E premte, 19.04.2024, 11:55 PM (GMT+1)

Kulturë

Pierre-Pandeli Simsia: Vetmia e babait

E enjte, 14.01.2021, 01:28 PM


VETMIA E BABAIT

Nga Pierre-Pandeli Simsia

Sa shpesh e kujtoj babin tim të ndjerë.

Sa shpesh...!!!

Kanë kaluar 29 vite që i ndjeri baba nuk jeton, por, unë e kujtoj shpesh...

E kujtoj, sepse, në moshën time që unë jam tani, i ndjeri baba kishte një vit që kishte humbur bashkëshorten e tij të dashur, mamanë tonë të paharuar.

E kujtoj se si rinte i menduar me dhimbjen e madhe në shpirt, por që përpara nesh, fëmijëve, të mos e jepte veten, të mos e shfaqte mërzitjen, të mos e shfaqte vetminë.

E mendoj, kur kthehej mbrëmjeve në shtëpi pas punës dhe mblidheshin në ndonjë klub, birrari' të qytetit tonë, ata, shokët e tij të pandarë që ishin edhe si vëllezër me njëri tjetrin: Spiro Mishaxhiu, Vasil Prendi, Ilia Lika Shyti, Llambi Greku, Koço Mishaxhiu, Isuf Kafexhiu, Mehdi Haxhialiau... pasi kishin "kthyer" edhe gotën dopjon raki, racioni i tyre i përnatshëm, babi ynë shtatlart, hapte me ngadalë dhomën e madhe me oxhak që ishte edhe dhoma e ndenjies dhe, pas përshëndetjes me atë buzëqeshjen që nuk iu nda nga buza gjithë jetën e tij dhe me zërin e tij të qetë e të ëmbël, zinte vend në krye të atij sendi minderi të drunjtë që ne e quanim, nim.

Nuk e di pse atëbotë, babi ynë i mirë, i nderuar, burri, qytetari që i kishte bërë vend vetes dhe ishte i respektuar në Berat, më dukej se ishte i vetmuar edhe pse ishte i rrethuar me dashurinë dhe respektin e të gjithë ne familjarëve, por, ai ndihej i vetmuar.

Vendin e bashkëshortes që ke kaluar me dashuri një pjesë të mirë të jetës bashkëshortore askush nuk e zëvendëson.

Dhe, pikërisht, mungesa e saj në shtëpinë tonë e bënte babin tonë të ndihej i vetmuar.

Pas pak muajsh nga ky muaj që unë po shkruaj tani, babi do plotësonte moshën e tij të pensionit, moshën 60-të vjeçare.

Eh! Sa bukur, sa këndshëm, do festohej ajo datlindje së bashku me daljen në pension të babit tonë dhe, në realitet, ashtu ndodhi; erdhën në shtëpinë tonë që nga drejtori i ndërmarjes dhe gjithë administrata e deri shokët e tij të punës ku kishte punuar për gati dyzetë vjetë me radhë magazinier në rezervat e shtetit, po, ku ishte ajo, zonja e shtëpise, bashkëshortja e tij, mamaja jonë!

Ajo tretej nën dhe! Mamaja jon; kishte gëzuar 50-të vitet e jetës së saj, për t'u larguar nga kjo jetë, për të fjetur në gjumin e saj të përjetshëm në shtratin e ftohtë nëndhe, banore e përjetshme e parajsës qiellore.

Sa të vështirë e kam patur atëbotë të kuptoja dhimbjen, vetminë e babit tonë të shtrenjtë, aq shumë të kollajtë e kam tani ta kuptoj, tani, që unë jam në moshën e tij të atëhershme.

Sa shpejt ikin vitet e jetës si pakuptuar!

Dhe në këtë moshë, më vijnë në mendje fjalët që kemi dëgjuar nga të parët tanë: "Zot, mos na lërë në moshën e pleqërisë pa bashkëshorten tonë që kemi kaluar vite të shumta në jetën tonë:

Dhe përsëri, trokasin në vesh ato fjalë po nga të parët tanë: "I lënshim pas gruan dhe fëmijët të gëzojnë jetën"

Edhe i ndjeri babi im, i përdorte shpesh këto shprehje, por, fati i tij i hidhur, nuk e dëgjoi; e la të "vetmuar" burrë i ve' në moshën e tij 58-të vjeçare, kur të dy, burrë e grua, kishin më shumë nevojë për njëra tjetrin të gëzonin jetën e tyre bashkëshortore, meqenëse edhe fëmijët e tyre u rritën në moshën për të ecur vetë në jetë...



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora