Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Enver Bytyçi: Rama duhet të deklarohet nëse ka heq dorë nga përkrahja ndaj Vuçiç

| E marte, 12.01.2021, 09:00 AM |


Enver Bytyçi:

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, përsëri ka përdorur sot kombinimin e gjuhës kërcënuese me atë "pajtuese" sa i përket zgjidhjes së konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. “Një konflikt i ngrirë do të thotë të presësh që dikush të nxjerrë i pari shpatën", ka thënë ai. Ndërkaq ka paralajmëruar se nëse Kosova anëtarësohet në ndonjë organizatë ndërkombëtare, atëherë Beogradi do ta bëjë të pendohet.

Por fill më pas ka kërkuar lëshime nga Kosova, duke folur jo vetëm për forcën e Serbisë, por edhe për "mençurinë e racionalitetin" e saj. "E di që nuk mund të marrim gjithçka , por ne mund të jemi po aq të kënaqur ose të pakënaqur sa shqiptarët", deklaroi Vuçiç.

E zbërthyer në terma konkretë, kjo deklaratë e kreut të shtetit serb përjashton ndjesën e tij për krimet dhe mizoritë e shtetit serb kundër shqiptarëve. Nëse do të pranonte këto krime kundër njerëzimit, ai nuk mund të fliste me atë gjuhë. Nga ana tjetër kjo do të thotë se Beogradi e qeveria e tij vazhdojnë përpjekjet për ndarjen e Kosovës.

Në këto kushte institucionet e Kosovës janë të obliguar të ndërtojnë një platformë, me të cilën të detyrojnë Serbinë të kërkojë ndjesë për krimet e paimagjinueshme kundër shqiptarëve dhe t'i kërkojnë botës së qytetëruar dënimin e këtyre krimeve.

Shteti shqiptar nga ana e tij mund të marrë dosjen e këtyre krimeve nga autoritetet e Kosovës dhe të bëjë kallzimin penal në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Por para se të ndodhë kjo, kryeministri Rama duhet të deklarohet nëse ka heq dorë nga përkrahja ndaj Vuçiç në projektin serb për ndarjen e Kosovës!