E premte, 19.04.2024, 08:53 AM (GMT+1)

Editorial

Sadik Bejko: Disa kujtime me Kadarenë

E enjte, 28.01.2021, 10:31 PM


Disa kujtime me Kadarenë, në 85-vjetorin e tij

Me urimet më të mira.

Edhe 100 Ismail!

Nga Sadik Bejko

Në redaksinë e gazetës më çoi një student korçar Klito Fundo. Ai shte I kundërti im. Ai futej në zyra si I barabartë, unë me drojë e si me zor.

Mund të ketë qenë vjeshta e vitit 1964. Dera e redaksisë së gazetës “Drita” ishte e hapur. Hyra. Ai, Kadareja, në këmbë po fliste me dikë tjetër.

Ishte një tip jo shumë i afrueshëm, por jo i ftohtë. Trupi I brishtë, por i lidhur, me elasticitet. Portreti i hajthëm. Nën syzet një vështrim qetësisht i mprehtë. Buzët  të plota, hunda e vogël pak e kthyer lart. Një tip as i rëndë, as zyrtar, por as nga ata me të cilët mund të merreshe vesh lehtë.

Jam student, i thashë

Ke sjellë vjersha, lëri aty…. Dhe më tregoi tryezën.

Pas një kohe poezinë time për herë të parë e pashë në gazetë.

Ai njeriu me trup të brishtë, por atletik, që kur rrinte në këmbë mbështetej pas tryezës dhe herë-herë pëllëmbën e dorës së majtë e rraste nën rripin e pantallonave, ai redaktori i poezisë në gazetën më të rëndësishme letrare të shtetit, të  kryeqytetit, paskej qenë njeriu me të cilin mund të mbaroje punë pa u ulur në kafe, pa ndonjë pije a drekë.

Kështu gjithmonë kam dashur ta kem atë njeri në jetën time atë.

Në një distancë të respektuar.

Mbi të gjitha atë e rspektoja si shkrimtar që nuk ka shok tjetër pranë në këto mjediset tona.

E kam ruajtur këtë distancim edhe kur kemi qenë në afërsi. Gjithmonë për mua Kadareja mbetej njeriu që bën letërsinë më mirë nga shumica e shkrimtarëve të kohës, shkrimtarë që i njihja a nuk i njihja, shkrimtarë që ishin a nuk ishin përreth tij.

Ka qenë mrekulli të ndodheshe nën të njëjtin kohë, në të njëjtin ajër ku frymote dhe ai.

Tani vonë, para disa vitesh në shtëpinë e tij aty në Skay Toëer e shihja të ulur në tavolinën e sallonit veshur me një rrobe shtëpie të gjatë deri nën gjunjët tek shkruante faqet e fundit të romanit Darka e gabuar. Më preku e njëjta ndjesi si ajo e shumë viteve më parë. Mendova: fat që kam qenë pranë me këtë njeri.

Tek shkruante faqet e fundit të romanit Darka e gabuar ai, tashmë një burrë në moshë, ende mbetej i paepur në përkushtimin, në përgjegjësinë ndaj profesionit të tij.

Duhet të prisja sa të përfundonte një paragraf të romanit. Me letrën përpara, me stilolaps në dorë e shihja dhe e adhuroja në heshtje. Mjeshtër i letërsisë me penën në dorë, si ushtari me shpatën e shenjtë në duart e tij, shpatë që dorëzohet me fundin e veprës o me jetën e atij.

Admirim imi ka qenë përherë përbrenda meje dhe kur uleshim më pas në një drekë në shtëpinë e tij, kur pinim një kafe, ose dilnim në shëtitje nëpër kryeqytet. Kurdoherë flisnim si dy njerëz, si dy miq.

Nuk e përfola, nuk ia thashë admirimin që ndieja për atë.

Por le të kthehemi te vitet kur e njoha.

Ai erdhi në letërsinë shqipe si emancipuesi më i madh i saj. Kur ishim të rinj, lexonim poezitë e tij për dashurinë. Ne dhe shoqet tona ato lexonim të parat dhe  vinim re se në vargjet e tij mund të dashuroheshe dhe të ndaheshe normalisht. Pa dramën e ndarjes shkatërruese si tek ne. Ai shkruante se në muajt e verës dashuroheshin miliona, ndaheshin miliona. Dashuria në poezinë e tij ishte çështje stine. Në Shqipëri një vajzë të torturonte dhe nuk lidheshe dot intimisht me të as për një vit.

Ai ishte emancipuesi ynë i artit. Në prozë e në poezi. Idetë e mëdha, teknikat e freskëta ishin risitë që hynë bashkë me artin e tij. Deri tek ai, romani shqiptar ishte në shpërgënj. Me një roman si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ai përnjëherë e çoi stekën aq lart sa kur u botua në Francë, menjëherë u quajt roman botëror.

Dhe Kadareja atëherë nuk ishte as tridhjetëvjeçar.

Po ky njeriu hollush në trup nuk ishte aq qibar në sjellje me ne të panjohurit, me ne të rinjtë. Në mënyrën e tij na donte. Të gjithë ata që kanë shkruar poezi në vitet 60-70 kanë shkuar nga dora e atij. I merrte poezitë, i lexonte në syrin tënd dhe të thoshte kjo botohet, kjo nuk botohet dhe ai e mbante fjalën, në numrin e ardhshëm të gazetës e shihje të botuar poezinë që kish pëlqyer.

Nëse kishe shans, bashkë me Kadarenë mund të bëje një shëtitje në këmbë deri në sheshin e kryeqytetit. Rrugës Kadareja të jepte përshtypjet e tij për poezitë që kishte lexuar prej teje, edhe për ato që nuk ishin botuar.

Mbaj mend që ai ishte për një poezi jo të errët dhe jo për figuracionin e ngarkuar.

Të fliste si miku mikut, por logjika, siguria në ato që thoshte, i jepte atij peshë e një njeriu autoritar, të një person shumë më të moshuar nga ç’ ishte.

Ishte shtatë a tetë vjeç më madh nga ne.

Poezinë e tij e dnim përmendësh. Për një fakt që sot mund të duket i tepërt.  Aty kishte kryeqytete të ndritshme, kafe luksoze, aeroporte, magnetofon, tv, taksi, konjak… një modernitet shumë joshës për një vend që edhe në kryeqytetin e tij ende transportohej me gomarë, me karroca e me pajtonë tërhequr nga kuajt, me qerre të tërhequra nga buajt.

Kishte dhe një lloj marrëdhënjeje folkloriko-orientale dhe mes njerëzve të kulturës, e tillë që mbeti deri vonë. Që të mbaroje një punë, duhet më parë të shkoje në një darkë a drekë me pije e me shumë tym duhani, me kafe që nuk mbaronin kurrë.

Kadareja kishte një tjetër çelës për t’u lidhur me njerëzit. Intuitive, të shkurtër, të drejtpërdrejtë. Të mbështetur te vlerat profesionale dhe etike. Pa ndonjë interes. Kadareja kujt mund t’i bënte të mirë, pa pritur kurrë ndonjë të tillë nga ata që u vinin rretherrotull redaksive si insektet a si bletët.

Kjo sjellje ishte pak si shumë qytetare për në vend ku bagëtitë shëtisnin ende mes qytetit.

Kisha botuar disa poezi në “Drita”. Bashkë me Pandeli Koçin, Ilo Spassen dhe Ahmet Golemin e ftojmë Kadarenë në në takim me studentët. E pritëm me një tufë lule mimozash që ne i kishim këputur nga degët e pemëve. Ishim me pardesy, pra do ketë qenë dimri i vitit 1965-66. Kadareja i shpërfilli mimozat tona, pa na e bërë shumë të madhe. I vumë në një cep trzyeze. Foli siç dinte ai në bisedën me studentët. Mbaj mend se foli me vlerësim dhe me mëshirë për një shkrimtar të ri, për Bilal Xhaferin. Tha se është me talent, por fatkeq. Ç’domethënë fatkeq? Atëherë nuk flitej me këtë gjuhë në ligjërimin publik. Shprehja politikisht korrekte duhet të ishte: ai është me biografi politike të keqe.

E ftuam në një mbrëmje vallëzimi. Bashkë me të erdhi dhe regjisori Piro Mani. Shoqet tona studente ishim vajza të bukura. Artistët ato i pëlqenin.

Në Berat viti 1966-67.

Do të veçoj dy tre momente.

Mbas shkollimit, isha emëruar drejtor i shkollës tetëvjeçare në Syzes.

Kadareja në Berat erdhi si korrespodent, si i dërguar i gazetës Drita në bazë. Ishte një lloj të dërguari me hile. Në ato vite kishte shpërthyer një ngricë politike komuniste, ngrica nga ato që herë pas here kapnin jetën e vendit dhe të ngjethnin mishtë. Kryheshin veprime mizore dhe quheshin revolucionare. Pa asnjë faj të shpallur, shkrimtarët më të mirë të kohës me vendim partie, i kishin degdisur larg familjes nëpër rrethe. Që të njihnin jetën. Në fakt ishte një ndëshkim i pashembullt, një poshtërim kolektiv dhe publik i shkrimtarëve shqiptarë. Kërkohej që të bënin një letërsi servile ndaj shtetit.

Kadareja banonte në një dhomë me aneks. Bënte reportazhe për gazetën. E vlerësonin në kreun e rrethit. I kërkova që të më lironin nga drejtor shkolle.

Pas një jave, kur kthehesha nga fshati Syzes,  më thotë se nuk i kishte ecur me porosinë time. E kishin pyetur pse ndërhyn që të shkarkojmë një drejtor shkolle, mos nuk është i aftë? Kadareja ishte përgjijur se miku im është shumë i aftë, por ai do që të bëjë letërsi dhe kjo kërkon kohë. Ashtu? i thanë, nëse është i aftë, të mësojë vështirësitë. Revolucioni i do njerëzit e aftë.

Duhet të kisha thënë që je i pazoti, më tha Kadareja i zhgënjyer. Po nuk mund ta thoja.

Në kafe. Çfarë ke shkruar më pyeti? Një poezi për një bari që shkon në luftë, vdes dhe kthehet të ruajë prapë bagëtitë e tij.

Kjo është tema ime, më tha , ti ma ke marrë.

U habita. Nuk më kishte lexuar një gjë të tillë.

Unë e botova në “Drita” poezinë “Kënga e xha Canes”. Një javë më pas Kadareja botoi poezinë e famëshme “Kënga e ushtarëve të vjetër”… “nga lufta vijmë në luftra shkojmë/ dhe tjetër fat s’kërkojmë ne”.

Në një intervistë të atyre ditëve Kadareja thoshte se kishte lexuar poezinë “Kënga xha Canes”, të S. Bejkos, poezi e cila i kishte pëlqyer shumë.

Jemi buzë lumit Osum. Një vesë shi mbi kokat tona. Kadareja i zymtë. Kërkon mendimin tim për romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. E kisha rilexuar romanin edhe për një shkak: kritika e lartë, profesorët, akademikët e kohës e sulmonin keq romanin. Një fushatë e trishtuar. Dukej si sulm i orkestruar politikisht. Në fakt kritika, kultura, Shqipëria e kohës nuk ishin të përgatitur për ta përtypur një ushqim aq të lartë letrar si ai që po ua shërbente pena e Kadaresë.

Ishte një moment hutimi, kur njeriu kërkon një referencë.

Gjithmonë e adhuroja në heshtje, brenda meje. Ruhesha që dhe ai mos ta dinte. Askush tjetër. Është një sjellje shqiptare. Burrat nuk ia hapim barkun tjetrit.

Atë mbrëmje nën shi unë i fola në vesh Kadaresë fjalë shumë të mira për Gjeneralin… Por jo si një fans i tij. Si vlerësues i ftohtë. Kur mbarova, shumë serioz e pyeta. Tani që e di mendimin tim, më thuaj, ç’mendim ke ti për romanin tënd?

Ai foli dhe unë “u pataksa”, siç thuhet te De Rada.

Kadareja foli pa modesti. Më tha: Është një roman me temën e ushtarit, temë e rrahur ndërkombëtarisht nga Hemingueji dhe Remarku. Dhe Gjenerali im, po të përkthehet, do të përsëritë fatin e romaneve, si: “Asgjë e re nga fronti i perëndimit”, apo “Lamtumirë armë”.

Këtë radhë isha unë që mbeta pa fjalë. Sado adhurues i tij ,nuk kisha shkuar aq larg sa ta krahasoja romanin e tij me ata që tha ai.

Koha i dha të drejtë atij, jo mua. Gjenerali u përkthye me sukses në 40 gjuhë botërore. Atëhere dhe një adhurues i thekur si unë nuk e priste, as nuk e mendonte.

Kjo ka ndodhur në atë mbrëmjen me shi buzë lumit Osum më 1966, në Berat.

Festime për 25 vjetorin e  themelimit të Partisë. 22 tetor 1966 në Berat. Kadareja ca ditë më parë në gazetën Zëri Popullit kishte botuar poemën shumë të diskutuar,  “Shqiponjat fluturojnë lart”.

Në ato kohë në rrethet letrare të kryeqytetit diskutohej se ka shkrimtarë që ia kanë me zemër  Partisë, ka dhe disa të tjerë që për interesa, për karrierë, i janë qepur asaj mbi kurriz.  Pa dyshim Kadareja hynte te ata që Partisë ia kanë me interes. I dëgjoja kur fshehtas vërrisnin kundër Kadaresë: ai intelektuali, ai krrieristi, i pabesi i Partisë. Le të bënte poezi për Partinë, le të na vërtetonte të kundërtën. Ai është pa zemër. Dhe sipas tyre ata pa zemër, nuk mund të bënin art të madh për Partinë.

Kadareja me botimin e poemës “Shqiponjat…” e hidhte poshtë këtë profeci.

Ishte në rrugë me autoritetet e vendit. Po shkonin në një pritje për nder të festave. Më pa nga larg, dhe erdhi me të shpejtë. Nuk e zgjati. Si t’u duk poema, me tha. Midis nesh nuk kishte ceremoni.

Më pëlqeu shumë, i thashë. Hodhi poshtë dhe profecitë e liga se ti nuk je me zemër për këtë festë ku po merr pjesë.

Më vështroi sikur të isha në largësi për të matur a ishte i vërtetë vlerësimi im. Ia thashë prapë: urime.

Atëherë, si gjthmonë ai kishte gjetur rastin të më befasonte me përgjigjen e tij. Asnjëherë nuk gabonte. E dinte kush ishte, dhe ku e kishte vendin arti i tij.

Më tha: faleminderit. Por do ta vuaj këtë poemë. Unë e di se çdo të heq. Poema do të recitohet aq shumë deri në bezdi, sa të dalë një tjetër më e mirë.

E dha përgjigjen sikur ta kishte gati. Dhe iku u përfshi në rreshtat e atyre që po festonin.

Prapë kisha mbetur shtang nga fjalët e tij.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora