E premte, 29.03.2024, 07:42 AM (GMT)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Një ditë “Bashbakan”, një ditë “Prothypourgos”!

E shtune, 09.01.2021, 05:58 PM


Allah-Allah, Ma to Theos, një ditë “Bashbakan”, një ditë “Prothypourgos”!

Nga Kastriot Myftaraj

Fjala “bashbakan” do të thotë “kryeministër” në turqisht, ndërsa fjala “prothypourgos” do të thotë “kryeministër” në greqisht. “Ma to Theos” do të thotë “O Zot” në greqisht.

Kryeministri Edi Rama një ditë sillet si bashbakan në Ankara, ditën tjetër sillet si prothypourgos në Athinë.

Edi Rama do të na bëjë pajtimin greko-turk! Këtë gjë nuk e thotë vetë Rama, por ka vënë sharlatanët e tij të medias që ta thonë, që nga Baton Haxhiu, te Mero Baze, Shpëtim Nazarko. Sa keq që ka vdekur Andrea Stefani i cili në 2014 kur nisi seria e takimeve Rama-Vuçiç tha se Rama është ngarkuar me mision nga Perëndimi që të europianizojë Ballkanin.

Do ta shikoni se çfarë do të ndodhë në Tiranë dhjetëditëshin e dytë të janarit, thotë Baton Haxhiu. Dhe me këtë nënkupton një takim të rangut të lartë greko-turk në Tiranë, nën kujdesin e Ramës. Kjo gjë edhe mund të ndodhë, por nuk do të ketë të bëjë me konfliktin greko-turk, por me ndarjen e zonave të ndikimit në Shqipëri mes Greqisë dhe Turqisë, me Ramën si kujdestar të ngarkuar për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Nuk përjashtohet që për të kënaqur delirin e Ramës prej lideri global, të dy palët, grekët dhe turqit të pajtohen për të thënë diçka për vullnetin e mirë të dyanshëm që mosmarrëveshjet mes tyre të zgjidhen në mënyrë paqësore. Këtë pastaj do ta marrin sharlatanët e Ramës në media dhe do ta trumbetojnë si arritje të tij, në cilësinë e negociatorit në konfliktin greko-turk. Kaq i duhet Ramës për kultin e tij të udhëheqësit botëror, si karikaturë e Enver Hoxhës që e kishte shpallur veten “yll drite” të botës, me gojën e rapsodëve të paguar dhe qeshte e duartrokiste kur në prani të tij këndohej kënga për të me këtë përmbajtje.

Konfliktin greko-turk nuk e ka shkaktuar Sali Berisha që të mund ta zgjidhë Edi Rama. Ky i fundit ka mundësi dhe mandat që të zgjidhë vetëm problemet që ka lënë Sali Berisha. Sipas logjikës së Ramës, “Fajin e ka Saliu” që konflikti greko-turk nuk është zgjidhur deri tani, sepse Kryeministri i Shqipërisë nuk është marrë me të si negociator mes të dy palëve.

Ditën e mërkurë, në emisionin e Fevziut, Edi Rama udhëzonte personalisht me sms një sharlatan të paguar të tij i cili thoshte se meqënëse presidenti i SHBA merr përsipër rolin e negociatorit në konflikte, si në Lindjen e Mesme, atëherë ata që nuk janë kundër që Edi Rama të marrë përsipër rolin e negociatorit në konfliktin greko-turk janë kundër SHBA.

Ramës që fliste me gojën e sharlatanit i dukej se kishte bërë një zbulim të madh logjik. Sipas kësaj logjike, meqënëse SHBA ka armë bërthamore dhe anije kozmike, qeveria e Ramës është kundër SHBA sepse nuk ka ndarë në buxhet para për armë bërthamore dhe anije kozmike!

Sigurisht që ne nuk mund të kemi as armë bërthamore as anije kozmike se nuk jemi as superfuqi, madje as fuqi e madhe. Për këtë arsye as Kryeministri ynë nuk mund të jetë negociator në konflikte ndërkombëtare.

Konflikti greko-turk është njëmijëvjeçar sepse ka nisur me Betejën e Manzikert të vitit 1071, që u bë mes turqve dhe bizantinëve. Këtu u shënua dhe dyndja turke në Anadollin e sotëm. Sot konflikti greko-turk ka cështje, praktikisht të pazgjidhshme paqësisht, si ajo e Qipros, e shelfit kontinental, e militarizimit të ishujve të Egjeut Lindor, e tempujve fetarë në Stambollin e sotëm, ish-Konstantinopol etj. Konflikti greko-turk do të shkallëzohet në luftë me armë dikur sepse këtu të shpie dinamika e përplasjes mes dy palëve.

Edi Rama, në rolin e negociatorit në konfliktin greko-turk, po sillet si ai personazhi foklorik i teatrit grek të kukullave, me prejardhje nga koha e pushtimit osman, i quajtur “Karagjozi”, për të cilin aktorja dhe politikania greke Melina Mërkuri shkruan në kujtimet e veta: “Karagjozi ishte një formë teatri me marioneta që shfaqen në hije mbi një ekran. Marionetat janë karakteret e përhershme dhe tema ishte gjithnjë e njëjtë: rezistenca greke kundër turqve. Teatri e ka marrë emrin nga karakteri më tërheqës i tij, Karagjozi. Gjithmonë nën thonjtë e sulltanit të keq dhe rojeve të tij të ashpër. Por përfundimisht Karagjozi dilte fitimtar në çdo situatë me dinakërinë greke, zgjuarsinë dhe nënkuptimet e tij gazmore”. (Melina Mërkuri, “Kam lindur greke”, Shtëpia botuese “Albin”, Tiranë 1996, f. 23)

Rama nuk është karagjozi grek që lufton kundër turqve, por karagjozi shqiptar që e shet Shqipërinë sot te turqit dhe nesër te grekët, vetëm që të mund të sundojë vendin si kujdestar i interesave të tyre.

Në ndërkohë, Shqipërinë e ndarë në zona ndikimi greke dhe turke, Rama e ka shitur më parë në tërësi, në Beograd, me projektin e Jugosllavisë së Re, duke u bërë edhe “predsednik vlade” (serbisht: kryeministër) i republikës neojugosllave të Shqipërisë, përveçse “bashbakan” dhe “prothypourgos”.



(Vota: 2 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora