E merkure, 24.04.2024, 12:44 PM (GMT+1)

Intervista » Marku

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sami Repishtin, ish i burgosur politik (II)

E premte, 22.01.2021, 07:40 PM


INTERVISTË ME PROF. DR. SAMI REPISHTIN, ISH I BURGOSUR POLITIK (II)

Me Dr. Ibrahim Rugovën  kam pasë lidhje të ngushta. Unë e kam admirue për qëndrimin e tij paqësor dhe vendosmënine e tij me kërkue pavarësinë e jo autonominë e gjanë për Kosovën

Ismail Kadare dhe Elena Kadare, dy monumente të kulturës shqiptare. Ismail Kadare fliste pak,  ishte i interesuem me ditë sa ma shumë dhe kishte për zemër problemin e Kosovës

Në kampet e Italisë kishte shumë të arratisun shqiptarë që spijunojshin për komunistët dhe ktheheshin përsëri në Shqipëri

Kam takue Fan S. Nolin gjatë festimit të 50 vjetorit të themelimit të Vatrës

Nënshtetësia amerikane më gëzoi, por i prekun nga ndjenja e abandonimit të Shqipërisë

Arshi Pipa, Filozof me njohuni të gjana dhe letrar me nji shije dhe frymë kritike letrare të dorës së parë

Në Shkodër jam kthy në gusht 1992 dhe ka qenë nji eksperiencë e pa përshkrueshme

EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU

GM: 22 gushti i vitit 1959 është dita e fundit në Shqipërinë e Diktaturës së Proletariatit për ju. Do të ishte me interes të mësonim se si dhe më  kë vendosët që të largoheshit?

SR: 22 gushti 1959 ka qenë nji nga ditët ma të vështira të jetës sime. Ishe i vendosun me u largue nga vendi i im. Familje, vitet e gjatë të rinisë, të afërm, shokë dhe e gjithë e kaluemja e ime po abandonohej me arratisjen. Nji ngjarje që nuk e kisha mendue ma parë se ishte e mundun për mue.

Sidoqoftë të merkuren, 20 gusht 1959, tue ardhë në shtëpi mbas pune me strajcën e veglave dhe sharrën e karpentierit, jo larg nga shtëpia ndigjova disa hapa të shpejtë mbas meje. Ktheva kokën e pashe nji shok timin të viteve  të kalueme, tash komunist,  që u afrue pa u ndalë e më tha me shpejtësi: “Sami je në listë për arrestim”. Unë përgjegja: “Nuk kam ba asgja kundër ligjit”. Ai shtoi: ”Nuk ashtë fjala për faj…” e kaloi shpejt pa thanë fjalë tjetër.

Unë e kuptova se shërbimi i tij ishte  i paçmueshëm dhe se ndoshta do të më shpëtonte nga burgu dhe arratisja. Por aty për aty vendosa të largohem me njiherë. Të enjten, 21 gusht mora kontakt me nji ish shok burgu shtëpia e të cilit ishte pranë kufinit (katundi Vithgar, Ana e Malit) dhe me ndërmjetësinë e ish shokut të burgut, Muhamet Fejza, caktuem nji takim në orën 12:00, në nji lulishte. U takuem dhe ai ishte gati me më ndihmue. Bame planin e udhëtimit dhe u ndamë menjiherë.

Në orën 7:30 të mbramjes unë e lashë shtëpinë mbas nji përshëndetje të vështirë me familjen që nuk dinte planet e mia. As unë nuk e di se si përmbajta lotët, sidomos me nanën plakë që ishe i sigurtë se nuk e shoh përsëri. U nisa drejt lagjes Bahçallek, dhe aty kalova urën e mora drejtimin e jugut. Në pikën e caktueme dola nga rruga e hyna në nji pyllë të vogël, ku prita sinjalin nga ana tjetër e Bunës. Sinjali - nji dritë tri herë- erdhi, unë kërceva në lum  e dola në anën tjetër. Aty më priste shoku dhe të dy së bashku u nisëm. Para nisjes patëm nji dialog shumë të vështirë: “Ndigjo, i thashë shokut, (Muho Seiti), unë nuk dorëzohem i gjallë. Të lutem në se ligështohem premto se do të më vrasësh me dorën tande” Ai u trondit e më tha : “do të kalojmë pa vështirësi” “Jo, i thashë, “me premto tashti” Ai u pre, uli kokën e me za të ulët më tha: “As ti, as unë. Nuk dorëzohemi të gjallë” E falenderova dhe u nisëm. Për fat nuk takuem as edhe nji pulë…

Në Jugosllavi, u dorëzova. Ata më mbajtën nji vjet në burg pa asnji spjegim, vetëm në nji qeli me nji dritare të vogël në mur, dhe me tre ushqime në ditë, pa të drejtë me shkue në nevojtore, vetëm në mesnatë….!

GM: Nga komunizmi i tipit enverist tek ai titist. Në ish-Jugosllavi izoloheni për pothuaj dy vite. Çfarë kujtoni nga ajo kohë? A mundeni një përshtypje të përgjithshme, me aq sa keni parë, nga Jugosllavia e asaj kohe?

SR: Që nga nata që u arratisa dhe deri në shtator 1960 kam qenë i izoluem ose i survejuem pa pushim. Përshtypjet e mia janë:  Jugosllavia e Titos ishte në esencë nji shtet totalitar shtypës për kudërshtarët: nji armatë spiunash e bante jetën të padurueshme. Ajo që shpëtoi Jugosllavinë të mos shkatërrohej ishte ekonomia realtivisht e lirë, sidomos ekonomia e vogël. Njerëzit punojshin e nxirrshin bukën në dyqane të vogëla.

Fitorja e dytë ka qenë politika e dyanëshme e Titos: miq me Amerikën dhe mik me Bashkimin Sovijetik, dhe merrte hua nga të dyja, hua që nuk u paguen asnjiherë, për arsye të pozitës strategjike të vendit që lakmohej nga të dy palët.. Kam qëndrue në Zagreb. Nga aty ne Gerovo. Nga kampi i Gerovos (Kroaci) kam ikë në Itali. Gjatë qëndrimit në Zagreb, kam punue në Zyrën e Statistikës (ishte ba rregjistimi i popullsisë dhe duheshin  klasifikue të dhanat staistikore. Punë e merzitshme por më dha bukën e gojës. Kam refuzue ndihmën qesharake mujore  (6.000 dinarë=8 dollarë në muej).

GM: ‘’Toka e Premtuar’’ në qershorin e vitit 1961 ishte ende larg, në kohën që u gjendët në një kamp refugjatësh në Kroaci. Cilat janë kujtimet tuaja nga kjo kohë?

SR: Në Gerovo kishte azil-kërkues nga i gjithë Ballkani; ma të shumtën shqiptarë. Fatkeqsisht, plot anmiqsi njëni me tjetrin sepe shumë prej tyne ishin komprometue me UDB-në. Unë qëndrova larg për dy muej, përsëri i vetem me lexime. Ushqimi ka qenë realtivisht i mirë për turmën e humbun si na. Fjetja ka qenë kolektive për mashkuj dhe dhoma të vogla (ish biruca të ushtrisë) për familjet. Nuk kam pasë asnji presión.

GM:  Arratisja e radhës, më 1 shtator 1961, do të ishte drejt Italisë…

SR: Jemi arratisë natën: Rrok Çuni, Shemsi Zaganjori, Ali Kokaj, Sami Repishti dhe kemi hy në Itali natën. Kam përshtypjen se jugosllavët nuk kujdesoheshin  shumë se kush ikë.

GM: Liria e vërtetë do vinte më 9 prill të vitit 1962, ditën që u larguat mijëra kilometra nga vendlindja, ditën që mbërritët në Amerikë. Si ishin ditët apo javët e para? Pastaj, pa u vonuar, diplomime të njëpasnjëshme…

SR: Liria e vërtetë erdhi më 9 prill 1962 ditën kur zbrita në New York. Akti i parë ka qenë me puthë tokën amerikane. Ishte hera e parë që u ndieva i lirë e pa frikë. Edhe në kampet e Italisë kishte shumë të arratisun shqiptarë që spijunojshin për komunistët dhe ktheheshin përsëri në Shqipëri. E tmerrshme!.

Në New York, më ka pritë në aerodrom i ndjeri profesor Arshi Pipa, që më ka mbajtë  dy javë në apartmentin e tij. Unë kam zanë punë mbas 10 ditësh. Jam regjistrue në universitet mbas nji mueji dhe nuk kam pushue studimet deri në shkurt të vitit 1973, ditën që kam marrë doktoratën. Ndërkaq kam punue si profesor i gjuhëve franceze e italiane në gjimnazet amerikane, dhe ma vonë edhe si pedogog i jashtëm pranë Universitetit Adelphi (N.Y).

GM: Si ratë në kontakt me komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara?

SR: Kontaktet e para i kam marrë nga Italia,  kur kam shkrue  artikulin e parë për gazetën “Shqiptari i Lirë” (N.Y.). Mbas ardhjes në Amerikë më kanë kontaktue editorë të ndryshëm dhe kam shkrue për çdo gazetë, ose revistë, që ka kërkue: të reja nga Shqipëria. Ishin të etun me ditë si janë punët në Shqipëri.

18.GM: Mësoj se Ju keni marrë pjesë në një ngjarje të madhe, në takimin e 50-vjetorit të ‘’Vatrës’’. Çfarë mund të na thoni për këtë përvojë?

SR: 50 VJETORI I VATRËS u festue vetëm tre muej mbas emigrimit tim, qershor 1962. Në Boston ishte nji ngjarje madhështore. U grumulluen ma shumë së 500 persona në dreken e shtrueme me këtë rast në restaurantin e të ndjerit vatran Anthony Athanas, Pier 4. E ndjeva veten si me qenë në Shkodër.

GM: Tek ‘’Vatra’’ keni takuar edhe një ndër të mëdhenjtë e kombit tonë, Fan Nolin. Çfarë përshtypjesh ruani nga ky takim?

SR: Po, kam takue të ndjerin Imzot Fan S. Noli gjatë festimit të 50 vjetorit të themelimit të Vatrës. Noli mbajti nji fjalim të gjatë. Në fund unë shkova dhe e përshëndeta tue i tregue emnin e babës, Hafis Ibrahim Repishti, deputet i Shkodrës (1923-24). Ai u ngrit nga karrika e më dha dorën e tha: “Qenke djali i mikut tim”! Më pyeti si ishte babai e unë i tregova se kishte vdekë (1943) nga keqpërdorimi i policisë fashiste italiane.

Më çfaqi ngushëllimet e tia. Dukej qartë i shqetësuem.  Më uroi punë të mbarë dhe u largue. Më kujtohet nji fjalë e tij: ”Çdo fjalë e çdo akt ka kohën e vet”!

GM: Më 1968 fitoni nënshtetësinë amerikane. Si e përjetuat?

SR: Kam marrë nënshtetësinë amerikane në Janar 1968. Procedurat për nënshtetësine timen janë  krye shumë shpejt. Në Itali, kam marrë statusin e emigrantit politik mbrenda  24 orëve. Gëzimi ka qenë i madh, por i prekun nga ndjenja e abandonimit të Shqipërisë sime që e deshta gjithmonë me zemër dhe pa interes.

GM: Shumë larg shqiptarëve në trojet e tyre, por në të njëjtën kohë shumë pranë. Keni luajtur një rol vendimtar në krijimin e tri organizatave shqiptare, ‘’Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane’’, ‘’Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë’’’, si dhe ‘’Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan’’. Vetë emërtimet tregojnë shumë, megjithatë ndonjë detaj nuk do të ishte i tepërt, përkundrazi!

SR: Po, kam qenë politikisht aktiv, por asnji herë anëtar i nji partie politike.  Partia për mue ka qenë gjithëherë njilloj mbyllje dhe izolimi dhe nji formë kontrolli i mendimit të lirë.

GM: Ndoshta jeni shqiptari i parë që problematikën e shqiptarëve në ish-Jugosllavi e keni paraqitur në Kongresin Amerikan. Si ndodhi që  u përfshitë në këtë drejtim dhe cfarë veçoni?

SR: Në prill 1965 Kongresi amerikan kërkonte nji shqiptar që të paraqiste problemin shqiptar në Ballkan. Komiteti Shqipëria e Lirë më zgjodhi mue. Unë përfitova me inkludue problemin kosovar në relacionin që paraqita. U ndeshëm pak me disa kongresmenë sepse ata mbrojshin Titon si mik i Amerikës, por unë ngula kambë në pikëpamjen time.

GM: Në vitin 1977 doktoroni pranë Departamentit të Frëngjishtes në ‘’City University of New York’’. Do të ishte kenaqësi sikur të humbisnim në botën e kujtimeve të tua si mësimdhënës në kolegjet dhe universitetet amerikane.

SR: Doktoratin e kam marrë me  sakrifica të mëdha, Ajo që më ndihmoi ka qenë nji bursë studimi nga Qeveria franceze që mundësoi nji vit studime në Paris (La Sorbonne). Për këtë i jam mirënjohës asaj qeverie. Gjatë gjithë qëndrimit tim në SHBA nuk kam pasë asnji ndihmë, publike ose private, veç rrogës së punës sime.

GM: Historikisht amerikanët, Republikanë e Demokratë, na kanë qëndruar pranë, edhe pse gjeografikisht mbi 9 000 kilometra larg. Si e shpjegoni këtë dashuri?

SR: Unë kam gjetë nji dispozicion të favorshëm karshi Shqipërisë që në ditët e para. Ma vonë, si përfaqsues shqiptar i disa orgaznizatave kam gjetë mirëpritje nga autoritetet federale në Washington: n/Presidenti Bush, senatori R. Dole, A. D'Amata, e të kongresmenvet Lantos, Broomfield, DioGuardi etj.

GM: Keni bashkëpunuar me  shkrimtarin dhe publicistin e njohur, Arshi Pipa. Si u njohët dhe kush ishte Pipa për ju?

SR: Me Prof. Arshi Pipën kam qenë shumë afër të gjithë kohën këtu në Amerikë. Kemi organizue Konferencën e parë Ndërkombëtare për Kosovën, 6 nandor 1982, në New York, dhe kemi botue librin ‘Studies on Kosova’ (Columbia U. Press, 1984) me shumë sukses. Prof. Pipa ka qenë pa dyshim nji ndër intelektualët ma të mirë që kam njohë, dhe plotësisht i dedikuem çështjes kosovare. Filozof me njohuni të gjana dhe letrar me nji shije dhe frymë kritike letrare të dorës së parë. Nuk ka qenë anetar i nji partie politike dhe ka kundërshtue egërsisht rregjmin e Tiranës Me vdekjen tij unë kam humbë nji shok të pazëvendsueshëm.

GM: E keni njohur nga afër Dr. Ibrahim Rugovën, këtë shqiptar të rrallë!...

SR: Me Dr. Ibrahim Rugovën  kam pasë lidhje të ngushta dhe e kam ndihmue çdo herë që ka ardhë në Åmerikë, me këshilla mbi gjendjen e Kosovës ashtu si shifej nga

Washingtoni dhe me përkthime kur ka qenë nevoja. Jemi kuptue shumë mirë dhe e kemi çmue këtë bashkëpunim reciprok. Unë e kam admirue për qëndrimin e tij paqësor dhe vendosmënine e tij me kërkue pavarësinë e jo autonominë e gjanë për Kosovën. Për këtë qëndrim më ka akordue Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit  (2003). Ndihma ma e madhe ka qenë veprimtaria ime me hapë zyrën informative amerikane në Prishtinë qe u hap më 1996, akt që parapriu hapjen e Ambasadës amerikane në Prishtinë.

GM: Gjithashtu shkrimtarin tonë të madh, Ismail Kadare…

SR: Me Z. Ismail Kadarenë dhe Zonjën Elena Kadarenë, dy monumente të kulturës shqiptare,  jam takue tri herë, gjatë udhëtimeve të tyne në Amerikë. Ismail Kadare fliste pak,  ishte i interesuem me ditë sa ma shumë dhe kishte për zemër problemin e Kosovës.  E kam ndihmue me përkthim të deklaratavete të tia në New York, sidomos në intervistat me gazetarë amerikanë.

GM: Kishit kontakt me të afërmit në Shqipëri gjatë diktaturës… dhe si ishte gjendja e tyre shoqërore dhe gjendja juaj shpirtërore?

SR: Jo! deri në vitin 1967 (revolucioni kinez në Shqipëri) kam shkëmbye rrallë letra të thjeshta dhe kam ndihmue pak familjen time me dërgesa të hollash. Mbas vitit  1967 nuk kam pasë asnji kontakt. Ne vitin 1980 ka vdekë nana, e une nuk e kam ditë fare deri sa e mora vesht indirekt nga të tjerët. Kjo ndamje e deyrueshme më ka vra shumë.  Kam pasë dhetë të vdekun në familje të ngushtë dhe nuk kam qenë në gjendje me marrë pjesë në varimin e tyne - sikur të kisha gjuejtë Zotin me gur!

GM: Kur u kthyet për herë të parë në Shkodër, Qytetar Nderi i të cilës jeni, dhe si e përjetuat?

SR: Në Shkodër jam kthy në gusht 1992 dhe ka qenë nji eksperiencë e pa përshkrueshme. Që në  aeroport deri në shtëpi, Shkodër, grupe shokësh dhe famijarësh më pritën me lotë në sy mbas 32 vjet mërgimi. Gëzimi im ka qenë i papërshkrueshëm, por menjihere ndjeva mungesën e nanës e të tjerëve që nuk jetojshin ma. U preka shumë nga gjendja e tyne shëndetsore e dobët, dhe nga elementi i frikës që akoma kishin në kockë. Unë bana nji deklaratë me kundërshtu propagandën e elementit komunist që na akuzonte se shkojshim në Shqipëri për hakmarrje. Në atë ditë thashë: “Vij në vendin tim e të parëve të mi me dashuri për të gjithë, dhe me urrejtje për asnjeri!’’. Kjo shprehje ashtë nji përsëritje e Presidentit Abraham Lincoln në fjalën e mbylljes së luftës civile në Amerike. Deklarata bani përshtypje të favoreshme, por për mue ishte parimi i qëndrimit tim mbas shembjes së turpshme të diktaturës komuniste në Shqipëri.

Vazhdon…



(Vota: 237 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora