| E hene, 25.01.2021, 10:00 PM |
Një deputete e denjë për Kuvendin e Kosovës
Alma
Lama është Dr. e shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, një
politikane dhe diplomate e provuar për qëndrimet e saj të palëkundura, në
interes të më të mirës në Kosovë, për integrimin Europian dhe pro-perëndimor të
popullit shqiptar, një politikane moderne, e ditur dhe e arsyeshme, në mbrojtje
të të drejtave të grave dhe shtresave në nevojë
Nga
Arben Çokaj
Kur
shikon veprimtarinë dhe aktivitetin politik e publik të znj. Alma Lama, e vëren
me lehtësi, se punën e saj e përshkruan një modesti e thjeshtësi njerëzore, që
ia rrit vlerën zgjuarsisë, dijes, arsyes racionale dhe kuptueshmërisë së botës
e shoqërisë në përgjithësi, që ajo ka. Një politikan e diplomat, pa qenë njeri
i ditur, nuk mundet kurrë të jetë i mirë në punën e tij. Dhe ne shqiptarët nuk
kemi shumë të tillë!
Se
dija duhet të jetë në një nivel të tillë sipëror, sa të mos lejojë të
korruptohesh e kompromentohesh për afera të ulëta, pra, duhet një dije e
qëndrueshme, që të jetë shndërruar në karakterin e njeriut. Ne shqiptarëve, e
më gjerë, na duhen politikanë të mirë, të ditur, por edhe me karakter. Mendoj
se këto cilësi i ka znj. Alma Lama, ndryshe nuk do e merrja mundimin t’i
shkruaja këto radhë.
Në
jetën e saj, znj. Lama ka patur mjaft arritje, duke kaluar përmes vështirësive
të shumta, pasi Shqipëria e Kosova kaluan një kohë mjaft të vështirë
tranzicioni dhe me sfida të mëdha në këto 20-30 vjetët e fundit. Por ajo ka
ditur të fitojë përvojë dhe të mësojë edhe nga këto vështirësi e sprova, duke
mos lejuar që të shembet, që ta lejojë të keqen ta pushtojë dhe ta infektojë në
karakter, dhe vazhdon të jetë ende një burim ekuilibrues politik e diplomatik,
që është vënë re së fundi, edhe në daljet e saj publike në media apo në
reagimet e shkrimet e saj të vazhdueshme.
Nuk
kemi rrugë tjetër më të mirë. Dhe këtë orientim e mbështet me mjaft elokuencë
edhe zonja Lama, duke u përpjekur me kujdes që të shmangë konfliktet, që
krijohen në luftën për pushtet, mes krahëve politikë e partive politike. Në një
diskutim me znj. Evi Kokalari, një shqiptare që bënte politikë për Trump në
SHBA, znj. Lama, që pëkrahte kandidatin Biden, e tregoi veten në lartësinë
duhur, me tolerancë e qetësi të admirueshme, kundrejt agresivitetit të zonës
përballë, pasi si politikane e Kosovës, ajo duhet të dijë të gjejë gjuhën e
komunikimit me përfaqësuesit amerikanë, pavarësisht nëse fitonte Trump apo
Biden.
Edhe
pse kjo gjuhë e komunikimit politik e diplomatik, nuk është e lehtë nganjëherë
– kujto këtu psh. rrëzimin e qeverisë Kurti, ngaqë z. Kurti donte t’i tregonte
amerikanëve se si bëhet politikë. Dihet kjo, i forti bën ligjin, dhe ne me
arsye duhet të shikojmë të gjejmë rrugët, për të qenë në linjë me aleatët tanë
të fuqishëm, dhe t’i imponojmë interesat tona me kujdes, që të mos refuzohemi
si Albini, por të pranohemi e përkrahemi si Rugova. Kjo është zgjuarsi dhe
diplomaci. Se i forti nuk të ndihmon edhe kur ke të drejtë, nëse nuk ia kërkon
ndihmën me kujdes dhe me zgjuarsi! Ne nuk jemi aq të fortë, sa të imponojmë
respekt me forcë e arrogancë, por mund të mbijetojmë më mirë, me zgjuarsi!
Edhe
në rastin e rrezikut të ekstremizmit fetar, znj. Lama u gjend në anën e të
moderuarve, duke luftuar me forcë kundër ekstremizmit islamik, në kohën kur
ISIS përbënte një rrezik të përmasave botërore dhe kur disa shqiptarë të indoktrinuar
kishin marrë pjesë në këtë luftë pa kuptim. (Këtë gjë nuk e bëri znj. Osmani).
Natyrisht se politikani që përballet me fenomene të tilla, dhe mban një qëndrim
të caktuar, ka edhe koston e vet. Por t’i shërbesh shëndetit të popullit tënd,
t’i shërbesh të mirës së tij, është një sfidë dhe një çmim, që duhet paguar!
Dhe znj. Lama ishte e guximshme dhe e gatshme ta paguante çmimin e qëndrimeve
të saj të drejta e konsekuente, në dobi dhe në interes të popullit shqiptar.
Nëse
përballim znj. Lama me znj. Osmani, vërejmë se zonja Osmani ka patur sukses nga
qëndrimet e saj politike disi folklorike e populiste, jo gjithmonë edhe aq të
matura e të ekuilibruara. Shpeshherë ekstremizmi politik merr mbështetje. Psh.
75 milionë amerikanë e votuan presidentin Trump në zgjedhjet e fundit. Por ai
prapë humbi. Humbi sepse kundërshtari i tij Biden, fitoi, se ishte më stabil
dhe më i ekuilibruar në politikat e tij, ishte profesor në politikë, në
krahasim me amatorin Trump. Edhe znj. Osmani ka marrë mbështetje, duke qenë se
ka manipuluar me psikologjinë e turmave si Trump, por mund të dështojë në fund,
nëse ajo nuk di të ruajë ekuilibrat e nevojshëm politikë.
Dr.
Alma Lama e shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, është profesore
në politikë për shumë politikanë të Kosovës dhe duhet vlerësuar pikërisht për
njohuritë e saj politike dhe diplomatike, si dhe për vullnetin e saj, për t’i
shërbyer të mirës së përbashkët, duke luftuar ekstremizmin dhe duke ruajtur
ekuilibrat në politikë! Ajo e tregoi veten me punën e saj si ambasadore në
Itali, ku u vlerësua edhe me çmime. Njerëz të tillë, që e njohin politikën
globale dhe ruajnë ekuilibrat, janë në gjendje të bëjnë shtet dhe të ruajnë
stabilitetin e një shteti. E jo ngatërrestarët, që krijojnë konflikte.
Nëse
përsëri i referohemi znj. Osmani, ajo në vizitën e fundit në Shqipëri krijoi
një kundërshti të panevojshme me kryeministrin Rama, duke e sulmuar atë për
mini-schengenin Ballkanik dhe traun në rrugën e kombit. Është më e zgjuar
arritja e rezultateve në këto raste, se sa kamuflimi i tyre folklorik, që
krijon pakënaqësi dhe asnjë rezultat. Për mini-schengenin Ballkanik duhet
pranuar se është një projekt europian dhe mbështetet edhe nga administrata
amerikane. Duhet parë me kujdes. Sekretari i ri i shtetit amerikan, z. Blinken,
e mbështeti arritjen e Grenell në bisedimet Kosovë – Serbi, ku përfshihet edhe
mini-schengeni Ballkanik. Si do të veprojë znj. Osmani e z. Kurti, nëse
administrata e re amerikane e mbështetë këtë projekt? Apo prapë znj. Osmani do
të sulmojë Ramën, e mjaftohet me kaq?!
Ndërsa
për traun në rrugën e kombit, duhet të bisedohet me qeverinë shqiptare, dhe
duhen parë mundësitë reale ekonomike në këtë rast, për ta ulur tarifën ose
hequr atë, nëse është mundur, se nuk bëhet kjo punë me deklarata publike populiste,
që mund të çojnë në ftohjen e marrëdhënieve të Kosovës me Shqipërinë. Kosova
duhet të përdorë më shumë trurin se emocionet në politikën e saj, për
marrëdhënie të mira me fqinjët, e sidomos me shtetin amë, Shqipërinë! Se
ndryshe vetë-izolohet, e kjo nuk i shërben asaj. Në këtë kontekst, znj. Lama,
duke i dashur të dyja shtetet tona njëlloj, tregohet më ekuilibruar.
Përfshirja
e znj. Lama si kandidate për deputete në listën e LDK-së, me numrin #87, ia
shton vlerën kësaj liste, padyshim, pasi ajo me shumë kandidatë të tjerë në
këtë listë, kanë treguar pjekuri, dinjitet dhe integritet politik, dhe i japin
siguri Kuvendit të Kosovës, se do i ruajnë ekuilibrat e duhura aty, brenda
mundësive që do të krijohen, si shprehje e vullnetit politik të popullit të Kosovës,
në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Në
ditën e të dashuruarve, besoj se znj. Lama, do e marrë përsëri mbështetjen e
popullit të Kosovës, si deputete për të tretën herë, pasi ajo në vetvete është
edhe simbol i një dashurie shqiptare, në dy shtetet tona, në të dyja anët e
kufirit. Politika e Kosovës duhet t’i ruajë ekuilibrat dhe të zhvillohet pa
kaluar në ekstreme, pikërisht duke zgjedhur politikanë të aftë e me dinjitet,
që dinë t’i ruajnë këto ekuilibra dhe e çojnë shoqërinë përpara me zgjuarsi,
drejt integrimit Europian!
revistadrini.info