E shtune, 20.04.2024, 01:58 PM (GMT+1)

Kulturë

Lumo Skëndo: Si vdiq Selman Todorusha

E hene, 24.11.2008, 11:00 AM


Lumo SKËNDO

Si vdiq Selman Todorusha

Si ngriti dollin’e fundit, Selman Todorusha fshiu mustaqet e zbardhura të gjata, shikoi dhe njëherë ata që kish pranë:
-
Po
, jo, do të ngre dhe një dolli tjetër. Do të pi për dashurinë që kemi në mes të fëmijërisë!
Të dy miqtë, i vëllaj, i kushëriri, mbushnë kupat. Zonjat ishin qasur se do të ngrihesh tepsija e do të vihesh buka.
-Për shëndet të dashurisë në këtë fëmijë! Edhe sa gjall me nder!
Pas këtij urimi që tregonte gjithë dëshirat e zemrës, kupat u qasnë dhe lëngu i bardhë u derdh në gojë.
-Tani ngrini rakinë dhe sillnani darkën, - dha urdhër Selmani. - Po a s’më thoni, kush më do mua më tepër?
- Të gjithë të duam, se veç së mirës nuk’kemi parë gjë tjatër.
Ky zë dolli nga gjithë gojat, nga burrat si dhe nga gratë, një zë i trashë e i math, që tingëlliti n’odë të madhe, n’atë odë ku flak’e vatrës që bubullonte hidhte një dritë të kuqe më të madhe se e dy qirinjve.
Vetëm kunata e vogël s’kish folur. Si u bë pushim, la çipin e napës që po shtronte, ngriti kurrizë, hodhi kokën prapa dhe shikoi Selmanë.
- Më duket se unë të dua më tepër, aga.
Selmani vështroi kunatën e vogël, e shikoi me sy babaj për të bijën. Një qeshje plot mirësi i zgjeroi atë fytyrë të nxirë e të rrudhosur ku çdo mot kish lënë brazën e tij.
-A vdes ti për mua, Rako?
-Të rrosh me shëndet e me gjithë të mirat, aga.
Mëslla ish gati, mishi në mes, thelat bukë ishin ndarë. Pranë vatrës buka shkoi gazmore, një darkë plot bekim për këtë fëmijë të lumtur.

***
Me kohët e mira të verës kishin ardhur dhe kopetë nga vërrija. Dhëntë dhe shqerrat e tyre tani po kullotnin në bregoret e gjelbëruara, mbi këtë bar të zgjuar prej gjumit të dimërit.
Rakoja atë ditë kish dalë dhe ajo në stan ku ish përhapur tufa, se kish parë mëngjez’e majit shumë më të bukur, pa donte të shihte shelegët dhe ftujat. Shumë në mes të dhenëve Rakoja i njihte: syskë, rudë, kalesh, katarosh, më të shumëvet u kish vënë shenjë, dhe zilet e këmborët më të mira ja u kish varur vetë.
Tani kish ndenjur mbi një bregore të vogël, një bregore të shkëmbtë në mes të luadhit ku ish hapur bagëtija. Po nuk e di pse Rakon e zu një angushë kur dëgjoi që ranë dy dyfekë? Zëri ish dëgjuar më të djathtë, atje tek zbardhnin ata shkëmbënj nën rrepet e mëdhenj. Përnjëherë, pa dashur u ngrit. Barinjtë ishin atje pranë, bashkë me qent’e tyre. Po edhe ata ishin ngritur e dëgjonin. Dy pushkë të tjera u dëgjuan, pastaj një pushim i gjatë. Po këta dy kërcëllime të fundit gjëmuan me zë të shëmtuar. Mbase është ndonjë gjahtor, tha gruaja e re me vete të saj dhe u qetua pakë.
Po, jo, e gjora Rako, nuk është kërcëllim pushke gjahtori, është plumb gjaksori ay që dolli nga dyfeku i shkretë.
Pse Rakoja s’rri dot në vend? Pse tani po shikon nga an’e shkëmbënjve e të drurëve, ç’kërkon të shohë, ç’gjëmë të zezë po pret?
Na se ku po e shpin të vrarin, të shtritur mbi dy dega. Tre miq po e shokërojnë, dy mbajnë lesën, i treti po ecën pranë.
Cilët janë këta, cili ësht’i vrari? Pse Rako, ke syt’egërsuar, pse shikon me kaq frikë? Ç’është ky barì që po vjen duke nxituar pa frymë?
- Thua-më, cili është?
- Selman agaj, zonjë...
Nga kraharor’i Rakosë një zë, një thirrje dolli. Shikoi akoma, ngriti krahët, vështroi të vrarin që po e shpinin atje tej. Edhe nxitoi, se më nuk shihte. Shamija i fluturoi nga koka, një thirrje tjetër u dëgjua, dhe trup’i saj humbi poshtë shkëmbit të lartë.

***
Më shpejtë se nga valët e lumit që buçet, dhe se nga ret’e zeza që shtyn era, m’e tmerruar dhe nga flaka që breth mbi bar të një luadhi të tharë prej gjithë vapëvet të korrikut, gjëm’e vrasjesë ish përhapur dhe kish vajtur në shtëpi e Selman Todorushës. Kur shpunë dhe Selmanin të shtrirë e tërë graria ish në vaj dhe shtëpija gumëzhinte n’ulurimë.
Ish kulm’i shtëpisë, ish plaku i njerëzisë ky Selman, që kish rrojtur me nder e me trimëri pas zakonit të shqiptarëve! Edhe tani një plumb i vogël e i zi, atë njeri të gjall’e të shëndoshë po e shtrinte në dhé.
Po, jo. Selmani edhe s’ka vdekur. Një gjak i kuq po i rrjedh nga ijet dhe i ngjyen fustanin; po syri akoma s’ka humbur dritën. Kur e vunë n’odë të madhe i plagosuri mbante me dorë ijën e djathtë, ku i keqi plumb i ka hapur plagën e kuqe.
- Mos më qani pa vdekur, gra! Duroni edhe pak.
Edhe shikoi këto fytyra të dashura që në mes tyre kish gjetur gaz’e rrojtjesë. Një nga një, po gjysëm të mbuluara me një tym të zi, pa jetën e shkuar, ata gjashtëdhjetë vjeçët e tij. Po nuk ndjeu as fare dobësi në zëmrët, se ish trim Selmani.
- Mos ma lini pa marrë shpagën. Po ku është Rakoja? Ajo thosh se më donte më shumë se të tërë.
- Kish vajtur në stan sot në mëngjez, se...
Fjala s’u mbarua, se një kujë u dëgjua së jashtmi. Kjo s’ish kuj’e Selmanit, po ish e kunatës që i sillnin shtanë të rënë prej shkëmbit.
I plagosuri s’kuptoi ç’po bëhesh. Ngriti kokën e rënduar dhe fytyra ju verdh më tepër.
- Pse ky ulurim? - pyeti, dhe më s’pat fuqi të flasë më shumë.
Po qënka thënë, o Selman, që të shohësh dhe një vdekje tjetër sa pa mbyllur sytë për jetë. Kur suallë m’odë dhe Rakon e vdekur, gratë përnjëherë hodhën një klithmë.
Selmani shikoi, u pështet mbi dorën e mëngjër, ngriti kokën, psherëtiti, pastaj foli me zë të kthjelltë, me zë të plotë, sikur atë çast i erth një shpirt i ri; sytë tani po hithnin shkëndija.
- Pushoni, gra. Rakoja mbajti fjalën. Unë vetëm do të qaj.
Një vaj Labërije, një nga këta vaje ku malësorkat tona dinë të vënë kaqë poezi heroike, një të tillë qarje në vjershë, nisi i plagosuri, me zë të ngadalshëm po të shëndoshë. Gratë kishin urdhër që të mos qajnë, dhe dëgjonin, dëgjonin vajin e këtij që gjer ahere s’kish kënduar veç këngë trimërije.
Po vajtonjësi nuk mbaroi. Zëri përnjëherë ju rëndësua, syri humbi shkëlqimin, koka ju varr mënjë’anë, edhe u shtrit. Nga ij’e djathtë një shkumb’e zezë buçiti. Edhe më s’u dëgjua gjë tjetër.
Kështu vdiq Selman Todorusha nga Progonati.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora