E premte, 19.04.2024, 10:09 PM (GMT+1)

Mendime

Blendi Fevziu: Kongresi i Manastirit! 100 vjet më pas

E hene, 24.11.2008, 02:40 PM


Blendi Fevziu
Kongresi i Manastirit! 100 vjet më pas
 
Nga Blendi Fevziu

Pak kohë më parë, organizatorët e festimeve të Kongresit të Manastirit, një grup trashëgimtarësh ...nipa e stërnipa të atyre që qenë mbledhur 100 vjet më parë në qytetin e famshëm shqiptar të Perandorisë Otomane, më ftuan të merrja pjesë në festime si trashëgimtar i Refik Toptanit, njërit prej përfaqësuesve të qytetit të Tiranës në atë kongres. Duke ju përgjigjur ftesës me shumë kënaqësi, zbulova se në listën e kongresit, nuk qëndronte vetëm ky stërgjysh i imi, foton e të cilit në Kongres isha mësuar ta shihja që fëmijë, të varur në një mur të shtëpisë së vjetër, por edhe një tjetër stërgjysh, Abdyl Ypi, që ishte ulur në atë sallë për të marrë një prej vendimeve më të rëndësishme për shqiptarët: krijimin e një alfabeti dhe një alfabeti latin. I gjendur mes kujtimit të së dyve, në pamundësi për arsye impenjimesh për të qenë në atë sallë në Shkup dhe i mrekulluar nga organizimi, vendosa që pikat e diskutimit tim për atë takim, t’i mblidhja në një shkrim, që sjell gjithë reflektimet për atë moment të rëndësishëm historik për shqiptarët, por edhe më gjerë.
Për shumë ditë gjatë këtij muaji jam munduar të sjell ndërmend rrugëtimin e gjatë të dy stërgjyshërve të mi, njëri nga Tirana dhe tjetri nga Stambolli, drejt Manastirit. Jam munduar të sjell ndërmend kalvarin e gjatë të udhëtimit edhe të së tjerëve, një grushti burrash dhe një gruaje, që qenë mbledhur nga gjithë rrethet e Shqipërisë për të vendosur diçka që 99 % e shqiptarëve as e dinin se çfarë ishte, alfabetin shqip. 100 vjet më pas, rrugëtimi i tyre merr një vlerë edhe më të veçantë, jo thjeshtë për qëllimin që u mblodhën, por edhe për një leksion historik që ne, më shumë se kushdo, duhet ta marrim parasysh. Ai grusht burrash që vinin nga të gjitha qytetet dhe provincat e Shqipërisë të zhytur në injorancë dhe mjerim, vendosi pa asnjë hezitim që Shqipëria jo vetëm të kishte një alfabet, që gjuha shqipe të shkruhej, por të ishte edhe një alfabet latin. Në një moment që Shqipëria ishte thjeshtë një nocion, pa kufij, pa perspektivë, pjesë e perandorisë otomane dhe një vend i dominuar nga orientalizmi 500 vjeçar, ai grup burrash vendosi pa hezitim se e ardhmja e vendit duhej të ishte Evropa Perëndimore dhe vetëm ajo. Ata përcaktuan atë model të vetëm zhvillimi për një vend që thuajse aspak nuk e njihte atë. Në një mënyrë, kam bindjen se ata pak burra pro evropianë dhe pro perëndimorë, një pjesë e të cilëve do të qenë 4 vjet më pas edhe protagonistë të pavarësisë në Vlorë apo në çdo qytet të Shqipërisë, me bindjet e tyre të panjohura për shqiptarët e thjeshtë, përcaktuan rrugën evropiane të Shqipërisë. I dhanë asaj një alfabet latin, një vizion drejt demokracive perëndimore dhe një model zhvillimi si ai i Vjenës, Londrës apo Parisit. Të edukuar në perëndim, ata mund të krahasohen fare mirë me baballarët e pavarësisë amerikane, që hodhën themelet e demokracisë atje, plot 230 e ca vjet më parë.
100 vjet më pas, unë besoj se pavarësisht që ëndrra e tyre nuk është bërë realitet, ajo padyshim që ka triumfuar në Shqipëri. Ne nuk jemi ende pjesë e Evropës së Bashkuar, por e ardhmja evropiane e Shqipërisë është një destinacion 100% i miratuar nga shqiptarët dhe një destinacion pa kthim. Ne nuk jemi sot, ashtu si ata mendonin: si Vjena, Londra, Roma apo Parisi. Nëse një regjim satanik si ai komunist nuk do të kishte pllakosur vendin për 100 vjet; nëse një regjim si ai nuk do ta kishte kërcënuar seriozisht dhe fort ëndrrën e tyre pro evropiane, ne padyshim që do të ishin sot si ata kishin ëndërruar dikur. Por në një vend që ka humbur 50 vjet të zhvillimit të tij në një eksperiment absurd komunist ka gjetur gjithsesi fuqinë të shohë drejt të ardhmes.
Kam frikë se vitet që pasuan kongresin e Manastirit, nuk kanë qenë shumë të këndshme për ta. 4 vjet më pas, ata panë pavarësinë e Shqipërisë, por panë se si troje shqiptare në Kosovë, Çamëri apo në Maqedoninë e sotme mbetën jashtë kufijve zyrtarë. Panë përpjekjet e pafundme për krijimin e një shteti serioz shqiptar dhe konsolidimin e tij. Ata u përpoqën të gjithë bashkë për të, dikush duke dhënë edhe jetën si stërgjyshi im, Abdyl Ypi, që u vra thjeshtë pse ishte organizator i Kongresit të Lushnjës, njërit prej eventeve më të rëndësishme të Shqipërisë.
Sot, 100 vjet më pas, nipat dhe stërnipat e tyre kanë mundësi t’ju thonë, duke ju vënë një tufë lule mbi varr se ajo që ata ëndërruan nuk është aq larg. Shqipëria ka një alfabet, latin si ata e ëndërruan; Shqipëria ka librat, letërsinë dhe kulturën e saj; se Shqipëria është një shtet që aspiron shpejt të jetë pjesë zyrtare e Bashkimit Evropian; se Kosova është sot e pavarur një shtet me një të ardhme të sigurt dhe evropiane, se shqiptarët janë element shtetformues në Maqedoni dhe se shqipja është atje së paku zyrtarisht, gjuhë e administratës. 100 vjet më pas, ne kemi mundësi, por edhe bindjen për t’ju thënë atij grushti burrash, faleminderit për shtegun që na hapët dhe për drejtimin që na dhatë, herët apo vonë, do të jemi atje…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora