Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hysen Berisha: Sahat-Tryeza e Zeqir Lushajt

| E merkure, 27.01.2021, 08:58 PM |


Nga e majta: Nusha, Sabrie Lushaj, Lula, Hyseni dhe Zeqiri

SAHAT-TRYEZA E ZEQIR LUSHAJT

(Në katër mujorin e ikjës në amshim të zonjës Sabrie)

- Dhe unë, sa me zor mora guximin ta thërras atë zot shtëpie dhe ta ngushlloj për bashkëshorten që e la fill vetëm. Kam frikë se do ta vë në pozitë të ligë, mund t´ia shohë lotin në sy. Për vete jam i sigurt, do ia plasja vajit. E, kështu me shkrim, më duket më lehtë. E di se ai nuk m´i shikon lotët dhe ia dalim disi-

Nga Hysen Berisha, Norvegji

Në Shëngjin po, por pritja si në Malësinë e Gjakovës. Atje, në kodër, kishim vajtur vetëm për një kafe. Rrugës po mendoja në do të na presin apo jo. Ndjehesha i vogël të jem musafir i një familjeje aq të madhe.

Atë ditë u ngjitëm atje pikërisht se djelli nuk përcollonte. Bardh Nëngurra lavderohej me të zotin e shtëpisë. Më thoshte se është poet jo i bujshëm, por bukur njohës i mirë i filozofisë dhe i adeteve kombëtare. Për Zeqirin më tha se është një enciklopedi e gjallë. Ka përjetuar aq shumë dhe e ka ruajtur drejtëpeshimin aq natyrshëm saqë nuk di ç´ti thuhet pos bujarë me tapi.

Posa u futëm në oborr, na tha:

-Ku ju pëlqen të rrimë; përbrenda, apo përjashta?

Ku dija se ku ishte më mirë? Me natyrën e Plazhit të Shëngjinit do të duhej të ishte ngrohtë të rrinim përjashta. Aty ku ai e kishte shtëpinë, ishte më freskët por edhe rrezet e djellit sikur na e plotësuan dëshirën. Gjithë kohën, sikur me porosi, një tufë vranësirash na mbajti kujdestari mbi kokë. Shikova në fund të oborrit, në krahun e majt, një tavolinë guri, gjashtë ulëse poashtu guri të gëdhendura për merak. Oborri në çdo cep i shfrytëzuar me lloj, lloj perimesh dhe perimesh. Unë isha përgatitur që vizitën ta filloja me një litër Raki Rrushi të Rahovecit. U gëzua shumë për dhuratën.

-I kam të gjitha llojet e rakisë por, kur më vijnë musafirë, ndodh të ndjehem keq në mungesë të kësaj rakijeje me zë.

Derisa po shikonim bimët nëpër oborr, e zoja e shtëpisë na i solli kafet në atë tavolinën prej guri. Biseda zuri e po zgjerohej. Fliste rrallë por, gjithmonë me nga një këshillë. Ishte i shumëanshëm Zeqir Lushaj. Unë dhe Bardhi, si dy zogjë, sikur i picrronim sytë pandërprerë. Herë më shikonte mua, e herë e shikonte Bardhin. Gratë, te furra e bukës, ia kishin marrë bisedave të tyre larguar nga ne pakëz metra më tutje. Ajo furrë buke, e ngritur me gurë të gëdhendur, i kishte kushtuar disa mija euro. Gratë zunë të lavdërohen për gatimet e tyre e sidomos për flinë thanë se ajo furrë e pjek për merak. E zoja e shtëpisë, Sabria, nuk zyrej të fliste.

-Vertet e pëlqeni fëlinë? Doni ta shijoni nesër?

Sikur me një gojë u dëgjuan Nusha dhe Lulja duke ia miratuar pyetjën.

-Nesër po vijmë herët dhe ne vetë do i gatuajmë fliat.

Ato u morën vesh që të nesërmën, në ora tetë, të zbarkonim në oborr të Zeqir Lushajt.

Ndërkohë vërejta disa shenja të gëdhendura në syprinën e tavolinës. Më bëhej sikur po atë tavolinë e kanë blerë në ankandet publike ndërkombëtare. Më vajti mendja te Ameriko Vespuqi. «Ndoshta po atë tavolinë për orientim Vespuqi e kishte në anijën e tij». Biseduam për historinë kombëtare, për letërsinë, për mendjetrashësinë. Për mendjehollësinë kombëtare nuk biseduam shumë sepse sikur nuk ia gjenim fillin.

-Hiq Skënderbeun, i them, sikur çdo qeveritar erdhi në pushtet duke vrarë konkuruesit politik. Kam përshtypjën se të gjithë ata njerëz që u vranë, po të ishin bashkë, më mirë do i kishim punët edhe mes vete, edhe ndaj ndërkombëtarëve.

- Mirë e paske veneruar por, im atë, ndjesë pastë, shumë kohë më parë, kur në konak kishte njerëz të mëdhenjë të Komitewtit Qendror, pati thënë:

- «Qeni që i ha robtë e shtëpisë, do vra!»

- O Zot, sa e thjeshtë dhe sa e rëndë kjo porosi!

Se çfarë kishte shkruar Bardhi, ai e dinte. Radha erdhi të informohej me shkrimet e mia. Më kishte qëlluar vetëm një dramë. Aty vërejti se ai libër ishte pasardhës i gjashtë të tjerëve. Më uroi për shkrimet. Më veneroi se po e shikoja tryezën me shenja të panjohurta për mua.

-Nuk je i vetmi që habitesh në këtë tryezë. Kur ishe i ri, mos ke qenë çoban?

-Po, i them.

-Jam i sigurt se pos dhomës së musafirëve që e kishte një orë muri, ndoshta edhe gjyshi mund ta kishte një orë xhepi, apo?

-E saktë, baci Zeqë.

-Me se e matje kohën në fushë tek ruaje bagëtinë?

U kujtova pakëz në heshtje. «Ku mori vesh ky njeri për të bëmat e mia?»

-Me hijen time. Ia këtheja shpinën diellit dhe aty ku prekte hija e kokës sime, e merrja një gurë, një fije bari apo vetë shkopin tim e shtroja përdhe dhe e pikasja si shenjë, pastaj numroja hapat në hijën time dhe kështu e nxerrja vaktin. Kjo matje e kohës nuk ishte shumë e saktë, por funksiononte.

-Hë pra. Këtu të prita. Ja kjo shtylla mu në mes të tryezës. Kjo e luan rolin e hijes sate. Këto gravime në syprinën e tryezës shënojnë orët e ditës. I shikon shenjimet se nuk janë në largësi të njëjtë?

-Po, i them.

Pra, hija e paraditës është më e gjatë ndaj në tryezë shenjimet janë më të rralla. Mesdita, kur dielli na bie mbi kokë, shenjimet janë më të shpeshta sepse lëvizja e djellit duket se është më e ngadalshme.

Të nesërmën, në ora tetë gjumi po malliste bashkë me ne. Turr e vrapë u zgjuam dhe u ngjitëm në bregoren mbuluar me hije pishash dhe tjerë drunjsh. Zonja Sabrie kishte zënë vend te Sahat-tryeza. Po qeshte me ne. Gratë iu zyrën furrës së bukës, aty para derës së hyrjes. Zonja e shtëpisë, duke qeshë, ua bëri me dije të afroheshin te tryeza se gjithçka ishte e gatshme. Plasi gazi. I zoti i shtëpisë, z Zeqir Lushaj tha se, gjumashe si gratë tona nuk do pranoheshin në Malsinë e Gjakovës.

Kah fundi i vizitës mora guximin që të shëtis shikimin nëpër faqet e librave që mi dhuroi. Desha të shtroj pyetje në lidhje me veprat e tija.

-Jo, tash. Flasim kur t`i kesh lexuar.

Dhe, unë, si të më ketë rënë kovidi dy tre vite më parë, nuk më jepej të bëj një vështrim në gjithë atë pasuri letrare. Nuk do të heq dorë por, kësaj radhe jam përcaktuar ta kujtoj zonjën e shtëpisë, zonjën Sabrie. Ajo që, sikur bijave të saja, Nushës dhe Lules ua kishte shtruar mëngjesin me flia të posagatuara me mjalt e djathe bjeshke. Ajo që më priti sikur të birin e saj. Ajo që na lutej ta vizitonim sa më shpesh.

- Oj zonjë e nderuar, i them. Poqese ua hap derën gjithë pushuesve, këtu në Shëngjin, shtëpia juaj do të shëndërrohej në bujtinë.

Ajo nuk foli por, fjalën e mori Bardhi:

-Janë mësuar me regrutët e UÇK-së. Pak janë të thuash se ``kaq e aq`´ ushtarë, kohëpaskohe, kanë ngrënë bukë, nga dora e zonjës Sabrie, ketu, ne Tirane e deri ne Amerike. Pikërisht ajo mungesë e shume trimave tash shënon zbrazëti në oxhakun e shtëpisë së çiftit Lushaj. Kjo shtëpi, Hysber, meriton një respekt jo vetëm nga unë dhe ti, por nga institucionet kosovare.

...!

Dhe unë, sa me zor mora guximin ta thërras atë zot shtëpie dhe ta ngushlloj për bashkëshorten që e la fill vetëm. Kam frikë se do ta vë në pozitë të ligë, mund t´ia shohë lotin në sy. Për vete jam i sigurt, do ia plasja vajit. E, kështu me shkrim, më duket më lehtë. E di se ai nuk m´i shikon lotët dhe ia dalim disi.

I lehtë të qoft dheu, nëna Sabrie, Zoti të ndihmoft z Zeqir Lushaj!

-Nga Norvegjia, Janar 2021-