E marte, 21.09.2021, 10:07 AM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Burgu i Burrelit per rininë ishte edhe një “Universitet”

E shtune, 23.01.2021, 09:18 PM


Nga Fritz RADOVANI: (Pjesa e IV)

1947: Burgu i Burrelit per rininë ishte edhe një “Universitet”

Në burg të Burrelit, njëherë, i nderuemi Ibrahim Biçaku (ish kryeministër i Shqipnise në 1944), nuk binte dakord me të nderuemin Gjergj Kokoshi për një problem filozofik në fushën politike e për me përcaktue përfundimin e bisedës vëndosën me e mbyllë bisedën ashtu si do të thonte Padër Mëshkalla.... Ai me të gjithë bisedonte për çdo problem pa pritesë, madje me dashamirësi. Ai i kishte vue vedit detyrë që duhet të bajmë shka asht e mundun për përparimin dhe unitetin e Atdheut.

Po, duhej “thérë” për me dashtë me e ba me folë, atëherë, dhe ata që e njohën, besoj e kujtojnë portretin e Tij fisnik, të vendosun e të pakthyeshëm. Fliste me buzë të afrueme, paksa e shtërngonte nofullen, me një zâ të lehtë e mollzat e faqeve i kuqeshin si dy kokrra qerrshia, që e banin edhe ma të freskët fizionominë e Tij, merrte pamje me ngjyrën e bukur të një djalit të ri, si të drandofillës, ashtu si kishte forcën e Shpirtit.

Në rrethet “Shën Gjon Bosko” të themeluem në Shkodër në vitin 1934, si edhe atë të “Shën Pjetrit” në Tiranë në vitin 1937, Ai bani një punë të madhe me të rijtë, sidomos kundër ideve komuniste, fashiste, ateiste e antiatdhetare, që aso kohe po përhapëshin në Shqipni. Në pranverën e vitit 1940, kur Shqipnia ishte e pushtueme nga Italia fashiste, e cila veç tjerash kishte dhunue edhe Flamurin tonë Kombëtar, Padër Meshkalla, bashkë me At Gjergj Fishtën (që ndodhej për vizitë në famullinë e Tij, në Tiranë), u folën nxanësve që ata mos me përshëndetë në mënyrën fashiste. Për këte Ai asht konsiderue “i padëshrueshëm” nga autoritetët fashiste.

Kujtimet e nxanësve të Tij pasunojnë veprën atdhetare të periudhës së pushtimit fashist, nazist e ma vonë, atij sllavo-komunist, vepra për të cilat kanë shkrue e do të shkruejnë, mbasi ata nuk e harrojnë asnjëherë mësuesin e tyne Padër Meshkallën. Madje, ata në shênjë nderimi për veprat e Tija, me rastin e katër vjetorit të vdekjës i kanë ndërtue edhe vorrin, ku sot prehen eshtnat e Tij.

Pikëpamjet e Tij politike janë kenë të shprehuna haptas dhe të njohuna prej të gjithëve. Ai ishte kundër çdo lloj diktature. Ishte antifashist, dhe këte, përveç faktit të sipërm, e vërteton edhe qëndrimi i Tij i vendosun atdhetar dhe i premë kundër disa veprimeve në lidhje me ndonjë jezuit italian në Shkodër, gja për të cilën u transferue në Tiranë nga eprorët jezuitë në vitin 1937. Ai qëndroi në mendimet e Tij edhe në Tiranë.

Këte e vërteton letra që Ai i ka dërgue Vatikanit për largimin e Delegatit Apostolik nga Shqipnia, për pikëpamjet e tij fashiste dhe antishqiptare. Ndoshta për këte, komunistët e quejtën “fashist”!.. Ai ishte kundër nazizmit dhe për këte flet fakti i strehimit të popullsisë së Tiranës në refugjion pranë qelës së Tij, kur ata po ndiqeshin nga forcat gjermane. Ishte Padër Meshkalla, ashtu si shumë klerikë të tjerë, tue perfshi këtu edhe misionarët Don Alfons Tracki e At Zef Maksen (të dy të pushkatuem nga komunistët si agjentë të nazistëve gjermanë), sepse u dolën me gjoks përpara ushtarëve nazistë, madje edhe ndaluen reprezaljet e tyne kundër shqiptarëve si dhe ebrejve që nuk ishin aq pak në Shqipni. Ai ishte kundër diktaturës komuniste dhe këte e vërteton gjithë jeta e Tij e martirizueme.

Në vitin 1945 Ai u takue në një shtëpi të Tiranës me Mehmet Shehun, që njihej një ndër terroristët e grupeve vullnetare të Spanjës, qysh në vitin 1936, dhe ishte Padër Meshkalla Ai që i tha troç, ndër sy, se çfarë do të banin komunistët në Shqipni, porsa të forcojnë pak pozitat shtetnore. Kur Padër Meshkalla i tha: “Ju do të kërkoni me zhdukë Fenë me dhunë, se ky asht parimi i parë i komunistëve, aty ku ata marrin pushtetin, dhe Kishat e Xhamijat ju do t’i këtheni në klube dhe kinema.”, Mehmeti iu përgjegj: -“Kjo është vetëm propagandë e atyre që nuk e duan pushtetin tonë popullor dhe kërkojnë për të na armiqësuar me popullin, kjo nuk do të ndodhë kurrë në Shqipëri!”...Më tregonte dhelpninë e Mehmetit për me muejtë me hjekë një ashkël në kokën e Padër Meshkallës, në lidhje me shkëputjen e Klerit Katolik Shqiptar nga Vatikani dhe Papa. Përgjegja e  Padër Mëshkallës merret me mend cila ishte!..

Një prej nxanësve të Tij me tregonte njëherë, se një prej shokëve të shkollës, tue luejtë me top, kishte thye një xham. Padër Mëshkalla, sa hyni në klasë, u thotë nxanësve: Të çohët në kambë ai që ka thye xhamin me top! Një prej nxanësve çohet dhe i thotë: -Xhamin e ka thye X-si. Padër Mëshkalla, mbasi e nxori nxanësin që foli para klasës, e ndëshkoi me një shputë dhe i tha: Unë nuk të thashë me më tregue ti kush e ka thye xhamin, por kërkova me u çue në kambë ai vetë e me më tregue, mbasi kjo që ban ti asht që ti me u ba spijuni i shokëve tuej, prandej të ndeshkova. Fajtori duhet të ketë guximin me diftue ai vetë fajin e vet! Ai ndëshkonte veset e sidoemos até të spijunit që në shfaqjet e para. Qé pra, kjo ishte ajo edukata jezuite, që Padër Mëshkalla i jepte rinisë sonë Shqiptare!

Shenim F.R.: Vazhdojmë me Pjesen e V-të...

Melbourne, 21 Janar 2021



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora