Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Eshref Ymeri: Dy fjalë për kujtesë Profesorit Nexhmedin Spahiu

| E marte, 02.02.2021, 07:11 PM |


Dy fjalë për kujtesë Profesorit Nexhmedin Spahiu

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri

Në faqen e internetit “Kosova “Sot” të ditës së sotme, 01 shkurt 2021, lexova një shënim të shkurtër të Profesorit Nexhmedin Spahiu, me titull:“E kundërshton ashpër profesori i njohur: Ideja e bashkimit kombëtar, fyerje për Kosovën dhe për Shqipërinë”.

Në këtë shënim të shkurtër, Profesori shkruan:

“Kombi shqiptar ekziston qe një shekull dhe është i njohur nga të gjithë kombet e botës qe një shekull, kurse  kombi kosovar ekziston qe dy dekada dhe është i njohur nga më shumë se gjysma e kombeve të botës”.

Ore Profesor Spahiu! A jeni në vete apo keni lajthitur? Ç’janë këto broçkulla kalamajsh që keni nxjerrë në publik? Gjysma e botës ka njohur pavarësinë e shtetit kosovar, jo kombin kosovar, prandaj thirrini mendjes dhe ejani në vete! Në deklaratat e shteteve të botës thuhet se njohin pavarësinë e një shteti të caktuar, nuk thuhet se njohin kombin e atij shteti.

Sa herë që ndokush nga politikanët shqiptarë, në të dyja anët e kufirit, në kuadrin e shakave politike, karakteristike këto gjatë fushatave zgjedhore, hedh idenë e ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë, Profesor Nexhmedin Spahiu menjëherë mpreh penën e vet dhe, si puna e asaj pulës që del nga koteci, fillon kakarisjet kundër idesë në fjalë.

Me këmbënguljen e vet “shkencore” kundër ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë, Profesor Spahiu e mundon veten kot, se një ribashkim i tillë nuk ka për t’u bërë kurrë në kushtet ekzistuese, kur edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë sundojnë kasta politike mercenare, në shërbim të grekosllavizmit dhe të brukselizmit. Por kur Profesori deklaron se ekzistuaka një komb shqiptar dhe një komb  kosovar, atëherë këtu ndryshon puna. Profesor Spahiu, këtu e ca vite të shkuara, ka pasë shkruar për ekzistencën e kombit shqiptar dhe të “kombit kosovar” dhe asokohe unë kam pasë polemizuar me të.

Personalisht jam shumë i befasuar që Profesor Spahiu hedh përsëri në tregun politik idenë e “ekzistencës së kombit kosovar”, sepse një ide e tillë i vjen shumë në osh rusoserbizmit, armikut tradicional të mbarë kombit shqiptar.

E kam pasë theksuar edhe herë të tjera dhe po e theksoj përsëri. Në dy artikuj me tituj “Kur Kosovën unë e pashë” dhe “Dertet e një përkthyesi”, të botuar në vitin 1999, si mbresa nga vizita në Kosovë në rolin e përkthyesit të gazetarëve ukrainas dhe rusë, pata theksuar se gjatë takimeve me qytetarë të thjeshtë kosovarë, gazetarët në fjalë dhe sidomos gazetarët rusë, në majë të gjuhës kishin pyetjen: “Si e shikoni të ardhmen e Kosovës?”. Dhe qytetarët kosovarë, që nga Kaçaniku deri në Pejë, që nga Prishtina deri në Prizren, që të gjithë, pa përjashtim, jepnin të njëjtën përgjigje: “Duam që Kosova të jetë e pavarur dhe pastaj të ribashkohet me Shqipërinë”.

Beogradi, për të krijuar truallin e “ekzistencës” së një populli kosovar që “nuk ka lidhje fare” me popullin e Shqipërisë Londineze, pra, që “janë dy kombe të ndryshme”, pati hedhur edhe idenë e “ekzistencës” së një gjuhe tjetër në Kosovë. Kështu, Beogradi, ku ligjin tradicionalisht e ka pasë bërë shovinizmi sebomadh, e kishte ndarë gjuhën shqipe në ”allbanski jezik”, që flitej në Shqipëri dhe ”shiptarski” apo ”shiftarski jezik, që duhej, sipas tij, të flitej në Kosovë.

Me idenë e “ekzistencës së kombit kosovar”, Profesor Spahiu, lexuesit me vetëdije kombëtare në të dyja anët e kufirit, i bën të shtrojnë pyetjen:

“Profesor Spahiu është naiv apo i shërben me vetëdije shovinizmit serbomadh?”.

Dhe një pyetje e tillë  i bën lexuesit ta hedhin vështrimin prapa, te Kongresi i Berlinit dhe te Konferenca e Londrës. Shovinizmi evropian, nën diktatin e shovinizmit rusomadh, për shkak të përçarjes tragjike ndërshqiptare, me trojet tona etnike kënaqi orekset e grekosllavizmit, duke trefishuar sipërfaqen e territoreve të sllavëve dhe të grekëve. Synimi përfundimtar i shovinizmit evropian ishte shpërbërja tërësore, deri në zhdukjen nga harta të Shqipërisë Etnike. Një synimi të tillë iu vu fre vetëm në saje të Presidentit Uilson në Konferencën e Paqes të vitit 1919 në Paris.

Etnia shqiptare, dikur, në mesin e shek. XIX, ka pasë qenë etnia më e madhe në Gadishullin Ilirik. Asokohe Greqia kishte 1,1 milion banorë, Serbia 600 mijë banorë, kurse Shqipëria 1,6 milionë banorë. Sipërfaqja e territoreve shqiptare, sipas Fjalorit Enciklopedik Rus të vitit 1896, botim i Akademisë së Shkencave të Peterburgut, arrinte në më shumë se 120 mijë km². Kurse sot ku janë Shqipëria, Greqia dhe Serbia me sipërfaqen e territoreve të tyre?

Sipas Profesor Spahiut, “kombi kosovar qenka krijuar” 20 vjet më parë! Interesante deri në gajasje kjo deklaratë. Po si qenka e mundur që Profesor Spahiut s’i paska vajtur në mendje dhe të arsyetojë për një çast për një fakt fort domethënës në rastin e kombit gjerman? Dihet që Gjermania, në vitin 1945, u nda në dy pjesë - në Lindore dhe Perëndimore. Gjermania Lindore, në pronësi të komunizmit sovjetik, qëndroi e ndarë gjatë 45 vjetëve. Megjithatë, nga radhët e saj nuk doli ndonjë profesor që të deklaronte se na qenkej krijuar kombi gjermanolindor dhe të shprehej kundër ribashkimit me Gjermaninë Perëndimore në vitin 1990. Koreja e Jugut ka gati 70 vjet që është ndarë nga Koreja e Veriut, por asnjë profesor korean nuk ka marrë kurrë guximin dhe të deklarojë se koreanët e Jugut dhe koreanët e Veriut na qenkan kombe të ndryshme.

Populli shqiptar i Kosovës ka plotësisht të drejtë të jetë shumë qejfmbetur me atdheun amë, sepse ky s’e ka pasë ndihmuar absolutisht në shumë ngarje tragjike që kanë ndodhur në Kosovë, si ato të vitit 1945, kur krytradhtari i Kosovës Enver Hoxha lejoi kryerjen e masakrës së Tivarit, kur në vitin 1956 Beogradi shpërnguli nga trojet amtare mbi 450 mijë shqiptarë dhe i degdisi në Turqi, kur shpërthyen demonstratat studentore të vitit 1981, kur në vitin 1989 krimineli Milosheviç e zhveshi Kosovën nga autonomia, kur në fundin e viteve ’90 nuk ndërhyri për t’i dhënë Kosovës ndimë ushtarake. Intelektuali i njohur ushtarak nga atdheu amë, Dilaver Goxhaj, ish-zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas një pyetjeje që i pata drejtuar para disa ditësh për të mësuar diçka nëse Shqipëria, në fundin e viteve ’90,  kishte ose jo trupa tankiste në Veriun e vendit, më dha përgjigjen në vijim:

“Lidhur me pyetjen tuaj, ju them se deri atëherë kishim vetëm gjysmat e tankeve, se gjysma qenë shitur, nga 1250 që ishin, ndodheshin rreth 800 në gjendje luftarake”.

Megjithatë, atdheu amë, nuk e vuri absolutisht ujët në zjarr që të niste drejt Kosovës qoftë edhe një tank të vetëm, për të mbrojtur vëllezërit kosovarë nga bisha fashiste serbe.

Populli shqiptar i Kosovës ka plotësisht të drejtë të ketë qejfmbetje të madhe me atdheun amë, të cilin Rama e trajton si pronë private. Prandaj edhe midis Kosovës dhe Shqipërisë vendosi trarin e turpshëm. Ai tra ka ndikuar tmerrësisht shumë që populli shqiptar i  Kosovës, i cili dikur, në masën gati 90%, ishte për ribashkim, tani kundërshtimi është shtuar deri në 54%.  Ky është krimi më i madh që Rama ka kryer kundër popullit shqiptar të Kosovës.

Vallë të mos e kuptojë Profesor Spahiu që Kosova më vete dhe Shqipëria më vete po shkojnë drejt shpërbërjes tërësore? Sepse gjendja tragjike, ku e ka katandisur Kosovën banda tradhtare e Hashim Thaçit, ka bërë që Kosova të zbrazet nga popullsia çdo vit. Në garë me bandën e Hashim Thaçit, kasta politike e Ramës, gjithashtu, po e zbraz çdo vit atdheun amë nga popullsia. Një zbrazje e tillë është në strategjinë afatgjatë të grekosllavizmit, i cili, në bashkëpunim  të heshtur me brukselizmin, ka si pikësynim pikërisht shpërbërjen përfundimtare, deri në zhdukjen e plotë të kombit shqiptar. Prandaj kështu, të ndara dhe të armiqësuara në heshtje, Kosova dhe Shqipëria shpërbëhen dhe zhduken më me lehtësi. Kurse ribashkimi i tyre grekosllavizmin e tmerron. Sepse ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë, nën qeverisjen e një tjetër klase politike në të dyja shtetet, si ajo që përfaqësojnë Albin Kurti dhe Vjosa Osman, në rrjedhën e mëvonshme të ngjarjeve, do të sjellë si pasojë të pashmangshme ribashkimin me trojet tona etnike në Maqedoninë Veriore dhe, në fund, ribashkimin e Çamërisë me trungun amë. Pikërisht pas një ribashkimi të tillë, shteti shqiptar, si administrator i të gjitha trojeve tona etnike,  do të bëhet me të vërtetë shtet me autoritet në sytë e opinionit publik ndërkombëtar, sepse grekosllavizmi dhe brukselizmi nuk do të guxojnë më të tallen dhe ta shkelin me këmbë kombin  shqiptar, siç po tallen dhe po e shkelin me këmbë Kosovën, e cila, faktikisht, është koloni e Serbisë, e shtetit më kriminal të Evropës (çka u vërtetua me ndalimin e Albin  Kurtit dhe të Vjosa Osmanit për të hyrë në Mitrovicën e Veriut), nuk do të guxojnë më të tallen dhe ta shkelin me këmb Shqipërinë, si deri tani, e cila, faktikisht, është koloni e Greqisë, e shteti më racist dhe më karnaval të Evropës. Të gjithë shqiptarët me vetëdije kombëtare janë të bindur se ribashkimi i trojeve tona etnike në një shtet kombëtar, me një stemë dhe me një flamur, është vetëm në dorën e shqiptarëve, kur ata, edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë, të kenë në krye një klasë politike dinjitoze, si ajo që përfaqësojnë Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, klasë, për të cilën duhet të shpresojmë se do të dalë në skenë edhe në Shkup.

Në fund, Profesor Spahiut dëshiroj t’i kujtoj tekstin e këngës me bukuri mitike “Xhamadani vija-vija”. Në këtë tekst poetik me rimë fantastike, dëshiroj të ndalem në katërvargshin në vijim:

Është një qiell që na bashkon,

Është një diell që na burrnon,

Është një gjuhë që flasim të tanë,

Është një tokë q’e thërrasim nanë.

Po ashtu, Profesor Spahiut dëshiroj t’i kujtoj tekstin e këngës legjendare, me titull “Thërret Prizreni mori Shkodër”, të ekzekutuar me aq mjeshtëri artistike nga këngëtarja e talentuar me zë gjëmimtar Barbana Dini.

Kini parasysh, ore Profesor Spahiu, se këto vargje janë të shenjta dhe shenjtëria e tyre do t’ju ndëshkojë rëndë me një njollë të pahijshme në ballin tuaj prej mercenari në shërbim të grekosllavizmit dhe sidomos të rusoserbizmit, damkë që nuk do të shlyhet kurrë as nga balli i pasardhësve tuaj brez pas brezi. Është koha që të pendoheni dhe, si shqiptar, ju bëj thirrje për pendesë për ato fjalë të pamatura që keni nxjerrë nga ekrani i kompjuterit për konsum publik.

Los Anxhelos, Kaliforni

01 shkurt 2021