| E hene, 01.02.2021, 09:28 PM |
SHTETI NË PAZAR, HESHTJA E PROKURORIT TË SHTETIT DHE HIPOKRIZIA E MEDIAVE!
Nga
Jusuf Buxhovi
Sikur
të mos mjaftonte deklarimi i paradoditshëm i ambasadorit amerikan në Kosovë,
Kosnett, se ushtarët amerikanë nuk kanë vdekur as për Shqipërinë e Madhe e as
për Serbinë e Madhe, që bashkimi
kombëtar, si ideologji nacionaliste e shekullit të kaluar (për alternativë mund
ta ketë unionin e shteteve shqiptare në BE dhe
vetëm me përkrahjen e aleatëve),
të mos kthehet në temë spekulative të debateve zgjedhore dhe madje, të
anashkalohet fare (meqë shteti i Kosovës
si realitet politik i krijuar nga Perëndimi
paraqet të arriturën më të madhe të shqiptarizmit është i pakthyeshë),
vërejtja e ambasadorit amerikan, jo vetëm që nuk u përfill, por çuditërisht
nxiti edhe më shumë këtë çështje. U bart thuajse në të gjitha studiot
televizive për t’u zhvlerësuar
tmerrësisht dhe në mënyrën më të
paskrupullt deri te licencimi me
sondazhe televizive e të ngjashme "për" dhe "kundër", sa që
me të drejtë shtron edhe e çështjen e marrjes së licencës çdo televizioni apo
radioje që e vënë në diskutim sovranitetin e Kosovës qoftë si ide e bashkimit me Shqipërinë me anën e
“referendumeve” fare të paqarta dhe fare të papërgjegjshme politikisht, gjoja
për të "dalë nga pika zero", nga "anashkalimi dhe harresa nga
aleatët", qoftë kur mohohet fare nga “Lista serbe”!
Natyrisht,
se marrja e kësaj mase nuk duhet të jetë vetëm preokupim i Komisionit për Media të Pavarura, e as detyrim i përhershëm i
KQZ-së, që partitë që nuk i nënshtrohen
kushtetutës së Kosovës, simboleve të saj dhe betimit për të, të mos certifikohen,
po t’u merret e drejta e garimit sapo të hetohet përdorimir i sloganeve të
“bashkimeve” kuturu, jashtë kontekstit
diplomatik dhe politik të kohës, që rrezikojnë shtetin dhe qenin e tij.
Por,
që KQZ, të veprojë si e pavarur dhe në përputhje me detyrimet nga shteti i
Kosovës, rrugën është dashtë t’ia hapë
Prokurori i shtetit si gardien i shtetit
të Kosovës, ngaqë këtë e ka detyrë kushtetuese.
Kjo e ka obliguar dhe e obligon që të marrë masa të menjëhershme ligjore
kundër gjithë atyre që atë dëshirojnë ta shohin “pjesë” të Shqipërisë ose
“pjesë” të Serbisë, politikisht kjo e njëjtë, sepse, kushtetuta e Kosovës, neni
i saj 1, përcakton qartë se Kosovës si shtet i ndalohet bashkimi, siç ndalohet
edhe mbajtja e referendumeve për çështje të tilla. Pa hyrë në këto formulime
kushtetuese dhe arsyet e tyre që gjithësesi lidhen me kompromiset e bëra për
shpalljen e shtetit të Kosovës dhe të tjerat që e përcollën këtë akt madhor, në
rrethanat kur e kemi shtetin dhe ai duhet të stabilizohet në të gjitha shtyllat
e tij si shtet, prokurori i shtetit, nuk duhet të hezitojë me rastin e hapjes
së temave të tilla, të luajë strucin, por
të marrë masa ligjore. Natyrisht se një veprim i tillë nënkupton një
kryeprokuror shteti me integritet profesinal dhe moral, gjë që në Kosovë kjo
sikur është pamundësuar nga klikat që kanë kapur shtetin dhe sot kërkojnë të
fajësojnë aleatët pse ai ka probleme të mëdha me ligjin,
korrupsionin,nepotizmin dhe problemet tjera që e pamundësojnë atë për të qenë shtet siç duhet, por është
koha që erërat e ndryshimeve t'i lëkundin edhe strukturat e tilla që më në fund
t'i kthehen kodeksit profesional dhe betimit të
patriotizmit shtetëror, aq më tepër që këtë po e kërkojnë prej kohësh
aleatët tanë, SHBA-ja, BE-ja dhe të tjetër.
Veprimi
ligjor i domosdoshëm për t’u ruajtur shteti i Kosovës, që për fat të keq ka
munguar, tash më shumë se kurrë duhet të
kthehet në një mesazh të qartë diplomatik e politike, që duhet dërguar miqve
dhe aleatëve, pikërisht atyre që
ndihmuan çlirimin nga Serbia dhe mundësuan krijimin e shtetit të pavarur të
Kosovës, që të jepen dëshmi të ruajtjes së këtij kursi dhe jo të vënies së tij
në dyshim. Por, mesazhi duhet t’u dërgohet edhe atyre që me
hapjen e temave të tilla, sidomos në Beograd dhe Rusi, Kosovën, ndonëse shtet i
pavarur me të drejtën e konfirmuar edhe nga GJND-ja dhe të pranuar nga shtetet kryesore të botës
(SHBA-të dhe shumica e vendeve kryesore të NATO-s), dëshiruan ose dëshirojnë që
ta kthejnë te pika zero, siç u tentua para dy vitesh në prapaskenat midis Vuçiqit, Thaçit dhe
Ramës, gjoja për “arritjen e një marrëveshje historike me Serbinë” kur shihej
se ajo duhej t'ia hape rrugën krijimit të Serbisë së Madhe dhe intresave ruse
në rajon, gjë që me të shpejt u pengua nga Uashingtoni dhe Berlini.
Natyrisht
se temës së sovranitetit të shtetit të Kosovës dhe vënies së saj në pazar nëpër
studio televizive dhe tubime zgjedhore, me masat e menjëhershme ligjore, duhet
t’i vijë fundi. Meqë në këtë mënyrë, demagogjia e “krijimit të balancimeve
politike”, nga ata që kanë përgjegjësi për krijimin e kësaj gjendjeje dhe atë dëshirojnë ta shfrytëzojnë për të
mbetur në lojë me çdo kusht, madje duke e ndryshuar diskursin zgjedhor (nga ai
parlamentar në presidencial), jo vetëm që nuk e ndihmon procesin e ndryshimit që
pritet dhe duhet të ndodhë gjatë këtyre
zgjedhjeve, por e ngarkon atë me dyshimin e drejtë se po qe se vazhdon kjo
retorikë e "Gardhiqeve kombëtare" jashtë interesave gjeostrategjike
të aleatëve tanë, pa qenë në gjendje që
me asgjë t'i mbrojnë në rast se ata tërhiqen ose ndërrojnë anën, e gjitha mund
të kthehet në një riciklim të klikave kriminale dhe oligarke, gjë që gjithë
procesin do ta zhvendoste në binarët antihistorik, që pastaj, e ka të vështirë
të kthehet te rrjedha e duhur...