| E diele, 24.01.2021, 03:37 PM |
DIASPORA SHQIPTARE DHE FJALËMIRAT E GJUHËS SHQIPE
NGA
GJOKË DABAJ
Më 17 janar 2021,
një grup atdhetarësh u mblodhëm në Prekaz, te varret e Jasharajvet.
Prekazi është
Jerusalemi i shqiptarëvet. Ashtu siç mblidhen të krishterët në Jerusalem te
vendi ku është kryqëzuar Jezu Krishti, me qëllim që njerëzimi t’i lutet një
Zoti të vetëm, ashtu mblidhen edhe shqiptarët te vendi ku është martirizuar
familja e Jasharajvet, për lirinw e krejt kombit shqiptar.
Në dymijë vitet e
ardhshëm, nuk besoj dhe, sidomos nuk uroj, që shqiptarët të kenë një vend
tjetër më të merituar se Prekazin. Sepse: Boll më! Boll kemi sakrifikuar fëmijë
e gra!
Edhe organizuesit,
edhe shumica e pjesëmarrësvet në atë pelegrinazh, ishin mërgimtarë. Patëm, me
atë rast, në një sallë kuvendesh, një bashkëbisedim shumë të frytshëm lidhur me
të ardhshmen e kombit, por unë, këtë herë, nuk po ndalem gjatë te ky problem
që, në të vërtetë, është më i rëndësishmi për ne, në kohën tonë. Unë po ndalem
këtu vetëm te njëri prej përbërësvet të këtij problemi.
Tek po kthehesha
(me një taksi që ma kishin angazhuar organizuesit), po më rrotullohej nëpër
mendje një telash shumë i madh: Ç’po bëhet dhe ç’do të bëhet me mërgimtarët
tanë, që janë shpërndarë kaq padëshirueshëm nëpër krejt botën?!
I kalova nëpër
mendje ata qindra mijë shqiptarë që sot jetojnë nëpër Evropë e Amerikë, i
kalova nëpër mendje, jo qindra mijë, por miliona, që jetojnë, për shembull, në
shtetin grek (përveç pjesëvet të Shqipërisë që i mban të pushtuara Republika e
Greqisë), në Athinë, në Selanik, në Peloponez, në ishuj, pastaj, në shtetin
turk, që nga Edreneja e Stambolli deri në Samsung, pastaj në Liban, në Siri e
në Egjipt, në Zelandë të Re e në Australi. I shkova nëpër mendje arbëreshët në
Itali, tashmë në shprishje e sipër, dhe të shpërndarë edhe ata nëpër botë, si
të gjithë bashkëkombasit e tyre.
Ç’po bëhet, ç’do
të bëhet, por edhe ç’mund të bëjmë, që, jo vetëm të mërguarit, por krejt kombi
ynë të mos shkojë drejt shpërbërjes?!
Tek po mendoja
kështu, m’u shfaq një përfytyrim, pjesërisht makabër, pjesërisht jo makabër,
por figurativisht deri diku i pranueshëm, te të cilët, më në fund, u detyrova
të ndalem dhe t’i analizoj:
Mërgata jonë, a duhet t’i ngjajë mishit të një deleje të therur?! Një pjesë
kofshe këtu, një shpatull atje, një copë brinjë në një vend tjetër, dhe ta
hanë, ta përtypin, ta tresin dhe ta absorbojnë kombet e tjerë?! Apo duhet që
mërgata jonë t’u ngjajë qengjavet të një deleje përjetësisht të gjallë dhe të
shenjtëruar?!
Mendimin që, jo
vetëm pjesa e mërguar, por krejt kombi ynë, të mos i ngjajë mishit të
konsumueshëm të një deleje të therur, por një deleje që lind e rrit qengja të
shëndetshëm në oborr të vet dhe kudo nëpër botë, unë e kam shtjelluar tashmë,
(pa më shkuar mendja ta përdorja këtë konvencion), në mbi 600 faqe librash të
publikuar.
Fjalëmirat e
Gjuhës Shqipe, të udhëhequra e të menaxhuara nga një qendër (këtu në Shqipëri,
konkretisht në Prizren), duhet të jenë institucionet që t’i mbajnë gjallë,
gjuhën tonë, qenien tonë kombëtare, kudo që t’i ketë hedhur dallga e jetës
pjesëtarët e këtij kombi.
Fjalëmirat e
Gjuhës Shqipe duhet të përfaqësojnë simbolikisht sisët e deles, të cilat të
ushqejnë me qumësht qengjat e vet, kudo që ata ndodhen. Pa pirë qumësht nëne,
gjallesa nuk mund të ketë as rritje, as jetë normale.
Me kaq,
figuracioni besoj se është i kuptueshëm. Të gjithë shqiptarët duhet të
organizohen dhe të ndërtojnë Fjalëmira të Gjuhës Shqipe kudo ku ka qoftë edhe
20 familje shqiptare, që nga Alaska deri në Argjentinë dhe që nga Turqia deri
në Finlandë e Norvegji.
Por, meqë jemi te
përfytyrimi simbolik i deles, po shtoj këtu edhe diç më tepër: Fqinjët tanë,
por edhe përtej fqinjëvet tanë, e kanë bërë traditë ta konsiderojnë Shqipërinë
si “delen e zezë” të të quajturit “Ballkan”.
Fjalëmirat e
Gjuhës Shqipe, kudo që të ndërtohen dhe të vihen në funksionim, një ndër
detyrat kryesore do të kenë, që Shqipëria dhe shqiptarët të mos
konsiderohen më si “dele të zeza”, por
përkundrazi, të quhen “dele të bardha”, nga më të bukurat që ka “tufa”
gjithnjerëzore.
Ashtu siç, në të
vërtetë, edhe jemi, por që s’e kemi pasur dhe ende nuk e kemi institucionin
e duhur, për t’i ruajtur e kultivuar këto cilësi tonat, që i kemi trashëguar e
ruajtur me sakrifica të mëdha ndër dhjetëra shekuj. Ruajtur me sakrifica të
papërfytyrueshme, por edhe në mungesë thellimi teorik dhe angazhimi praktik,
për ta vënë në rrugën e zgjidhjes problemin madhor, problemin jetik, për të mos
u tkurrur kaq tragjikisht, sa një ditë të detyrohet dikush prej nesh ta flijojë
veten familjarisht, siç u detyruan të veprojnë Jasharajt.
Gjokë Dabaj, 21 janar 2021