Mendime
Ruben Avxhiu: Kosova nuk u ka palestinezëve asnjë borxh
E hene, 01.02.2021, 10:00 PM
Kosova nuk u ka palestinezëve asnjë borxh
Nga
Ruben Avxhiu, editor i gazetës
amerikano-shqiptare “Illyria Press”
Gjëja e fundit që dua të dëgjoj sot, kur Kosova dhe Izraeli vendosin marrëdhëniet diplomatike, është punë a fatit të “Palestinës”.
Kosova
nuk u ka palestinezëve asnjë borxh. Përkundrazi, janë palestinezët që duhet t’i
kërkojnë falje Kosovës për mbështetjen e tyre të panevojshme dhe të pamoralshme
për Millosheviqin dhe nacionalizmin zjarrvënës serb në Ballkan.
Nga
lista shumë e gjatë e veprimeve të turpshme të palestinezëve, po veçoj vetëm
një. Atë më flagranten. Ftesën e themeluesit dhe udhëheqësit historik të
Autoritetit Palestinez Jaser Arafat për Sllobodan Millosheviqin, që të kalonte
Krishtlindjen në Bethelem.
Ajo
që e bën më skandaloze këtë ftesë është data e saj, dhjetor i vitit 1999.
Jo
dikur nga fillimi i viteve 1990, kur mund të gjeje ndonjë justifikim, se nuk i
dije mirë faktet. Ftesa vinte katër vite e gjysëm pas masakrës së Srebrenicës,
kur gati 8,000 burra e djem myslimanë, disa ende të mitur u pushkatuan me gjak
të ftohtë, pa asnjë arsye, përveç dëshirës për ta shuar farën boshnjake.
8,000
robër, të paarmatosur, të pambrojtur, civilë të mjerë, që me familjet e tyre
ishin strehuar në një qytezë që OKB e kishte quajtur të sigurtë. U vranë një e
nga një mizorisht. Pa ndonjë objektiv ushtarak apo përfitim politik. Thjesht
urrejtje e kulluar.
Nuk
po kaloj ende te shqiptarët tani. Mbi 200,000 vajza e gra të përdhunuara në
Bosnje. Nuk di që ushtarët e Izraelit të kenë përdhunuar ndonjëherë ndonjë
vajzë arabe. Do të dënoheshin menjëherë nga drejtësia në vendin e tyre.
Përdhunuesit serbë ishin dhe mbeten heronj në Serbi. Operacioni i përdhunimeve
ishte masiv. Plot ushtarë janë detyruar nga oficerët e tyre të merrnin pjesë në
përdhunim. Duhej të ishte çmendur bota. Po nuk ndodhi.
Pak
më vonë, filloi dhuna në Kosovë. Mjafton të lexosh emrat e fëmijëve të Familjes
Jashari që u masakruan në shtëpinë e tyre. Jo diku duke demonstruar në sheshe e
duke mbajtur parrulla politike. Në shtëpinë e tyre.
Kosova
u mbush më varre masive. Më shumë se një mijë kufoma civilësh, u ngarkuan në
kamione nga ushtria serbe për t’ia fshehur krimet historisë, kur e panë që
lufta me NATO-n ishte humbur. I fshehën nëpër Serbi në varre që nuk i tregojnë
se ku janë.
Qindra
xhami, teqe e disa kisha e manastire katolike që u shkatërruan prej serbëve në
Kosovë, Bosnje e Kroaci. Dëbimet massive të popullsisë shqiptare të Kosovës,
përdhunimi i vajzave dhe grave shqiptare, djegiet e dokumenteve, talljet
publike, fyerjet, shkatërrimi i shtëpive e pasurisë shqiptare.
Të
gjitha këto, nuk e prekën zemrën e udhëheqësve palestinezë. As atëhere kur
gjaku ishte i freskët, as 10 vite më vonë, kur mjegulla e luftës ishte
shpërndarë.
Çfarë
duhet të mendonin shqiptarët kur panë që Izraeli strehoi një grup familjesh të
dëbuara nga Serbia, kurse Autoriteti Palestinez ftoi kryekriminelin që të
festonte Krishtlindjen së bashku me ta? Në atë kohë, zëdhënësi i Ministrisë së
Jashtme të Izraelit deklaroi se nëse Millosheviqi vinte vërtet për
Krishtlindje, Izraeli do ta arrestonte dhe dërgonte në Hagë. Çfarë kontrasti!
Edhe
Greqia që ka marrëdhënie historike me Serbinë refuzoi të vinte veton –
mjaftonte vetëm një veto që NATO të mos ndërhynte në Kosovë.
Kishte
plot serbofilë, që kritikuan NATO-n, por duke e pranuar që Millosheviqi ishte
kriminel. Thjesht nuk u dukej e drejtë ndërhyrja ushtarake nga jashtë.
Por,
jo Arafati. Jo palestinezët. Nuk mund të bënin sikur po shihnin nga ana tjetër.
Nuk do që të thuash një fjalë të mirë për viktimat, dakord, ke hallet e tua. Ke
problemin tënd për të zgjidhur dhe duhet të bësh llogaritë e tua politike. Ke
nevojë për ndihmën ruse apo ku ta di unë. Nuk do të më shkonte mendja t’i thoja
Arafatit e njerëzve të tij se pse nuk po flet për Kosovën.
Por
në vend të kësaj, të dalësh në ekstremin tjetër?! Të të dalë koha, nga të
gjithë figurat politike të botës, të ftosh këtë kryekriminel që ka 9 vjet që
djeg Ballkanin për planin e tij të Serbisë së Madhe. Po çfarë bëri ndonjëherë
Millosheviqi për Arafatin që t’i dalë mik pas gjithë këtyre tragjedish. Çfarë
injorimi i ftohtë dhe i pashpirt për vuajtjet e jo një po disa popujve joserbë
që vuajtën në duart e tij. Çfarë injorimi për vetë myslimanët e mbetur në
Sanxhak e Preshevë etj nëpër Serbi, qytetarë të dorës së dytë, nën një regjim
diktatorial si ai Millosheviqit.
Çfarë
ironie për këtë tallje me vuajtjen e një populli, ku gjendeshin plot të rinj me
emrin “Arafat”, ku solidariteti më Palestinën, gjallonte natyrshëm, i sinqertë,
jo për llogari politike, por përkundrazi thjesht nga impulsi njerëzor.
Ku
ishte revolta e palestinezëve ndaj kësaj ftese të Arafatit? Ku ishte thirrja
për solidaritet me një popull tjetër që kërkonte mëvetësi?
Ku
është kërkesa e faljes për këtë veprim fyes për vuajtjet e të gjithë
myslimanëve të Ballkanit, nga një klikë mashtruese politike që ka dekada që
mjel botën myslimane me miliarda dollarë në vit, pa sjellë asnjë ndryshim real
për popullin e vet?
Ne
habitemi që qeveritarët palestinezë dënuan publikisht shpalljen e pavarësisë në
Kosovë. Po kur nuk dënuan përpjekjen për të na shuar nga faqja e dheut, pse
presim të na ndihmojnë për këto “lukse” politike.
Njeriu
që ka zëvendësuar Arafatin qe nga të parët që vizituan Serbinë dhe denoncoi
pavarësinë e Kosovës si kundër ligjit ndërkombëtar. Mund ta bënte nga zyra e
tij në territoret palestineze, po nuk është aq fyese për shqiptarët sesa kur e
bën deklaratën nga Beogradi.
Gati
20 vjet pas luftës, “Palestina” tashmë anëtare e UNESCO-s dha votën kyçe që
Kosova të mos bëhej anëtare. Një vit më parë, as palestinezët nuk ishin në
UNESCO. U votua dhe hynë. Pasi hynë vota e parë me rëndësi që patën ishte që të
mos linin Kosovën që të hynte edhe ajo. Ironia ishte se Serbia kopjoi gati
tërësisht argumentin që kishte përdorur një vit më parë Izraeli që të mos
lejonte hyrjen e palestinezëve.
Kështu
që leksionet se kujt i takon Jeruzalemi e kujt nuk i takon, se ku duhet të
qendrojë ambasada e Kosovës apo nëse duhet ta njohë se nuk po njihet Palestina,
kanë zero rëndësi për mua e duhet të kenë zero rëndësi për Kosovën.
Kjo
republikë e re në Europë është toka më e përvuajtur e kontinentit e që ende i
qendron mbi kokë premtimi gjakatar i Serbisë fqinje se nëse një ditë rrathanat
ndërkombëtare ndryshojnë do të rikthehet që të mbarojë punën që ia ndërprenë me
forcë në 1999. Detyra numër një e udhëheqësve të Kosovës duhet të jetë
mbijetesa e popullit të saj.
Kosova
vërtet nuk u ka asnjë borxh popujve të tjerë, e më pak se shumëkujt,
palestinezëve.