E marte, 23.04.2024, 03:56 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Bedri Islami: “Përjetësia e dyfishtë“, Fehmiu dhe Xheva - një jetë e jashtëzakonshme

E marte, 25.11.2008, 05:03 AM


“Përjetësia e dyfishtë“, Fehmiu dhe Xheva - një jetë e jashtëzakonshme

 

Parathënie e librit ”Përjetësia e dyfishtë” Fehmiu dhe Xheva, një jetë e jashtëzakonshme, e shkrimtarit dhe publicistit Bedri Islami

 

GJITHÇKA E FURTUNSHME

 

Shkruan: Adem Gashi

 

Kur mora dorëshkrimin e librit “Përjetësia e dyfishtë”, bashkë me kërkesën që t’i hidhja në letër mbresat për të në një tekst që do ta shoqëronte botimin, u ndjeva në siklet.

 

- E para, sepse i kisha njohur personazhet e librit;

- E dyta, sepse e njihja autorin dhe,

- E treta, sepse duhej që çdo gjë ta bëja ngutshëm, furtunshëm: të lexoja një vëllim që kapërcente tutje 500 faqeve, t’i sistemoja gjykimet dhe t’i nisja në adresën e duhur, duke u përballur edhe me një fakt të neveritshëm, me mungesën dhe ndërprerjen e pareshtur të korrentit, që m’i ngrinte nervat.

 

Duke e njohur kryepersonazhin, Fehmiun, duke e njohur autorin, Bedriun, duke u njohur, më në fund, edhe me produktin letrar, dorëshkrimin, doemos u ndjeva edhe vetë pjesë e këtij trinomi që kërkonte një barazim, një barazim jo në kuptimin e logjikës matematikore, por në kuptimin metafizik. Brenda kësaj lakoreje lëvrinte e gjëllinte një botë shpirtërore e ndërgjegjeje që s’ishte e lehtë të përthekohej. Këtej e andej dy botëve përvijohej bota e njerëzve, e njerëzve të dashur që kishin përshkuar e vazhdojnë ta përshkojnë jetën furtunshëm.

Pleksja në këtë ndërlikje fatesh po m’i ngjan një labirinti. Nuk arrij dot ta ruaj largesën e nevojshme me të ndodhurën.

Jam një pjesë e vockël, e njënjëshme e një tërësie që e bën shenjën e vet, që e ruan atë dhe e le si gjurmë në një përmasë historie.

 

Autori

 

Sikundër kryepersonazhin, edhe autorin e librit e kisha njohur shumë më përpara se ta takoja. Veç veprës së tij të shkruar, mënjanë aktivitetit të tij politik si veprimtar e kryesues i një organizate politike kishte edhe diçka intriguese në biografinë e tij. Ishte i biri i Zenel Islamit, “Lulit të vocërr” të Migjenit, personazhit aq të njohur e aq të dashur, të cilin nuk besoj të ketë shqiptar që s’e ka dëgjuar. Shumë nga librat e tij i kisha lexuar dhe mbi bazën e lëndës së shkruar kisha formuluar përfytyrimin për profilin e tij krijues. Ky profil më bëhet më i qartë sidomos pas leximit të librit “Enigma e një vrasjeje të trefishtë”, Focus, Prishtinë 2007 (s’e di pse editorët e përcaktojnë në zhanrin e publicistikës) dhe “Vrasja e Lulit të Vocërr”, Epoka e Re, Prishtinë 2003 (përsëri s’e di përse editorët e vlerësojnë me përcaktorin roman).

 

Dilema ime për këto përcaktime nuk ka të bëjë me mungesën e dijeve letrare dhe as me mosnjohjen e çështjeve teorike. Ajo mbështetet nga bindja ime se materia letrare, sipas premisave të postmodernizmit, njihet e përimtohet mbi bazën konceptuale të lexuesit. Asgjëmangut, mbi këtë bazë unë e lexoj si roman edhe “Enigmën e një vrasjeje të trefishtë” sikundër gjej diskursin eseistik e publicistik edhe tek “Vrasja e Lulit të Vocërr”. Kështu më ka ndodhur qëkur, derisa kisha në dorë veprën e G. G. Markezit “Lajmi mbi një rrëmbim” ose “Rrëfimi i një anijehumburi”, të cilat, duke trajtuar tema me bazë ngjarjesh gazetareske nuk mbeten aspak nën hijen e romaneve më të mira të tij.

 

Duke përuruar veprën “Enigma një vrasjeje të trefishtë” në Prishtinë e Tetovë, unë pata rastin ta takoja autorin. Për çudi, asgjë ndryshe nga përfytyrimi që kisha për profilin e tij krijues. Madje, mund të them se më i saktë më bëhej përfytyrimi sesa dukje konkrete. Në procesin e parë unë kisha parë së brendshmi dramën e tij që i ishte bërë pjesë e jetës dhe peshën e tragjedisë e të heroizmit kombëtar nën jehonën dhe trysninë e të cilit vazhdonte të jetonte. Në procesin e dytë, në takimin e drejtpërdrejtë, unë shihja portretin e tij dhe hullitë e para të rrudhave që rrëfenin se ai i kishte qëndruar me durim peshës së trishtimit që i kishte rënë me tepri nga qielli i diktaturës.

 

Pavarësisht nga të dy rrethanat, në procesin e shkrimit, në procesin e ndërtimit të godinës letrare, ai çuditërisht është mbrojtur i paprekur nga ndikesat përftuese. Ndoshta është koracata e krijuesit, ajo mburoja e padepërtueshme që e ruan shpirtin fisnik të shkrimtarit! Në këtë vazhdë unë shoh edhe depërtimet e autorit në pjesët e padukshme të shtjellës së ngjarjeve dhe në strukturën e brendshme shpirtërore e mendimore të vetjeve e të personazheve të tij. Ç’them dhe unë, të personazheve të tij!? Po ata janë shokët, miqtë, vëllezërit, prindërit, bashkëveprimtarët, me një fjalë gjindja e tij. Duke shkruar për ta, ma thotë mendja, ai ndërton harkurën e gjëllimit të tij, e cila prish kufirin ndërmjet atij dhe këtij, ndërmjet autorit që rrëfen dhe narratorit që vetërrëfehet.

 

Personazhi

 

Mbase do të ishte më e drejtë që këtë pjesë ta formuloja me një titull në shumës, personazhet. Parapëlqeva, por, njëjësin si një emër përmbledhës brenda të cilit shoh çift – figurën Fehmi dhe Xhevë. Sigurisht që i kam njohur të dy. Fehmiun, ngjashëm me autorin e librit, e kam takuar shumë rrallë dhe sinqerisht nuk di ta shpjegoj fenomenin e afrisë sonë.

Korelatat e ndërsjella, mesazhet e gjykimet për çështjet, pavarësisht rrethanave, vinin aq të koordinuara sa vështirë ta merrje me mend së përfundimet e ngjashme vinin nganjëherë nga skaje dhe largesa aq të mëdha. Po të vinte puna ta formuloje profilin e tij thjesht, shkurt dhe saktë, kujtoj se ai mund të portretohet me togfjalëshin profil i luftëtarit. Brenda këtij profili shoh të shkrirë madhështinë e jashtme: dukën, pahen dhe thellësinë e brendshme: urtinë, guximin. Me Fehmi Lladrovcin ke mundur të mos pajtohesh, të fjalosesh e kundërshtohesh, po kurrë s’ke mundur ta kesh armik. Sepse s’të linte ai. Ai shpirt fisnik nuk dinte të urrente dhe s’ia njihte as tjetrit urrejtjen. Le mënjanë armikun e vërtetë ndaj të cilit ai ishte egërshan përfundimisht e përvdekshëm.

 

Ai erdhi në këtë botë pikërisht më 25 maj të vitit 1956. Të qarat e fëmijës së porsalindur shoqëroheshin me klithmat e burrave, gjëma e të cilëve vinte nga torturat e udbashëve, që e sajuan Aksionin e mbledhjes së armëve. Mu në këtë “aksion” unë shoh fillin e gjenocidit serb: s’kishte burrë që nuk goditej në organet e ripërtëritjes.

 

S’ma thotë mendja se vjedh gjë nga Frojdi a Jungu, në qoftë se konstatoj se fëmijëria e Fehmiut mbruhej me frymën e moslirisë, me ndrydhjen e represionin e pushtetit që ndihej natë e ditë në kocin, në mishin e në palcën e njerëzve të shtëpisë. Është vetë natyra e gjërave që i krijon së brendshmi strukturat mbrojtëse të mbijetesës. Këto struktura vijnë e përmbarohen nga të zgjedhurit, nga ata që me hir a me pahir stolisen me epitetin e heroit.

 

Ka rreth një dekadë që kur kisha shkruar një ese për buzëqeshjen e Fehmiut: “ Ka më shumë se dy dekada që më vërtitet në kujtesë një distik i poetit Din Mehmeti nga Epitafi i Dëshmorit. Natyrisht, dëshmori nuk është në mesin e të gjallëve, por është mendimi krijues, është poeti që i jep zë deklaratës poetike dhe, ndërmjet saj, i jep zë edhe veprës së tij. Sipas kujtesës sime, deklarata poetike shfaqet kështu: Nuk kam dashur të jetoj/ Pa vdekur për këtë dhe. S’do mend se këto vargje ftillohen për dëshmorin e një lufte tjetër, por elementi përgjithësues i artit i bën të gjithëkohshme dhe të lexueshme për çdo luftë çlirimtare dhe për çdo dëshmor.

 

Vetë etimologjia e fjalës dëshmor (dëshmi, provë, akt vërtetësie) i jep kuptim bëmës, veprës, idealit të aktantit, i cili aktin e vetëmohimit e të vetëflijimit e sheh dhe e pranon si një detyrim të ndërgjegjshëm dhe të vullnetshëm ndaj tokës që e ka lindur. Dëshmori heq dorë nga jeta e tij, nga pjesa e jetës së tij që t’i japë jetë tokës (lexo: Nënës, Atdheut) dhe ky idealizëm sipëran atij i jep përjetësi në një përmasë të katërt. Deklarata poetike e këtij tipi në themelet e veta ka elementin e biofilisë. Dëshmori i vargjeve të cituara nuk thotë do të vras e do të pres, por thotë: “...do të vdes”, do të paguaj çmimin më të lartë për dheun tim, pa kërkuar asnjë kompensim.

 

Po kaq lapidare është deklarata poetike e komandantit të lavdishëm, Fehmi Lladrovci. Ai tha thjesht:

- “Po shkoj te komandanti im, Adem Jashari”.

- Ku?

- Në dasmë?

- Në kremte?

- Në aheng?

- Jo.

- Në vdekje.

- “Jeni i gatshëm të vdisni për Kosovën?” - e pyetën gazetarët e huaj.

- Ai buzëqeshi: “Ku ta kem atë fat!”.

 

Jo që unë nuk kam dëgjuar gjë më madhështore, por vetëm për buzëqeshjen e tij që përshkënditi atë çast në ekranet televizive botërore, në rrethana të tjera mund të bëhen studime e analiza. Ajo buzëqeshje, as tani pas dhjetë vjetëve, nuk më duket e kësobotshme. Që në çastin e parë të shfaqjes në ekran kam menduar se më nuk do ta takoj Fehmiun. Buzëqeshja e tij, krejtësisht eternale, ishte krijuar në një zonë hyjnorësie, e paprekshme për njerëzit e rëndomtë, një zonë ku ngjizet legjenda, ku kapërcehet pragu i të pamundurës, pragu i jetëvdekjes. Zaten në jetën e tij ka mjaftë shenja që ne vetëm tani mund t’i zbërthejmë pjesërisht: Rrezja e diellit mbi ballin e tij në gjykatore, numri i burgut 7942, shokët e qelisë që e prisnin, mosha e rënies 42-vjeçar, dasma... Ah, dasma! Po sa dasma pati Fehmiu? Një, dy, tri... Erdhi nusja në shtëpinë e burrit... Po burri? Jo, ajo erdhi në shtëpinë e heroit epik e legjendar. Mungon Ago Ymeri, Ymri, Emri, një dimension i jetës. Mungon Fehmiu, por ndihet prania e heroit të legjendës. Dasma e dytë: Kthimi nga burgu, dasma e kësobotshme. Dasma e tretë: Dasma e përjetësisë, rënia e përbashkët. Prirem drejt bindjes se jeta e njeriut si dhuratë hyjnore na vjen me sasinë e zefirit dhe të ambrozisë së caktuar për secilin. Heronjtë, ndërkaq, duke e dendur atë masë energjie të perëndishme, duke i jetuar rrasshëm e tkurrin intervalin e përmasës së kohës së tyre të rrojtjes. Prandaj heronjtë kryesisht vdesin të rinj.

 

Vepra

 

Duke e lexuar dorëshkrimin “Përjetësia e dyfishtë” gjeta pikërisht kreaturën e heroit, të Bedri Islamit që jo vetëm i shëmbëllen modelit jetësor, Fehmiut, por është një interpretim së brendshmi. Shkrimtari ka kapur profilin e luftëtarit mu si fotografi pasionant që me një aparat të thjeshtë kishte kapur çastin e shkrepjes së plumbit, atë që quhet laudhë, rrugë e përshkuar nga plumbi pas daljes nga gryka. Unë nuk e di nëse ishte ai Xhon Milli a ndonjë tjetër, autori i fotografisë që zura ngoje pra, unë nuk e di nëse Bedri Islami parapëlqen të quhet poet, dokumentarist a romansier, por di të them se kjo vepër, pavarësisht zhanrit teorik e stilistik të prozës së eseistikës dokumentare, mund të quhet vepër letrare në plotëninë e saj, me dramën, tragjedinë, epikën, lirizmin e intrigën tok me ironinë brenda. Struktura e saj thyen konventën kronologjike dhe didaskalitë e tjera teoriko-letrare.

 

Sa përshkruhen detajet e jashtme, papritmas ndërhyn fragmenti i letrës që mund të lexohet si dialog e monolog njëkohësisht; sa shfaqen vlerësimet dhe kujtimet e shokëve të heroit, kur befas, përmes prezentit historik shfaqet heroi në burg, në betejë a në ekzil. Ndërtimi i profilit të heroit, të personazhit, të luftëtarit pa praninë e tij të drejtpërdrejtë, ndërtimi i pranisë së papranishme është një shkathësi dhe mjeshtri e rrallë rrëfimore dhe tepër për lakmi e autorit.

Nganjëherë kam mbresën se po e lexoj tekstin e një pastruesi të palimpsesteve, i cili shkruan e rishkruan sa dramën e personazhit, po aq edhe të vetvetes e të bashkëkohësve e bashkëkombësve. Gjithsesi një vepër e denjë që sa lartëson autorin në lagjen e krijuesve letrar, për aq i bën nder veprës së lavdishme të Fehmi Lladrovcit.

 

Dalja

 

Këto gjëra në njëfarë dore do të mund t’ia thosha autorit në disa radhë teksti me postën elektronike, por do të pandehej një kortezi sa për të thënë, madje edhe po ta fryja me përgëzime e lavdërime do të mund të lexoheshin si broçkulla që përtypen përditë dhe pambarimisht. Duke qenë rebel i pandreqshëm në këtë plan bëra mendjen top dhe, sikundër thashë më herët, duke hyrë në një zonë të furtunshme brenda trinomit autori – heroi – vepra, desha që si Migjeni “pash me pash t’i bie ferrit”. Ferrit tim shpirtëror. Këtu e kam fjalën. Duke i stampuar në libër këto gjykime të miat, mund të pranoj çfarëdo “mallkimesh” e kritikash, po assesi hipokrizinë.

 

Prishtinë, gusht 2008

 

***

 

Shtëpia Botuese: “Toena” në Tiranë.

Përkujdesja grafike dhe kopertina e librit: Adnan Asllani,

Korrektimi letrar: Elvana Tufa.

 

"Veç vdekja më ndan nga Fehmi Lladrovci". Adem Jashari, Drenicë, prill 1997

· "Vdekja për lirinë e Kosovës do të ishte fati im më i madh jetësor". Fehmi Lladrovci, prill 1998, Drenicë

· "Zëri i popullit të Kosovës që kërkon liri, është më i fortë se krisma e gjithë topave të Serbisë të zbrasur së bashku".

Xhevë Krasniqi-Lladrovci, nëntor 1989, Drenicë

 

...Pastaj mbi gjithë luginën kishte rënë heshtja. Ajri ishte i mbushur dhe i rënduar nga tymnaja e barotit. Nuk dukej asgjë, veç shtëpive që kishin filluar të ridigjeshin diku më larg dhe të dukej sikur befas lugina ishte shndërruar në një kazan të zjarrtë. Nga tymrat që silleshin sipër tij, pylli dukej sikur kishte filluar të lëvizte.

 

Ata kishin mbetur aty, bri njëri-tjetrit, dhe kjo kishte qenë zgjidhja e tyre. Nuk kishin dashur fat tjetër dhe nuk kishin kërkuar asnjëherë një fat tjetër. Fijet e barit lëviznin së bashku me erën dhe të dukej sikur kjo ishte lamtumira e fundit.

Asaj i kishte mbetur njëra dorë pranë zemrës së tjetrit, sikur të kishte dashur t'ia dëgjonte rrahjet deri në fund.

 

Po binte mbrëmja. Do të vinte nata e parë pa ta, pastaj dita e parë. Megjithatë, gjithçka që kishte ndodhur asaj dite do të mbahej mend për një kohë të gjatë, ndoshta përgjithnjë. Kujtesa e kombit ishte hapur. Kishte qenë çdo gjë e natyrshme dhe, siç ndodh përherë në këto raste, gjërat e natyrshme janë edhe të përjetshme.

 

Era vazhdonte të frynte mbi "Kodrën e Qëndresës". Poshtë ishte fshati, që në mëngjes ishte zgjuar me emrin Gllanasellë dhe në mbrëmje do të njihej me emrin Shkabë. Mes këtij shndërrimi mitik ishin ata të dy, pranë njëri-tjetrit, dhe pak më tej, dy të rinj që u kishin besuar deri në fund dhe që kishin qëndruar deri në fund.

 

Zakonisht kështu nisin epikat e mëdha...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora