por, ky është vetëm një hamendësim për përmbajtjen kuptimore të ciklit, që buron nga titulli, por në të vërtetë poezitë i kushtohen poetit Azem Shkreli, Ali Podrimja, Sadudun Gjura, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës, Azem Hajdarit, Panajot Xhebelkos dhe brengës së Epirit të Boçarit, Xhavellës e Katerinës (Bubulinës mbase do të duhet të thuhej). Dhe idetë tani përqëndrohen te Udha pa krye që nga Troja e Kalit të pabesisë dhe tringëllimës së hiles, te Harta Cirku në TV e po u fute në Udhë pa krye, e po s’u kape pas rrënjëve të jetës, valët e hasdisura të marrin para, e kthehet korbi i Alan Poesë e pëllumbat as përreth s’fluturojnë. Kur të tregojnë me gisht zëre se të vrasin. (Jo më kot përdhosja e dinjitetit konsiderohet më zi se vdekja Dhe udhët pa krye shfrytëzohen nga kryet pa udhë). Këndej vjen dhe ndjenja e përgjegjësisë te mesazhi i poezisë lakonike Pa titull. Shpesh ne që kemi jetuar diktaturën diktimet dhe shkeljet e saj ndjejmë ftohtë nga bëmat e djeshme të tjetrit, por nuk dimë sa ftohtë ndjejnë ata. Kjo poezi më nxit të mendoj se jo më kot në krye të partive tona politike, këto 30 vjet në Shqipëri të paktën kanë ardhur më zullumqarët e kohës së djeshme. Ftkeqësisht ka shumë fakte për këtë.

Kështu kuptohet edhe ironia e poezisë Kohë tjetër, se gjelat e mëngjeseve të zbrazta janë zëvendësuar nga orët me zile dhe më zi akoma, nga mungesa e zërave thirrës edhe në thellësi të ndërgjegjes, kur i lëmë tokat djerr dhe shkojmë të levrojmë si argatë me mëditje tokat e tjetrit apo duke pritur kotheret e emigrantëve apo të ndihmës sociale. Jetës nuk i dihet thotë poeti, se ata që rrinë në kokërr të shpinës ajo shpesh i pret në besë. Poezia Jetëatdheu fillon me një fjalë të përbërë të personalizuar si titull dhe mbyllet me mendimin se poezia duhet të jetë shkruar në Sarandë, se po të lexosh me nxitim fjalën dyzemrash për dyzetemrash kështu të ndodh: të kujtohet Saranda dhe dyzet emrat e shenjtorëve të flijuar për të. Ju ka ndodhur të shihni apo ju kujtohet kur  Lulepëllumbash çelte qielli, mua po. Por ky libër nuk është imi, por i poetit Shaip Emërllahu.

Ky cikël poetik fillon me Vdekja e paktë që u kushtohet Jasharajve te maja e Azem Galicës. Nëse i referohemi trajektores së lindjes dhe perëndimit të diellit, poezitë e librit “Troja e kalit” mund të grupohen në poezi, ku kuptimet janë në agzholin mëngjesor, ku dritësimet e kuqërremta vinë e mbushin errësimin dhe kaltërsinë për të hyrë në grupin e dytë ku drita është e plotë e shkëlqimi i diellit në zenit, kur kuptimet, idetë dhe mesazhet qartësohen si te poezia “Ku dukja shëmbëllen vallëzimin e yllit” (këtu, krejt natyrshëm vallëzimi i yllit më kujton Lasgushin)

Dhe pastaj sërish në grupin e tretë ku portokallia e perëndimit dhe e kuqërremta e muzgut mbrëmjesor fillon dhe hirësohet dhe errësohet në aspektin figurativ dhe kuptimor. E gjithë kjo kurbë poetike mund të ilustrohet lehtësisht me ciklet, poezitë dhe figurat e tekstit të librit “Troja e kalit” Kështu p.sh. në togfjalëshin parësor që në e njohim nga Iliada dhe Odisea e Homerit deri në detaje, ku përfshihen të gjitha përpjekjet e kampit grek: pabesitë, dinakëritë, dhe përpjekjet e dështuara për të mposhtur Trojën (pavarsisht vdekjes heroike të Hektorit) në inversionin e titullit të librit “Troja e kalit” vëmendja zhvendoset e gjitha tek Troja dhe ne hulumtojmë të gjejmë se, si Troja e qëndresës 10-vjeçare e qëndresës dhe heroizmit shkërmoqet prej kalit të drunjtë të pabesisë brenda një nate dhe këtu kuptimet që fillimisht janë të qarta si zjarri që grekët vunë brenda mureve, vijnë e nxihen e bëhen shkrumb si turra e druve të djegura. Ato çka thotë miti nuk na bindin për Trojën e kalit, por na japin mundësinë të flasim me Trojën brenda nesh, pra me trojën tonë të kalit dhe të zgjojmë ndërgjegjen prej mashtrimit të mundshëm. Në qoftë se Kali i Trojës u ngjan pasqyrave që e përqendrojnë dritën drejt anijeve kundërshtare, por që mbrapa lenë zjarrin, tymin dhe flakën, “Troja e kalit” të krijon përfytyrimin e pasqyrave të përmbysura pas qindra meditimeve, pasi është e qartë dhe çdokush e di mirë, se kur ato të kthehen drejt vetes, ty të zgjohet vetëdija e vigjilencës dhe qëndresës ndaj kundërshtarit.

Cili do të qe fati i ngjarjeve, qytetërimeve bashkë me atë të njerëzve si fate popujsh dhe individësh nëse dhurata e drunjtë e grekëve të mos qe pranuar brenda mureve të Trojës? Gjithë kjo më kujton atë që thotë populli ynë se dhurata e hasmit është o helm, o thikë!......Pranimi i kalit brenda Trojës është triumf i dinakërisë së Odisesë, pabesisë dhe tradhtisë brenda mureve, që i çoi trojanët në vetëvrasje! Ismail Kadareja është përpjekur, që në një nga poemat e tij në mos gaboj te “Laokonti” të zgjojë vetëdijen tonë përmes tragjedisë trojane.

Tek poezia Udha e Drenicës kushtuar viktimave të masakrës serbe, autori thotë diçka, që e gjejmë rrallë në letërsinë tonë. Kur jetës vendos t’i japësh vertikalen tënde përmes ecjes lapidare i bie Udhës së Drenicës, kështu Arbërinë e prek edhe pas vdekjes. Nuk ka se si të thuhet më mirë ndjenja e krenarisë kombëtare, por pritja e Prishtinës në dyert e saj nuk shpërblehet me përgjegjësinë e atyre që e çuan dhunën në skaje në krejt Ballkanin, por si paradoks në Hagë thirren pjesëtarët e UÇK-së siç po e shikojmë dhe e dëgjojmë për ditë. Ata që e përsëritin Mesjetën të bëjnë të mendosh se përgjigjet e njëjta nuk duhen çuar, megjithëse poeti thotë ndryshe. Ato që duhen çuar janë ecjet e lakmisë së pas shpinës në daç t’i shtrihesh i tëri lirisë. Por, për shqiptarët e ndarë në pesë shtete ballkanike, jo dy, por mijëra violina jete u thyen nga plumbat dhe ju vodhën tingujt, duke qorruar sytë e lirisë. Dhe këto që shpesh ja shkaktojmë vetvetes, sepse ne nuk shkoqemi dot prej asaj për ta shijuar pranverën e ëndërruar, për të gjetur Arbërinë e vërtetë së pari brenda vetes, që është dhe kumti kryesor i këtij libri.

Kjo ndodh edhe se, shpesh nuk e dimë kah po shkojmë, siç titullohet cikli i parafundit i poezive të librit jo të zakonshëm “Troja e kalit”. Kështu ndodh që Mollët e Tetovës të krasitura dhe ujitura në koncerte shekujsh, të vjen të pëlcasësh kur i sheh tutje se si i grin dhëmbi i keq. Dhe këtu nuk është fjala për insektet dhe brejtësit natyrorë, por atyre që zhvasin pasuritë tona kombëtare dhe hanë aq mollë sa ju mpihen dhëmbët, si në Epir apo Trepçë. Megjithse, unë kam bindjen se brezi ynë është thinjur pa i pushuar tamli t’i rrjedhë nga buzët. Por, kjo nuk është vetëm çështje fati, por çështje aftësie për veprim, por dhe ne nuk e dimë kah po shkojmë, kur bishti i NATOS mbetet për çerdhe buklash dhe gjethi i mëngjesit plas me zor dhe diell mëngjeset na anashkalojnë matanë netëve tërkuzë dhe nuk e dimë kujt t’ia kushtojmë veç vetes përgjegjësinë, kur të rënët kanë ftohtë në një truall tashmë të huaj, ku neve aq na bën e mjaftohemi, që në atë front të diskutueshëm të hamë pak dukje.

Poezitë e tjera të librit: Jeta në Oaneum dhe Kotja e Oaneumit apo Poezia e shiut nuk janë thjesht shprehje pakënaqësie kur zemra s’të duron të shkelësh symbyllas apo të varësh shikimin tek të plasurat e damarëve të tij. Oaneumi kotet i prerë me mëngjeset e hutuar nga administrimi i tupanxhinjve, që bëjnë të lodhet edhe shiu nga zallahia e plasaritjeve të Oaneumit, në vërshimin e natës së ngelur kur Shkumbini zbriste në Vardar. Shpesh ironikisht kënaqësia prej politikanëve tanë, të Ballkanit dhe Evropës, që sendërtohen në epitete dhe veprime të ndryshme, kur në vend që të pagëzojnë vitet, i plagëzojnë ato dhe produkti janë fytyrat e turmahallexhinjve, pagëzimi i shtërzimeve dhe i projekteve në vitet me brenga emrash pa ndjenja.

Në ciklin Demantuesit kanë vdekur zënë vend poezitë Shmangia e ëndrrës, Shpallësit e Mëngjeseve të zbrasta, Vetëflijimi, Vendnumërimi, Projekti i thyer, Demantuesit kanë vdekur etj, Edhe pse të përgjohet buzëqeshja, Shqipëria, Maratona shqiptare dhe një poezi jashtë ciklit kushtuar autorit prej një të huaji e përkthyer nga frëngjishtja. Në poezinë Shtangia e Ëndrrës, kur këndon gjeli i mëngjesit e ritregimet nuk nxjerrin dot asnjë përfundim veç dëshironin të ishte zhgjëndërr, vetëm njëherë në gjeografinë e fisit. Kjo ndodh për sa kohë shpallësit e mëngjeseve të zbrazëta do të dalin jashtë mode dhe do ta humbasin këtë intensitet, edhe nëse ju duket e çuditshme, kohët nuk gabojnë. Vetëflijimi në ndërrim të moteve do të përcaktojë, se atje ku bien hijet janë varret tona, që përfytyrojmë një përfundim ëndrrash duke udhëtuar në një botë pa mure dhe jetojmë përtej diellit. Dhe kemi dëshirën e natyrshme: të vdesim të bukur! Kjo psikologji nuk mund ta pranojë vendnumërimin. Duhet një hov për t’u çvendosur para me busullën e krenarisë së shkuar, të mos vendnumërojmë në oborre mjaullimash, kur porosinë e qartë nuk e kemi vetëm për Dimalin.

Shpesh jetën e bën vdekja si ligjësi e organizimit të saj, jo vetëm prej të shenjtëve profetë, por dhe ne vetë, asaj i largohemi vetëm në hapësirë, se në kohë i qasemi më pranë. Por, gjithsesi dhe pavarësisht projektit të thyer, Unë projekt jeta në vazhdimësi formuloj veten. Ata që nuk kanë qenë në Kalanë e Krujës pëshpërisin  se, Shqipëria është një kafshatë, kanë të drejtë, pohon autori, tek poezia Demantuesit kanë vdekur, se në fakt janë kundërshtarët e Motit të Madh, që kah herë kanë vdekur.

Tek poezia e Shaip Emërllahut vërej një veçori që nuk konstatohet rregullisht, as tek unë vetë, as tek poetët e tjerë. Kjo është: përcaktimi i vendit dhe i kohës kur është shkruar poezia. Kjo është pozitive se, na ndihmon të kuptojmë marrëdhënien që ekziston në hapësirë dhe kohë me vet poetin. Poezia që porsa cituam është shkruar në Krujë, më 1 janar 1991, dhe na jep të kuptojmë se, me Motin e Madh autori kupton Ardhjen e Demokracisë, kundërshtare të së cilës nuk ishin më turqit, por vetë shqiptarët me shtetin e tyre të diktaturës së proletariatit. Ne e dimë nga përvoja historike se shpesh politika është produkt i pazarllëqeve, por kjo nuk do të thotë se buzëqeshjen e një 17-vjeçarie mund ta ndrydhë kush, sepse asaj i rreh supet bota e ardhmërisë pavarësisht se jemi në vitin 1878, më 1937, në vitin 1989 apo në ditët tona, se muret e Berlinit apo muret që po ngrinte  Donald Trump në kufij me Meksikën, kudo që të ndodhen, një ditë do të bien.

Pavarësisht se, Shqipërisë gjeografia e varreve nëpër të gjitha trojet e saj në Ballkan nuk ja siguron ngritjen, të paktën përkatësinë etnike ja siguron. Për ngritjen maratona shqiptare duhet të ndezë dritën, të sfidoje vdekjen, për të vënë në krye kurorën e pritur të fituesit të saj. Kjo ka kohë që provokohet. Dhe ne shpresojmë t’ia dalim!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora