E marte, 16.04.2024, 07:41 PM (GMT+1)

Mendime

Andi Bushati: “Darka e fundit” në Dubai

E diele, 10.01.2021, 07:03 PM


“Darka e fundit” në Dubai

Nga Andi Bushati

Qeveria Rama u gjend papritmas e përmbytur nga një video disa sekondshe dhe një buqetë fotosh të nxjerra prej saj, ku shfaqej njëri prej biznesmenëve më të mëdhenj në vend, në shoqërinë e dy ministrave dhe eksponentëve të rëndësishëm të rilindjes.

Gjithçka dukej sikur ishte përgatitur për të bërë zhurmë: Vendodhja Dubai. Restoranti: ai i Nusretit të famshëm. Periudha: në kulmin e përmbytjeve. Konteksti: biznesmenë e politikanë që festojnë së bashku në kulmin e akuzave, kur ky kabinet po akuzohet gjithandej si qeveria e oligarkëve.

Ky koktej molotov ishte i mjaftueshëm për ti vënë flakën rrejeve sociale. Dhe në këtë kuptim kjo është një ngjarje nga ato të cilat mbahen shënim në historinë e një vendi.

Sepse ndonëse asnjë nga mediat e mëdha, apo më pak të tilla, nuk foli për këtë ngjarje, qeveria u mundua të japë shpjegime. Ajo sqaroi me anë të një komunikimi se të ftuarit ishin aty për punë, në kuadrin e një projekti rindërtimi, ndërsa vetë Rama, mori mundimin të përgjigjej në Facebook se ministrat e tij e kishin të ndaluar të shkonin me pushime jashtë, ndaj kjo përrallë me “gjellë pasanikësh” ishte e pavlerë.

Në fakt alibia e qeverisë ishte pak bindëse. Në pamje dukej qartë se festa ishte organizuar nga biznesmeni Samir Mane, dhe ministrat Ahmetaj, Balluku, apo zyrtarë si Mazniku dhe Fuga kishin pak lidhje me njëri tjetrin.

Çdo mendje normale e ka të pamundur të përtypë se ata gjendeshin sëbashkëu duke punuar për rindërtimin. Fjala vjen, ç’lidhje ka zëdhënësi i kryeministrit me këtë proces? Apo për të shoqëruar gazetarët e tv-ve që gjendeshin në Dubali dhe që u informuan gjithashtu për këtë festë nga facebook-istat e Tiranës?

Në këtë kuptim, alibitë e zyrës së propagandës qeverisë nuk kanë asnjë vlerë.

Për faktin e thjeshtë se ato nuk arrijnë të bindin askënd. Jo sepse pretendimi që thotë kryeministria nuk mund të mos jetë i vvërtetë. Jo sepse ministrat mund të mos kenë qenë vërtet të ftuar për punë.

Por, për një arsye krejt tjetër që e kapërcen fabulën e një feste në një restorant të famshëm të emirateve.

Ato pak sekonda që u përhapën me shpejtësi rrufeje në rrjet, që u transformuan në dhjetra meme, që u mveshën me audion e zërit të Reshat Arbanës, që gumëzhinë me mijra komente dhe që e detyruan kryeministrin të prishte të dielën për tu përgjigjur, qenë tejet simbolike.

Ato qenë dëshmia e asaj që mendojnë të gjithë, lidhjeve okulte mes bisznesit dhe politikës. Ato qenë prova e moskokçarjes apo indiferencës së “shërbëtorëve” tanë ndaj fatkeqësisë së një vendi të përmbytur nga ujrat.

Mënyra se si ato u përhapën, forca më të cilën ato u ripostuan, ishte një tregues i qartë se realiteti që perceptojnë shqiptarët nuk është as ai që i kumton qeveria mes kronikave të përgatitura, as temat për të cilat zgjedhin ti “informojnë” mediat.

Prandaj qeveria, vendosi të lëshojë sqarim publik dhe Kryeministri të reagojë personalisht. Ata kuptuan se sado që të kesh nën kontroll gjithë kastën, mjaftojnë disa sekonda imazhe që gjithë propaganda të bëhet shkrumb e hi.

Në këtë kuptim, ajo që ndodhi në Dubai me Rilindjen është e ngjashme me historinë e vallzimit të Nanos dhe Xhoanës në një buzuk grek, kur vendi ishte në zi kombëtare.

Atëhere, ish-kryeministri nuk i kishte nën kontroll gjithë mediat e mëdha dhe mjaftoi një kronikë në një TV kombëtar, që imazhi i tij të shembej.

Sot Edi Rama i ka vënë në thundër të gjitha ekranet, por fatmirësisht jetojmë në kohën e rrjeteve sociale. Dhe për Dubain shpërthyen si rrallëherë ato. Jo thjesht se u konsumua një darkë te Nusreti, por mbi të gjitha si revoltë, kundërshtim dhe neveri për fabulën që u tregohet nga kasta.

©Lapsi.al



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora