E premte, 19.04.2024, 11:02 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

13 grabitjet e bankave në Shqipëri. Nga viti ‘93 në Vlorë deri dje, në Tiranë

E shtune, 22.11.2008, 01:51 AM


Shkruar nga Etleva Delia  

 

Historia e grabitjeve të bankave në Shqipëri ka nisur më 29 janar të vitit 1993, atëherë kur anëtarët e "Hakmarrjes për Drejtësi" grabitën Bankën e Kursimeve në Tiranë. Kjo ishte vjedhja më e bujshme dhe e para që iu faturua kësaj organizate dhe ishte organizuar nga vëllezërit Laert dhe Orik Shyti. Në 15 vjet, në të gjithë vendin janë grabitur me maska dhe armë të paktën 13 banka dhe shumica e autorëve të tyre janë arrestuar, dhe janë përballur me ligjin.

Padyshim grabitja më spektakolare ka qenë ajo e bankës së Tropojës, ku u arrit që të tërhiqej kasaforta metalike me anë të një vinçi dhe në brendësi të saj ishin 800 milionë lekë të vjetra. Gazeta "Tirana Observer" boton të gjitha grabitjet e bankave që kanë ndodhur prej vitit 1993 e deri dje, ku u grabit filiali i "Raiffeisen Bank" në Tiranë.

 

Grabitjet

 

Starti i grabitjes së bankave në Shqipëri daton në vitin 1993, në Tiranë, nga "Hakmarrja për Drejtësi" dhe të paktën sot për sot mbyllet me filialin e "Raiffeisen Bank" në Tiranë që u grabit dje. Bumin e grabitjeve bankat e pësuan pas vitit të trazirave 1997, ku u vodhën dhe u plaçkitën pothuajse të gjitha institucionet. Por grabitja më spektakolare u realizua në Tropojë. Pa u mbushur ende dy muaj nga "Vrasja e Shekullit", një tjetër ngjarje tronditi Tropojën dhe la pa mend Tiranën. Mesnatën e 29 tetorit 1998, një grup i madh personash të armatosur, grabitën për herë të dytë brenda 10 muajve, Bankën e Kursimeve në Tropojë. Por këtë radhë grabitja ishte më spektakolare dhe shuma e përfituar më e majme. Pas grabitjes së janarit, Banka e Kursimeve kishte ndërtuar një ambient të ri, këtë radhë më të betonuar dhe shumë më të sigurt se herën e parë. Së paku kasaforta e re e Bankës së Kursimeve në Bajram Curri ishte nga më të sigurtat në vend. Por grabitësit që rezultojnë të jenë e njëjta dorë si në rastin e parë, e kishin marrë parasysh këtë fakt. Nëse përdornin eksploziv për të hapur kasafortën, duhej një sasi aq e madhe sa rrezikonte të rrafshonte përtokë jo vetëm godinën katërkatëshe, ku ishte vendosur banka, por dhe pallatet pesëkatëshe rreth saj. Për t'i bërë derman sigurisë së kasafortës, grabitësit kishin menduar një plan origjinal. Ata morën në mes të natës me forcën e armëve, drejtuesin e një vinçi të tonazhit të rëndë, i vetmi i atij lloji që ndodhej në rrethin e Tropojës.

 

Skemat e grabitjeve

 

Përgjithësisht për grabitjen e bankave është përdorur skema klasike, ajo e vjedhjes me maska dhe armë. Persona të maskuar kokë e këmbë dhe të armatosur futen në filialet e bankave dhe duke kërcënuar rojet e sigurisë dhe punonjësit i detyrojnë që t'i mbushin çantat e tyre me të gjithë shumën e parave që ndodhet në arka dhe më pas largohen. Përjashtim bën vetëm rasti i grabitjes së Bankës së Kursimeve në Tropojë, ku kasaforta me gjithë paratë u tërhoq me vinç. Gjithashtu edhe i Kejdi Kotes, i cili realizoi vjedhjen e Bankës së Kursimeve në Tiranë me anë të një çeku të falsifikuar. Në shumicën e rasteve autorët e grabitjeve janë identifikuar nga kamerat e sigurisë që ndodhen në banka, por ka pasur edhe raste që ata nuk janë arrestuar.

 

Bankat e grabitura

 

29 janar 1993

Vjedhja e parë e bujshme që i është faturuar grupit të ashtuquajtur “Hakmarrja për Drejtësi”, nga ka marrë dhe emrin dosja, i përket Bankës së Kursimeve Tiranë, në bulevardin “Zogu i Parë”. Në këtë ngjarje sipas hetimeve ka qenë i përfshirë edhe Laert Shyti, kurse organizator identifikohet vëllai i tij, Oriku.

 

Mars 1997

Trazirave të vitit 1997 nuk u shpëtoi pa u grabitur dhe plaçkitur asnjë institucion. Në këtë mënyrë nuk i shpëtuan as bankat, madje ato ishin të parat që u bënë objekte sulmi nga bandat e kohës. Një nga këto banka ishte edhe Banka Kombëtare Tregtare e Vlorës, e cila u grabit nga turmat e hajdutëve.

 

29 tetor 1998

Mesnatën e 29 tetorit 1998, një grup i madh personash të armatosur, grabitën për herë të dytë brenda 10 muajve Bankën e Kursimeve në Tropojë. Por këtë radhë grabitja ishte më spektakolare dhe shuma e përfituar më e majme, rreth 800 milionë lekë të vjetra. Kasaforta u tërhoq me një vinç të tonazhit të lartë.

 

25 mars 2000

Kejdi Kote vjedh 250 milionë lekë me anë të një çeku të falsifikuar në Bankën e Kursimeve në bulevardin “Zogu i Parë”. Ai u cilësua si supermashtruesi dhe falsifikatori që s’ishte njohur ndonjëherë në vend. Gjithçka ndodhi brenda pak ditësh, në një nga agjencitë e Bankës së Kursimeve në kryeqytet. Kote u dënua me 11 vjet burg.

 

23 gusht 2002

Altin Aliaj bashkë me dy ose tre shokë të tij, rreth orës 09:30, vjedhin Bankën Kombëtare Tregtare të Vlorës, me armë në dorë. Milionat e grabitura u përdorën nga autorët për blerjen e një lokali që më pas është kthyer në disko dhe të një hyrjeje pallati, pronar i së cilës ishte Altin Aliaj.

 

7 gusht 2003

Dy të rinj nga qyteti i Burrelit, pasi arrijnë në Kamzë vendosin të grabisin filialin e “Wester Union”-it që ndodhej në atë zonë. Ata futen brenda ndërtesës të armatosur dhe me maska, dhe arrijnë të marrin nga aty me kërcënimin e armëve një shumë të majme parash dhe largohen nga vendi i ngjarjes.

 

18 korrik 2003

Një i ri nga Tiranë tenton të grabisë “Wester Union”-in tek ish-”Blloku”. Arrin të plagosë punonjësen, por nuk arrin t’i marrë paratë. Ai identifikohet shumë shpejt nga dëshmitarët që ishin të pranishëm në vendin e ngjarjes. Punonjësit lajmërojnë policinë dhe pas disa orësh ai përfundon në pranga.

 

6 maj 2004

Dy persona grabisin 25 mijë euro në një pikë të “Wester Union”-it, në Rrugën e Kavajës, përballë Kishës Ortodokse në kryeqytet. Dy të rinjtë u arrestuan shumë shpejt nga policia, pasi u lajmëruan nga punonjësit, të cilët bënë edhe përshkrimin e autorëve që kishin arritur të kryenin grabitjen.

 

2 gusht 2004

Alban e Ermal Daja tentojnë të vjedhin një nga punonjësit “Vodafone”, 7 milionë lekë të rinj. Arrestohen nga dy roje private të “Alpha Bank” dhe “Tirana Bank”. Duke qenë se bankat ishin afër, arrijnë të lajmërojnë edhe Policinë e Rendit dhe ata përfundojnë në qeli.

 

28 shkurt 2004

Grabitet njësia Nr.4 e Bankës së Kursimeve. Autorët e saj kanë qenë punonjëset që punonin në këtë filial dhe shuma ka qenë afërsisht 2 miliardë lekë të vjetra. Denoncimet e drejtuesve të bankës kanë bërë që policia të bjerë shumë shpejt në gjurmët e tyre dhe ata të arrestohen.

 

20 qershor 2008

Një i ri me maska dhe me pistoletë është futur në filialin e bankës “Raiffeisen” dhe nën kërcënimin e armës ka arritur të vjedhë 300 mijë lekë të rinj. Ngjarja ka ndodhur në filialin pranë sheshit “Rilindja” në Tiranë. Kamerat e sigurisë së bankës e kanë “tradhtuar” dhe më pas është bërë arrestimi i tij.

 

1 gusht 2008

Tre persona të armatosur e me maska kanë grabitur filialin e “NBG Bank” në Tiranë. Ngjarja ndodhi në autostradë, kur persona të armatosur kanë hyrë në ambientet e brendshme të bankës dhe kanë kryer grabitjen në kërcënimin e armëve, rreth 30 mijë euro. Brenda pak ditësh policia ka arritur të arrestojë të tre autorët.

 

Maskat vjedhin 500 mijë lekë në "Raiffeisen Bank"

 

Një filial i "Raiffeisen Bank" në Tiranë është grabitur dje me armë dhe maska, afër zonës së Unazës, tek rruga "Bardhyl". Një person i maskuar dhe me një pistoletë në brez është futur duke kërcënuar rojet e bankës dhe është drejtuar tek sporteli, duke kërkuar paratë. Që të ishte më bindës ndaj sportelistëve dhe të arrinte të përmbushte me sukses "misionin" e tij, grabitësi ka qëlluar një herë në ajër me pistoletë dhe në këtë mënyrë ka urdhëruar që t'i mbushnin çantën me para. Pasi ka marrë të gjitha paratë që ndodheshin në sportel në ato momente, të paktën 500 mijë lekë të rinj, i riu është larguar dhe është futur me shpejtësi nëpër rrugica për të humbur gjurmët.

 

Grabitja

 

Ora shënonte 14:10, kur në filialin e "Raiffeisen Bank", pranë Unazës në rrugën "Bardhyl", ka hyrë një person i maskuar dhe me pistoletë. Ai është drejtuar nga punonjësit e arkës së bankës duke e kërcënuar me armë. Nëse nuk i jepnin të gjitha paratë që ndodheshin në arkë, ai do të qëllonte. Këto kanë qenë fjalët që i riu ka arritur të bindë arkëtaren, e cila i ka mbushur me shpejtësi trastën që grabitësi mbante me vete, me të gjitha paratë që ndodheshin aty. Sipas policisë, dyshohet se në arkë ndodheshin rreth 500 mijë lekë të rinj. Pasi ka realizuar pjesën e parë të "misionit" të tij, i riu është nisur për të dalë nga banka duke e mbajtur pistoletën të drejtuar nga punonjësit, në mënyrë që ata të mos arrinin të lajmëronin policinë. Më pas është larguar, duke menduar se gjithçka e kishte realizuar me sukses.

 

Verifikimi

 

Autori i grabitjes me armë zjarri në kryeqytet është një person në moshë të re, me trup të vogël dhe besohet të jetë i ardhur në Tiranë. Këto janë të dhënat e para nga grupi hetimor në vendin e ngjarjes. Zyrtarisht policia tha se kamerat që gjenden në filialin e bankës, nuk kanë arritur të identifikojnë autorin, pasi ai ishte maskuar. Në të vërtetë, sipas dëshmitarëve në vendngjarje dhe punonjësve të filialit bankar, autori e kishte mbuluar fytyrën e tij me një bluzë golf, duke u përpjekur që të mos identifikohej nga askush. Skena e grabitjes ka qenë ajo klasike që rëndom ndodh në bankat e vendeve të ndryshme evropiane, sidomos në fqinjin tonë, Greqi. Autori me pistoletë në brez ka hyrë në filialin e bankës tek rruga "Bardhyl", buzë Unazës, pak minuta para se dega të mbyllte orarin zyrtar të punës dhe i është afruar sportelit më afër derës. Ka qëlluar një herë në ajër duke bërtitur se kjo ishte një grabitje dhe të gjitha lekët që gjendeshin duhet t'i jepeshin. Dy gratë që gjendeshin tek dy sportelet e filialit bankar, nuk e kanë bërë të gjatë. Paratë që kishin në kasë, kryesisht lekë shqiptare, ia kanë zgjatur personit të maskuar, i cili pasi i mori me një qeskë, doli nga dera e bankës dhe u zhduk në pjesën e sipërme të qytetit. Burime nga policia bënë të ditur se dyshohet se 500 mijë lekë të rinj ishte shuma që u grabit nga personi i maskuar. Gjithsesi, pritet që në orët në vazhdim, policia e Tiranës të dalë me një qëndrim zyrtar lidhur me ngjarjen dhe rezultatet e hetimeve dhe kërkimit. Kjo është hera e dytë që grabitet një filial i "Raiffeisen Bank" në kryeqytet. Një tjetër filial i kësaj banke, tek sheshi "Rilindja", u grabit në qershor të këtij viti, ku u vodhën rreth 300 mijë lekë të rinj. 

 

FAKTE NGA NGJARJA

 

¨    Një person me maska dhe armë është futur në filialin e bankës "Raiffeisen" dje në orën 14:10, në rrugën "Bardhyl" në kryeqytet.

 

¨    Nën kërcënimin e pistoletës ai i është drejtuar punonjëses së arkës, duke i kërkuar që t'i dorëzonte të gjitha paratë që ndodheshin aty, në të kundërt do ta qëllonte.

 

¨    Ai ka qëlluar një herë në ajër me pistoletë dhe në këtë formë duket se ia ka mbushur mendjen punonjëse që t'i jepte paratë.

 

¨    Ajo është ndjerë e kërcënuar dhe i ka mbushur çantën me të gjitha paratë që ndodheshin në arkë, që sipas policisë, kapnin vlerën 500 mijë lekë të rinj.

 

¨    Pasi ka marrë paratë ai është larguar dhe punonjësit e sigurisë kanë lajmëruar menjëherë policinë.

 

¨    Identifikimi i tij ka qenë i pamundur, pasi kamerat e sigurisë nuk kanë arritur që ta fokusonin qartë.

 

¨    Edhe dëshmitë e punonjësve të bankës dhe të dëshmitarëve që kanë qenë në vendngjarje nuk kanë qenë të mjaftueshme për policinë.

 

¨    Aktualisht policia ka në dorë vetëm një identikit të autorit dhe tashmë ai është shpallur në kërkim.

 

Identikiti i autorit të grabitjes

 

Grupi hetimor që po merret me hetimin e grabitjes së filialit të "Raiffeisen Bank" në Tiranë, ende nuk ka arritur të identifikojë autorin edhe pse ka pyetur me radhë të gjithë dëshmitarët që kanë qenë në vendngjarje dhe punonjësit e bankës. Kjo ka qenë e vështirë, pasi edhe kamerat e sigurisë në bankë nuk kanë arritur të fokusojnë plotësisht personin që është futur për të grabitur. Autori i grabitjes me armë zjarri në kryeqytet është një person në moshë të re, me trup të vogël dhe besohet të jetë i ardhur në Tiranë. Këto janë të dhënat e para nga grupi hetimor në vendin e ngjarjes. Zyrtarisht policia tha se kamerat që gjenden në filialin e bankës nuk kanë arritur të identifikojnë autorin, pasi ai ishte maskuar. Në të vërtetë, sipas dëshmitarëve në vendngjarje dhe punonjësve të filialit bankar, autori e kishte mbuluar fytyrën e tij me një bluzë golf duke u përpjekur që të mos identifikohej nga askush.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora