| E shtune, 06.02.2021, 10:10 AM |
Tipologjia e qeverisjes autoritare dhe rasti specifik i Shqipërisë së sotme!
Nga
Prof. Asocc. Dr. Enver Bytyçi
Autoritarizmi
është një term që rrjedh nga gjuha frënge. Kuptimi i saj lidhet me influencën e
një individi ose grupi personash në qeverisje dhe institucionet e saj.Sipas
politologëve autoritarizmi përshkruhet si formë e qeverisjes mix midis
demokracisë dhe totalitarizmit. Juan Linz zbulon tri tipare definitive të tij.
a.
Pluralizmin e kufizuar e të kontrolluar
b.
Qeverisjen e pabazuar në ndonjë ideologji të formuluar qartë.
c.
Mobilizim ekstensiv dhe intensiv të grupeve shoqërore.
Duke
iu përgjigjur kritikave për autoritarizmin në drejtimin e shtetit në Rusi,
ish-presidenti i Rusisë, Boris Jelcin në vitin 1993 përgjigjej: „Çfarë prisni
ju? Në një vend, i cili është mësuar të drejtohet nga carët dhe udhëheqësit
komunistë; në një vend, në të cilin ende nuk janë formësuar grupet e interesit
dhe interesat barten nga partitë politike; në një vend, në të cilin nihilizmi
është i justifikuar në çdo familje, ju doni që në njëvend të tillë të delegohen kompetencat te
parlamenti“?! Dhe më poshtë ai vazhdon: „Çdo kohë sjell ekuilibrin e saj të
pushtetit... Sot ky ekuilibër anon nga pushteti i Presidentit“.
Por
a është ky rasti i Shqipërisë? Shqipëria nuk është Republikë Presidenciale dhe
as Republikë Semi-presidenciale. Vendi ynë është një Republikë Parlamentare. E
megjithatë ajo ka rrëshqitur në një sistem autoritar të qeverisjes së saj.
Balanca e pushtetit tek ne anon nga ana e kryeministrit, aq sa ai vetë u bën
thirrje qytetarëve të qeverisur që ta thërrasin atë si "babain e
kombit"!
Ndaj
regjimet autoritare kanë legjitimitet të cunguar. Max Weber përshkruan tri
forma të legjitimitetit: Formën tradicionale, karizmatike dhe racionale. Për
sistemin autoritar vlejnë forma tradicionale dhe karizmatike e legjitimitetit,
që do të thotë se qeverisja është më shumë rol aktorësh sesa një drejtim me
përgjegjësi dhe i moralshëm politik i shtetit. Në qeverisjen autoritare më
shumë vlejnë fjalimet e bukura, sesa veprat në praktikë, më shumë vlerësohet
karizma e udhëheqësve politikë, sesa përkushtimi, energjia dhe drejtimi i
bazuar në shtetin e së drejtës.
Shqipëria
e Edi Ramës aplikon një sistem qeverisës tipik tradicional jo legjitim me
konotacion dhe me tiparet e sistemit totalitar komunist, por të modifikuar në
kushtet e sotme të qeverisjes në vend, në rajon e më gjerë. Ato që shkruan
sociologu i shquar Max Ëeber janë tiparet më karakteristike të qeverisë së Edi
Ramës.
Një
shoqëri me probleme të mëdha ekonomike e të nivelit të jetesës si kjo e jona
prodhon politikanë grykësish, që nuk duan t'ia dinë për interesat e vendit e të
kombit. Për pasojë ndodh përqëndrimi i autoritetit të pushtetit te një person
ose te një grup personash me interesa të gërshetuara financiare, politike dhe
ekonomike. Kësisoj drejtimi autoritar çon në mosfunksionimin e rregullave të
demokracisë në të gjitha hallkat e sistemit, duke filluar të zgjedhjet e lira e
të ndershme e deri te formulimi i ligjeve.
Tiparet
themelore të sistemit autoritar në Shqipëri përkojnë plotësisht me tiparet e
çdo lloj autoritarizmi në botë. Ndërsa në vendet demokratike konkurojnë
alternativat, idetë dhe programet politike, në vendet autoritare kunkurenca
zhvillohet përmes retorikës së politikanëve.
Sistemi
autoritar si rregull është një qeverisje me institucione të centralizuara.
Eshtë sistem, në të cilin përgjegjësitë dhe retorikat personalizohen, ndërkohë
që ndarja e pushteteve ekziston formalisht. Për pasojë pushteti koncentrohet në
duart e një personi ose të një oligarkie personash. Edhe vendet problematike me
trafiqet, me drogën dhe kriminalitetin lehtësisht shndërrohen në vende me
regjim autoritar të qeverisjes. Lexuesi është në gjendje vetë të dallojë nëse
ky është ose jo gjithashtu rasti i Shqipërisë së sotme.
Elementi
themelor i raporteve midis drejtuesit kryesor dhe instrumenteve të dhunës në
një vend me regjim autoritar është ushtrimi i pushtetit nga lart-poshtë. Kjo do
të thotë se policia prokuroria dhe
gjykata e në raste të caktuara ushtria bëhen instrumente në duart e kreut të
shtetit. Ato veprojnë sipas një orientimi politik të tij dhe në përgjithësi
mbajnë nën presion opozitën, shoqërinë civile e median .
Sa
i përket tipologjisë së aplikimit të sistemit autoritar të qeverisjes në
Shqipërinë e ditëve tona si dhe në shumë vende të lindjes e disa të rajonit,
mund të thuhet se kjo tipologji përkon me trajtesat teorike të kohëve moderne.
Tipologjia e sistemit autoritar është e ndryshme në vende të ndryshme. Por
tiparet dalluese të tyre janë afërsisht të ngjajshme.
Regjimi
burokratik-ushtarak. Ky system bazohet
te karizma ushtarake. Nuk shfaq kurrëfarë lojaliteti, nuk është system i
qëndrueshëm dhe vjen në pushtet kryesisht pasi ka rrëzuar një qeverisje
demokratike. Tipare kryesore të këtij regjimi janë mentaliteti pragmatik,
paaftësia për politikë dhe drejtimin e shtetit, si dhe paraqitja karizmatike e
drejtuesve të këtij regjimi. Tajlanda dhe regjimi i Musharafit në Pakistan para
më shumë se një dekade janë shembulli tipik. Por edhe te ne duken qartë
karakteristika të tilla të drejtimit të shtetit.
Sistemi
autoritar korporativist, ushtron prezantimin e interesave të korporatave dhe
kompanive të fuqishme të biznesit. Ky system bazohet kryesisht në administrimin
e kontrolluar prej oligarkëve. Eshtë një sistem kompleks nga pikëpamja
ekonomike e financiare, sepse e ushtron diktatin e tij përmes mjeteve
teknokratike e autoritare. Në këtë rast grupet oligarke i mbrojnë interesat e
tyre më mirë përmes fasadave demokratike dhe veprimeve korruptive të pushtetit.
Nëse analizojmë veprimtarinë e sotme në nivel qendror e lokal, lehtësisht do të
vemë re se si në Shqipëri aplikohet në gjithçka ky model i qeverisjes.
Propagandë, fasadë, alibi të panumërta për të fsheh autoritarizmin e
favorizimin në funksion të kompanive të fuqishme të biznesit, me të cilat bëhet
gjithashtu korrupsion.
Sistemi
autoritar mobilizues është një nga tipologjitë e qeverisjes autoritare. Në këtë
sistem qeveria identifikohet me një lloj forme legjitime emocionale, nëpërmjet
të cilës sigurohet pjesmarrja në shumicë e qyetarëve në mbështetjen e qeverisë.
Kësaj kategerie i takojnë gjithashtu
regjimet mobilizuese postkoloniale e post diktatoriale, ku shfaqet një
lloj pluralizmi i kufizuar dhe i reduktuar. Në këtë lloj modeli autoritarizmi
përpiqet që të imponojë idenë se lideri autoritar është "më i miri",
madje vetëshpallet si i vetmi "shpëtimtar"! Pra bëhen përpjekje për
të injektuar mobilizimin emocional. Shembuj të tillë qytetarët shqiptarë i
shohin çdo ditë në ekranet e televizioneve.
Etnokracia
dhe demokracia rracore. Kjo lloj qeverisje bazohet kryesisht në përjashtimin e
grupeve etnike, minoriteteve dhe rracave të ndryshme nga vendimmarrja.
Shoqërohet me masa represive e konsiderohet si politikë e përçarjes.
Diskriminimi është tipari themelor i këtij tipi regjimi. Afrika e Jugut
përmendet si modeli tipik i qëverisjes së “demokracisë rracore”, por shembuj të
etnokracisë në qeverisje ka shumë. Më i njohuri për ne shqiptarët është regjimi
serb i Sllobodan Milosheviçit në Kosovë në periudhën 1989-1999. Ndërsa në
Shqipërinë e sotme ka jo pak simptoma të aplikimit të këtij modeli përmes
angazhimit të kreut të ekzekutivit për përçarje e diskriminim krahinor,
politik, fetar, sidomos në aspektin e planifikimit financiar, të investimeve
dhe taksave.
Autoritarizmi
posttotalitar. Shembull tipik i këtij lloj autoritarizmi janë vendet
ish-komuniste, të cilat dolën nga sistemi totalitar për t’u shndërruar në vende
demokratike. Secili prej këtyre vendeve ka kaluar një periudhë të caktuar me
qeverisje autoritare, sepse pluralizmi dhe demokracia nuk marrin jetë në afat
të shkurtër kohor. Por ndodh që edhe pas një periudhe të një demokracie me
defekte të rikthehet modeli autoritar i qeverisjes. Edhe në këtë aspekt tipik
është vendi ynë, ashtu si edhe rasti i Hungarisë.
Sa
u tha më sipër vijmë te përfundimi se Shqipëria
dhe ndonjë vend tjetër i rajonit po kalon një fazë të rrezikshme të rikthimit
në një sistem të ngjajshëm me totalitarizmin, por që klasifikohet si
autoritarizëm. Në vendin tonë u bënë përpjekje të shumta për ta përjashtuar nga
roli i saj opozitën reale dhe për të promovuar një pluralizëm fals, pra një
opozitë false, me të cilën u bënë ndryshime kushtetuese. Ndërsa veprimtaria
shtetërore është e pabazuar në një ideologji të caktuar. Qeverisja ka orientim
pragmatist dhe adresohet te ata faktorë të brendshëm e të jashtëm, tek të cilët
mund të mbështetet pushteti autoritar.
Nëse
qytetarët shqiptarë do të lejojnë që edhe më tej ky model të marrë fymë në
qeverisjen e vendit tonë, atëherë do të ishte shumë e vështirë që të kalohej
nga autoritarizmi në demokraci me mjete demokratike!