E merkure, 24.04.2024, 01:40 AM (GMT+1)

Mendime

Mira Meksi: Replikë e detyruar

E hene, 24.11.2008, 11:10 AM


Replikë e detyruar

 

Nga Mira Meksi

 

Në përgjigje të shkrimit klosian “Debat pa objekt”

 

Vërtet që Klosi ka shumë të drejtë kur thotë se debati i ditëve të fundit (dhe është debat, s’ka pikë dyshimi) pro et contra, në lidhje me figurën e Skënderbeut, simbolit, mitit a përrallës për të, nuk ka asfare lidhje me lëndën (apo tezat) e monografisë tejet “shkencore” të O. Jens Schmitt-it “Skënderbeu”.

 

Dhe nuk ka sesi të jetë ndryshe: Tezat e Schmitt-eve, serbëve, bullgarëve dhe një aradhe të tërë të sojit, për këtë temë, i kemi sot e shumë-shumë kohë shprehur librave, dhe së fundi internetit në google-in e bekuar. Në pëllëmbë të dorës.

 

Ajo që është e re, dhe që domosdo shkaktoi debat (më e pakta) është prekja e “ndjeshmërisë kombëtare” dhe jo e asaj nacionaliste, siç këput Klosi, nga tezat e një shqiptari e bir shqiptari – Ardian Klosit, njeriut të ri të dekadës komuniste,– i cili nën mbulesën e tezave të Jens Schmitt-it në monografinë e tij të re (se tezat e Schmitt-it për këtë kanë shumë kohë që njihen, bashkë me talljet e tij ndaj vetë figurës së Skënderbeut), të cilën ai shpejtoi rekordshëm ta përkthente e botonte në shqip, mundohet e përpiqet (duke e përdorur abuzivisht shtypin e shkruar), duke shkuar gjer në absurd, të “rrëzojë” simbolin e Skënderbeut dhe vlerën e tij për kombin shqiptar.

 

Klosi arrin gjer aty sa të marrë në sy edhe të bërit qesharak (të keqen e “diletantëve” dhe “jo historianëve” që ai përdor si sharje ndaj artikullshkrueses!) në profesionin e përkthyesit, kur deklaron se emri i babait të Skënderbeut është Ivan, ndërsa emri Gjon është i shpikur, -- dhe kjo vetëm e vetëm në funksion të tezës së tij të mbrapshtë të “rrëzimit” të Skënderbeut.

 

Ku të shpie mushka përkthyesi Klos?!!! Gjon e kemi ne në shqip, Giovanni (Giovani) e kanë italianët, Jean e kanë francezët, Juan spanjollët dhe Jovan e Ivan serbët, -- nga ç’gjuhë e ke marrë përkthyesi Klos, që të del gënjeshtër emri Gjon?!!!

 

Nuk dua ta lodh lexuesin me “bëmat” e Klosit dhe frymën safi antikombëtare të tezave të tij, gjykimet e mia i shpreha në shkrimin tim të datës 22 nëntor në gazetën Shekulli, dhe po ashtu në shtypin e shkruar gjenden dhe tezat klosiane dhe, po ashtu në treg është monografia e përkthyer dhe e botuar zellshëm nga Klosi, që po i siguron atij të ardhura të mira (kështu thotë vetë Klosi në shkrimin e tij të një dite më parë).

 

Por, nëse Klosi do të kërkojë paskëtaj interpretime jodiletante, përkundrazi, me shumë profesionalizëm, për “veprat” e tij të botuara gjer më tani, shprehem vullnetare për ta bërë një gjë të tillë, pa u lodhur, për hir të njohjes, edhe duke marrë në sy të të mërzisë ty, i nderuar lexues.

 

E detyruar prej tij, në respekt dhe për ta sqaruar lexuesin, më duhet të them se vërtet përpara do kohësh, i vogëlthi Klos, që nuk është në gjendje as recensione romanesh të bëjë, çuditi e lebetiti çdokënd që pati mirësinë e epërme të lexojë radhët e tij të shkruara jo me bojë, por me helm, kur bëri thirrje (asesi nuk pati recension, do t’ia dija për nder po të kish) si në hatatë antike të inkuizicionit:

 

“Mos lexoni romanin e Mira Meksit: Porfida - Ballo në Versailles!” Shumëkush pas çudisë (kjo s’kishte bërë vaki kurrë, madje as në periudhat e errëta të diktaturës komuniste!) ia plasi gazit, duke thënë se kjo qe një lloj “shprazjehelmi” a “ shprazjevreri”, veresie vërtet, por jetike për të, që Klosit i duhej ta bënte hera-herës për të mbijetuar (kuptoni: Tepria e helmit mund ta mbyste atë vetë!), plot të tjerë, duke e parë më seriozisht këtë problem, thanë sesi mund të guxonte një njeri që me ndërgjegjen plumb nga “bëmat” e errëta si ai (lipset të marrim vesh a ka ndërgjegje?!) të kapardisej medieve, duke luajtur rolin e njeriut të mendjes apo opinionbërësit egërshan (e ca më keq atë të ndërgjegjes shoqërore), kur do të qe e udhës të vinte një thes në kokë e të gjallonte diku, duke ngrënë heshturazi bukën e vrasjendërgjegjes, a në mungesë, ndonjë bukë tjetër.

 

E vërteta qe krejt tjetër, ose pati disa të vërteta bashkë: E pra, i nderuar lexues, thirrja ala inkuizicion: “Mos e lexoni romanin Porfida!”, nuk qe shprazjehelmi jetike për Klosin, qe shprehje e xanxës së tij të gjithhershme: Porfida (theksoj është roman, letërsi, pra fiksion dhe jo tekst historie) është mishërimi i Zonjës së madhe Porfida Komneniata, që rrinte në krah të mbretëreshës së Kostandinopojës përpara pesëqind vjetësh, dhe që përfaqësonte gjakun blu, fisnikërinë shqiptare”, – këtë, domosdo (edhe në formë fiksioni) Klosi nuk mund ta gëlltisë dot, kundër kësaj Klosi ishte/është gati të thotë e të bëjë marrëzira…

 

Gjithsesi një pyetje kam për Klosin: Nëse shkrimi im në mbrojtje të simbolit të Skënderbeut dhe shenjave të kombit që aq zellshëm ai përpiqet t’i rrëzojë, duke i trumbetuar tezat e tij poshtë e lart nëpër median e shkruar, qenka, siç ai shprehet, i shtyrë nga “hakmarrja” ime e vonuar ndaj tij, pse më paska sharë romanin para disa vitesh, ç’duhet të presë i ngrati Klos nga hakmarrja e ligjshme e shokëve (apo familjeve të tyre) që ka denoncuar te Sigurimi i shtetit, duke u thyer përgjithmonë jetën (lexo: Disidentët e Rremë, liber nga S.Bejko)?

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora