Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nexhat Halimi: Peshqit në kornizë

| E diele, 10.01.2021, 12:01 PM |


Peshqit në kornizë

Nga Nexhat Halimi

Nën njërën degë të rrapit të vjetër, rrëzë kalasë së Prizrenit-atje, lart, në një çeli qëndroi nën pranga simboli i Lidhjes shqiptare, Abdyl Frashëri. Mendja më ik te gardiani Gjakulli njëqind e shtatë vjeçar dhe te fjalët e shqiptuara me dhembje. – E ruaja simbolin e Lidhjes, i cili tretej çdo ditë më tepër për tri vjet ngujuar në kala, në një kthinë të errët e të papastër, në Kala. Me t'u hapur dera, Abdyli i zbehtë, pa pikë gjaku në fytyrë, më psherëtiu. Dëgjo, gardian,  ja ora ime e trashëgimisë familjare, merre dhe shite e më blej pak bukë!

I pimë kafetë nën degën e rrapit me Salon dhe morëm të ngriheshim. Ai iku në punë të vet e unë me mendje ende te Abdyli – nën pranga në kala, ecja i dërmuar. Ecja kuturu përgjatë trotuarit, përkrah të të cilit rridhte Lumëbardhi me ushtimë. E kalova urën e gurit e dola në Shatërvan. Papritur m'u bë se vërejta Sanien, e cila iku me nguti. Ktheva prapë në urën e gurit dhe i bëra zë.

-Me mua e ke? –ktheu kokën e më tha

-Po, me ty!

-Nuk më kujtohesh, të të njoh, - tha ajo e eci nga unë.

-Ka kaluar kohë e gjatë. Përndryshe njihemi... – Ia bëra dhe m'u kujtuan Peshqit, algat, uji... dhe sugjerimi i V.Gërvallës, të bisedoja me të. – E gjen në Shtypshkronjën e Prizrenit... Me radhë m'u kujtuan detaje e detaje, me të cilat folëm për Sanien.

Shkrimi për krijimtarinë e Sanies qe shumë i hershëm  me një përqendrim të dukshëm në botën e pasur bimore e shtazore nën ujore. Një mrekulli e posaçme e llojit të vet dhe shumë e veçantë sa i përket çasjes, këndit vetanak.

Ndërkohë filloi të më zhvillohej peri i gjatë i shkrimit për të dhe krijimtarinë artistike. Kjo gjë më vinte me valë dhe e ashpër në qetësinë e vet para stuhisë.

Apo ranë derdhjet e para të rikujtimit për shkrimin...

...Apo, deti e drita, ajri e thellësia: jeta. Dhe, më pastaj, po aty, e tërë një fushë plot gjallëri, që lëviz lëngshëm, që sa vjen e merr gjuhë, ngjyrë, e merr formë, të përmotshme në pëlhurën e përparuar të piktores.

Gjithë këtë thellësi, këtë gërshetim të fortë të figuracionit, të gjallëruar në grafika, deri tash e përjetuan artdashësit e Prishtinës, pastaj ata të Prizrenit, të Beogradit, të Kladovës, të Leskovcit, të Zagrebit, e përsëri ata të Prishtinës, ku Sania ekspozoi punimet e veta. Kjo e re e cila deri vonë jetoi në Zemun, tash sa kohë punon në shtypshkronjën Ramiz Sadiku në Prizrenin e lashtë tek e gjen frymëzimin e vet për krijimet që i kornizon me vullnet, dashuri e guxim.

Prapë  më lidhi ndërmjet fshehtësisë e kreativitetit rruga krijuese.

Ajo theu rrugën e m'u afrua me  dilemë.

-Çfarë e preokupon piktoren e re?- ia bëra dhe buzëqesha.-Nuk më njeh?

-Jo!

-E përditshmja ka ngarkesa, shumë gjëra shlyhen,harrohen...

-E përditshmja është aq e afërt,  e prekshme, sa nuk të lë të qetë.  Në kohë të fundit, thotë ajo, po angazhohem në krijimtari me intensitet të pa rëndomtë. E kjo, meqë po kam nevojë të them, të flas, e me këtë të dëshmoj,  rimat dhe vlerat që i kam arritur deri tash.

-Një kohë të gjatë më preokupojnë variacionet e botës nënujore, flora e fauna. Në atë thellësi, që është e njohur aq sa edhe e panjohur, shtrihet fshehtësia. E kjo për mua, në një mënyrë, është vetëm rikthim në vete,  vazhdim i fushës se fëmijërisë, e cila në  mua ka lënë gjurmë të thella. Po të shikohen me përqendrim, në punimet e mia, hetohet pikërisht kjo hapësirë e tërë e fëmijërisë, bashkë me ëndrrat, me dëshirat dhe mungesat e shumta. Gjurmët e fëmijërisë a nuk e përcjellin  njeriun gjatë tërë jetës? Unë, ecë në jetë, po ne vete atëherë bart atë hapësirën e kaltër,  të bardhë, të cilën e ke pushtuar në ëndrra, me lojë e dashuri në fëmijëri. Dhe sot, sado afër fëmijërisë, prapë në atë fushë të largët sa të prekshme, kanë ngelur shumë fshehtësi. Dhe vërtet po.  Grafikat me ngjyra të Sanies gjithherë ofrojnë mundësi për përjetime nga më  të ndryshmet, mundësi për prekje lirike të botës. Të gjitha motivet zgjojnë asociacione të shumta, ofrohen herë si hapësirë enigmatike e thellësive të detit e herë si shtresa dhe mundësi kozmike. Në këtë hark të tillë, në rrafshin e krijimit, shtrihen pastaj pjesë-pjesë gërshetime të së sotmes, që shihen e preken, ëndrrat e bartura  nga fëmijëria e mbetur larg, por megjithatë përherë afër, shumë afër – në zemër.                                  E tërë kjo është kënduar, e materializuar në pamje dhe e shprehur poetikisht, me plot optimizëm, e ci1a gjë në këtë unazë të kohës e mbushur përplot kundërthënie rrëqethje e pesimizëm, si dhe  pasiguri nga vatrat e luftës në shumë paralele e meridiane të rruzullit tokësor, vjen e ndrit fuqishëm plot humanizëm. Dhe si e tillë është vlerë e pamohueshme , vlerë që jeton për njeriun e me njeriun, për paqen e lirinë.  Një gjendje e tillë, të cilën Sania e sugjeron me paletën e vet të gjallë, të çlitër.

Me brushën e ngjyer në të kaltër, të bardhe, me tonet e ngrohta në pëlhurë, piktorja e krijon një vargua të gjatë, një cilkël të madh, në vazhdimësi të pashkëputur. Të përshkruar nga vetja e lart-lart nëpër dhëmbëz të maleve të Sharrit, të cilat bëjnë hije këtu tashmë.

-Puna e përditshme ne shtypshkronjë, thotë ajo, më ndihmon t'i zë disa fije të fshehtësisë së grafikës... T'i prek disa fshehtësi, disa kthesa, të cilat nuk do t'i kisha përjetuar në ndonjë vend tjetër...

- Po ndonjë problem?

-Të vetmin problem e kam mungesën e banesës .  Për një krijues-piktor, është gati e pamundshme te gjendet në një dhome me lagështi: Dëmtohen  fletët e grafikes, mundësia për punë është shumë e vogël, por - vullneti është më madh se çdo gjë. Nuk ndalem. Dhe, shton ajo, tash për tash nuk ka gjasë të me zgjidhet çështja e banimit, meqë kolektivi im, nuk ka mundësi të më ndihmojë.  Premtimet e komunës për të më ndarë banës,  tash për tash kam frikë ngelin vetëm premtime.

- Të krijosh, ç'do të thotë?

- Kjo është një gjë gati - gati e pashpjegueshme, thotë ajo,  por unë – megjithatë e kam një moto për këtë të krijosh do të thotë se ekziston, se më thellë, mbase, se të tjerët e verën këtë apo atë gjë, e heton të dendur gëzimin, po edhe pikëllimin. Të krijosh ndoshta do te thotë të thotë të  thuash diçka te re, të cilën të tjerët  ose nuk e shohin, nuk e hetojnë, ose nuk kanë talent ta thonë.

- Te pëlqen edhe puna vullnetare?

- Po.  Kam marre pjesë në dy vera aksioniste, në dy fronte te punës vullnetare. Në Gjerdap dhe në "Ibër – Lepenci”. Nuk e kam ditur më parë se ç' gjë me interes për një krijues është puna vullnetare, takimi me te rinjtë e të rejat nga mbare viset e vendit. Aty ngritën ura te reja të miqësie, të dashurisë, ura të bardha të së sotmes, te së nesërmes.  Dhe, ti qe je krijues këto te gjitha i përcjell, i ndien thellë në shpirt. Nesër, nuk di me çka ta shprehesh gëzimin,  tek merr letër nga shoku apo shoqja, tek dërgon letra me adresa në te gjitha qytetet, fshatrat e vendit.

Me këtë rast do cekur edhe  një gjë për Sanien.

Ajo ka vendosur që të ardhurat nga pesë grafika të shitura t' ua dërgojë të dëmtuarëve nga tërmeti ne fshatin Brusë te Kopaontkut, e po aq grafika do t'ia dhuroje shkollës, e cila është në ndërtime në këtë fshat.

Ajo buzëqesh.

- Dëgjova në radio, shikova në televizion: thotë ajo, ç' ka ndodhur atje: mësova se me ndërtimin e shkollës së re në Bruse, vogëlushet nuk do të udhëtojnë më në fshatrat për rreth për të mësuar, nuk do të udhëtoi më nga shumë kilometra në ditë. E kjo më shtyri që me kontributin  tim modestë të ndihmojë në ndërtimin e Shkollës në fshat. Dhe kjo dëshmon se arti është ndjesi e vazhdueshme humaniste përmes,  të cilit zgjohet ndjenja e dashurisë  te secili sot e përgjithmonë...

- Ta pimë nga një kafe, - i ofroj dhe prapë e kalojmë Urën e Gurit dhe i afrohemi Shatërvanit, prej nga ke përshtypjen se do të mund të kujtohesh për të gjitha gjërat që i ke harruar ndërmjet ecjes në të përditshmen e ngarkuar.