E merkure, 08.02.2023, 04:08 PM (GMT)

Kulturë

Prend Buzhala: Në 85-vjetorin e lindjes së Ismail Kadaresë

E enjte, 28.01.2021, 09:32 PM


HISTORIA E NJË LEXIMI

Në 85-vjetorin e lindjes së Ismail Kadaresë

Nga Prend BUZHALA

Kur Ismail Kadare i kishte 80 vjet, pata botuar monografinë kritiko-letrare "Triumfi në anën e shkrimtarit" (botoi Shtëpia Botuese ROZAFA, Prishtinë 2016).

Kësaj radhe, në 85-vjetorin e lindjes së shkrimtarit po e zgjedh një lexim timin letrar me titull " SOULOKU I LAOKOONT-IT" (Interpretim i poezisë "Laokoonti" të Kadaresë). Ky lexim interpretues e eseistik ka një histori të gjatë prej 30 vitesh! Leximin e parë kësaj poezie të gjatë ia pata bëtë më 1980, kur qe botuar vepra letrare e Ismail Kadaresë në Prishtinë. E rimora për lexim më 1985. Në maj të vitit 1985 këtë variant që e keni këtu, ia pata dërguar revistës "Fjala", por për shkaqet politike të kohës, nuk u botua (e kisha edhe vetë të ndaluar të botoja, po edhe Ismail Kadare në Kosovë gjatë viteve 1981-1990 qe i ndaluar). Leximin e tretë ia bëra në vitin 1988. Ia dërgova, në version të gjerë, këtë lexim-studim, por "Jeta e re" nuk e botoi! Më 1990, kur tashmë po shembej Jugosllavia, redaksia e "Fjalës" më ftoi të jem në Këshillin e saj redaktues (për nja një vit). Vetë redaksia e gjeti atë dorëshkrim, dhe tani. në rrethana të reja, e botoi revista "Fjala" e Prishtinës, nr. 14, 15 gusht 1990, fq. 14-15 (shih këtu fotot si dëshmi).

Varianti i dytë i saj qe botuar te libri im "Përqasje estetike" (botim i Klubit të Shkrimtarëve "Vorea Ujko", Klinë 2000).

Tashmë, si lexim tredakadash, ky shkrim ka marrë formën e një libri e që është në proces botimi.

_______

SOULOKU I LAOKOONT-IT

(Interpretim i poezisë "Laokoonti" të Kadaresë)

Nga Prend BUZHALA

1. Poezia, skulptura

Poezia "Laokoonti" e Ismail Kadaresë përveç leximit letrar që mund t'i bëhet, tematizon dhe problematizon edhe anë të tjera të letërsisë. Në radhë të parë shtron kërkesën për t'i parë lidhjet që ka letërsia me artet e tjera nga njëra anë dhe lidhjet që ka me

mitin dhe historinë, nga ana tjetër.  Pra, i vërejmë veçoritë e një gërshetimi,  të cilat nuk i studion vetëm shkenca e letërsisë, por ato bëhen objekt studimi edhe i dijeve të tjera, sikurse janë: estetika krahasimtare, ikonologjia, morfologjia e arteve, historia krahasimtare e arteve etj. Analogjitë dhe distinktivët në mes të arteve nuk i takojnë vetëm kohës së sotme, ato e kanë burimin që nga kohët paleolitike, që nga arti i shkëmbinjve, vallëzimet magjike ose këngët që kishin vetëm një fjali a vetëm një fjalë (Bykël). Përkundër diferencimit të madh të arteve të sotme(Tomas Manro numëron njëqind lloje të arteve), këto lidhje përbëjnë njërën ndër ligjësitë më të rëndësishme të tyre. Pa këto lidhje nuk do të ekzistonte gama e gjerë dhe e përbashkët e temave, e ideve dhe e motiveve.

Nuk janë të rralla rastet kur skulptura njërin nga burimet e saj tematike e ideore i gjen në letërsi, ashtu sikundër që letërsia disa nga motivet , temat dhe idetë i huazon nga skulptura. Poezia "Laokoonti",  duke u mbështetur në mitin grek, merr të njëjtin motiv të skulpturës së Renesancës evropiane. Lajtmotiv i kësaj poezie,  pra, është vetë vepra e skulpturës. Skulptura laokoontiane të përvetëson me shprehjen e saj lapidare. Ajo arrin të shprehë përmes trajtave vuajtjen, qëndresën, flijimin për të vërtetën, arrin të shpreh çastin e mbytjes së Laokoontit nga gjarpërinjtë hyjnorë. Ndërsa poezia e Kadaresë përmes një monologu poetik e paraqet në një dritë tjetër personalitetin historik të Laokoontit. Skultura i mbetet besnike mitit, kurse poezia e zhvesh atë; skulptura vë në dukje cilësitë e karakterit, kurse poezia arrin që,  përveç kësaj, të përgjithësojë edhe probleme të jetës e të shoqërisë së sotme; skulptura skalit një çast të së kaluarës mitike, kurse poezia bën gërshetimin e kohës.

Poezia "Laokoonti" është një skalitje skulpturore e përvojës historike e shpirtërore të popullit trojan për triumfin së vërtetës,  kurse skulptura laokoontiane është një poezi që i kushtohet flijimit e vuajtjes për të vërtetën. Me kombinimin e trajtave të ndryshme, skulptura i kapërcen kufijtë e saj si figurë dhe arrin të ndërtojë unitetin në mes të shpirtit dhe trupit (Hegel).  Prandaj,  mund të flitet si për shprehjen poetike në artin e skulpturës,  ashtu edhe për "gdhendjen, , dhe skalitjen në poezi. Mbasi i absorbon elementet e skulpturës,  të mitit dhe të historisë, kjo poezi në strukturën e saj pleks idetë e botës së sotme, një strukturë,  kjo,  mjaft origjinale poetike. Disa nga temat, idetë e motivet e kësaj poezie depërtojnë në tërë veprën letrare të Ismail Kadaresë. Në një mënyrë kjo poezi që po e lexojmë së bashku, përfaqëson ato krijime të këtij autori që aktualizojnë dhe riaktualizojnë mitin dhe historinë. Monologu poetik që është zgjedhur si trajtë origjinale narrative-poetike, i jep zë përvojës së personalitetit historik të Laokoontit, sintetizon këtë përvojë mitike-historike.

2.  Një ligjëratë e dhembshme nëpër skenat e muzeve

Në fillim të poezisë paraqiten skenat e muzeve artistike në Luvër, Madrid e Nju -Jork,  nëpër të cilat enden turistë e vizitorë të shumtë me aparate fotografike. Për t'i paraqitur në mënyrë sa më shprehëse këto pamje(strofat 1-8 ) poeti ka zgjedhur figurën e antitezës, e cila shtrihet në tërë rrëfimin poetik. bashkë , me trajtën e monologut që nuk kufizohet në kohë e hapësirë. Është ky një monolog për vuajtjen qindravjeçare, është një si ligjëratë e mbajtur nëpër muzetë e botës, është një ligjëratë e dhembshme që të prek thellë në zemër. Ja,  papritmas poeti ka kapur skenën e turistëve përpara një skulpture që e paraqet Laokoontin duke e mbytur gjarpërinjtë hyjnorë. Që në strofën e parë do të ballafaqohemi me temat dhe idetë që do të paraqiten gjatë tërë poezisë.  Në kuadrin e strukturës poetike figura e Laokoontit kryen funksionin e heroit poetik që rrëfen në vetën e parë, që dëshiron t'u drejtohet të pranishmëve me aparate fotografike. Është një përpjekje që monologu të dialogëzohet. Një përpjekje të vërë dialog me ne.  A mund t'i korrigjojë gabimet historike një nofull mermeri? Laokoonti i skalitur në artin e skulpturës i ka parë të gjitha. Vuajtja është shumëfishuar. Heroi e ndryn një të fshehtë që e mundon gjatë nëpër qindravjeçarë.  Njerëzit nuk e kuptojnë jehun e dramës së brendshme të tij të dikurshme. Le sytë e tij, "te zgavrat e thella / Një enigmë si amebë të tharë atje ka". E vërteta e tragjikes së tij , mbeti enigmë, mbeti një mit-amebë, mbeti një nihilizëm mitik që do zhveshur nga gëzhojat e gënjeshtrës.  Poeti nuk i beson mitit.

Monologu ngadalë fillon të marrë trajtën e klithjes.  Gjarpërinjtë qëndrojnë rrotull trupit të Laokoontit.  Ata e shtojnë vuajtjen fizike të tij. Perënditë! Ata i kanë dërguar gjarpërinjtë që ta ndëshkojnë Laokoontin, sepse ky i këshilloi trojanët që ta djegin Kalin e Drunjtë që ua kishin dërguar atyre danajët tradhtarë e të pabesë. Ky kalë ishte dërguar gjoja për të lidhur miqësi e paqe me palën trojane, por ai në barkun e tij fshihte tradhtinë. Laokoonti ishte sfidues i tradhtisë. Prandaj asgjë nuk është dhembja e shkaktuar nga gjarpërinjtë, sa ajo që shkaktohet nga dinakëria , nga veli i mistifikimit të së vërtetës. Heroi pret të shkarkohet nga një sekret i madh, nga një sekret kohësh të dikurshme mbi të vërtetën e që e mundon edhe kohën e sotme. Njerëzit nuk e dinë ende shkaktarin e vërtetë të ngërçit e të ankthit të Laokoontit, ngërç e ankth që nuk i ka nga perënditë e qiellit, po nga ato të tokës. Poeti sikur do të na thotë se skulpturën nuk e përjetojmë vetëm me anën e syrit, apo aparatit fotografik; atë e përjetojmë edhe me anë të poezisë së trajtave, me "ligjërimin" skulpturor; se trajtën në skulpturë nuk duhet ta lexojmë si mit, por si akt historik e politik që e zhvesh mitin. Përsëritja e së vërtetës së dikurshme gjatë shekujsh nga ky monolog rrezaton në trajtën e një soliloku artistik: duket sikur monologu merr trajtën e zhgënjimit,  të shpresës së kotë, të dilemës hamletiane: a do të pësojë mermeri ndonjë ndryshim për t'u çliruar nga gënjeshtra? E vërteta që nuk rrëfehet hapur i rri ndesh gënjeshtrës që rrëfehet e përhapet pandërprerë si version i së vërtetës. Ja, ky është dyfishimi i dhembjes. Ndërkaq,  skulptura i përzien kufijtë në mes këtij realiteti të mitizueshëm që e përhap gënjeshtrën dhe të përvojës e të vërtetës historike.  Figurat e Kalit të Drunjtë e të gjarpërinjve hyjnorë poezia i rimerr për t'ia kundërvënë jo veprës skulpturore, por absurditetit dhe raporteve jetësore që e mbështjellin të vërtetën me bashkat e gënjeshtrës. Pra, figura e Laokoontit është edhe konvencë poetike. Është edhe interpretim poetik i skulpturës.  Për ne,  që duam ta mësojmë të vërtetën, ai nuk është thjesht mit, nuk është as art i gënjeshtrës së ngrirë në artin e skulpturës. Ai është simbol për ta njohur të vërtetën,  simbol i urtësisë dhe i njeriut që vë përpara dyshimin, është simbol i njeriut që vuan për të vërtetën e përgjithshme, i njeriut që bie viktimë e aktit të tradhtisë.

Duke i dhënë këto aspekte e rrjedha rrëfimtare, monologu merr trajtën e një kujtimi që të bren e të ther, për shkak të pamundësisë së artikulimit të së vërtetës në jetë. Poezia,  në ligjërimin e saj "skulpturor" e monumental, na e jep edhe vizualisht pamjen e Laokoontit e skalitjet e brendshme të boshllëkut të madh në shpirtin e tij që e godet pa mëshirë, në heshtje. Vrasja e tij jo nga perënditë,  por nga trojanët e mashtruar e tradhtarë, është e mbuluar me një vel mistifikimi, ashtu si mistifikohen e mbulohen shumë çështje ekzistenciale e jetësore të njeriut të sotëm.

Indiferenca është një temë tjetër e poezisë, është një shtresë tjetër kuptimore e saj, është një tragjikë e parrëfyer tekanjoze. Kjo temë do të marrë një shtrirje përmasash dramatike në pjesën e fundit të strukturës poetike. Laokoonti e dënon indiferencën, e cila mbahet në këmbë moskokëçarëse e me rropamë.  Përmes kontrastit ironik në tërë këtë strukturë,  poeti ngre këtë pyetje: a bën të jemi indiferentë ndaj tradhtisë, ndaj gjërave të neveritshme në jetë dhe në histori? Monodramën e gjatë, shumë të gjatë, të Laokoontit,  po qe se do ta dëgjonin vizitorët turistë, do të ngrinin si gur! Por ai vazhdon ta dramatizojë konfliktin e tij të brendshëm, i cili aktualizohet si ndeshje e dy botëve të kundërta. Konflikt që aktualizohet si një polemikë që nuk ka shpërthyer ende, por që kur shpërthen,  zhvillohet gjatë e gjatë.

3.  Imazhe të mitit, zhveshje të mitit

Monologu poetik vazhdon ta shtrijë rrëfimin e tij në thellësitë e mitit dhe në thellësitë historike. Dihet se miti grek e nis rrëfimin e tij me fjalët e plakut të urtë trojan që ia drejton Priamit, kur grekët po sillnin dhuratë Kalin e Drunjtë: "mos u beso,  Priam, danajëve, edhe kur të sjellin dhurata! Të tëra këto janë mashtrim!" Mirëpo, masa e trojanëve u nda më dysh: në ata që kërkonin ta flaknin dhuratën dhe në ata që kërkonin ta pranonin. Përçarja dhe trazira janë aktet e para të "mirëbërësisë" së armikut. Sa akte të tilla njohim në historinë e popujve deri në Ditët e sotme! Të mashtruarit, tradhtarët, ulërijnë: pajtim me armikun! Vërejmë se si monologu poetik merr shtrirje të gjerë të aktualizimit të problemeve,  se si ky monolog i kapërcen kufijtë lirikë të poezisë për të arritur kulme dramatike. Në vazhdim kjo gjë paraqitet me kërkesën e palës trojane që bashkëpunon me armikun: për të hequr dorë nga pavarësia dhe të pranohen pa rezerva ligjet e të huajit, që armët e luftës të kthehen në parmenda, që armiqtë të bëhen "miq"! Kërkojnë të përhapin iluzionet , që lufta e trojanëve të kthehet në një paqe shtypëse e grabitçare, zjarret të kthehen në vatra armiqsh e parmenda të vihet në dorë të armikut. Frytet e fitores me këtë akt bien në ujë, kurse gjaku i luftëtarëve të lirisë shkelet e përdhoset. Në këtë pjesë të poezisë, figura e Laokoontit përfaqëson me tërbim anën e atyre që kanë qenë kundër pranimit të dhuratës nga armiqtë, paraqitet si një vetëdije e zgjuar,  e cila ngrihet të rrënojë intrigat dhe tradhtinë, t'ia tregojë perspektivën popullit të tij. Ai bëhet personifikim i ndjenjës së përkushtimit ndaj atdheut e i njeriut të urtë të betejave; personifikim,  i cili mbi të gjitha e çmon të vërtetën dhe atë e mbron me jetën e tij. Vetëdija mitizuese destruktive e armiqve dhe e tradhtarëve nuk pushon së vepruari kundër tij: "Dhe ju kanë thënë se ahere hyjnitë/ Gjarpërinjtë më dërguan si ndëshkim". Armiqtë i turren me fushata të tmerrshme, me shantazhe e me letra anonime plot helm. Tashmë “letra” është një figurë e atipizmit letrar për të shënjaur kohët moderne.

Dënim shumë i rëndë për Laokoontin, të cilin duan ta shpallin "përqarës",  "luftënxitës" e "zjarrvënës", armik kundër vullnetit të perëndive (të djehsëm e të sotëm). Duan ta poshtërojnë e ta njollosin si mos më zi. Në këtë rrafsh semantik të poezisë,  figura e Laokoontit shquhet edhe me aktin prometheik të tij: e flak mënjanë vuajtjen e tij personale dhe vuan për shkak të rrezikimit të ekzistencës së trojanëve (kombeve të pushtuara a të[ sulmuara) nga fushatat e shantazhet. Në vazhdim vërejmë prirjen për të dhënë një vizion të peizazhit për të depërtuar më thellë në situatat e jetës. Kështu, polemika që zhvillohet në të gjitha shtresat e popullit e deri në qeveri,  shënjohet me motin e lig e të lëkundshëm. Ky peizazh paraqet situatën e nderë, të acaruar e plot shqetësime, brenda të cilit ajgëtohet më qartë temperatura e lartë që e ka ndezur polemika kolektive, pa të cilën nuk është zhvilluar asnjë kthesë historike dhe asnjë lëvizje shoqërore. Në rastin konkret shkak i një polemike të tillë bëhet Kali i Drunjtë; figurë,  kjo,  e trajtuar edhe te poetë të tjerë. Kali i Drunjtë simbolizon tradhtinë në përmasa të gjera, që nuk kufizohet vetëm në kohën e lashtësisë e as vetëm te fati i një individi. Në ndeshjen e dy botëve ky Kalë i Drunjtë është gur i provës për dështime ose për fitore.

Kujt i takon fitorja?

Këto koncepte dhe pikëpamje në kuadrin e poezisë në vijim shkoqiten me idetë e "vijës së butë" dhe të "vijës së ashpër". "Vija e butë" personifikon palën që nxit shantazhe e organizon fushata të egra, që kërkonte pajtim me armikun. Kjo "vijë" i shet interesat e atdheut e të popullit tek i huaji, në emër të interesit të "paqes". Kjo "vijë" e godet paqen prapa shpine me thikën e saj të "pacifizmit", është "vijë" e zjarrfikësve të luftërave çlirimtare,  të atyre zjarrfikësve që krijojnë vatra të krizës, është ulërimë e filistinëve që bërtasin: pajtim me armikun!

Ndërsa "vija e ashpër" që është akuzuar si "kokëfortë", "rrebeIe", "kryengritëse", personifikon energji të pashtershme të popullit dhe zgjimin e vetëdijes së shtresave të gjera. Ajo paraqet luftën e ashpër e këmbëngulëse të vegjëlisë kundër shtypësve, çfarëdo qofshin ata. Këto dy "vija" shtrihen poetikisht deri në kohën tonë. Autori, përmes shembullit të Laokoontit,  na e jep shembullin tragjik të dështimit të "vijës së ashpër". Arresti i " kokëfortëve", në rnesin e të cilëve gjendet edhe Laokoonti, na i përkujton shumë situata të ngjajshme gjatë historisë.  Ata që publikisht ulërinin kundër dhunës e shpatës,  e kishin mbërthyer në burg Laokoontin e urtë, të cilët i japin në mesnatë të pijë gotën e helmit. "Të butit” kafshojnë si gjarpërinjtë, shenjtërojnë egërsinë,  parazitizmin, përuljen. Janë gojëmbël, por të japin të pish gotën me helm. të vënë në arrest pa pasur faj. Laokoonti, si Sokrati, e pi gotën e helmit për ta mbrojtur të vërtetën. Prandaj, vdekja e tij tinëzare paraqitet si një apologji e dhembshme, tragjike dhe heroike e së vërtetës, është apologji e "vijës së ashpër" e një populli që goditet me arreste kokëfortësh e me gota helmi. Vdekja e bërë në mesnatë, fshehur synt të popullit,  shenjon kurdisjet,  intrigat e krimet.  Mesnata është moti i "vijës së butë".

Duke i paraqitur këto kuadro të së vërtetës së lashtë,  monlogu poetik merr përmasa epike.

4.  Hamalli i mermertë, kohët

Kështu përfundon polemika mbi Kalin e Drunjtë,  mbasi poezia e ka zhveshur mitin nga gëzhojat e gënjeshtrës. Kjo histori mbi Kalin e Drunjtë, mbet për t'u përsëritur e për t'u akualizuar tre mijë vjet rresht. Laokoonti jeton përmes mitit dhe artit të skulpturës, është bërë një Hamall i mermertë. Ligjërata e dhembshme poetike na shëtit nëpër shekuj dhe na sjell përsëri në kohën tonë.  Në bazën e domethënies poetike e metaforike-simbolike, qëndron tragjikja e së vërtetës nëpër kohë:  "nga muzeu në muzera". Figura e Hamallit të vetmuar e me shpirt të plasur, është aq e pranishme me të vërtetën e vet në mesin e vizitorëve, aq e pranishme në shumë faqe të ekzistencës njerëzore. Zë fill një pjesë tjetër e strukturës poetike: duke e shtrirë figurën e kontrastit deri në kulmet dramatike, mbas kujeve e vomeve,  poezia sjell qetësinë e plotë. Thur dramën e tmerrshme të qetësisë.

5. Shkretimi i kujtesës kombëtare,  ideja e zhdukjes s ë plotë

Në strofat 19-22 monologu poetik na e paraqet pamjen e një fushëbeteje mbas mbarimit të luftës në Trojën e braktisur e të rrënuar. Këto pjesë të poezisë edhe si kompozicion i jashtëm, lënë përshtypjen e një shprishjeje të përgjithshme të Kujtesës kombëtare: me anë të vargjeve që thyhen, që prishin ritmin  e ligjërimit poetik. Vargu vë në dukje pasojat e të ndodhurave tragjike. Hiri i ftohtë, gërmadhat dhe braktisja janë dëshmi e një procesi të përfunduar dhe fillim i një procesi të ri. Çdo gjë ndjell ftohtësinë. Mbas thyerjes fizike, trojanëve u kërcënohet zhdukja e plotë: shkretimi i gjuhës, i kulturës, i këngëve. Në dramën e qetësisë, mbi bazën e ripërpunimit të mitit, mbi aktet e një ftohtësie të tmerrshme,  fillojnë aktet e reja të tradhtisë, fillon një jeh i ri dramatik, një gërvimë e re. Qetësinë e trazon parmenda që lëron përmbi qendrën e qytetit. Parmenda shënjon rënien e nënshtrimin e plotë, vdekjen e përjetshme të Trojës, identitetin e vdjerrë të qenies trojane, shpagimin tragjik të saj. Jehona e ndër-nyjës antropologjike, e paraqitjes së agonisë së zhdukjes së përgjithshme, i shpërndan copërat e kësaj drame nëpër tremijë vjetët që bëri ky Hamall i Mermertë.  Këtu ka pushuar drama e Laokoontit, po këtu fillon monodrama e tij. Poeti ka bërë një zgjidhje të mrekullueshme të shprehjes për ta konceptuar pamundësinë e shqiptimit të monologut: ai mund të shqiptohet mbasi mund të ketë marrë zë poetikisht, si shprehje ideografike e autorit. Mallkimi, gjëma, hataja e plotësojnë më mirë kontekstin e idesë së zhdukjes së plotë.

6. Indiferenca e vizitorëve,  thirravaja kundër indiferencës

Në poetikën e gërshetimit të kohëve, poeti krijon mundësi të mëdha të shprehjes. Kështu, figura e Laokoontit shërben edhe si mjet i fuqishëm poetik për të depërtuar në problemet e kohës sonë. Fjalët që burojnë nga gjuha e rrejshme e mitit, sikur hapin hulli të reja të ashtrimit. E shumëfishojnë indiferencën. Një gjuhë, lehonë atërishte, dhe e përjetshme, do të duhej ta zhvishte atë mit, për të krijuar dramën e lëvizjeve të gjalla, të fjalëve të shëndosha. Njeriu zbuloi shumë arritje teknike e shkoi edhe në hënë, por ç ‘vlen e tërë kjo, ku ky njeri rrethohet nga qenie të zhveshura nga vlerat shpirtërore? Tash, mallkimin e hatanë e dikurshme,  e zëvendëson gumëzhima e njerëzve që shëtisin prej salle në sallë nëpër muzetë e botës, ku është vendosur skulptura laokoontiane. Sa herë poeti i kthehet botës së sotme, te njerëzit vëren mospërfilljen, indiferencën. Vëren një pajtim donkishotesk, që shënjohet përmes raportit njeriu-teknika-bota. Te Laokoonti shpërthen një zemërim i pafund: si mund të jenë njerëzit aq indiferentë ndaj akteve të ndyra të "vijave të buta", ndaj akteve të bigorrave që nxisin vatra krizash e luftërash shfarosëse? Ndaj plojave trojane të sotme në këtë botë shumëgjuhëshe? Laokoonti porosit: popuj, mprehni vigjilencën! Kësaj indiference, të cilës i kundërvihet poetikisht drama e brendshme e Laokoontit, ia sheh sherrin pikërisht njerëzimi. Indiferenca e topit dinjitetin njerëzor, e degjeneron vetëdijen luftarake(të vizitorëve), e zhduk ndjenjën estetike të përmbajtjes, të cilën e zhvillon vetëm si ndjenjë të sakatuar të formës,  e cila këtu manifestohet herë -herë si një përjetim banal i saj. Përmes rrugës së aktualizimit të fakteve artistike, kjo poezi na sugjeron se banalizohet të kuptuarit e artit skulpturor vetëm si "formë", nëse nuk i ngjallim brenda këtij përjetimi zjarret e shqetësimeve të brendshme.  Ftohtësinë e dikurshme e zëvendëson ftohtësia e indiferencës. Nga "shija estetike" e kësaj indiference na sugjerohet një metafizikë e akullt, e çrregulluar, që e ka prishur rendin e gjërave të bukura. Indiferenca krijon një Trojë të re dhe të rrënuar shpirtërore.

Personaliteti i Laokoontit edhe këtu paraqitet si një vetëdije e zgjuar, duke e vënë gishtin në plagët e kohës. Në këtë model poetik shkrimtari u jep zë pikëpamjeve të tij: Laokoonti është vizion i mbrojtjes së vlerave njerëzore e estetike, kurse indiferenca i shkatërron kuptimet e bukura të artit, të jetës e të botës, e krijon pamundësinë e mbrojtjes. Prandaj vizitori mospërfillës është një gëzhojë e zbraztë që endet prej salle në sallë, që vërtitet pa asnjë cak e ideal,  që ka humbur kuptimin e lëvizjes. Kurse Laokoonti fton për Art të Pavdekshëm e për Jetën që ka kuptimin e saj. Figura e tij rrezaton me porositë e thella humanitare, kundër atyre që flasin "për teatrin e për plazhet/Për gjithfarë motorrash e për gjithfarë qeverish". Në kuadrin e temës së indiferencës ndeshemi me një paralelizëm idesh, ndeshemi me një parim interesant poetik: në të rëndomtën mund të shfaqet e parëndomta, mund të shfaqet Kali i Trojës "ashtu si ahere. . . " Laokoontit,  nga ky monolog i gjatë e cfilitës, "i erren sytë.” Prandaj ky zë i tragjikes njerëzore thërret përsëri njeriun që ta ndërtojë lumturinë e vatrën e tij të ngrohtë në Londër e në Madrid, në Paris e në Nju Jork, kudo.

7. Përfundimi, Letërsia e Zhveshjes së Mitit

Vënia në ndërlidhje e poezisë, e mitit dhe e historisë në krijimin poetik "Laokoonti" na sugjeron një spektër të gjerë problemesh,  teorish dhe praktikash krijuese. Poeti vë një komunikim origjinal me historinë dhe mitin. Duke iu drejtuar të kaluarës historike të para tremijë vjetësh, ai i kthehet kohës sonë. E kaluara e komenton të tashmen, e largëta çon miqësi me të afërtën, i flasin njëra-tjetrës për gabimet dhe për mistifikimet, për gënjeshtrën dhe për të vërtetën.

Këtë gjë e provon poetikisht, sikundër e pamë,  edhe Ismail Kadare. Poeti ballafaqon ideologji të ndryshme (kundërvënia "vija e butë"-"vija e ashpër"). E përdor po atë zjarr polemik kundër veprimeve dhe botëkuptimeve të sotme të shtrembëruara. .  Ky shkrimtar,  me këtë poezi e me disa nga veprat e tij në prozë,  hyn në radhën e atyre krijuesve botërorë e të letërsisë shqipe që krijojnë brenda një

orientimi që sot quhet Letërsi e Zhveshjes së Mitit.

Prend Buzhala, 1980, 1990.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora