E premte, 24.09.2021, 12:18 PM (GMT+1)

Kulturë

Prend Buzhala: Izraeli dhe Kosova, 168 Nobelistët hebrenj dhe Kadare

E marte, 02.02.2021, 09:45 PM


IZRAELI DHE KOSOVA,

168 NOBELISTËT HEBRENJ DHE KADARE

Me rastin vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në mes të Izraelit e Kosovës, këtu po veçoj disa fragmente nga Fjalimi i Ismail Kadaresë me rastin e pranimit të Çmimit “Jeruzalem International Book Fair” -Izrael, 8 shkurt 2015):

Nga Prend BUZHALA

1.

"Shqyrtimi i ndërgjegjes mbetet sot po aq dramatik dhe aktual sikurse në teatrin grek, dy mijë e pesëqind vite më parë. Nga krimet e nazizmit e të komunizmit, ai vjen gjer te hapja e dosjeve të fshehta, ato që janë kthyer në ankth në vendet që ende s’e kanë bërë këtë, duke përfshirë këtu, për fat të keq, edhe vendin tim, Shqipërinë.

S’është e rastit që kur shkojmë në Yad Vashem, këtu në Jerusalem, ne përpiqemi të kapim përmasat e një tmerri që gjuha njerëzore, duke pranuar kufizimet e saj, e ka përcaktuar si “të papërfytyrueshëm”.

(...)

Prej shumë kohësh shqiptarët ngulin këmbë se është vërtetuar që në mbarim të luftës, ndërsa në gjithë Europën hebrenjtë ishin rralluar krejt, si pasojë e gjenocidit, në Shqipëri përkundrazi, ishin shtuar dukshëm. Arsyeja ishte e thjeshtë: hebrenjtë, që nga dita e parë e luftës gjer në të fundit ishin të mbrojtur në Shqipëri.

(...)

Do të ishte një gjë e rrallë që mbrojtja e hebrenjve, për të cilën u fol më lart, të bëhej shkas për një vizion të ri, afrues e pozitiv.

Bota ka nevojë për këtë vizion. Popujt kanë gjithmonë nevojë të mbrohen. Duke mbrojtur të tjerët, ata mbrojnë veten.

Do të doja që me një urim të tillë ta mbyllja këtë diskurs për lirinë, këtu në Jerusalem.

2.

Çmimi “Jeruzalem International Book Fair” më 2015 i takoi shkrimtarit shqiptar të mirënjohur, Ismail Kadare. Kadare, ka disa dekada që ligjëron para forumeve më prestigjioze botërore. Prandaj dhe Fjala e Tij është e këtyre formateve.

Fjalim që, si thotë shkrimtari, është një diskurs për lirinë.

QYTETËRIMI I LIRISË është i papajtueshëm me QYTETËRIMIN TOTALITAR.

Ndër kryevepra të Epokës Moderne janë Liria dhe Njeriu i Lirë, çlirimi i njeriut nga shumë paragjykime ( dogma e kufizime tjera antinjerëzore) e Njeriu i Çliruar. Prandaj ndodhin dhe miliona e miliona zbulime jo vetëm shkencore... Ndërkaq, Kadare bën një përqasje me përmasën e lirisë në relacionet me diktaturën dhe me botën moderne:

“Befasimi lidhej me motivin e lirisë, që e kushtëzonte, si temë kryesore, këtë çmim. E dinin vallë zotërinjtë e jurisë që shkrimtari i laureuar, më saktë, vepra e tij, kishte një problem me lirinë?”

3.

Izraeli është fuqi botërore e dijes dhe vatër e trashëgimisë botërore të shumë vlerave. Kosova e ndien veten mirë me vendosjen e këtyre marrëdhënieve. Ka edhe autorë të mëdhenj të letërsisë, ndër ta disa nobelistë. Prej vitit 1966, Izraeli ka nëntë nobelistë nga fusha të ndryshme, kurse prej vitit 1905, hebrenj që jetojnë nëpër vende të ndryshme të botës, janë: 29 hebrenj nobelistë në fushën e kimisë, 44 në fushën e psikologjisë dhe mjekësisë, 45 në fushën e fizikës, 28 në fushën e ekonomisë, dhe shtatë personalitete hebraike fituan Çmimin Nobel për paqe.

Kurse janë 15 shkrimtarë hebrenj që jetojnë nëpër vende të ndryshme të botës dhe që e kanë fituar Çmimin Nobel:

1910 Adolf Friedrich Erdmann von Menzel

1927 Bergson-Nobel

1958 Boris Pasternak

1966 Agnon Nelly Sachs

1976 Saul Bellow

1978 Isaac Bashevis Singer

1981 Elias Canetti

1987 Joseph Brodsky

1991 Nadine Gordimer

2002 Imre Kertész

2004 Elfriede Jelinek

2005 Harold Pinter

2014 Patrick Modiano

2016 Bob Dylan

2020 Louise Glück.

Pra, del një shifër prej 168 nobelistësh!

Për disa nobelistë hebrenj jepet edhe ky shënim: "Laureatët hebrenj Elie Wiesel dhe Imre Kertész mbijetuan në kampet e shfarosjes gjatë Holokaustit, ndërsa François Englert mbijetoi duke u fshehur në jetimore dhe shtëpitë e fëmijëve. Të tjerët, si Walter Kohn, Otto Stern, Albert Einstein, Hans Krebs dhe Martin Karplus u desh të iknin nga Gjermania naziste për të shmangur persekutimin. edhe disa të tjerë, si Rita Levi-Montalcini, Herbert Hauptman, Robert Furchgott, Arthur Kornberg dhe Jerome Karle përjetuan antisemitizëm të theksuar në karrierën e tyre."



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora