Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Florim Zeqa: Pluralizmi politik dhe polarizimet familjare!

| E merkure, 03.02.2021, 07:14 PM |


Pluralizmi politik dhe polarizimet familjare!

Shkruan: Florim Zeqa

Pluralizmi politik apo sistemi shumëpartiak përveqse diversitet i pikëpamjeve politike dhe ideologjike, është vlerë e demokracisë dhe shprehje e mendimit të lirë. Me pluralizëm politik nënkuptojmë shpërndarjen e pushtetit përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Lidhja e gjatë mes LDK-së dhe PDK-së, ka zbehur dallimin mes tyre

Deri më tani, pothuajse të gjitha partitë politike, me përjashtim të LVV-së ishin në bashkëqeverisje ose u futën në koalicion me njëra tjetrën. Për shkak të mosprofilizimit politik nuk ekziston ndonjë pengesë e madhe ideologjike dhe programore e cila do ta përjashtonte bashkëqeverisjen sërishme mes tyre.

Partitë tona politike më shumë dallojë nga njëra-tjetra për nga prejardhja regjionale e liderëve partiak sesa për nga profilizimi i tyre politik.

Edhe përkundër faktit se polarizimet më të mëdha në Kosovën e pasluftës kanë qenë në mes të krahut të luftës dhe krahut të paqes, kjo nuk ka qenë pengesë për lidhjen e vazhdueshme të koalicioneve mes këtyre dy poleve të kundërta  politike.

Lidhja e gjatë në bashkëqeverisje mes LDK-së dhe PDK-së e ka zbehur në masë të madhe dallimin në mes këtyre dy subjekteve diametralisht të kundërta.

Si pasojë e kësaj, kohëve të fundit rivaliteti më i madh politik po zhvillohet mes LVV-së dhe dy partive të cilat qeverisën më së gjati së bashku në Kosovën e pasluftës (LDK e PDK).

Bashkëqeverisja e shkurtër LVV-LDK dhe kalimi i disa figurave të kësaj të fundit në Lëvizjen Vetëvendosje, ka shkaktuar polarizim të ri në skenën politike, polarizim ky i cili nuk po ndodhë për shkaqe ideologjike, programore dhe as parimore, por thjeshtë për interesa personale, të ruajtjes së vazhdimësisë në skenën politike si dhe për dominim të pushtetit apsolut.

Heterogjeniteti nuk është garancë për rrugëtim të gjatë politik

Edhe sikur LVV-ja të fitonte shumicën apsolute të votave, gjë që është krejtësisht e pamundur, nuk e kam as idenë më të vogël, sa gjatë mund ta mbajë LVV-ja karrocën qeverisëse në trasenë e rrugës politike përplotë pengesa të brendshme dhe të jashtme, kur dihet mirëfilli që Albin Kurti e rrotulloi karrocën qeveritare në përballjen e parë me ndërkombëtarët.

Hapja ekstreme e LVV-së për aderime nga të gjitha anët dhe nga të gjithë krahët politik, nga ish pushtetarët dhe kundërshtaët politikë, më shumë po gjason në një shitore të madhe "Gjithçka nga 1 Euro" sesa në një partie politike të qendrës së majtë që aspiron ndryshimin politik.

Në listën e LVV i gjenë të gjithë, të djathtët dhe të majtët, demokratët dhe socialistët, titistët dhe enveristët, albinistët dhe rugovistët,...i gjenë reformatorët dhe puçistët, institucionalistët dhe anarkistët, shtetformuesit dhe uzurpatorët, luftëtarët e lirisë dhe sabotuesit e luftës çlirimtare!

Tendenca e kuantitetit (rritjes), duke mos i kushtuar kujdes kualitetit, në të ardhmen e afërt do t'i kthehet në bumerang LVV-së, shkaku i heterogjenitetit dhe mospërputhjes së pikëpamjeve politike dhe orjentimeve të kundërta ideologjike.

Kjo nuk i amniston as dy partitë e mëdha (LDK dhe PDK), në listat e të cilave po ashtu gjenë lloj-lloj brumi politik, figura të shquara, por edhe të dështuara politike, karrierist dhe lakmitar pushteti, por mbi të gjitha, këto dy parti e kanë një elektorat qëndrueshëm dhe të paluhatshëm kundrejt rrymave të reja politike.

Një familje, shumë parti politike

Në vend të garës demokratike për ide, vizione e programe qeverisëse mes partive politike po bëhet fushatë e pasinqertë, me akuza dhe kundër-akuza, me shpifje dhe gënjeshtra të ndërsjellta, gjë e cila po reflektohet tepër negativisht me polarizim të skajshëm të elektorateve partiake.

Si asnjëherë më parë gjatë historisë, në brendinë e së njëjtës familje janë futur të gjitha partitë politike; dy vëllëzër-dy parti politike, tre vëllëzër-tri parti politike,...shtatë vëllëzër-shtatë parti politike!!!

Të mos flasim për lagjen, fshatin apo qytetin, çfarë katrahure e polarizimit dhe e përçarjeve ekziston!

Si pasojë e polarizimeve, përkatësisht gjuhës së urrejtjes së liderëve partiak, janë polarizuar edhe fammiljet tona. Të shpeshta janë rastet, kur prishet harmonia familjare, prishen vëllaznia, prishen fqinjë e miq, kusheri dhe farefis shkaku i këtyre liderëve të papërgjegjshëm politikë.

Polarizimet e shkaktuara brenda familjeve tona, për më tepër vijnë si produkt i  tifozerisë së pakontrolluar partiake dhe i gërshetimit të interesave personale të anëtarëve të së njëjtës familje.

Prezenca e shumë partive politike në familjet tona, nuk paraqet vlerë demokratike dhe as shpresë për ndryshim. Përkundrazi, pluripartizmi brenda katër mureve të shtëpisë, rrënon në themel bërthamën e shtetit (familjen).

Kur ndahet dhe përçahet familja, interesat personale të anëtarëve të së njëjtës familje janë të padobishme dhe të pavlera.

Pavarësisht ekzistimit të mundësive strategjike, gjegjësisht të shpërndarjes së anëtarëve të së njëjtës familje nëpër disa parti, me qëllim të mbrojtjes së bizneseve familjare apo për qëllime të punësimit në institucione shtetërore, një gjë e tillë bie ndesh me kodin e familjes.

Pavarësisht se kush delë fitues i zgjedhjeve, ndarja e anëtarëve të së njëjtës familje në disa parti është edhe e pahijshme dhe e pamoralshme, është lojë e pasinqertë dhe padrejtë në raport me ato familje që i qëndrojnë besnik kodit të familjes dhe idealit të tyre politikë!

Me ashpërsimin e gjuhës së urrejtjes, kjo klasë politike, pozitë dhe opozitë, po dëshmon çdo ditë e më shumë, se nuk e meriton qeverisjen e vendit dhe as që e ka të drejtën të flas në emër të popullit.

28.01.2021