E enjte, 25.04.2024, 09:01 PM (GMT+1)

Kulturë

Ismail Kadare: 1 mijë sekretet e çmimit "Nobel"

E hene, 24.11.2008, 02:21 PM


Shkruar nga Alfred Peza

 

E thotë për të disatën herë: Shqiptarët i janë kthyer dhe e duan librin. Shkrimtari i madh Ismail Kadare është entuziazmuar nga ai fluks që ka parë në Panairin e 11-të të Librit në Tiranë, duke mos bërë asnjë ndryshim me panairet ndërkombëtare. Në një intervistë për televizionin “ORA NEWS” Kadare jo vetëm i mëshon fort idesë se interneti nuk e zëvendëson librin, por, sipas tij, lexuesi është njëlloj benzine për letërsinë. Sa për çmimin “Nobel” ai sqaron se nuk e ka përmendur ambasadorin Kokalari, duke shtuar se janë 10 ambasadorë në këtë periudhë në Stokholm. Dhe mbi të gjitha, çmimi “Nobel”, sipas tij, ka një mijë sekrete që duhen orë të tëra për t’i thënë.

Zoti Kadare, Panairi i 11-të i Librit në Shqipëri ndryshe nga panairet e tjerë ka pasur një lloj hopi, një lloj rritjeje të numrit të vizitorëve, por mbi të gjitha për rritjen në blerjen e librit, a është ky një afrim i shqiptarëve drejt librit pas një periudhe tranzicioni dhe pauze apo është diçka tjetër?

Mendoj se jo, s’ka shpjegim tjetër, është një lajm i gëzuar dhe  dihet kjo, që njerëzit, se u hap një farë mitologjie që njerëzit nuk duan më të lexojnë, sepse shkojnë këtu, shkojnë atje. Ky është një avaz i njohur në të gjithë Evropën, por njerëzit gjithmonë lexojnë, megjithatë dhe gjithmonë duan të kenë libra të mirë të lexojnë dhe këtë po e tregojnë hapur, dhe janë shitje besoj kolosale, mbi 150 mijë libra, nuk janë pak. Panairi rrezaton më vonë, krijon publicitet për librin, krijon atmosferën e librit, krijon romantikën e librit. Kështu është shumë e gëzueshme, kaq të gjalla janë edhe panairet ndërkombëtare, s’ka më tepër njerëz.

A mund ta zëvendësojë ndonjëherë interneti librin?         

Është një kulturë intime që shijohet në vetmi, njeriu ka nevojë për këtë, ka veçantinë e saj, që është e pazëvendësueshme nga asgjë, fakti që gjithmonë e më tepër botohen libra, gjithmonë  e më tepër botohen romane, gjithmonë e më tepër letërsi, kështu që ai alarm është pak ndoshta i tepruar, është bërë modë të thuhet që do mbarojë libri, ne jemi mësuar mbaroi kjo, mbaroi ajo, të gjitha na mbarojnë, e pastaj del që nuk mbarohen.

Ka të bëjë me nostalgjinë që ne kemi për atë që ne lëmë pas, por kjo do të thotë që edhe letërsia shqiptare vetë do të ketë një lloj zgjimi pas 18 vitesh dhe me afrimin e lexuesve shqiptarë te libri?

Sigurisht. Lexuesi është një benzinë, po të bëjmë krahasime banale për letërsinë, është një lloj karburanti që e ushqen dhe sa do që ka shkrimtarë që thonë unë s’kam nevojë, do shkruajë për vete, ose për një elitë, në fakt të gjithë e duan lexuesin, lexuesi është makina që vë në lëvizje atë pjesën e tij në lëvizjen e letërsisë. Kështu që rikthimi i librit do ndikojë në zhvillimin e letërsisë se s’bën, janë ligje të pashmangshme.
Leximi i librit dhe afrimi i njerëzve te kultura, te letërsia, a do ndikojë te disa vlera tonat, ne kemi një krizë modelesh...
Letërsia, libri është e njëjta gjë pak a shumë, flasim për librin letrar, krijon një botë paralele, krijon një model paralel të botës, i cili korrigjon botën që na është bërë disa herë e mërzitshme me problemet e saj, me ato që nuk zgjidhen, me mërzitë e saj, me padrejtësitë e saj, qoftë edhe me bukurinë e saj, libri krijon një botë tjetër, i cili ka edhe mërzi, edhe bukuri, edhe tragjedi, po që janë paralele, dhe ato janë gjithmonë si një referencë shumë e dobishme, nuk është puna për një referencë moralizonte, por është një referencë shumë e thellë, shumë e thellë, e cila bëhet e pranishme në jetën tonë dhe ne nuk i shmangemi dot.

Ju shikoni një lloj krize morale në përgjithësi në shoqëri?

Më duket që e shikon çdo njeri.

Konkretisht?

Absolutisht ka krizë morale.

Ku mund të shikohet në mënyrë më tipike?

Në gjithçka, për fat të keq, është një krizë morale që duhet të kapërcehet patjetër.

Si mund të kapërcehet?

Duhet të kapërcehet ngadalë, vetvetiu, gjithë shoqëria do të vendosë në lëvizje mekanizmat e saj për ta kapërcyer. Është shumë e vështirë ta përcaktosh në mënyrë pragmatike të logjikshme, janë një sërë faktorësh që punojnë paralelisht, krijojnë një ekuilibër të ri të botës dhe ato do të ndihmojnë për këtë gjë.

Po klasa politike duhet të ndihmojë, mund ta ngadalësojë?

Duhet të ndihmojë, absolutisht, klasa politike, shteti, mekanizmat shtetërore, rrjeti i bibliotekave, është absolut në këtë gjë, rrjeti i librarive. Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që nuk ka një rrejt të denjë librarish, ka librari, por i ka ende në një stad në gjendje primitive, bibliotekat i ka në gjendje të vajtueshme, është turp për vendin tonë të ketë një rrejt bibliotekash kaq të varfër dhe kaq jo efikas.

Ka disa modele në botën e qytetëruar për zhvillimin, ka modele që vijnë nga kultura, nga rrjeti i librarive dhe i shkollimeve, por ka edhe modele të dorës së fortë të tolerancës zero, ju jeni për të parën apo për të dytën?

Në kulturë nuk ka tolerancë zero.

Në kuptimin e zhvillimit të shoqërisë, mund të zhvillohet nëpërmjet kulturës, mund të vijë një lloj vlere tjetër nga ajo që është më pozitive në të gjithë shoqërinë, që të tejkalohet kjo krizë shpirtërore apo nëpërmjet...

Kultura ka efektin më afatgjatë, por më të sigurt nga të gjitha. Por ajo sigurisht duhet shoqëruar shpeshherë me masa shtetërore administrative, kështu ndodh në të gjitha vendet e qytetëruara, nuk është thyerje për kulturën që t’i nënshtrohet disa ligjeve të shoqërisë, madje edhe të tregut.

Është hapur një debat ditët e fundit në lidhje me çmimin “Nobel”, që zakonisht keni qenë prej 15-20 vitesh i nominuar, por nuk keni arritur ta merreni, nga Gjirokastra, ku ishit, ju deklaruat që një ambasador i Shqipërisë në Suedi ka penguar, ndërkohë, që ky ambasador, Bardhyl Kokalari ka deklaruar sot se nuk ka asnjë lidhje me këtë histori dhe as nuk ju njeh fare, në kuptimin që ju ka takuar...

Këtë ambasador as unë nuk  e njoh fare dhe nuk e kam takuar kurrë. Unë nuk ia kam përmendur një herë emrin fare, është shpikje, nuk e di kush e ka bërë atë shpikje, as emër, madje nuk kam përmendur  as fjalën  çmim “Nobel”, as Suedinë biles s’e kam përmendur, është e gjitha një bisedë intime me lexuesit, dikush ka pyetur a pengon, a ndihmon, kam thënë nuk loz një rol të madh shteti. Po tregoja për një rast të një ambasadori, kaq qe vetëm. Kjo është dramatizuar në mënyrë artificiale për punë përfitimi, sensacion në shtyp, asgjë tjetër. Prandaj edhe deklarata e tij tepër e ngutur, e nxituar, kur ti nuk e zë në gojë, në Suedi mund të ketë pasur mbi dhjetë ambasadorë të ngarkuar. Unë s’ia zura fare në gojë emrin këtij ambasadori, nuk ka të drejtë askush të marrë mbi vete një gjë kur nuk ka emër.

Realisht ka pasur ndonjë histori kur ndonjë ambasador mund të ketë penguar?

Po, ka pasur. Jo një, por dy-tri mund të ketë pasur që kanë folur kundër shkrimtarëve shqiptarë, është krejt normale, është një gjë e njohur, nuk është normale, por anormale si i thonë. Dukuri, por e njohur që zyrtarë shqiptarë shpesh kanë marrë nëpër gojë për keq shkrimtarë shqiptarë, s’ka për t’u habitur asgjë këtu.
A mundet dot që një ambasador i Shqipërisë të pengojë me qëndrimet e tij?
Jo, nuk mund të pengojë, shumë vështirë, mund të ndikojë për keq, si çdo thashetheme mund të ndikojë për keq. Një ambasador mund të japë dezinformim për një shkrimtar edhe kur ndodhet në një vend të huaj.

Por atmosfera jashtë letrare ndikon në marrjen e çmimit “Nobel”?

Çmimi “Nobel” ka 1 mijë sekrete, nuk i di asnjeri, mund të bisedojmë pesë orë dhe nuk themi asgjë nga ajo që është e vërteta.

Është një lloj kodi..

Absolutisht.

Një kod që ka gjithë sekretet e tij, asnjë ambasador nuk mund të ndikojë në këtë gjë apo...?

Mund të ndikojë në shtyp, mund të ndikojë, fare-fare tërthorazi, por jo direkt.

Në atmosferën që mund të krijohet?

Varet çfarë thotë, në qoftë se ai flet në emër të një qeverie që quhet demokratike dhe thotë një shpifje për një shkrimtar, sigurisht mund të përhapë një dezinformim të dëmshëm. Sa ndikon, varet. Ju thashë,  që nuk kam përmendur një rast, këtë rastin konkret, kjo është një gjë e fryrë, siç ndodh shpesh në median tonë. Është një bisedë që unë kam bërë me lexuesit e Gjirokastrës. Më është bërë një pyetje, i kam dhënë një përgjigje dhe ajo është fryrë e stërfryrë në media.

Në thelb nuk është e vërteta ajo që u është atribuuar ju në lidhje me këtë rast?  

Është krejtësisht e vërtetë që ka pasur zyrtarë të tillë dhe ambasadorë, krejtësisht e vërtetë, përderisa nuk kam thënë emra, s’ka askush të drejtë të ankohet me emër, si e thatë ju emrin?...

Bardhyl Kokalari..

Ç’të drejtë ka të ankohet, s’e njoh fare.

Ndoshta mund të ketë qenë i vetmi nga Gjirokastra...

Jo, ka pasur disa ambasadorë nga Gjirokastra, pikërisht në Suedi, së paku tre njoh unë, këtë s’e njoh.

Po kjo kultura e shpifjes dhe manipulimit, ku edhe përfaqësuesit e Shqipërisë zyrtare marrin pjesë, ku i ka rrënjët?

Në shpifje marrin pjesë të gjithë jo vetëm zyrtarët shqiptarë, por mund të jenë edhe zyrtarë të huaj.

Është një sport ndërkombëtar?  

Absolutisht.

Edhe shumë popullor..

Po. shumë popullor, si sport.

A jeni optimist që mund të ketë dikur një mekanizëm moral, por në përgjithësi edhe një mekanizëm etik shoqëria që mos ketë të tillë përfaqësues ose të tillë njerëz që përhapin këto helme dhe thashetheme, baltosje?


Moraliteti i një shoqërie rritet në mënyrë paralele në të gjitha shtresat, në të gjitha zonat e kulturës, të shoqërisë, nuk mund të pritet që kjo zonë të rregullohet, pa u ngritur gjithë niveli kulturor i vendit. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora