E marte, 26.01.2021, 09:10 PM (GMT)

Kulturë

Hasan Hasanramaj: Një ditë me shkrimtarin dhe publicistin Sejdi Berisha

E diele, 10.01.2021, 01:17 PM


Një ditë me shkrimtarin dhe publicistin Sejdi BERISHËN

FATI I ATDHEUT DHE I NJERIUT MA NGACMOJNË DETYRIMIN KRIJUES...

Nga Hasan Hasanramaj

Në bisedën të cilën e zhvilluam këto ditë me shkrimtarin, publicistin dhe aktivistin e shumë aktiviteteve kulturore në komunën e Pejës, Kosovës dhe më larg, Sejdi Berishën, mësuam së ai është një prej figurave më të dalluara dhe më karakteristike të krijimtarisë në Kosovë dhe me larg, krijimtaria e të cilit e ka veçantinë e ngrohtësisë shpirtërore dhe të përjetimit, e ka zërin dhe mesazhin metaforik, kurse universi i tij krijues së bashku me filozofinë e mendimit, lexuesin jo vetëm se e bën për vete dhe kureshtar, por edhe e provokon për analiza të mëvetësishme të veprave të këtij krijuesi të mirënjohur. Ndërsa, angazhimi i tij si publicist me vite të tëra, si në fushën e informimit me kohë, të drejtë dhe në mënyrë profesionale, është një prej kontributeve më qenësore për afirmimin e vlerave shoqërore, individuale, por edhe për luftimin e të gjitha dukurive negative, të cilat kanë qenë prezent dhe e kanë penguar zhvillimin e mirëfilltë të shoqërisë në të gjitha segmentet e jetës.

Shkrimtari që u dha shpirt vlerave shpirtërore, letrare dhe kulturore kombëtare

Ky krijues karakteristik, është njëri prej atyre që i dha shpirt jetës, zhvillimit dhe ruajtjes së vlerave shpirtërore, letrare dhe kulturore jo vetëm në Pejë dhe në rajonin e Rrafshit të Dukagjinit. Para luftës në Kosovë, ai ishte edhe në krye të letrarëve pejanë por edhe udhëheqës në Kryesinë e Krijuesve dhe Veprimtarëve të Kulturës në komunën e Pejës. Duke insistuar për të na shpjeguar më për së afërmi, mësuam së për krijimtarinë e vetë, shkrimtari dhe publicisti, Sejdi Berisha ka etje që përmes vetvetes të na rrëfejë përgjithësisht për njeriun:

-Kur e kujtoj jetën dhe fatin e njeriut, kur e shoh dhe e analizoj historinë e tokës dhe të atdheut, pothuaj se e tërë kjo më ndezë e përcëllon, dhe gjithnjë ma ngacmon detyrimin për ta kujtuar ndërgjegjësimin dhe vetëdijesimin e njeriut, të cilat gjëra ende na mungojnë bukur shumë, edhe si komb por edhe si shtet.

Andaj, edhe jeta, edhe njeriu, edhe krijimtaria e tij, e kanë një rrugëtim, që nëse nuk ia qëllon rrugës dhe itinerarit, atëherë pamëshirshëm të shoqëron nebuloza.

Ky krijues është ai që me veprat e tij dha gjithçka për zhvillimin, përjetësimin dhe afirmimin e tërë madhështisë historike, kulturore dhe peshës së vlerave kombëtare:

-Njeriu është një krijesë të cilën duhet “marrë” me të mirë, duhet për t’ia mësuar dhe ditur hallet. Sepse, ai është i lidhur me tokën e qiellin,... ai është i lidhur me atdheun e vendlindjen-si dy zjarre që kallin e ngrohin në të njëjtën kohë!

Për atë, edhe veprat e këtij shkrimtari dhe publicisti të veçantë, pos tjerash, joshin me peshën dhe domethënien edhe të titujve të veprave, si “Lumturia e dhembjes”, “Mallkimi i heshtjes”, ”Fjalë e pathënë”, pastaj, “Shpërputhje kohe”, “Piramida e ironisë”, “Freskia e pluhurit”, “Fjala e Gjakut”, “Përtej shkrimit” e të tjera.

-A di, si. Të Ju them të drejtën - gjatë bisedës na tha Sejdiu, se shkrimet të nxjerrin telashe kur i ke në kokë, por edhe atëherë kur i vë në letër, dhe, edhe më shumë kur i boton dhe ato kur bëhen pjesë e lexuesit. Për këtë, sa ndjej kënaqësi, po aq kam frikë e përgjegjësi, por edhe më shpijnë të mendoj për shkrimin, i cili provokon për gjithçka. Kështu edhe krijohet një rrugë e gjatë në trajtë të dy drejtëzave të cilat dot nuk mund t’i afroj në mes vete e lëre më për t’i takuar dhe për t’i bërë një! Edhe brigjet e lumit nuk takohen dhe si të tillë mbesin gjithmonë etje, dashuri, lumturi e shpresë për realizimin e ëndrrave.

Gjërat e mirëfillta nganjëherë në jetë vijnë shumë të ngatërruara, andaj edhe duhet kohë e përgjegjësi për t’i vënë në binar të shëndosh...

Në këtë kontekst, krijuesi S. Berisha thekson si veçanti: dua të them, se nganjëherë gjërat e mira vijnë shumë të ngatërruara, sa që për t’i radhitur nevojitet po aq kohë sa edhe ke luftuar për t’i pasur në duar, ato! Nuk di sa isha i qartë, por a ka mesazh më të ndjeshëm dhe më të fortë se sa kur flet për freskinë e pluhurit, për lumturinë e dhembjes, për simfoninë e pritjes, për fjalën e pathënë, e lëne më për gjërat “përtej shkrimit”, të cilat thuaja se janë sinonim i jetës, i rrjedhave, i ditarit të njeriut dhe i historisë së vendit tim?!

Disa nga veprat e shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA

Dhe gjatë bisedës aq të ngrohtë dhe interesante, shkrimtari dhe publicisti, S. Berisha, thekson: ndjej kënaqësi, por, po aq kam edhe frikë dhe përgjegjësi, të mendoj për shkrimet, të cilat me provokojnë për gjithçka...

Ky krijues, që nga bankat shkollës fillore filloi të merret me shkrime. Së pari shkroi poezi, të cilat, i botohen te gazeta “Flaka e Vëllazërimit” të Shkupit, e pastaj, në “Pionieri” dhe në “Rilindja për fëmijë”. Si nxënës i gjimnazit të Pejës bashkëpunon me gazetën studentore “Bota e Re”, kurse, që nga viti 1970 bëhet bashkëpunëtor mjaft produktiv i gazetës “Flaka e Vëllazërimit”. Në vitin 1972, punësohet në Radiotelevizionin e Prishtinës, Në këtë detyrë, ai ishte gjithnjë deri në korrik të vitit 1990, kur policia serbe me dhunë i dëbon nga vendet e tyre të punës bashkë me të gjithë punëtorët shqiptarë të Radiotelevizionit të Prishtinës. Gjatë punës në Radio-Prishtina, ai ka arritur titullin e Redaktorit të Kategorisë së Parë. Ka qenë edhe reporter në manifestimet kulturore, siç ishte Festivali i Teatrove të Jugosllavisë, Festivali Republikan i Teatrove të Kosovës, Serbisë dhe të Vojvodinës dhe Festivali i Teatrove Amatore të Kosovës, të cilat për çdo vit mbaheshin në Trebinje të Bosnjës dhe Hercegovinës, në Kulla të Vojvodinës dhe në Ferizaj të Kosovës.

Për punë cilësore dhe profesionale, disa herë është shpërblyer dhe ka marrë mirënjohje. Në ndërkohë, pesë vite ka qenë edhe gazetar-korrespondent i Televizionit të Prishtinës, kurse pas vitit 1980, edhe gazetar i “Rilindjes”.

Sejdi Berisha për punë cilësore dhe profesionale, është shpërblyer me mirënjohje dhe shumë shpërblime të tjera

Ky krijues, publicist dhe kronist, në nëntor të vitit 1982 nxori numrin e parë të gazetës “Peja” dhe ishte themelues i Radio-Pejës. Ishte edhe drejtor i këtij institucioni me rëndësi të veçantë informative dhe shoqërore, por duke mos u pajtuar me koncepcionet e udhëheqjes së atëhershme të Kuvendit Komunal të Pejës, nën patronazhin e të cilit ishte edhe Radio-Peja, e që një koncepcion i tillë nuk lejonte hapësirë për punë kreative, cilësore dhe profesionale, tërhiqet nga kjo detyrë dhe sërish kalon me punë në Radio-Prishtina. Ky publicist, shkrimtar dhe aktivist i mirënjohur në Kosovë dhe jashtë saj, është njëri prej punëtorëve më të mirëfilltë të kulturës, jo vetëm në Pejë e Kosovë, por edhe më larg. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i Lidhjes së Gazetarëve të Kosovës. Një kohë të gjatë me sukses ka udhëhequr Klubin letrar të Pejës, Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës, dega në Pejë. Deri me tash ka botuar dyzetë e dy vepra nga fusha të ndryshme: prozë, poezi, eseistikë, monografi, kritikë letrare, monografi, drama e të tjera.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora