Mendime
Eshref Ymeri: Mbështetje e fuqishme për personalitete me dinjitet kombëtar
E diele, 10.01.2021, 10:36 AM
Mbështetje e fuqishme për personalitete me dinjitet kombëtar
Nga Prof.
Dr. Eshref Ymeri
Më ka lënë mbresa të
thella analiza me titull “Thirrje për ndërgjegjësim e veprim: Të mbështetet
vizioni i Znj. Osmani për çmontimin e korrupsionit dhe shtetit privat e
tribal”, e botuar në internet më 27 nëntor 2020. Autor i kësaj analize, të
cilën e pata hedhur në rojtinën e kompjuterit tim, është zotëria i nderuar
Skënder Kapiti, analist mendjehollë, historian erudit, jurist gjakftohtë,
opinionist mendjekthjellët, politolog largpamës, studiues objektiv, veteran i
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Autori ngre zërin e
tij të fuqishëm kundër fatkeqësisë që ka goditur Republikën e Kosovës, në të cilën
korrupsioni i përmasave skandaloze i kastës politike antikombëtare, me në krye
Thaçin deri dje dhe bandën rreth tij sot, ka goditur rëndë standardin e jetesës
së shumicës dërrmuese të popullit, çka ka bërë që qindra mijëra qytetarë, ashtu
si edhe në atdheun amë nën sundimin e kastës po antikombëtare të Ramës, të
braktisin atdheun dhe të marrin rrugët e mërgimit.
Ajo që të bën
përshtypje të thellë në këtë analizë, është alarmi që ngre autori i nderuar për
ndërgjegjësimin e popullit shqiptar të Kosovës, për t’u shkundur nga letargjia
politike dhe për ta parë në sy realitetin tragjik, sepse kasta politike
nepotiste e deritanishme e ka shndërruar vendin në një shtet privat të
përmasave tribaliste. Sepse gjithçka në Kosovë, siç thekson me shumë shqetësim
autori, duke filluar që nga detyrat e larta shtetërore dhe administrative, deri
te pasuritë kombëtare, paraja publike, ligji dhe drejtësia, janë nën zotërimin
absolut të kësaj kaste grabitësish të pangopur.
Administrata e
rënduar shtetërore është një barrë e rëndë në kurriz të popullit të varfëruar
në maksimum.
Në këto kushte të
papërballueshme për jetesën e popullit, analisti Skënder Kapiti nxjerr në pah
figurën e intelektuales së shquar Vjosa Osmani, e cila e ka drejtuar Kuvendin
me shumë maturi politike, dhe tani, që është edhe në detyrën e Presidentes së
Republikës, ia ka kthyer autoritetin Presidencës së Republikës, Presidencë, të
cilën argati i serbosllavizmit Hashim Thaçi, e kishte shndërruar në një zyrë
private, prej nga vepronte sipas tekave të veta, merrte vendime dhe lëshonte
urdhra vetëm për interesat e shovinizmit serbomadh.
Mendoj se është fat
i madh për Republikën e Kosovës, nga radhët e intelektualëve të së cilës, tamam
si një rreze drite në fund të një tuneli të errët, dallohet personaliteti i
Vjosa Osmanit. Analisti Skënder Kapiti, në fugurën e Vjosa Osmanit shikon një
politikane me një formim intelektual mjaft të admirueshëm, me një edukatë
qytetare shembullore, me një vetëdije të lartë kombëtare dhe me një vizion
nacionalist model, ashtu si edhe ish-kryeministri Albin Kurti. Pikërisht këto
tipare të Vjosa Osmanit që ka nxjerrë në pah autori i kësaj analize, të
ngjallin shumë shpresa se në Kosovë, siç e ka theksuar me shumë të drejtë
intelektuali nacionalist Hafiz Shala me banim në Nju Jork, orteku i pastrimit
të bërllokut politik do të fillojë të rendë teposhtë me një furi të
papërballueshme.
Në këto kushte,
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti kanë nevojë
për përkrahjen e gjithanshme të shtresës së intelektualëve me vetëdije të lartë
kombëtare. Mbështetja e fuqishme që analisti Skëndet Kapiti i jep Vjosa
Osmanit, si një intelektuale dhe politikane e pakorruptuar dhe me sjellje
shembullore, le të shërbejë si model për intelektualët e tjerë të Republikës së
Kosovës. Këta intelektualë, duke ndjekur shembullin e analistit Skënder
Kapioti, duhet të bëhen mbështetje e fuqishme e Vjosa Osmanit dhe e Albin
Kurtit, në mënyrë që nesër, pas zgjedhjeve të parakohshme, qeveria e re, me
këto dy personalitete në krye të vendit, të vërë në jetë programin e ish-qeverisë
Kurti, në të cilin shtroheshin dy objektiva themelore: sekuestrimi i të gjitha
pasurive të paligjshme dhe ngritja e padisë kundë Serbisë për gjenocidin e egër dhe shkatërrimet e rënda që pati kryer
në Kosovë, duke kërkuar kompensimin e plotë të tyre
Vjosa dhe Albini
duhet të kenë parasysh se intelektualët me brumosje nacionaliste që janë në
përkrahje të tyre, si analisti shembullor Skënder Kapiti, shërbejnë si rripa
transmisioni midis udhëheqjes së vendit dhe masës së gjerë të qytetarëve të
thjeshtë. Prandaj këta intelektualë shembullorë duhet të gëzojnë tërë respketin
dhe përkrahjen morale të Vjosës dhe Albinit që gjatë fushatës zgjedhore dhe pas
saj, deri në vazhdimësi.
I kam ndjekur
rregullisht në internet analizat e intelektualit Skënder Kapiti, të cilat ia ka
kushtuar Vjosës këta muajt e fundit. Me sa jam në dijeni, deri tani ai i ka
kushtuar asaj rreth 20 ose 30 artikujt-analiza dhe besoj se ajo duhet ta ketë
falënderuar për këtë mbështetje të fuqishme që i ka thënë në truallin e
veprimtarisë së saj politike, e cila, në këndvështrimin tim, ka nj rëndësi të
jashtëzakoshme jo vetëm për Republikën e Kosovës, por edhe për mbarë kombin
shqiptar. Sepse fara e politikës me nerv nacionalist, atdhetar, që kanë mbjellë
Vjosa dhe Albini në Republikën e Kosovës, është me rëndësi mbarëkombëtare, me
shpresë që ajo farë të hedhë rrënjë dhe të lëshoj shtat edhe në atdheun amë dhe
në mbarë trojet tona etnike. Them besoj se Vjosa duhet ta ketë
falënderuar analistin e nderuar Skënder Kapiti, sepse prej tij ajo ka huazuar
dhe po e përdor parullën mjaft kuptimplote “Guxo!” për formacionin e vet politik.
Mbështetja e
fuqishme e Vjosës dhe Albinit nga ana e shtresës së intelektualëve të formatit
nacionalist të analistit Skënder Kapiti, të cilët duhet të propozohen edhe si
kandidatë për deputetë, do të shërbejë si një garanci e sigurt për vënien në
jetë të dy pikave të lartpërmendura të programit qeverisës, si edhe për vënien
përfundimtare të Veriut të Mitrovicës nën administrimin e Prishtinës, për
rikthimin e 14 500 banorëve të saj në shtëpitë dhe pronat e tyre, të cilët
kryetradhtarët Thaçi dhe Veseli i patën shpërngulur paturpësisht dhe patën
lejuar importimin e serbëve për t’i zënë ato shtëpi dhe ato prona. Prandaj
serbët e importuar duhet të kthehen andej nga kanë ardhur.
Ventura, Kaliforni
09 dhjetor 2020