Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Agron Tufa: Ortek letre

| E diele, 31.01.2021, 01:26 PM |


Agron Tufa

ORTEK LETRE

Me nji ortek letre duen me na vû përposh, e dashtun.

Hyjt e letrës sundojnë majat

ku ngjizet topthi i parë i nji shkresurine

me firmë e vulë,

me lidhje e shtojca bashkangjitun,

me shpifje e letra anonime “nga populli”,

me referenca në Ligj e nene Kushtetute,

me interpretë spekulativë prej pallatit të Pilatit,

me artikuj të porositun,

me vllazninë kainiane të shtypit,

me komentet frentike të farisejve tanë.

Kështu merr udhë rrokullima jonë, e dashtun,

tue u ngjeshë në brumin e rrotës së letrës

që lshohet majave teposhtë

dhe majmet,

zmadhohet,

shumfishohet

ndër dikastere

tue e shtue vrullin vërtik,

tue mbledhë mb’udhë shkarpa, dhê e gurë,

tue lanë mbrapa një vazhdë të freskët masakre -

thellomën e nji vrâje vaji ende të panisun në buzë.

Me nji ortek letre duen me na zhbi,

e dashtun, me na përpi,

me na zanë gojën me qirish,

mos me pa,

mos me folë,

mos me marrë frymë,

me u shuejt pa klithmë,

me u shuejt tok me ne -

edhe e drejta mbrenda nesh.

E na me fëmijët tonë, e dashtun,

jena digë e brishtë,

e papërfilltë për forcën e verbët

të ortekut prej letre.

Hyjtë e letrës zotnojnë majat. Ata

janë të regjun ndër gatime ortiqesh,

i njohin ligjsitë e rrokullisjes dhe rritës,

forcën rrënimtare të masës dhe shpejtsisë,

gjithaq dhe jehonën e mnerës në humnerë.

Por na mund të kallemi flakë,

e dashtuna ime,

flakë e thatë, përshkënditëse

mbrenda ortekut prej letre -

të digjemi në zemër të tij,

se vetëm flaka mund të na shpaguajë

në ortekun e shkrumbuem prej letre.