E premte, 19.04.2024, 12:02 AM (GMT+1)

Speciale » Alia

Lutfi Alia: Poeti arbëror Mikel Marullo Tarkaniota

E diele, 10.01.2021, 07:16 PM


POETI ARBËROR MIKEL MARULLO TARKANIOTA

Nga Lutfi ALIA

Paolo Xhiovio (Giovio – Jovius), Ipeshkëv katolik, historian, mjek, biograf dhe muzeologu i famshëm italian, në veprën e botuar në vitin 1546: “Lëvdata për njerëzit e shquar, me portretet e vërteta … Elogia veris clarorum virorum imaginibus apposita. Quae in musaeo ioviano Comi spectantur. Addita in calce operis Adriani Pont. vita coloph., Venetiis apud Michelem Tramezinum. MDXLVI. Cum Privilegio summi Ponitificis, Caroli V Imperat. Regis Franciae. Illustrissimi Senatus Veneti, nec non Excellentissimorum Florentiae et Mantuae Ducum”, krahas Gjergj Kastriotit Skenderbeut, të cilit i dedikon një vepër historike më vehte, ndër figurat më të shquara të Italisë rradhit dhe tre arbërorët: filozofin Nicolò Leonicus Tomeus; humanistin Marini Becichemi Scodrensis dhe poetin Michele Marullo Tarchaniota.

Mikel Marullo Tarkaniota u lind në vitin 1453 në Kalabri, në familjen fisnike arvanitase e ardhur nga Akaia e Moresë. I ati Manilio Marullo ishte nga qyteti Dime dhe nëna Efrosina Tarkaniota, nga familja Tarkanio, që ishin zotërit e Mores. Sipas historianit Giovanni Tarkaniota, pas pushtimit nga Perandoria Osmane e Mores, zonja Efrosina shtatëzënë me Mikelin dhe me djalin Jani, emigroi ne Kalabri bashkë me Melisa e Artës, gruaja e Leonardo Toka - dhespotit të Artës. Zbarkuan dhe u vendosën në Krotone. Pas lindjes të Mikelit arrijti në Kalabri dhe i ati Manilio. Pak dihet për fëmijërinë. Në arsimimin dhe edukimin e tij ndikuan kryesisht i ati dhe nëna e tij. Biografët e tij theksojnë se Mikeli studioi latinishten dhe greqishten në Venecia dhe filozofinë në Padova, por pa cituar burimet e këtyre të dhënave, por ka mundesi sepse atë kohë familja e tij ishte sistemuar në Ankona. Ky opinion hamendësohet me faktin se shumë epigrafe të Mikele Tarkaniota ndodhen në kishën e San Domeniko në Ankona, ku ishte varrosur gjyshi i tij. (Lucia Gualdo  Rosa: Poeti latini del Quattrocento. Ricardo Ricciardi Milano – Napoli, Libreria AbeBooks. 2012)

Vitet e adoleshencës pa dyshim i kaloi në Napoli, ku ishte stabilizuar i ati Manilio, i cili ishte kthyer nga Raguza me nipin e Efrosinës, Paolo kushëriri i Mikele (ishte i ati i Giovanni Tarkaniota autori i “Historie del mondo”). Mikeli djalosh, në Napoli mori një edukim të rafinuar humanistik në Akademinë Antoniana, me pas në Pontaniana, ku ndikim të madh ushtroi miqësia me Giovanni Pontano, humanist, poet dhe politikan i shquar i asaj kohe. Në ato vite e shtoi veprimtarinë poetike me epigrama. Në epigramat “Iliade” (II, 3, v. 68) i referohet qytetit Siena, sipas legjendave i themeluar nga fëmijët e Remo dhe Rea Silvia, duke e trajtuar Sienën si “vepër e Remo” (Epigrami III, v. 10), si shprehet dhe në De Lauddibus Senae (v. 2 dhe 24), por në fakt mendohet se Mikeli nuk ka studiuar në Universitetin e Sienës, por në San Giminiano, në akademine poetike, që Kortezi e kishin hapur në kështjellën Di Monti.

Mikel Marullo Tarkaniota është poet sa misterioz, po aq i fuqishëm dhe i rafinuar, por në veçanti u shqua si shkrimtar shijehollë dhe poet – filozof, i vlerësuar nga kritika italiane, si poeti neolatin më i madh i shekullit XV, i shquar me poezitë e mrekullueshme në latinishte, autori i lirikave plot me mallë për atdheun e humbur, autori i shumë epigrama dashurie, që konsiderohen nga më të bukurat e formuluara në periudhën e Rilindjes, ashtu dhe në thurjen hymneve të natyrës, të poezive filozofike platoniko-lukreciane, që shprehin dhe një botë shpirtërore të pasur dhe fetare të fuqishme. Përdori metrikë të ndryshme në Epigramata (botim i vitit 1497), ku trajton tema të ndryshme, nga të dashurisë në bashkebisedimet intelektuale dhe mbi të gjitha në shprehjen e mallit për atdheun dhe popullin e tij të robëruar dhe për kaosin dhe katastrofat që krijoi pushtimi nga Perandoria turke i vendeve ballkanike. (G. Ferroni. Storia della litteratura italiana Einaudi, 1995, p. 396).

Në moshën 17 vjeç Mikeli arrijti një formim optimal kulturor, studioi kalsikët e letërsisë latine dhe shkruante poezi në gjuhën latine. Mikeli ishte shpirt-rrebel dhe aventuroz, me karakter të zjarrtë arvanitas, që e nxitën të hyjë në rradhët stratiote arbërore dhe të merrte pjesë në shumë beteja në Itali dhe në vendet e largëta të lindjes.

Në vitin 1470 u bë protagonist në aventurat e kohës, i mobilizuar në shërbim të fisnikëve të fuqishëm dhe të Republikës së Venedikut, mori pjesë në beteja të shumta në Europën qendrore dhe lindore, madje e quanin poeti-ushtar. Kur militoi në rradhët e stratiotëve arbëror, mori pjesë dhe në luftimet kundër turqëve në Krime (Valeriano Pierio e Gaisser, Julia Hag. Pierio Valeriano on the ill fortune of learned men: a renessance humanist and his world. University of Michigan Press, 1999, p. 306), si dhe në shumë vende të tjera, që ai përmend në poemat, në poezitë dhe epigramet e shumta si betejat në trojet në veri të Detit të Zi (Scizia, malet Rifei, Bessi, Geti etj) si dhe në territoret për gjatë lumit Danub (Rumania, Moldavia, Bullgaria).

Në vitet e aventurave si stratiot, i vdiqën nëna dhe vëllai Jani, të cilëve iu dedikoi dy poema: epigrama I 52, Epitaphium Euphrosynes Tarcchaniota matris - Epitaf nënës Efrosina Tarkaniota dhe epigrama I 22, De morte Iani fratris - vdekja e vëllait Jani. Me emocionet dhe mallëëngjimin e tij karakteristik, këto dy krijime poetike janë frymëzuar nga poema 101 e Katulo, të shoqëruara me një rikthim imagjinar ne vendet e largëta të origjinës arbërore të familjes.

Paolo Giovio, në veprën Elogia ilustris ... afirmon se Mikele ishte mercenar ne rradhët e stratiotit albanez Nikolla Rhallis, komandanti i kavalerisë veneciane. Mikeli, pasi u kthye në Venecia nga betejat në lindje, u dërgua me kavalerinë stratiote në ndihmë të mbretit Mattia Korvino, për të luftuar kundër dyndjeve turke në Hungari. Mikeli i dedikoi një epigram (IV, 22) mbretit Mattia me lëvdata si strateg ushtarak, si legjislator dhe për mikpritjen që iu rezervoi stratiotëve arbëror. Pasi u kthye nga Hungaria, mori pjesë në mbrotjejn e Raguzës dhe Budva si shprehet në Epigramën IV. 17. Pasi u kthye në Itali me stratiotët e Venecias luftoi në Ferrara dhe ne Pulja (Benedetto Croce, 1945, p. 273), madje dhe kundër turqëve në luftën e Peloponezit.

Pasi u kthye nga luftimet në lindje, shkoi në Firence për ngushëllim të vdekjes të Simonetta Cattaneo Vespucci, madje shkruajti një epitaf për Simonetta. Nga mezi i vitit 1476 u vendos në Napoli ku u përfshi në vrullin e jetës dhe të kulturës napolitane. Rivendosi raportet bashkëpunimi me humanistin Pontano dhe antarët e akademisë së tij. Kultura astrologjike napolitane, në veçanti vepra “Urania” e Pontano ushtruan ndikim në krijimin e veprës së tij “Hymni Naturales”, e cila u shtyp në Firence po në vitin 1497, e cila u mirëprit dhe u vlerësua si model i hymneve Orfeojane misterioze, ku Mikeli i këndon fuqisë hyjnore të natyrës, duke e cilësuar “feja naturale”, krijime të frymezuara nga neoplatonizmi fiorentin dhe emetizmi oriental, por me ndjeshmëri materialiste dhe pagane, duke iu referuara veprës “De rerum natura” të Lukrecit.

Në veprat Hendecasyllaborum libri, I 26; De Marulli amoribus I 29; De Marulli munisculus, Pontano e prezanton si dashnor i zjarrtë, por epigramat dhe epitafet dedikuar shumë femrave, nuk do te thotë se ai kishte relacione dashurie, por shprehin ndjeshmërin e tij në raportet e miqësisë dhe stimën për ato, që bënin pjesë në shoqërinë e tij napolitane. Në këtë periudhë është në shoqëri me Antonello Petruçi dhe Antonello Sanseverino (Admirali i Mbretërise së Napolit), me Jakopo Appiani zoti i Piombino dhe me familjen Akuaviva. Në vitet 1478 - 1480 mori pjesë në ofensivën e Napolit kundër Firences, ndërsa në shtator 1481, u bashkua me Akuaviva në luftën e aragonezëve për çlirimimin e Otrantos, që ishte pushtuar nga turqit. Edhe pse luftoi për aragonezët, ai nuk kaloi në shërbim të tyre, madje në poemën “De cardinalatu” shpreh urrejtje për Ferdinandi I, i cili i dënoi me vdekje baronët kalabrezë, madje dyshohet se Mikele ishte pjestar i komplotit të baronëve.

Pas këtyre aventurave u vendos në Romë. Në vitin 1488 Mikeli i dërgoi letër mikut fiorentin Giovanni Piko della Mirandola, ku i shpreh keqardhjen që nuk mund ta takoi, si dhe e informon se nuk e pëlqen jetën romane. Në këtë kohë krijon miqësi me vëllezërit Kortezi, me kardinalin Marko Barbo, me Giovanni dei Medici (i biri i Lorencos, i cili me pas u zgjodh Papa Leone X), me Fraçesketo (i biri i Papa Inoçenci VIII) dhe me Alessandro Farnese (do të zgjidhet Papa Pali III) dhe me Kozimo Paci. Në Romë qëndroi deri në vitin 1489. E kësaj kohe është dhe miqësia me perandorin Maksimiliano i Habsburgeve, të cilit i dedikon disa epigrama me lëvdata.

Më 3 gusht 1489 u vendos në Firence, i mirepritur nga grupi i humanistëve, që ishin mbledhur nga Lorenzo Mediçi, ku gjeti përkrahje dhe mbrojtjen e Botiçeli (Alessandro Filipepi) dhe të Mikelanxhelo Buonaroti, si dhe krijoi lidhje miqësie me Marsilio Fiçino dhe Anxhelo Ambroxhini – i quajturi Policiano.

Të kësaj kohe janë dhe dy portretet e Mikel Marullo Tarkaniota të realizuara nga Botiçeli, njeri prej të cilëve ndodhet në koleksionin privat Guardans – Cambò, Barcelona. Mikëpritjen dhe nderimin nga familja Mediçi e shpreh në hymnin e Hënës në veprën Hymni Naturales, III 2, v. 8). Në vitin 1568, Kristofor dell’Altissimo, riprodhon portretin e Mikelit, që ndodhej në muzeun e Paolo Xhiovio.

Botimi i parë i Epigramata është pa datën e shtypjes, por mendohet se është realizuar pikërisht në periudhën kur ndodhej në Firencë (1489 – 1490), çka konfirmohet dhe me faktin se ia dedikon Lorencos. Gjatë kohës që jetonte në Firence u dashurua me vajzën e quajtur Kamila, të cilës i kushtoi poemën “Neaera – rinushja”, por  mbeti vetëm një admirim dashuror.

Për karakterin e tij të zjarrtë dhe frymën kritike ndaj veprës Miscellanea të Policiano, botuar në vitin 1489, Mikeli i prishi raportet me Policiano, por shumë biografë thonë se baza e konfliktit ishte e bukura Aleksandra Skala, nxënësia e preferuar e Policiano.

Në vitin 1493 ushtria e Karlit VIII të Francës marshoi drejt Napolit dhe premtimet e Karlit për organizimin e kryqezatës kundër Perandorisë Osmane, e nxiti Mikelin të bashkohet me francezët, si e informonte mbretin Ferdninad I ambasadori napolitan në Firence. Në këtë periudhë kompozoi poemën Institutiones principales në katër libra, dedikuar edukimit të djalit të mbretit Karlo. Kur pa se nuk u realizuan premtimet për kryqëzatën kundër Perandorisë Osmane, në vitin 1496 Mikeli u rikthye në Firence. Shpesh frekuentonte Rafaelo Maffein,

fisnikun e Volterra, miku i Bartolomeo, ku njohu të bukurën dhe të mençurën Aleksandra Skala.

Në vitin 1497 u martua më të bukurën Aleksandra Skala, e bija e sekretarit të Sinjoris Fiorentine, humanistit

dhe poetit Bartolomeo Skala. Aleksandrën e njohu Volterra, i lidhur me miqësi me familjen Skala. Dashuria e zjarrtë për të bukurën dhe poeten Aleksandra Skala e frymëzuan të shkruaj epigramat III e IV dhe në një nga strofat shprehet:

(përkthyer nga latinishtja Lucia Gualdo Rosa )

Bella e graziosa come sei, mia Scala,

sei veramente rara, ma non unica.

ma, poiché tu congiungi alla bellezza

la castità e alla leggiadria il pudore,

ch’io muoia se non sei, mia Scala, unica.

Essendo in?ne amica delle Muse, non unica

mia Scala: sei una dea

E bukur dhe hiroshe je Skala ime,

je më të vërtetë e rrallë, por jo e vetmja,

por pasi ti i bashkon bukurisë

dlirësinë dhe hijeshinë e ndrojtjes,

Se une vdes në se nuk behesh e imja o Skala e pashoqe,

Ti që je mikja e muzave, jo e vetmia,

o Skala ime, ti je një hyjneshë.

Ne 1497, Mikele botoi të gjitha poemat në katër libra në Epigramata, ndërkohë që ishte botuar në dy libra në vitin 1489. Botimin e Epigramata ia dedikoi Lorenco Mediçi, me nga një poezi në hyrjen e çdo vëllimi. Po në vitin 1497 botoi ne kater libra Hymni naturales, të cilat i kishte shkruar në Firence në vitet 1489 dhe 1497.

Në vitin 1498 vdiq Giovanni Pierfrançesko Mediçi, të cilit i dedikon një elegji në Nenie (botuar postume në 1515). Atë vit Mikeli shkoi në shërbim të Katerina Sforca – zonja e Imola dhe kontesha e Forlì, në cilesine e “trimit të armatosur” (si cilësohet në një dokument të botuar nga Pasolini).

Në tetor të vitit 1499, Katerina Sforca e dërgoi në Milano ambasador pranë Luigjit XII. Shiprti i tij rrebel, më 14 janar 1500 e nxiti të marri pjesë në rezistencën e Forli ndaj Cezare Borxhia dhe Farnezëve, por në këtë betejë u kap rob nga forcat papale. Me insistimin e Katerina Sforca, e liruan dhe shkoi në Volterra në shtëpinë e mikut Rafaello Maffei. Pas nje pushimi të gjatë në shoqëri me mikun e tij, vendosi të vizitoi atdheun e tij. Maffei iu lut të mos ikte, jo vetëm se ishte mot i keq e një ditë me shira të rrëmbyeshëm, por sepse ishte e djela e Palmave. Mikeli ishte i vendosur të udhëtonte dhe me mot të keq. Nga Volterra ndoqi rrugën Maremmana, që të çonte në Piombino, ku e priste anija me të cilën do të lundronte për në atdheun e tij.

Ishte 12 prilli i vitit 1500, e djela e Palmave, ditë me shi. Shkrirja e borës në male atë pranverë i kishte fryrë lumenjtë. Kur arrijti në Kastilionçelo në Provincën e Livornos, duhej të kalonte lumin Çeçina, që atë ditë vërshonte i dallgëzuar dhe i turbullt nga prurjet masive pas shirave të rrëmbyshëm. Mikele Marullo Tarkaniota, vendosi te kaloj lumin e rrembyer, por kur arrijti në mesin e lumit, kali rrëshqiti në baltën e fundit të lumit dhe se bashku me Mikelen e mbuluan nga tallazet e ujit të turbullt. Pas disaa minutash, kali doli mbi ujë dhe arrijti në bregun tjetër, ndërsa poeti – luftetar u përfshi nga valët e vrullëshme dhe të turbullta të lumit. Keshtu vdiq Mikele Marullo Tarkaniota, duke lënë në dëshprim vejushën e bukur, të mençurën, poeten Aleksandra Skala. Miqt e tij arbëror, stratiotët që e shoqëronin në këte rrugëtim dhe që asistuan këtë tragjedi, njoftuan menjëherë Rafaello Maffein i cili u kujdes për varrimin e Mikelit në kryefamullinë e Shen Giovanni Battista në Pomerance në Provincëen e Pizes. Ne varrin e Mikele Marullo Tarkaniota, miku i tij Refaello Maffei vendosi një lapide me një epitaf, që kujton dhe nderon veprën e tij si poeti më i shquar i rilindjes italiane.



(Vota: 19 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora