E marte, 19.03.2024, 10:08 AM (GMT)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: Ta kujtojmë Ibrahim Rugovën

E enjte, 21.01.2021, 08:32 PM


Ta kujtojmë Ibrahim Rugovën

Nga Ndue Ukaj

Kosova e ligështuar dhe e dërmuar, pa autoritete morale e politike dhe me disa demagogë të rrezikshëm me mendësi ekstremiste që i vërtiten si profetë të rremë, duhet të frymëzohet nga figura shembullore e Ibrahim Rugovës për të tejkaluar sfidat e mëdha që ka përpara. Sepse Rugova e ka shkruar ungjillin politik të shqiptarëve - testamentin e dashurisë politike, për njeriun shqiptar, historinë, kulturën dhe identitetin e tij. Këtë testament - të cilit ai i blatohej - bashkëkombësit e tij duhet ta kenë shujtë të përditshme në tryezën e tyre: Të frymëzohen prej tij dhe të besojnë në të, në mënyrë që të fisnikërohen, t’i mposhtin paudhësitë, prapështitë dhe dokrrat që e karakterizojnë kohën pas tij.

Rugova është krijuesi dhe ndërtuesi i shtetit të Kosovës. Politikani më ditur dhe më normal që ka dalë nga raca shqiptare. Njeriu që i përtëriu dhe i kultivoi si askush aleancat organike me perëndimin dhe që vendosi Kosovën në hartën politike të botës.

Rugova qe politikan i njerëzishëm, aspak megaloman, siç janë soji i tij ndër shqiptarë.

Ai e donte njeriun dhe kujdesej që atë ta mëkonte me ndjenja dashurie, respekti, njerëzie dhe solidariteti. Ai nuk e urrente askë.

Sepse ai ishte i vërtetë dhe  i njerëzishëm.

Ai nuk fliste përçartë dhe me urrejtje për kundërshtarin, por kujdesej, dhe e fisnikëroi gjuhën politike me ndjenja të njerëzishme për njeriun, autoktonen dhe vlerat e fisme universale, kah ecte i palëkundur dhe kah e orientonte popullin e vet i pa tunduar.

Rugova e deshi autoktonen, por e vlerësoi edhe universalen, ato vlerat e fisme të qytetërimit të lirisë dhe të dashurisë perëndimore, për të cilat punoi i palëkundur dhe me tërë qenien.

Ai ishte i ndikuar prej Bogdanit dhe korpusit të autorëve oskdentalë dhe nuk tundohej, nuk lëkundej dhe as nuk joshej prej ideve të tjera.

Në saje të kësaj filozofie, ai e bëri krejt botën e përparuar që ta përqafonte kauzën tonë dhe të ishte me ne. Dhe kështu, sakrifica dhe lufta jonë u shpërblye me lirinë dhe pavarësinë që kemi.

Rugova punoi me pasion për oksidentalizimin e shoqërisë sonë, proces ky që është shëmtuar pas shkuarjes së tij në amshim. Ai këtë e kishte ideal dhe mision. Prandaj, nuk zgjohej si europian, që pastaj ditën ta kalonte si oriental dhe të binte në shtrat si kozmopolit. Ai ishte i vërtetë: Një oksidental shqiptar i thekur në mendime dhe veprime, që gjunjëzohej para Gjergj Kastriotit dhe e kishte udhëheqës shpirtëror Bogdanin dhe kjo e bëri atë të madh dhe të papërsëritshëm.

Prandaj, mallëngjehem sa herë e kujtoj hapin e matur të tij dhe shoh hapat e çorientuar të shumë politikanëve të sotëm zuzarë.

Mallëngjehem, sa herë i dëgjoj ose i lexoj idetë e tij të fisme politike dhe në anën tjetër shoh marrëzitë, dokrrat dhe kukurisjet e politikës shqiptare, të çorientuar dhe pa kurrfarë ideale.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora