E marte, 02.03.2021, 02:15 AM (GMT)

Kulturë

Botohet libri "Qoshet ku fola me veten" i autorit Blerim Rrecaj

E premte, 22.01.2021, 02:57 PM


Në janarin e këtij viti ka dalë në dritë libri "Qoshet ku fola me veten" nga Shtëpia Botuese "Armagedoni"

Libri duket i realizuar mirë nga pamja ideo-estetike, ndërsa për përmbajtjen e tij studiuesi e kritiku Berat Dakaj është shprehur kështu: "Qoshet ku fola me veten, mund t’ju gëzojë a trazojë, thotë autori i tij sepse, shtojmë ne, është shkruar sa autori mbante distancë fizike me njerëz për shkak të pandemisë së virusit me kurorë. Më tutje, nuk është libër i zakonshëm. Është libër i shkruar në kohë të frikës kur njeriu siguri dhe qetësi gjen vetëm në qoshe dhe aty, i izoluar, pa pasur motiv të bisedojë me asnjë njeri jashtë rrethit të familjes, nis të shkruajë për përditshmërinë e vet dhe për ndodhitë që ka parë, që ka dëgjuar e që bëhen lajme brenda dhe jashtë Kosovës gjatë ditës. Rrecaj, ky vrojtues lirik, ky shtegtar qytetesh e parqesh, ka hartuar një hartë poetike, relievin e së cilës e ka mbjellë me miniatura dhe e ka shkelur këmbë, pjesën më të madhe të saj i vetëm, siç do të mund të shihni edhe teksa lexoni poeziminiaturat e tij që janë, njëkohësisht, edhe të lexuesve", thekson Dakaj.

Ndërsa poeti Bekim Muhaxheri shprehet:"Poezitë e Blerimit janë poezi Kosove, të gjitha kanë vende ku kanë lindur, histori frymëzimi e adresa. Dhe ngjyra të ndryshme. Disa mund të jenë të zeza si korbat që autorit i duken se dalin nga tymtarët e KEK-ut, të tjerat janë të gjelbra si shpërthimi i blertë i Gërmisë, ka edhe të kaltra si qielli i verës ose edhe shumëngjyrëshe si lulet tona.

Por Blerimi nga modestia nuk e merr përsipër autorësinë. Thotë se kur i shkroi poezitë vetëm muza kaloi pranë tij", thotë pos tjerash Muhaxheri.

Ky libër i Rrecajt vjen pas librit të tij të parë me vargje e skica "Gjurmë kujtimesh e ngjyra stinësh" dalë në dritë, në marsin e vitit të kaluar, pikërisht atëherë kur filluan masat shtrënguese për shkak të shfaqjes së pandemisë.

Në vend të hyrjes

Ky libër mund t’ju gëzojë a trazojë

Mbase do të jetë farë e hedhur vlere

Që s’është e thënë të zë vend as në krye,

A të digjet mes sheshi a oxhaku,

Por as të hidhet për dritare,

A të fshihet në një qoshe pas dere

Është një rrugëtim jete ku unë jam pjesëmarrës

Ai që shoh dhe ndiej

Dy anët e medaljes së hapave të mi në këtë pjesë gjithësie

Siç mund t’i shihni dhe ndieni edhe ju herë pas here

Sa herë që perin e saj si litarin do ta heq prej qafës

Si shenjë triumfi të përbashkët

Me buzëqeshje fytyrëshpirti

Ndritur nga shkëlqim rrezesh

Ec skaj rrugës së hekurudhës

Ec skaj rrugës së hekurudhës

Asnjë tren tash nuk lëviz

Në largësi shoh ca fëmijë romë

Që gjuajnë me gurë si pa qëllim

Sikur kanë nisur një protestë

Të vrullshme e të dhunshme e me hov

Ecjen skaj hekurudhës e vazhdoj

E dikush brenda binarëve

Si një lloj marathonomaku vrapon

E unë mes këtyre dy pamjeve

Shikoj...

Në taksi

Hip në taksi për të vajtur në qytet

Bëj një copë rrugë dhe shoferi më thotë të zbres

Do t’i marr pesë udhëtarë - studentë

Dal dhe hip në taksinë e radhës

Ndërkohë dikur arrij në qytet

Takohem me dy shokë dhe blejmë libra me lirim

Për nder të 10-vjetorit të pavarësisë

Përsëri hip në një taksi në rrugën për kthim

Në një teposhtëze taksisti e lëshon në “ler”

Ne udhëtarët dhe drejtuesi i automjetit

Flasim edhe ndonjë fjalë meqë heshtja s’na lë rehat

“Bëhet mirë”, thotë dikush

Po dikush thotë “kurrë, kurrë, kurrë…”

(Poezitë nga libri “Qoshet ku fola me veten” botuar nga “Armagedoni”, 2021)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora