E premte, 29.03.2024, 01:07 AM (GMT)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Apostujt e këngës pilurjote

E premte, 15.01.2021, 05:04 PM


Apostujt e këngës pilurjote

Nga Timo Mërkuri

I-Si kudo në fushën e artit edhe këngët iso-polifonike, të “mëdha” i bëjnë këngëtarët  që janë vërtet të mëdhenj. Sepse autori i tekstit mund  të krijojë një “kryevepër poetike” si tekst kënge, drejtuesi muzikor mund të krijojë një vijë melodike të “artë”, por  në qoftë se nuk ke bashkë me ‘to edhe  këngëtarët e “duhur” që t’ja përcjellin magjinë e këngës dëgjuesve, kënga mbetet si një këngë që  “as u pa, as u dëgjua” duke u haruar para se të mbarojë festivali ku u këndua. Është gjithashtu e vërtetë thënia që “gjenitë lindin,  nuk bëhen”, por unë ju them se edhe shqiponja kur lind, lind si shqiponjë, por që të fluturojë si e tillë tentativat e fluturimit i bën në fole qysh kur është zog shqiponje dhe rrëzohet jo pak herë para se të mësojë të fluturojë si shqiponjë.

Kështu  në vitin 1972 në skenën iso-polifonike u çfaq dyshja pilurjote Vasillo Lapa dhe Vangjel Gjiçali në interpretimin e këngës lirike baritore “Lule e verdhë e bar i njomë” të shoqëruar nga treshja e istrumentistëve popullorë Margarit Kongjini, Milto Gjiçali dhe Arqile Lapa. Duhet të pohojmë se motivi dhe tempo-ritmi i këngës ishin fantastike, zërat e këngëtarëve s’kishin të sharë, por ja që pati një difekt që prishi harmonin e përgjithëshme, kënga u këndua me dy tonalitete. Kishte tonalitet të lartë kur këngës ja merte Vasillo Lapa dhe ja kthente Qirjako Bala dhe tonalitet të ulët, kur ja merte Vangjel Gjiçali dhe ja kthente Sofo Gërdhuqi,  ndërkohë që hedhëse ishte Leni Mërkuri, këngëtare e tonalitetit të lartë.  Vetkuptohet që ky ndryshim tonalitetesh krijonte një diskordancë në harmoninë e këngës aq më tepër që edhe instrumentat “çalonin” në unifikimin muzikor. Sigurisht që për të konstatuar këto “difekte” duhej të kishe “vesh muzike” të hollë dhe përvojë të madhe, por këngëtarët pilurjotë qëndrojnë gjithmon përpara këngës si apostujt përpara  Zotit, i pohojnë gabimet edhe kur s’kanë “dëshmitarë”, sepse ata  morën përsipër misionin që t’a çojnë këngën pilurjote te dëgjuesit të përsosur, ashtu si apostujt e Krishtit që  morën mision t’a çonin fjalën e tij të pastër te çdo njeri që i dëgjonte.

II-Pak muaj më von, në tetor 1973   grupi i Pilurit u ngjit në skenën e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës me këngën “Bejk’e bardhë” e cila, jo vetëm që ishte e përsosur gjer në kufijtë e magjisë iso-polifonike, por solli një shumësi risish në këtë gjini kënge:

1-Risi përbënte fakti që grupi i Pilurit ishte një grup miks, burra e gra dhe kishte përmasat e

një asambli me paraqitjen e njëzetekatër këngëtarëve dhe istrumentistave në skenë. Zakonisht kënga iso-polifonike këndohet me një grup të vogël, 4-5 veta, të cilët realizojnë një volum të madh.Mendoni të këndojnë në skenë 24 këngëtarë së bashku dhe sidomos këngëtarë pilurjotë, tonaliteti i të kënduarit të të cilëve “tundi” bedenat e kështjellës së Gjirokastrës.Por mendoni pak se ç’punë titanësh është dashur për të harmonizuar këta zëra dhe sidomos në një tonalitet të lartë. Shtoi kësaj faktin e harmonizimit të zërave me melodinë e fyejve dhe culës dyjare, atëherë e kupton se ç’punë madhështore është  bërë për realizimin e kësaj kënge.

2-Paraqitja e këtij grupi miks ishte një përmbysje e traditës  së grupeve njëgjinore në Himarë dhe Labëri  dhe kjo përbënte një hezitim më vete te organizatorët e Festivalit. Në atë kohë funksiononte grupi  karakteristik i burrave të Himarës me përbërje grupi vetëm burrat, grupi i Tërbaçit gjithashtu vetëm me burra, grupi i  Smokthinës dhe i Dukatit etj që ishin vetëm me burrash dhe përballë tyre grupi i Dhërmiut vetëm me vajza. Dalja në skenë e grupit miks të Pilurit ishte në fakt një “revolucion”që shëmbi konceptin se kënga iso-polifonike ishte “për burra”.

3-Risi më vete ishte fakti që  grupi i Pilurit u paraqit me dy marrës, zërat e të cilëve alternoheshin gjer në “imtësi”me njeri tjetrin por edhe me fyejt e culën dyjare, ndërkohë që

tradicionalisht dhe përgjithësisht kënga iso-polifonike këndohej me një marrës.

4- Risi përbënte fakti që në këngën iso-polifonike futeshin istrumenta muzikore, fyej e cula dyjare. Është e vërtetë që edhe Neço Muko në inçizimin e këngëve popullore në Paris në vitet 1929-1930, te muzika e disa këngëve popullore futi istrumentat muzikorë, por kjo ishte më shumë e imponuar nga shoqëria diskografike PATHE, e cila duke mos e njohur tipin e këngës iso-polifonike shqiptare, i druhej një dështimi në tregëtimin e disqeve të  inçizuara me këngë  “pa orkestër” se sa vetë vlerave të këngëve. Te kënga “Beja e bardhë” grupi i Pilurit i prezantoi melodinë e fyellin dhe culës dyjare si pjesë e vijës melodike të këngës dhe vetë culën e fyejt si “pjestarë të grupit”. Tentativa për të ndaluar paraqitjen e grupit  me istrumentav (fyej dhe cula dyjare) në Koncertin në Tiranë më 16 Tetor 1973, madje aktivizimi i shërbimeve sekrete për të realizuar këtë ndalim, fshehja e tyre nëpër mëngoret e veshjes së këngëtarëve dhe nxjerja e tyre  befasisht pranë mikrofonit, janë më shumë se një “surprizë” për spektatorët. Ato ishin akti dhe gjesti që simbolizonte gatishmërinë e këngëtarëve  për vetëflijim  për suksesin e këngëssë tyre, përballë arogancës dhe defiçencës intelektuale shtetërore[1].

5- Qysh nga momenti që u këndua për herë të parë në Gjirokastër  kënga mori qytetarinë mbarë shqiptare, këndohej nëpër evente masive, këndohej si sfidë ndaj këngë të huaja,si nxitje tifozësh në ndeshje sportive, në gëzime familjare, në festime kolektive, në shkolla e universitete. Këngëtarëve të grupit, kur takoheshin nga qytetarët qoftë dhe rastësisht, u kërkohej me insistim që të këndonin për ‘ta qoftë dhe një fragment të kësaj kënge[2]. Këndohej dhe vijon të këndohet edhe sot, duke mbetur përjetësisht e re, si në atë mbasdite tetori të vitit 1973 në kështjellën e Gjirokastrës.

6-Risi më vete ishte edhe ritmi i këngës  “Bejkë e bardhë”, një ritëm i avancuar në raport me këngët iso-polifonike të kohës, një ritëm që i përshtatesh shumë mirë edhe një ecjeje në grup duke vallzuar e kënduar  njëkohësisht. “Kudo që shkonim, sa zbrisnim mnga autobuzi dhe gjatë gjithë rrugës gjer te ambienti ku do jipnim koncert na shoqëronin grupe të rinjsh e fëmijësh që vallzonin e këndonin këngën “Bejka e bardhë” kujton protogonistja e këngës Vasillo Koka (Lapa)

7-Subjekti baritor në këngët iso-polifonike doli nga rutina e një karakteri  të avashtë gjysëm lirik e gjysëm epik.

8-Kjo këngë ndryshoi në mënyrë të menjëherëshme opinionin qytetar për banorët e fshatit Pilur, nga ca “fshatarë  hajdutë” në majë të malit në “banorë artistë të këngëve tëmagjishme”, që gabimisht kanë mbetur aty lart në mal, se atyre u takon të jenë të tërë në Asamblin Shtetëror në Tiranë etj.

III-Po të shohim portretet e këtyre dy këngëtarëve  marrës, ata feksin bardhësi në kujtesën tonë. Vasillo Lapa një vajzë e re 18 vjeçare në lulen e moshës së rinisë, me flokë të  vedhë kaçurela, me një fytyrë të qeshur që rezatonte rini e gëzim, me një buzëqeshje si zambak i bardhë i porsaçelur që emetonte pranverë, me një ecje të shpejtë e të lehtë, plot finesë që tërhiqte vëmëndjen e të rinjve, ishte portretizimi  më i plotë i vetë bejkës. Shtoi kësaj edhe zërin e saj të kristaltë rinor, me një tonalitet që e mbulonte grupin e iso-s, tek “lodronte” pas zërit të fyejve e culës dhe do keshë përpara portretin e një vajze “ëndër”.Timbri i zërit të saj, pastërtia dhe ekspresiviteti ishin cilësi që së bashku me njomështinë e moshës krijuan një simbolikë të ëmbël dhe mjaftë të dashur për publikun. Vasillo Lapa, me interpretimin e kësaj kënge vërtetoi  se është këngëtarja  lirike më e spikatur në krejt iso-polifoninë shqiptare, duke qënë njëkohësisht  një këngëtare mjaft orgjinale..

Ajo këndoi edhe këngë të tjera të karakterit epiko lirik dhe tek kenga: ”Bilbil i vendeve të mia” bëri “zërin e kokës” si “kthyes” në oktavën sipërore dhe” marrëse” në finalizim. Numri i këngëve të interpretuara prej saj është mjaft i madh në gjashtëmbëdhjetë vjet aktivitet dhe veçimi i tyre është i pamundur. Këtu sigurisht që bën përjashtim krye-kënga “Bejka e bardhë”, ndoshta edhe për vetë faktin se me këtë këngë morri dhe “pagëzimin” popullor dhe në ambientet jo-pilurjote ajo njihet më shumë me emrin “bejka” se sa me emrin e saj. Por kjo është vetëm ana “vizuale” publike sepse për të njohur Vasillo Lapën dhe punën e sakrificat e shumta të saj për aritjen e nivelit sipëror të këngës pilurjote, vlen të përmendim se në Festivalin e vitit 1976 ajo “përkundte” njëkohësisht “ këngën” dhe djepin me foshnjën e saj. Suksesi nuk është dhuratë në jetë, ai është gjithmon rezultat pune.

Vasillo Koka (Lapa), ish mësuesja e fshatit Pilur dhe këngëtarja që e ngriti në apogjeu këngën pilurjote, pas një aktiviteti intensiv qysh nga viti 1970, pas disa fatkeqësive familjare (vdekja e vëllait dhe e bashkëshortit më pas) u shkëput nga grupi në vitin 1988 dhe sot,ashtu si shumica  e artistëve popullorë jeton e punon në emigracion në Greqi dhe botën e saj shpirtërore e derdh në vargje poezie, plot mall e dashuri për Bregdetitn dhe Pilurin.

IV- Marrësi i dytë, partner me Vasillon Lapën ishte Vangjel Kiço Gjicali, një djalë i ri, njëzetë e nëntë vjeçar, në kulm të moshës, bukurisë dhe energjisë, personifikimi më i saktë i djalit të vrullshëm pilurjot, me një ecje me tundje supesh, thua se do nisej fluturim, me një shpirt të butë baritor, shpërthyes në këngë dhe gjeste, në harmoni të plotë me fyellin mbushës, me një zë të lartë dhe të ëmbël që emetonte besim e dashuri nëpërmjet këngës së tij. Dalja e tij në skenë i veshur me shark të zi, punuar me thekë që binte në sy në mes bardhësisë të veshjes pilurjote të grupit, krijoi menjëherë figurën e protogonistit.Zëri i tij melodik shoqëruar me gjeste fine dhe sidomos mbyllja, kur në përfundim të këngës mbuloi me sharkun e tij të zi “bejkën” Vasillo me gjestin e “rrëmbimit”, elektrizoi spektatorët dhe ovacionet e të rinjve i ngjiti në delir.  Ishte koha  që shumë martesa të rinjsh të dashuruar bëheshin me rrëmbime, kështu që ky gjest i Vangjelit në kinse rrëmbimin e “bejkës” u “vuri zjarrin“ gjumit dhe ëndrave të sa e sa vajzave të reja. Ishin dyshja më simpëtike dhe më e kërkuar në koncerte, porsa dilnin në skenë, nisnin duartrokitjet pa nisur kënga. Kudo që t’i kërkoje, dyshe më të  kompletuar nuk i gjeje dot. Thua se kishin lindur për të kënduar bashkë dhe për të kënduar vetëm këngë lirike. Kjo bindje u forcua kur kënduan bashkë këngët “Shko moj shko kuac e kuqe” për të vazhduar me “Sorkadhe me rremba shkruar”, “Cula e Labërisë” etj me të cilat përsëritën triumfin e “Bejkës së bardhë”, por gjithsesi pa e aritur dot lavdinë dhe  jetëgjatësinë e  triumfit të saj. Interpretimi i këngës “Bejka e bardhë” ishte aritja më e madhe në interpretimin e  këngës iso-polifonike jo vetëm pilurjote.

Vangjel Gjiçali ndoshta është i vetmi këngëtar burrë që këndoi dhe rezistoi në këngën e vështirë mikse gra dhe burra të Pilurit.Interpretoi  me Vasillo Lapën edhe këngën për Kozma Nushin, këndoi duetin me Katina Mërkuri kushtuar Persefoni Kokëdhimës dhe shumë këngë të tjera. Vangjel Gjiçali ishte këngëtar tipik pilurjot që shprehte ekspresivitetin dhe lirshmërinë e pilurjotit për ta zotëruar skenën. Ishte gjithashtu edhe një “iso” virtuoze dhe një kishte një kujtesë fenomenale në mbajtjen mend të teksteve të këngëve sado të gjata të qenë ato. Ishte një këngëtar me përvojë në grupin e Pilurit, ku kishte filluar të aktivizohej qysh në vitin 1967 dhe ishte aktiv gjer më vitin 1982 , kur u vesh ushtarak.

Vangjel Gjiçali vdiq në vitin 2014 në moshën 70 vjeçare, duke lënë  mbrapa një “pyll” me këngë. I këngës ishte dhe për të këngë u ngritën.  Nertesi Asllani shkruan[3]:“Burri që këndoi me zemër/Pranë një tende e një stani/ Dhe vetes i vuri emër/Me ilaçin e çobanit/Sharkun me thekë përmbi supe/Me një culë e një xambare/Mbeti bejka në ato lugje/Perëndeshë e këngës labe…Vangjel Kiçua i Gjiçale/Paska qënë burrë i çmuar/Një burim mbi ato vale/Si një lis i lulëzuar/. Kristo Çipa te libri “Vesha mjegullën e hollë” shkruan ndër të tjera: Kapedan kurajo-dallge/Lemza e kollës të mundi/ Mëngjesi i asaj vape/Si lis në brinjë të këputi/Historia pilurjote/Me gjak e me zgjuarsi/S’bëri dot sa kënga jote/ Bejka që këndove ti/Ndaj dhe dhimbja është e bardhë/Siç është historia jote/ Qëndron në rradhë i rrallë/Nëpër zemrat pilurjote” ndërsa Lefter Çipa shkruan[4] …”O ti polifon, polifon polifonie/T’u zalis bejka e fosforinës/O artist, artist i historisë/ I përshëndetur nga Argjirina/Ndaj Piluri i majës mbi maja/Shpirtin tënd do aspirojë / Se ti vetë jeshe aspirate/ Ndaj kush rrojti, prapë do rrojë/Në ato sheshe luleshumta/  Një ditë do të vijmë të gjithë/Si cula që vete te buza”…

Sarandë, më 14 Janar 2021



[1] Në datën 21 pril 2020, i revoltuar nga ndryshimet dhe përvetësimin që artistët e rinj i kanë bërë këngës këngës “Bejkë e bardhë” dhe heqjen e istrumentave prej saj, Lefter Çipa publikon protestën e tijsi më poshtë:Kjo është një protestë e imja!Kush ia ka hequr këngës sime " Tundu Bejkë e bardhë tundu" , fyejt dhe dyaret?!?!

Nipat dhe të afërmit e mi që më gjenden pranë në këto kohë të vështira të shëndetit tim, shpesh më vënë të dëgjoj këngën e famshme të Pilurit: " Tundu Bejkë e bardhë tundu"! Eshtë një nga perlat e lirikës dhe fosforinës vënçe shqiptare. Ajo këngë me marrës të shtrenjtët e mi, i paharruari Vangjel Gjiçali dhe këngëtorja Vasillo (Lapa) Koka, grupin dhe fyelltarët e pikuar, u bë melodia më e dashur e disa brezave në vitet '-70 dhe më pas. Janë rreth 600 variante të saj të kënduara nga artistë të këngës, grupe të polifonisë sonë, ansamble dhe grupe të këngës qytetare në të katër anët e hapësirës shqiptare dhe në diasporë e në emigracion.Por duar të sëmura dhe vrasëse të origjinales, e kanë gjymtuar këngën time. Në shumicën e versioneve që qarkullojnë këto ditë në internet dhe site të ndryshme, kënga këndohet pa shoqërimin e instrumentave autentike shqiptare; fyejt dhe dyaret e Labërisë dhe të Pilurit tim. Kush e ka bërë këtë, ndërhyrje, e zëntë nëma e këngës sime! Kush është ai qerata i ferrës që sakaton fosforinën time?!?!Këtë kënge nuk e ka prekur dot askush, as koha e as urdhërat e tjera. Pse ju duhet pa instrumentat me të cilat u bë e famshme në të gjithë atdheun Bejka e bardhë ?!?! Ju bëj thirrje institucioneve të mbrojtjes së Polifonisë shqiptare, ta venë para përgjegjësisë autorin anonim të sakatimit të këngës në versionin e vet autentik. Ju miq e dashamirës të fosforinës vënçe shqiptare dhe ju adhurues të Grupit të Pilurit, ju lutem të shpërndani dhe të ndiqni variantin e vetëm të këngës " Tundu Bejkë e bardhë tundu" që u këndua për herë të parë në vitet '70-të, në kalanë e madhe të këngës kombëtare; Festivalin Folklorik të Gjirokastrës."Bejkën e Bardhë" nuk e çensurojnë dot perënditë, jo maskarenjtë e së sotmes që vjedhin e përdhosin nëpër llagëmet e një kohe që shumon mjerimet, por më shumë atë shpirtëror. Bekuar qoftë kënga e pastër dhe burimore e popullit dhe kombit tim!

Me dhëmbje, Lefter Çipa   Himare….

[2] Bardhosh Gaçe shkruan:Ishte viti 1974 kur bashkë me Lefter Çipën, Vangjel Gjiçalin, Qirjako Balën po pinim kafe në Qafën e Pazarit në Gjirokastër kur na afrohet një plakë zeshkane dhe I drejtohet Vangjelit me pyetjen: Mos jinni gjë ata të grupit të Pilurit ? Po- i thotë Vangjeli.-Do më gëzohej zemra të ju dëgjoja dhe njëherë këtu në sokak atë zërin tuaj të artë. Vangjeli thiri Vasillon dhe shokët dhe ja morën këngës “Zoga kaçake në male”, por plaka nuk u tërhoq me kaqë, ju afrua edhe më afër Vangjelit dhe i tha:-Kjo e mirë është, por unë dua këngën e “Bejkës” se me atë kini tundur dynjanë, dhe Vangjeli me shokë nuk përtoi por ja nisi këngës “Tundu bejkë e bardhë tundu” duke zgjuar sokakët e Gjirokastsrës..B.Gaçe “Nderim këngëtarit Vangjel Kiço Gjiçali”, broshurë Gusht 2015.

[3]Në broshurën “Polifoni i gjerdanit të Artë” botuar me shkrime për Vangjel Gjiçalin në përvjetorin e parë të vdekjes në 2015.

[4]Në broshurën “Polifoni i gjerdanit të Artë” botuar me shkrime për Vangjel Gjiçalin në përvjetorin e parë të vdekjes në 2015.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora