E premte, 19.04.2024, 08:17 AM (GMT+1)

Kulturë

Jusuf Buxhovi: Kur nderohej Hivzi Sulejmani

E premte, 15.01.2021, 12:16 PM


Majstir, 10 korrik 1985. Pranë varrit të Hivziz, nga e majta: Xhemail Mustafa, Beqir Musliu , Jusuf Buxhovi dhe Mehmet Kraja

Përkujtesë

KUR NDEROHEJ  HIVZI SULEJMANI...

Nga Jusuf Buxhovi

Shkrimtari Hivzi Sulejmani, i takon plejadës së krijuesve të brezit të Esad Mekulit, Martin Camajt, Sitki Imamit, Rexhep Hoxhës, Mark Krasniqit, Sinan Hasanit, Kapllan Resuli, A. Demaçit dhe të tjerëve, me të cilët, në rrethana të vështira shoqërore dhe politike çfarë ishin ata që solli sistemi ideologjik, fillon rrugëtimi i mundimshëm i krijimit të identitetit letrar, që do t’i hapë rrugë gjeneratës së viteve të gjashtëdhjeta dhe të shtatëdhjeta , atyre të  moderniteti në prozën tonë (A. Pashkut, R. Kelmendit, N. Rrahmanit, R. Rexhepit, A. Shkrelit, R. Qosja për të ardhur te T. Dërvishi, B. Musliu, M. Ramadani, Y. Shkrelit, J. Buxhovit, Z. Rrahmanit, M. Krajës e të tjerëve), që i dhanë  vepra  të rëndësishme dhe të  qëndrueshme prozës sonë.

Në plejadën e krijuesve që ishin pjesë e revolucionit dhe idealeve të tij, Hivziu, gjithsesi shfaqet më i veçantë, jo vetëm që me të shpejt u largua nga nomenklatura revolucionare, që solli diktaturën e re, me të cilën ai nuk u pajtua dhe nuk deshi t'i sherbejë, por edhe pse me veprën e tij (prozën “Njerëzit”, të ndaluar dhe të anatemuar), shfaqë shenjat e para  të një disidence “të heshtur” kundër diktaturës.

Në vitet e shtatëdhjeta, kur pas Plenumit të Brioneve dhe ndryshimeve që solli,  fillon një klimë e re shoqërore dhe politike edhe te ne, Shoqata e Shkrimtarëve, në shenjë nderimi për krijuesin e rebeluar në kohët më të vështira,  themeloi çmimin letrar "Hivzi Sulejmani" për prozën më të mirë të vitit. Ndërsa,  pas vdekjes së tij, themeloi edhe manifestimin “Takimet letrare Hivzi Sulejmani”.

Këto takime, po ashtu, ishin diçka të veçantë, meqë mbaheshin në trekëndëshin: Mitrovicë,  Rozhajë dhe Novi Pazar.

Pjesë e këtyre takimeve ndër më reprezentativët e kohës, pas atyre të Mitingut të Poezisë në Gjakovë që kishin karakter ndërkombëtar, ishin orët letrare  në Rozhajë dhe Sanxhak (Novi Pazar), si dhe vënia e kurorës në varrin e Hivziut në Majstir (në vendlindjen e tij në pjesën e Ribariqit) në Mal të Zi.

Takimi i fundit i kësaj natyre, në një hapësirë me etni krysisht shqiptare të shpërndarë në Kosovë-Mal të Zi dhe Serbi, ishte ai 10 korrikut 1985, ku morën pjesë shumë shkrimtarë të rëndësishëm të Kosovës, bashkëkohanikë të Hivziut (Esad Mekuli, Vehap Shita, Hasan Mekuli, Pera Stefanoviqi) si dhe disa nga brezi i shkrimtarëve të modernitetit (Beqir Musliu, Musa Ramadani, Jusuf Buxhovi, Mehmet Kraja, Xh. Mustafa e të tjerë).

Majstir, 10 korrik 1985. Nga e majta në këmbë: Hasan, Esad Mekuli dhe Vehap Shita. Ndërsa ulur, nga e majta: Xhemail Mustafa, Jusuf Buxhovi, Musa Ramadani dhe Beqir Musliu.

Majstir, 10 korrik 1985. Hasan Mekuli (kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës), Jusuf Buxhovi, sekretar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Pera Stefanoviq, anëtarë i kryesisë, vëjnë kurora te varri i Hivziut.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora