E enjte, 25.04.2024, 07:00 AM (GMT+1)

Kulturë

Kujtim Dashi: Kur ligjëron e fshikullon Fishta...

E hene, 24.11.2008, 02:10 PM


Pater Gjergj Fishta
Kur ligjëron e fshikullon Fishta...

 

Nga Kujtim DASHI

 

Peshorja e trimërisë

 

Dihet se një pjesë e madhe e protagonistëve të lavdëruar në “Lahutën e Malcisë” ishin ende gjallë, kur Poeti u këndonte burrnitë; ndër këta edhe Marash Uci, të cilin At Fishta e kish njohur dhe kish lidhur miqësi që në verën e vitit 1902, kur gjatë lirimeve shkollore, Ai qe dërgue në Rapshë të Hotit për të zëvendësuar famullitarin e atij fshati, Pater Leonard Gojanin, françeskan. Një ditë, iu paraqit Poetit një Frat dhe i tha:

- Kam parë Marash Ucin dhe e pyeta se si i ishin dukur trimnitë e tij që ti, Pater Gjergji, ke përshkrue në “Lahutën e Malcis”. A e din si m’u përgjigj?

- Çfarë? - pyeti Poeti.

- Unë s’di me lexue, por, me sa kam dëgjue, diçka ka shtue.

- Po të mos kishte qenë Oso Kuka, Marash Uci e shokë,- tha Poeti, - unë

s’do të njihesha mâ në botën shqiptare si kângtari i “Lahutës së Malcis”. Dhe në paça shtue diçka, ata e kanë meritue, në mos tjetër për shenjë mirënjohjeje. Por Marash Uci s’din ta peshojë trimninë e vet!

 

Në Korçë

 

Në pranverë të vitit 1937, At Gjergj Fishta bëri një vizitë në qytetin e Korçës. Një mbrëmje, teksa po kthehej në zyrat e Bashkisë, atje e pritën një grumbull njerëzish që donin ta takonin. “At Gjergj, bëni një bisedë me djemurinë korçare”, i kërkuan.

Dhe, ashtu së bashku të gjithë, “djemuria” e Korçës, që ishin artistë e studentë të liceut, gazetarë, por edhe zejtarë të profesioneve të ndryshme e shoqëruesit e Poetit, u drejtuan në sallën e bibliotekës së qytetit me libra plot, të dhuruar nga zoti Turtulli. Në mes të tjerash, në takim Fishta tha: “Këto visare (“Visaret e Kombit”, të porsabotuar) e shtyjnë një shkrimtar të marrë lahutën e vet dhe t’i këndojë me zjarr e shpirt kombit të tij. Unë kam njohur një njeri të veprimit dhe të fjalës, Marash Ucin. Marash Uci mund të ishte bërë poet dhe, në fakt, kishte një zemër poeti. Ai është një hero antik, që vetëm bën veprat e mëdha dhe pastaj në darkë ulet me lirën e vet e këndon për bëmat e shokëve. Mendoni, ju lutem, një burrë të rrahur nga erërat si Marash Uci. Ai i përket Historisë dhe, të shkëmbesh një duhan me Marash Ucin, është njëlloj si të shkëmbesh një duhan me historinë. Të bësh një bisedë me të, është njëlloj si të bësh një bisedë me historinë. Dhe të shkosh në kullën e tij, është njëlloj si të shkosh në kullën e Historisë. Mandej, që andej nga frëngjitë e saj, të shikosh hapësirat e mëdha të lirisë. A mund të arratisesh nga liria, a mund të arratisesh nga vetvetja?!.. Marash Uci është ai çelësi sol, që unë gjeta në një çast të madh për t’u futur në shpirtin e Lahutës dhe në Këngën e Maleve. Këtë çelës e gjeta në “Visaret e Kombit”. Me këtë çelës, si në një mijë netët, thirra: “Hapu Suzam!” Dhe u hap e pashë mrekullitë. Pyeta veten: si Marash Uci futet në Histori dhe në këngë si në shtëpinë e vet? Futet se ai është një Krijonjës. Ai, me hirin e Zotit, është bërë prapë Krijonjës i këngës dhe historisë. Dhe ato janë pronat e tij të shenjta. Ai ka në pronësi tokën, por ka edhe këto prona të mëdha të patjetërsueshme e të papushtueshme. Marash Uci më mori për dore si dikur Virgjili Danten dhe më tregoi Parajsën, Purgatorin dhe Ferrin e këngës, trimënisë dhe Historisë. Aty pashë e zbulova një të vërtetë: të këndosh, do të thotë të trazosh shpirtnat. Të transformosh shpirtin tënd dhe të tjerëve jo më në një model të përcaktem. Kështu veprova edhe unë me Lahutën. Tash ajo nuk asht ma thjesht imja. Asht Tuaja. Dhe Juve do ta ndjeni tansisht Lahutën, kur të ndjeni se Marash Ucin nuk e ka takue vetëm autori, por e keni takue edhe ju të gjithë dhe bashkë të futeni në Historinë shqiptare dhe në këngën shqiptare. Se Marash Uci i përket së djeshmes, të sotmes, por ai i përket dhe të nesërmes… Ai u përket stërgjyshave të lashtë dhe stërnipave që do të lindin në mijëvjeçarin e ardhshëm…”

 

Fishta dhe Musolini

 

Pak kohë pasi qe shpallur akademik i Italisë, Fishta shfrytëzoi rastin për t'u takuar me Musolinin për çështjen shqiptare. Por Musolini e la të priste tri javë për këtë takim dhe e pranoi në përbërje të një grupi shqiptarësh të organizuar që më parë. Ato do të dëgjonin planet që kishte Italia për shqiptarët dhe flamurin e tyre, tanimë "të shpëtuar" nga shpata e Liktorit.

Meqë Fishtës nuk iu dha mundësia të paraqiste opsionet e veta, duke dalë, iu drejtua Musolinit:

- Nuk e di ekselenca Juaj se, po të mos ishte ai flamur i Skënderbeut, s'do të ishin kund shpatat e Liktorit dhe Shën Pjetri do të ishte një Shën Sofi me minare e gjysmëhanë.

 

Si në Lidhjen e Kombeve

 

Për nder të At Fishtës, i cili në qershor 1940, në Kolegjin "De Propaganda Fide" në Romë, mbajti një ligjëratë përpara studentëve të kolegjit, afërsisht 500 studentë, nga të gjithë racat dhe nga ma se 100 kombe, do të drekonin me të në mensë. Ndërkohë, hyri rektori krah për krah me At Gjergjin, që mbahej pas shkopit të tij të gdhendun, pa të cilin nuk lëvizte asnjëherë. Prej pranisë së tij, salla e madhe shpërtheu në stuhi duartrokitjesh. At Gjergji, i shoqëruar nga Rektori, u ngjit në dhomën e mysafirëve, tri-katër këmbë shkallë më lart se tavolinat e studentëve, nga ku zotërohej e gjithë salla.

Rektori dha shenjë dhe duartrokitjet pushuan. Me një humor të hollë në gjuhën frënge, At Gjergji ia nisi:

"Me ardhjen time ndër ju, po më duket se ndodhem në "Lidhjen e Kombeve", por pa telashet, grindjet, debatet e saj. Përgëzohem me ju që bashkëjetoni në harmoni e dashuri të plotë me shoqi-shoqin. Uroj që kështu të jetë edhe "Lidhja e Kombeve", kombet me kombe! Dhe atëherë do të realizohet mbretnia e Zotit në tokë."

 

Për poetin krijues

 

Në një bashkëbisedim me Fishtëm, një pasdite të qershorit 1940, kur ai ishte thirrë në kolegjin "De Propaganda Fide" për të mbajtur një ligjëratë, ish-studenti Zef Pllumi i bën pyetjen:

- I nderuem At Gjergj, as s'ju duket se ndonjënin prej heronjve të Lahutës së Malcis e keni rritë si tepër?

At Gjergji e kuptoi se për cilin nga heronjtë e kishte fjalën studenti dhe, pa e zgjatë, iu përgjigj tërthorazi:

- Heroi i Lahutës së Malcis në përgjithësi është populli shqiptar. Sa për heronj të veçantë, unë dua me të pyetë ty: prej kah vjen fjala poet?

- Nga greqishtja, - iu përgjigj studenti.

- Ç'ka do me thanë? - pyeti At Fishta.

- Me krijue, - u përgjigj studenti.

- Kush e ka krijuar Gjithësinë?- pyeti At Fishta.

- Zoti.

- Prej sejt?

- Prej asgjajet.

- Edhe poeti gati prej asgjajet e krijon ngandonjëherë ndonjë hero! - tha At Fishta.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora