E marte, 20.04.2021, 07:13 AM (GMT+1)

Kryeshkrim » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Aleanca me Turqinë - Shpërfytyrimi i gjeografisë shqiptare

E premte, 08.01.2021, 07:57 PM


Aleanca me Turqinë -Shpërfytyrimi i gjeografisë shqiptare

Teatrot, sallat koncertale, kinematë dhe amfiteatrot po zëvendësohen me xhami e mejtepe, kurse aleancat strategjike me Italinë, Gjermaninë,  Francën dhe Britaninë së Madhe e ka zënë aleanca me Turqinë dhe Serbinë.

Nga Gani MEHMETAJ

Dikur Shqipëria ishte zgjatim(bisht) i komunizmit sovjetiko-jugosllavë më të egrit në Evropë. Sot po bëhet zgjatim (bisht) i myslimanizmit turk më arrogantit dhe më ngatërrestarit në Evropë dhe në botë. Që të dy herët ishin aleanca të shpërfytyruara dhe të panatyrshme. Jugosllavia, që ishte Serbi e zgjeruar dhe Bashkimi Sovjetik, Rusia më e madhe në histori, i kishin armiq historikë, kurse Turqinë kurrë mik nuk e bëmë, sepse mbeti shija e hidhur e gjenocidit të dikurshëm.

Në dhjetëvjetëshin e fundit, kur ofertat perëndimore ishin të pakufishme,  diplomacia e çoroditur shqiptare, konfuze dhe e shitur, po e shkëpuste shtetin dhe kombin nga kontinenti i vjetër, duke ia çrregulluar boshtin strategjik, me rrezik që ta përpijë vrima e zezë. Nga mosdija a nga ligësia shteti shqiptar u largua nga Italia, fqinji më i rëndësishëm strategjik përtej deti, qendra më e madhe e trashëgimisë kulturore në botë, me ndikim të fuqishëm në kulturën e qytetërimin tonë, që i mbështeti aq shumë shqiptarët pas rënies së komunizmit.Ata na ndihmuan në çlirimin e Dardanisë.

Aleancën strategjike me Italinë e zëvendësoi me shtetin e pështjelluar turk nga i cili pos xhamive e bakllavave nuk pati asnjë përfitim, ndërsa do të ketë pasoja të pariparueshme.

Tirana zyrtare u largua me vetëdije nga Franca, që është vendimtare për pranimin a mospranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropianë. Franca dikur i dha vulë ngritjes sonë kombëtare e qytetëruese, kishim mundësi ta bënim mik për kokë, sepse Parisi bëri shumë për çlirimin e Dardanisë, madje forca ushtarake franceze ishin vendimarrëse në NATO.

Shtetarët shqiptarë e zhgënjyen edhe aleatin historik Gjermaninë dhe Austrinë, duke u lidhur me Turqinë e Erdoganit që vetëm sa nuk u shpalli luftë Berlinit e Vjenës. Diplomacia shqiptare sikur i bënte paralelizëm Gjermanisë dhe Austrisë, shto  edhe  Francës, duke u takuar si për inat edhe më shpesh me Erdoganin. Ndërkaq, ndikimi i Austrisë e Gjermanisë e siguroi pavarësinë e Shqipërisë nga Turqia.

Kryeministrit shqiptar ia kanë mbyllur dyert burrështetasit evropianë e të SHBA-ve, e kanë izoluar në Tiranë si dikur Enver Hoxhën. I ka mbet Beogradi e Ankaraja. Për inat të kësaj situate, ai u hodh në prehrin e presidentit turk. Për inat të burrështetasve evropianë që e përbuzën të parin e Turqisë, ai e priti Edi Ramën me parada cirku dhe me ushtarë me uniforma cirkusantësh nga Muzeu i Top Kapisë së Stambollit.

Shpallja e Turqisë aleate strategjike, është zhvendosje e boshtit të orbitës shqiptare,  është shpërfytyrim i gjeografisë shqiptare, është shkëputje nga Evropa. Këtë aleancë mund ta bënim me Italinë, me Gjermaninë, Francën, por kurrë me Turqinë. Është i njëjti gabim që e bëri Enver Hoxha me Jugosllavinë dhe me Bashkimin Sovjetik.

Dhe  për zhvendosje aleancash nga lindja, i rrënuam teatrot, i lamë pas dore kinematë, sallat koncertale, ndërsa ndërtojmë xhami, qindra e mijëra xhami. Operat italiane po i zëvendësojmë me britma të hoxhallarëve,  teatrot me mejtepe. Ishte rasti që të ashtuquajturën Xhami e Plumbtë, që ishte kishë katolike e shqiptarëve, ta kthejmë në kishë si trashëgimi kombëtare , por Turqia këmbënguli ta bëjë prapë xhami.

Zhvendosja e shtetit shqiptar në Lindje është e frikshme me pasoja që të rrëqethin, kur i mendon.

Dardaniapress.com



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora