E marte, 16.04.2024, 09:44 PM (GMT+1)

Mendime

Prend Buzhala: Replikë me realitetin e sotëm

E shtune, 09.01.2021, 06:10 PM


SHUMËFYTYRËSIA A PLURALITETI I FYTYRËS SONË

(Replikë me realitetin e sotëm, ose nga karakterologjia jonë: mbi hipokritin)

Nga Prend BUZHALA

S' e di, a u vjen mirë që 14 shkurti, kushdo që fiton në zgjedhje, e feston edhe këtë Ditë në emër të religjioneve që e mohojnë atë festë! Diçka shembet te ato parime! S'ka gjë, shqiptarët janë mësuar gjatë historisë të jenë dyfytyrësha e shumëfytyrësha, dmth ta kenë një FYTYRË PLURALE para krejt botës tjetër, ashtu si ua kanë diktuar religjionet politike të pushtuesit: një për të fortin e një për vete!

E të tretën?!

Kryesorja, ta kesh një fytyrë që e ke me të lindur, të tjerat i krijon vetë, sa të duash e si të duash...

1.

Na pëlqen që për turmën ta kemi një fytyrë, për vetveten një tjetër. Maskat bëjnë punë sidomos në kohë pandemie. Në jetën tonë politike hasim individin (e njohur), i cili, kur është pjesëtar i partisë në pushtet, është i keq, i lig, hajn, i korruptuar, madje edhe tradhtar. Posa të bëhet pjesëtar i taborit të kundërt politik, opozitarit, i lan krejt gjynahet, si me magji, a si te ato rrëfimet e fshehta te meshtari; a si te falja e pesë vakteve: aty për aty bëhet i mirë, atdhetar, i pastër, figurë e shquar, e dobishme...

Turma e pëlqen, i duartroket, i beson.

I beson edhe kur e mohon historinë tonë, edhe kur pështyn në orientimin tonë properëndimor, edhe kur i lavdëron tiranët; krejt këto i han turma.

Turma ha gjithçka, se e ka stomakun e fortë.

Hipokrizia dhe gënjeshtra bëhen aleatë, shoqërohen në mishërimin e karaktereve. Mjafton që ky standard moral të jetë standard i "partisë sime", e që na qenka e vetmja "masë" e peshore për të tjerët. Adlai E. Stevenson thotë: "Një hipokrit është lloji i politikanit që do ta priste një lis të madh, pastaj do të hipte mbi cung, dhe do të mbante një fjalim për ruajtjen e tij."

E pra: ai të sulmon fshehtas dhe të nesërmen të mëshiron!

E si t'i besojmë atij (kryepari) që te vetja asnjë shibël të keqe nuk e sheh, por kur të keqen brenda vetvetes e shndërron në vlerë votimi e vlerë publike?! Dhe të shan, të sulmon, të denigron dhe shpif për ty, pa asnjë të drejtë!

Thua ti, se ata pendohen sot dhe nesër prapë vazhdojnë në të tyren!?

Po!

Paj, edhe ajo falje a kërkim-falje, është e të njëjtës shkollë, e njohur si shkollë e hipokrizisë.

Të mësuar të bëjnë jetë të dyfishtë: të jeni të mirë në sy të publikut e fshehtas i lig; do ta kenë të zorshme që ta ruajnë këtë standard dyfytyrësie; ose duhet të japin provim para atij që ta imponon të vërtetën e vet (padroni yt politik, i jashtëm, qoftë ai edhe nga Orienti... dhe jo vetëm ky “properëndimori”); ose duhet ta mbrosh të vërtetën...

2.

Tashmë e kemi provuar dhe do ta provojmë: më së shumti shpallin luftë kundër korrupsionit ata që nesër i shtijën në dorë ato burime ku drejtpërdrejt qeverisen nga fitimtarët. Korrupsioni e hipokrizia shkojnë bashkë, si motra të mira, dorë për dore.

Thua ti, se nesër, do të fitojnë ata që kanë vërtet parime?

Po, le ta besojmë edhe këtë!

Se paraqiten ashtu siç janë: më nuk vlejnë maskat.

E rëndësishme qenka që të luftohet tjetri, në gjithë parimet që ka.

Tashmë kjo kohë po na dëshmon: ti që shpall parime të djeshme (atdhetare), ku i ke ato sot?

Çka ndryshove?

A ndryshove vetë?

Jo!

Se ai që ke qenë dje (përbetues në të thatë), i vlerave atdhetare; sot ato i hedh poshtë për një karrige pushtetore. Të gjithë të tjerët duhet të ndryshojnë sipas peshores së tij hipokrite, për t'i shkuar pas; ti nuk ke nevojë të ndryshosh, sepse je misionar i këtij pseudo-ndryshimi a i kësaj hipokrizie!

Parimet e vlerave liridashëse, demokratike, sidomos ato të identitetit kombëtar, bien në ujë. Pëlqehet e përqafohet identiteti tiranik i huaj, një pamje jona si në të kaluarën: identifikimi i plotë me identitetin e armikut shumëshekullor! Bota e hipokrizisë e kërkon këtë: hiqu asaj që e ke tënden, se është e pavlerë, merre atë të huajën që është dobiprurëse. Që sjell para, zhvillim, kënaqësi, përparim... Paçka se një veshje a uniformë mercenariste shndërrohet në simbol demokracie!

Ka një hipokrizi sistemore brenda vetë demokracisë së sotme: viktimat akuzohen me gjyq e pa gjyq, me media e me forcën e pushtetit, se gjoja ai është personi që e rrezikon ligjin e demokracinë; pastaj të lirojnë, të mbrojnë, por nuk duan të vërtetojnë se ky veprim është tejet hipokrit. Mund të përfundosh edhe më keq: të të dërgojnë në tjetrën botë (pas një pusie diku, në burg a jashtë tij, s'ka rëndësi), dhe në emrin tënd, pastaj, të ndërtohen "parime", "revolta", "kauza"...

Ruana Zot, kriminel janë të tjerët, krimiin e kanë bërë të tjerët...

3.

Tashmë në mesin tonë janë shumuar ata që shesin standarde etike kundër të tjerëve e për të tjerët. Paj, edhe mund të gjendemi në ata rreshta edhe vetë, dashtas e padashtas, sipas masës së peshores hipokrite. Sipas fytyrës sonë plurale. Vetëm që nuk e dimë cila fytyrë po na mashtron, fytyra e vetvetes apo e tjetrit.

Personalisht, iu besoj atyre që flasin e mendojnë sinqerisht, të tillë, ashtu siç janë, pa çka se pajtohemi a nuk pajtohemij me ta - fare nuk ka rëndësi. Kjo është liria e shprehjes dhe e qëndrimit që kanë.

S'ka gjë nëse kjo hipokrizi, të nesërmen, lehtë e përqafon një tjetër standard, atë të dhunës kundër lirisë së tjetrit.

S'ka gjë nëse kjo hipokrizi politike, me standarde të shpallura atdhetare e njerëzore, më i afërt i duket kombëtarisht gjithçka e një nacionalitetit minoritar (të huaj) se të të pranojë ty, si vëlla të vetin!

S'ka gjë që sot të përkëdhel si vëlla, e nesër t'i imponon krejt shartet e veta të pushtetit dhe të detyron ta quash vëlla: a nuk përbën kjo një hipokrizi mbi hipokrizi?! Respekti reciprok e dashuria vëllazërore e atdhetare, e kanë standard të vetin: të vërtetën.

S'ka gjë: populli është mësuar: që kur flet politikani, e di që thotë gënjeshtra; kur ai premton, e di që nesër ato i shkel; dhe kur krijon përshtypjen te tij se duhet t'i besosh, atë besim ai nesër e shkel.

Është ajo zeje makiaveliste, e mësuar përmendësh gjatë historisë: nuk të lartëson ajo që është publike, por ajo që gatuhet fshehtas, në nëntokë. Thuhet: një krokodil nuk ke si ta ndryshosh. Dr T.P.Chia, një aktivist dhe i burgosur politik i Singaporit, shprehet: "Përulësia hipokrite është forma më e lartë e gënjeshtrës. Arroganca e ndershme është forma më e ulët e vetë-promovimit."

S'ka gjë: po qe se ndjehet mirë një forcë politike a një lider, të flasë keq e më keq për tjetrin; le të ndjehet. Por atëherë nuk mund të thotë se ai ka personalitet të fortë, por të ligshtë. I forti nuk ndien këso nevoje hipokrite.

Mbase, e vetmja situatë (frojdiane), ku ata janë vetvetja, qenkan situatat e gjumit, kur ata ëndërrojnë.

Të paktën: le të na mësojë koha e sotme, me gjithë përvojat e së kaluarës, të jemi vetvetja, me vlerat që kemi, në realitetin e hapur, me sy hapur e me sy në ballë.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora