E premte, 29.03.2024, 03:06 PM (GMT)

Kulturë

Poezi nga Qazim Shehu

E premte, 22.01.2021, 04:00 PM


QAZIM SHEHU

POEZI

FARI

Humbet bregu në mjegull

Por nuk humbet fari.

Ai shndrit si sy i verbër

Për fatin e çdo udhëtari.

Humbet bregu i fjalës në mjegull

Far nuk do poet-shkrimtari,

Përmes errësirës shikon zemrën

Në dritë nuk ndriçon margaritari.

DËSHIRA

Në një skaj ëndrre ti rri

Sikur në ëndërr mos kishe hyrë

E unë mundohem të afroj pranë vetes

Ndërsa,sërish mbetem vetëm.

Sa mbërrij tek ai skaj

Ti largohesh e krijon një largësi tjetër,

I lodhur rrugën nis  sërish

Për të mbërritur aty qoftë edhe me një vertebër.

Pastaj mbetëm i plagosur dyfish

Si në baladën e vjetër…

Prej nga nuk buron asnjë këngë

I gënjyer, kuptoj se në ëndërr  kam qenë

E ti kurrkund je,në një tjetër  nisje.

Sa e gjethëron dëshirën   kjo joshje e fisme.

THELBI

Që ta qëllosh thelbin e përmbysur të marrëzisë

Shpesh më duhet të bëhem Don Kishot,

I mësuar të qëlloj me pambuk, më duhet të kap gurët

Por shenja zhduket.

Gurët lëshoj mbi këmbë

Që të mos eci.

Më mirë kështu, sesa pa shenjën

Se humbas thelbin…

MURI

Hapin hedh të kapërcej murin e pengimit,

Po muri paska rënë nga një rreze e vështrimit.

Që ti ma kishe shtënë.

Pse e mendova murin si pengesë

Tani po më vjen rëndë…

DINAKËRI

Dita me dinakëri mban veshët e ngritur

Të përgjojë çdo dridhje zemre,

Drurët e kujtesës  veshin me pyll

Një sasi të tepruar brenge.

Dhe dita veshët i ul dhe asgjë nuk dëgjon,

As të shtënat e brengave

Në poligonin e zemrës që gufon.

Sa dinake ajo, dëgjon a s`dëgjon?

Kur kujtojmë se na mirëkupt0i

Nata afron…

HUTIM

Dikush më shikon e mendjen s`e kam

Vështrimi i tij përplaset mbi mua

Si rreze e gënjyer në xham.

E unë eci dhe  shkoj  ku më yshtet

Të kap një vështrim me besim.

Dhe jam atje ku s`duhet,

Dhe duhem atje ku s`jam,

Një vërtitje e pakuptuar

Pa menduar se sa dëm çoj

Vështrime të gabuara…

PISHAT E  VOSKOPOJËS

Pishat si mjekra priftërinjsh

E bëjnë të bukur Voskopojën dyfish.

Pranë bujtinave të verdha

Si flakëza qirinjsh, tundur lehtë nga era.

Dhe pishat me një mallëngjim të mërzitshëm,

Mjekra priftërinjsh ende gjelbërojnë,

Mbi këtë rrafsh të mistershëm

Ku natyra qetësinë e vet  hapur dëfren,

Pishat tundin mjekrat në jerm

Vetëm këtu,një  krahasim të plotë për to e gjen….

TUSHEMISHT

Toka ka nxjerr një gisht dhe po e lan në liqen,

Nga një gisht u krijua fshati Tushemisht,

Po të ishte një dorë në krah lumi

Do na e kishin marrë si Shën Naumi…

LASGUSHI

Mjellma e Lasgushit, ngaqë u cilësua dekadente

Erdhi dhe u fsheh nën barsolinën e tij.

Për hir të saj, poeti asnjë varg të ri nuk kërrente

Mjaft kishte shkruar dhe këtë e quante

Si të hidhte qymyr mbi flori.

Dekada, e strehoi mjellmën nën barsolinë

Poeti borgjez që nuk i trembej kësaj fjale,

Për t`u hakmarrë zgjodhi aristokracinë

Se i dhimbsej streha e mjellmës vetmitare…

KRAHËT E DASHURISË

Fryri era dhe më solli krahët e dashurisë si flatra

Krahët e dashurisë, si degët e pemëve në rrugë.

Krahët e dashurisë  nuk janë si krahët e njeriut

Kur njëri ngrihet pa arsye ,tjetri e ul me rrëmbim.

Ato s`pranojnë ulje,

Ose ulen të dy,ose të dy shkojnë në flijim…

ZOGU

Me trokun e imituar nga kuajt në betejë

Rrebeshi ia behu,

Te dritarja erdhi një zog  në rrëzjerë

Ia hapa atë,ai nuk hyri brenda.

Hingëllinin verbërisht tinguj,

Shkonte mendja ime pas tij

Zogu nuk e dinte sa më dhimbsej

Mbase do e dhimbsuronte i serti shi….



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora