Faleminderit
Anton Berisha: Dëshmi për Imzot Mark Sopin
E premte, 15.01.2021, 04:21 PM
DËSHMI PĒR IMZOT MARK SOPIN
Kumtesa ime në Akademinë Solemne të Rivarrimit
“Dhe
kur këmbët tuaja do të jenë lodhur, ecni me zemër.” – ishte porosia e Papa Gjon Palit të Dytë, të cilën
ipeshkvi i Tij, imzot Mark Sopi e dëshmonte me jetë, një ditë me diell, mu
në qendër të Prishtinës, tue inagurue themelin e Katedralës, në 5 shtatorin e vjetit 2005. Këmbëzbathur
e këmbëenjtur prelati shqiptar së bashku me dr. Ibrahim Rugovën, të dytë
ecnin me zemër për të vënë
gurin, sic e thanë , në tokën e rrënjëve arbnore krishtere në kushtim të
gruas madhështore shqiptare, Nënë Tereza.
Kjo
ecje, në këto troje ilirio-dardane datonte që nga Shën Pali, e do të
vazhdoj me prelatët e mëdhënjë Buzukun, Budin, Bardhin, Bogdanin, Fishtën,
Harapin, Prenushin, për të mbërri të Sopi, që tërë jetën e tyre punuan
për “Atme e Fe”.
Tue
qenë pasardhës i familjes martire dhe anëtar i Kishës martire, imzot Sopi
që nga shugurimi për meshtar në Romë, në vjetin 1968, e dinte mirë se
rruga e tij ishte nderimi i të parëve dhe ndjekja e gjurmës nga lashtësia.
Në
rrugëtimin e tij meshtarak, takohemi në shërbimet e tij baritore në
Zllakuqan, njëra ndër famullitë më të mëdha në atë kohë në Kosovë,
me kontributin e jashtëzakonshëm të tij në raport me popullatën, në një
mjedis heterogjen si nga pikëpamja etnike ashtu edhe fetare. Maturia, kujdesi,
karakteri i fortë dhe njohuritë e thella të tij, si fetare ashtu edhe të
traditës, mundësuan që ndonëse në sistemin e atëhershëm komunist, të
tejkalohen pengesat në mënyrë që të ruhet substanca, si dhe shqiptarët
katolikë të marrin shërbimet e kishës dhe të plotësohet jeta e tyre
shpirtërore. Ai, arriti që të zgjerojë famullinë e Zllakuqanit me dy të
tjera, të Klinës dhe Budisalcit. Bashkëpunimi dhe veprimi i tij me të
gjithë, e në mënyrë të vecantë me familjen time në atë kohë, të
rrëfyera nga axha im Gjergj Berisha dhe vet imzot Sopi, bartin në vete
virtytet e larta, përkushtimin për Zotin e njerëzit.
Imzot
Sopi tue qenë intelektual i mirëfilltë, nuk do të kufizohet në shkrime dhe
vështrime por do të jetë aktiv dhe pjesëmarrës në ngjarjet e kohës,
sidomos në zhvillimet e mëdha pas rëniesë së Murit të Berlinit, që ishte
sinonimi i ndarjes së botës së lirë dhe asaj ideologjike, që në mënyrë
të vecantë kishte goditur kombin shqiptar, duke e privuar nga barazia në ish
shtetin jugosllav dhe duke e robëruar ideologjikisht në Shqipëri.
Imzot
Sopi, si një punëtor i palodhshëm, guximtar, largpamës, kuptoj se shërbimi
ndaj Zotit e Kishës përfshinte edhe cështjet shoqërore, kulturore, arsimore
dhe mbi të gjitha të lirisë së njeriut, prandaj nuk pushoi, tue dhënë në Kosovë kontributin në pajtimin
e gjaqeve, e menjeherë dhe pa asnjë hezitim iu përgjigj thirrjes për të
rilindur nga gërmadhat kishën në Shqipëri. Në agun e lirisë, kur
ideologjia komuniste kishte shkatërruar kishën dhe shkelur deri në palcë
dinjitetin e njeriut duke e varfëruar moralisht, shpirtërisht e fizikisht,
së bashku me meshtarë tjerë menjëherë fillon punën meshtarake me mons.
Kurtin në qytetin e Durrësit e rrethinës deri në Milot. Me një karakter
të fortë dhe vendosmëri cfarë e tipizonte atë, ai do të arrij veprën
ungjillizuese që do të përfshinte të gjitha shtresat e popullatës dhe në
të njëjtën kohë do të tregonte dhe dëshmonte aftësi të jashtëzakonshme
në dialogun ndërfetar në Durrës, në mënyrë që harmonia fetare të
rivendosej pas një periudhe të gjatë ateiste të imponuar nga regjimi
komunist.
Si
një personalitet me peshë dhe me
aftësi të ndërtimit të raporteve ai do të ndikoj në
jetën e qytetarëve përmes ndihmave të shumta nga vendet perendimore për të zbutur varfërinë ekstreme të
asaj periudhe. Në sferën e kulturës përvec rivendosjes së
dimensionit krishterë, do të vazhdoj
aktivitetin e zhvilluar nga DRITA e
Ferizajt në “Vegim Drite” të Durrësit.
Kjo,
është edhe periudha e një bashkëpunimi me njerëz të letrave dhe kulturës
në Shqipëri, dhe në të
njëjtën kohë periudha e
bashkëpunimit tim me imzot Sopin, në
realizimin e shumë shkrimeve dhe
botimeve sikurse “Baca Kolë e
famullitari” (1995), “Martirë t e Karadakut” (1996) etj.
Papa
Gjon Pali II, pas shërbimit katërvjecar në Durrës, do ta emëroj ipeshkëv
të Kosovës, me 23 nëntor 1995. Ishte ky emërimi i parë i një ipeshkvi me
origjinë vendore si dhe hapi i
parë në drejtim të
mëvetësisë së ipeshkvisë . Kjo ngjarje, tejkalonte
dimensionin fetar ngase ndodhte pikërisht në periudhën e lëvizjes së popullit shqiptar në Kosovë
për lirinë e saj si një shtet i pavarur dhe demokratik.
Atë
kohë, duke qenë në dijeni të raporteve të afërta që kisha me imzot Sopin, profesor Nimon Alimusaj
dhe profesor Fehmi Agani, bashkëpunëtorë të
ngushtë të presidentit Rugova, më kërkuan që
menjëherë të vejë
kontaktet e para për të
ndërtuar raportet e ipeshkvit të
ri të Kosovës me dr. Rugovën.
Në këtë mënyrë, unë së
bashku me don Lush Sopin, në
një udhëtim të mënjehershëm sekret, do të nisemi në
Shqipëri, në të cilin përvec urimit dhe ndarjes së gëzimit për ipeshkvin dhe ipeshkvninë e Kosovës, do t’i përcjellë edhe urimet e presidentit Rugova duke
marrë përgjigjen pozitive për
një rrugëtim të përbashkët. Ajo, mbrëmje e paharruar
nëntori, ishte edhe mundësia dhe privilegji im i parë për të takuar Nuncin
Apostolik Ivan Dias, të cilit në emër të
presidentit Rugova i shpreha falendërimet e përzemërta për Papa Gjon
Palin e II-të , që kishte bekuar
Kosovën duke i dhënë Kosovës
ipeshkvin e vet dhe kishte hapur rrugën për organizimin e plotë të
Kishës vendore si dhe falenderimi për përkrahjen e vazhdueshme
të Selisë së
Shenjtë për popullin e
Kosovës.
Në
fakt, këtë detyrë do ta kryej përgjatë gjithë
jetës së imzot Sopit dhe
presidentit Rugova, që përbën
periudhën krenare të jetës time, dhe
do ta kem fatin e bukur që pikërisht në kohën e mandatit tim si zevendësministër i
jashtëm dhe përfaqësues diplomatik për Selinë e Shenjtë, të ndodhë
formalizimi i dioqezës Prizren-Prishtinë.
Imzot
Sopi, që nga shugurimi në Vatikan me 6 janar 1996, e udhëhoqi
ipeshkvinë më përkushtim, flijim, kujdes e maturi të pashoqe deri në ndërrimin e jetës, me 11 janar 2006.
Kam
pasur fatin e nderin të jem pjesë e përpjekjeve të përbashkëta të imzot Sopit e dr. Rugovës në fushë n e botimeve sikurse “Ceta e Profetëve,
“Ipeshkvia e Shkup-Prizren ndër shekuj”, e shumë botime të
tjera të natyrë s historike e
kulturore, të jem pjesë e takimeve dhe konsultimeve me
diplomatë të shteteve, Prishtinë , Beograd, Zagreb, Romë e vende të
tjera, në të cilat gjithmonë njohuritë
e thella, takti dhe kultura komunikuese impresiononte bashkë biseduesit
tue kriju respekt dhe tue rritë
mirëkuptimin se liria e shqiptarëve dhe e drejta jonë për pavarësi është në
përputhje me normat ndërkombëtare.
Ky
ishte qëndrim i vazhdueshëm i imzot Sopit, në përkrahjen edhe të ndërhyrjes ndërkombëtare për të ndalur invadimin ushtarak të Serbisë , si dhe kërkesat për ndërtimin e
një shteti demokratik të Kosovës pas luftës, në të
cilin të gjitha
bashkësitë etnike e fetare do të gëzojnë
të drejtat e tyre për një jetë
të dinjitetshme.
Imzot
Sopi punoi shumë në demaskimin e politikës antishqiptare që cështjen e Kosovës tentonin ta shtronin si
cështje fetare, e që më së
miri e dëshmoi në Kongresin e
SHBA, duke u shprehur qartazi për pavarësinë
e Kosovës dhe duke garantuar se :”shqiptarët nuk janë fundamentalist dhe as që kemi frikë
nga vëllezërit tanë të besimit islam.”
Ëndrra
jetësore e imzot Sopit dhe dr. Rugovës për Shenjtnoren-Katedralen e Nënës
Terezë në Prishtinë dhe njohjen
formale të shtetit të Kosovës u realizuan pas shkuarjes së tyre në
amshim, por në kujtesën time,
që isha pranë të
dyve në këto ngjarje
madhështore e historike, janë tregues
se gurthemili i vënë nga ata, do
të bëjë dritë
jo vetem në jetën time, por
besoj edhe shumë të tjerëve dhe gjeneratave të ardhshme.
Në
këtë 15 vjetor të kujtimit, kur eshtrat e tij do të pushojnë
në kishën e shenjtores tonë ,
që ai e kishte takuar në Romë
gjatë studimeve dhe që lidhja me të
ka mbetur e përhershme, deri në
lumnimin e saj me 19 tetor 2003 dhe shkuarjen në amshim, e që
prej së larti të ndërmjetësojnë për popullin tonë , na bëjnë ta kujtojmë
imzot Mark Sopin si një
personalitet unikal prej një
njeriu të përkushtuar për
Zotin, kombin dhe vlerat më të larta njerëzore.
Anton Berisha