Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kostandin Vogli: Kristo Çipa dhe Piluri

| E hene, 18.01.2021, 11:54 AM |


Kristo Çipa dhe Piluri

Mbi vëllimin poetik “Vesha mjegullën e hollë”

Nga Kostandin Vogli

Kushdo që kalon nëpër rrugën nacionale për në Vlorë, pa hyrë në Himarë, aty ku fillon ngjitjen rruga malore për në fshatin Pilur, udhëtarët kuriozë ngrenë sytë lart për të parë aty në një qafë mali të të vazzhdimit të malit të Çikës së Akrokerauneve, ku dallohen nëpër mjegull disa shtëpi fshati të bardha. Vetiu u lind kureshtja se për çfarë arsyeje banorët e atij fshati janë vendosur në atë lartësi malesh. Nga qielli kanë zbritur apo vetë Zoti i ka vendosur me dorë, pasi i krijoi si njerëz të veçantë? Pyetjet nisin të rrjedhin si përrenjtë malorë: Nga kanë ardhur? Për ç’arsye kanë ardhur dhe janë vendosur aty, te shkallët e reve për tu ngjitur për në portën qiellore? Sa kohë kanë që jetojnë  në atë majë mali, apo kanë lindur bashkë me malin që pa ardhur deti?

Dhe pas ortekut të pyetjeve pa përgjigje, konkludon se ata banorë, në vend që të pikëllohen me këtë vendbanim të veçuar majë malit, aty ku nisin përrenjtë, vendbanim drejt të cilit edhe zogjtë kanë ndroje që të fluturojnë, ata, banorët në vend që të trishtohen me këtë vështirësi jete, u duken çdo ditë e më të bukura. Fërshëllima e erës u duket si këngë perëndish, hëna që zbret nëpër shkallët e reve dhe qëndron nëpër dritaret, nga sodisin rrugën dhe detin ëndrat e vashave, ikën e drojtur nga bukuria e tyre dhe e ëndrave që shohin. Dhe kur në netët e majit a të prillit dëgjon së largu këngët e tyre, zbret me nxitin nga retë dhe, pasi fshihet pas degëve të lisave sheh me bisht të syrit djemtë e vajzat të ulur rreth një zjarri dhë dëgjon këngët e tyre. Aty e kupton pse perëndia i ka për zemër banorët e këtij fshati dhe u ka falur talente të shumta, por sidomos këngën dhe poezinë.

Që pilurjotët janë të gjithë këngëtarë të përsosur, besoj se e kini kuptuar me kohë, por unë dua t’ju them se ata janë dhe poetë origjinalë, si askush tjetër. Bejtet, këngët e vajet, si të pikura nga qielli, kanë shekuj që janë bërë pjesë e jetës së tyre, bashkëbanorë të fshatit të tyre. Nuk ka ngjarje, ndodhi a luftë, dasëm a vdekje, grindje apo sherr, dashuri apo krushqi që të mos jetë gdhëndur në kujtesën e vargjeve të tyre. Jo vetëm që është gdhendur në vargje, por është gdhëndur në mënyrën më të bukur të mundëshme, më konçize dhe më filozofike. Kjo ndoshta është arsyeja pse ato kanë një jetë të gjatë dhe arsyeja pse Piluri ka kaqë shumë këngë e bejte, vaje e ligjërime. Duke qëmtuar mbi këto krijime, në Pilur u formësua një shkollë më vete poetike me një art që rrezëllen në dritën e kulturës si floriri në dritën e diellit. Mund të flasësh me net të tëra për poezinë e Lefter Çipës, Aristidh Çipës, Akri Çipës, Fredi S. Mërkurit dhe të kërkosh lidhjen e poezisë së tyre me krijimet e  Mërkur Mërkurit, Kozma Mërkurit, Marë Priftes, Kostë Gërdhuqit etj, por unë doja të ndalesha te poezitë e Kristo Çipës të botuara te përm,bledhja e tij poetike me titullin metaforik “Vesha mjegullën e hollë”. Te Kristo Çipa edhe mjegulla pritet, qepet e vishet si këmishë. Është këndvështrimi pilurjot i fenomeneve natyrore që metaforizohen në poezi, aq natyrshëm dhe aq bukur thua se është një këmishë me numërin dhe qepjen e duhur. Duke lexuar poezitë e Kristo Çipës të krijohet përshtypja se perënditë e kanë patur fronin, te rrapi i Pilurit. Për këtë arsye e kanë patur kaq shumë merak Pilurit, vendin ku edhe në gur mbin lulja- thotë Kristo Çipa. Aty ku balli i pilurjotëve retë i ul si shami deri mbi vetull, aty ku retë prehen nëpër ballkone. E ku do prehen retë më mirë se në mallet Akrokeraune?

Pilurjotët ilaç kanë patur vetëm lirinë të cilën e kërkonin kudo e kurdoherë me një pamje “vetull nevrik”. Janë si zgalemi që sullen mbi det duke marrë vrull nga maja e maleve. Madje edhe vajzat e bukura shikimin e kanë “si thikë”që  të therr shpirtin, ndaj poeti i quan “shikim sertat”, por ndërkohë buzëqeshjen e kanë të “bukur mëndafsh” dhe shpirtin “blerim që jeshilon”, ato që të “krehin me qerpik”, dhe “me sy ndezin dy zjarre”, që “krehin krenarinë” dhe kur të kalojnë pranë, të “ngjall si vesa barin e njomë”.

Është karakteristikë se poezitë e Kristo Çipës, ndërsa  janë poezi që “pinë ujë në artin gojor” shqiptar ato flasin nëpërmjet metaforave. Karakteristikë e metaforave të tij janë shumësia e tyre. Në këtë libër janë mbi 360 metafora, njëra më e bukur se tjetra, një numër kaq i madh sa që nuk e has në asnjë libër tjetër poetik. Metaforat e Kristo Çipës janë bija të botës pilurjote, të krijuara tepër  natyrëshëm, të kuptueshmë gjer në nëkuptim, të thjeshta gjer në befasim. Pikërisht për këto tre arsye ky libër  poetik i Kristo Çipës, veç vlerave të tjera poetike, shërben edhe si një “shkollë” për të mësuar artin e krijimit të metaforave në poezi. Nuk e di pse vetë fshati Pilur më duket si një metaforë më vete. Vetë historia e tij, banorët e tij, luftërat(kanë qerasur edhe vdekjen thotë poeti), trimëria e tyre (kanë shëruar plagët me thikë të skuqur), djemtë si luanë vajzat si zorkadhe (Ç’u poqëm ballë për ballë/ Si zorkadhja me luanë) nuk mund të tregohen veçse me këngë epike dhe me vargje metaforike.

Madje duke lexuar këtë vëllim poetik, edhe vetë Kristo Çipa më duket si i dalur nga metaforat, fjalë dhe gërma të të cilave i varen mbi supe, si gjethe rrapi të rrëzuara nga vjeshta.

Sarandë, më 16.01.22021