| E premte, 08.01.2021, 07:55 PM |
PANDEMIA PO NA “SËMUR” DHE GJUHËN
NGA
NDUE DEDAJ
Po
dëgjohet për herë e më shumë fjala fatalitet për të vdekurit nga Covid 19.
Raportohet se gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri ka pasur kaq apo aq
fatalitete (!?) më shumë apo më pak se një ditë më parë. “Kosovë, vihet re një
ulje e numrit të fataliteteve”. “Rritet numri i fataliteteve në Maqedoninë e
Veriut”. “Në Itali ka pasur një rritje të lehtë të fataliteteve...” e plot
fraza të tilla që e shmangin fjalën vdekje, ku me fatalitete nënkuptohen
viktimat.
Prirja
për të krijuar eufemizma është në natyrën e gjuhës dhe përdoruesve të saj, për
të mos i quajtur me emrin që kanë gjërat e trishta, aq më tepër vdekjen. Po a
është fjala fatalitet/ fatalitete eufemizmi i duhur në këtë rast? Vështirë të
thuash se po. Fatalitet, sipas fjalorëve të shqipes, do të thotë fatkeqësi e
madhe, fatalizëm etj. Fatkeqësi nuk
është vetëm vdekja, po dhe tërmetet, përmbytjet, zjarret, luftërat, epidemitë,
aksidentet etj. Për një njeri thuhet fatkeq, fatzi dhe kur nuk ka lidhje me
vdekjen e tij. Aq më tepër që fjala fat përdoret dhe për një gjë të mirë që i
ndodh njeriut. “Ishte njeri me fat” etj.
Habitesh
se si fjalë të tilla të ligjërimit libror, përhapën aq shpejt nga mediat këtu
dhe në Kosovë, duke fituar qytetari, ndonëse në përdorime të diskutueshme.
Zakonisht është ligjërimi libror që përfton trajta gjuhësore nga ai publik dhe
jo e kundërta. Dita-ditës flitet, jo për fatalitetin e aksidenteve rrugore, si
një rrezik i vazhdueshëm që nuk po mundim ta shmangim, por për fatalitete
njerëzore (viktima) shkaktuar prej tyre. “Verë e përgjakshme nga aksidentet me
fatalitet”. “Pamje nga aksidentet me fatalitet”. “Rritet numri i aksidenteve me
fatalitet në qarkullimin rrugor”. “Aksidentet me fatalitet gjatë dekadës së
fundit” etj. Siç shihet, këtu fjala fatalitet ka zëvendësuar fjalën vdekje. Pak
rëndësi ka nëse “covidi” e huazoi këtë fjalë nga “rrugori”, apo e kundërta.
Ashtu siç nuk ka ndonjë rëndësi nëse kjo
fjalë hyri nga ligjërimi mediatik i Prishtinës, apo ai i Tiranës, përderisa
anomalia i përket të njëjtës gjuhë, shqipes.
Por
nuk është vetëm kjo fjalë “pandemike”. Virusi ka prekur dhe të tjera fjalë të
shqipes. Kohë më parë, kur u hap spitali Covid 4 në Tiranë, një gazetar i
terrenit raportonte se ky spital do të ishte për të sëmurët me koronavirus që
prisnin të negativizoheshin. Bëhej fjalë për ata të sëmurë që ishin trajtuar më
parë në spitalet e tjera anti-Covid dhe do të qëndronin aty dhe ca ditë, deri
sa të shëroheshin plotësisht, dmth të negativizohshin. Mund të jetë një term i
përkthyer nga mediat e huaja, apo i sajuar nga ekspertet e menaxhimit të Covid
19 pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Aq më keq nëse është fjalë me origjinë
“ministrore”. Askush nuk mund të fusë terma të rinj zyrtarë në përdorim publik
pa u këshilluar me gjuhëtarët dhe institucionet akademike. Si mund të thuhet të
negativizohen (të bëhen negativë, gjithnjë në kuptimin klinik), kur vetë fjala
negativ nuk është shqipe. Sipas logjikës së këtij fjalëkrijimi, ne lirisht mund
të themi dhe të anasjelltën, jo të sëmurë pozitivë, por... të pozitivizuar?! Po
a mund të kemi një fjalë të tillë? A e lejojnë ligjësitë e shqipes dhe pse do
të na duhej ajo?
Dihet
që në kontekstin mjekësor, fjalët pozitiv dhe negativ kanë kuptim të kundërt
nga kuptimi i parë (pozitiv - i mirë, negativ - i keq), duke përcaktuar të
gjendjen klinike të pacientit. Në këtë qasje ato janë dy fjala të ngurta, që
nuk kanë të prejardhura prej tyre, si në kuptimin e parë: pozitivisht,
negativisht, pozitivitet, negativitet, apo pozitivizëm etj. Përndryshe, pa
lejën e “gjuhës” kemi krijuar një fjalë të vrazhdë - negativizim/ negativizuar,
që nuk na thotë asgjë tjetër nga i shëruar, apo klinikisht i shëndoshë.
(“Rastet e lehta, të moderuara të Covid tashmë mund të negativizohen për dhjetë
ditë”. “Gjatë kësaj periudhe dy mijë e treqind persona kanë mundur të
negativizohen nga Covid-19”. “Po presim që të negativizohen laboratikisht...”)
Pasi të ikë pandemia vështirë që kjo fjalë të ketë përdorim përtej-spitalor. Pa
harruar se si do të keqtingëllonte e ndërsjellta: pozitivizohen!?
Për
të ndryshuar orarin policor të lëvizjes së njerëzve apo të qendrimit hapur të
bareve dhe restoranteve vendos qeveria dhe ai zbatohet menjëherë nga qytetarët,
policia dhe institucionet, kurse për të futur në ligjërimin publik dy apo disa
fjalë të diktuara nga pandemia nuk vendos askush. Fjalët që i “prodhojnë”
ngjarjet e pazakonta natyrisht që nuk kanë si futën në përdorim me vendim
qeverie, po kurrësesi pa këshillimin e duhur gjuhësor. Shteti është përgjegjës
për gjuhën si pasuri kombëtare, aq më tepër kur vërehen deformime e sakatime të
saj.
Nuk
është vetëm “pandemia” gjuhësore problemi i gjuhës, shqetësimi është se ajo
merret me lehtësi nga administrata, rrejetet sociale e jo pak dhe nga mediat.
Se nga ka hyrë fjala i mllefosur (njeri me mllef) hajde e merre vesh, ama e
kemi dëgjuar ta përdorin jo vetëm njerëz të thjeshtë, pa ndonjë kulturë
gjuhësore, po dhe politikanë të lartë për të fshikulluar kundërshtarët e tyre
politikë, duke i etiketuar si të mllefosur. Gjenden dhe plot fjalë të tjera të
stisura, si supervajzë, superkëngëtare, supershoku etj. Në njërin nga tekset
shkollore të arsimit 9-vjeçar haset titulli i një proze: “Koni, Filipi dhe
sepervajza”, nga një përkthim gjerman. Se si ndër dy a tri vajza adoleshente,
njëra mund të jetë supervajzë e të tjerat jo, këtë zor ta rrokësh me mend.
Ashtu siç, për një artiste të njohur, prezantuesi i një show televiziv nga më
të shikuarit, thotë se ajo është një superkëngëtare. Po pse ajo është “super”
dhe simotrat e saj, po aq të dëgjuara, nuk janë të tilla, dhe pse ndonjëra sosh
kishte përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision? Super përdoret rendom në botën e
show-bizit për fotomodelet etj., ku të rinjve u serviren veçse yje dhe superyje
etj. Nuk mund të mos qeshësh dhe njëherësh të idhtohesh me këtë soj
“madhështie” të rreme me supernjerëz gjithandej.
Po
a është ky një fjalëkrijim i rregullt? Fjalori i Gjuhës Shqipe, Tiranë 2006, e
jep kështu kuptimin e super - formë i ligjërimit libror; parashtesë e fjalëve
të prejardhura, të cilat shënojnë diçka që ndodhet mbi diçka tjetër, që është e
cilësisë më të lartë, më e fundit, më e fuqishme etj., ose diçka që i kalon
caqet e zakonshme, e nevojshme e të lejueshme, si: superçmim, superfuqi,
superprodhim, superstrukturë, supermodern etj. Sipas këtij shpjegimi akademik
kjo parashtesë nuk përdoret për njerëzit, as për kafshët, pasi, për analogji me
supervajzë, nuk mund të thuhet, ta zëmë: superlopa, supermacja e aq më pak
supermiu etj. Dëgjon dhjetëra herë në ditë fjalën superofertë, në reklama të
ndryshme, po a është gjuhësisht korrekte të thuash dhe superfemër?!...
Si
për të mos qenë “super” vetëm gjinia femërore, kemi dhe “supershoku”, që e
hasim në fletët e para të një teksti shkollor, ku një vogëlush 11-vjeçar,
letrën drejtuar një bashkëmoshatari, për t’i treguar aventurën e tij verore, e
nis me fjalët: “I dashur supershoku im, Andi” dhe e mbyll: “Supershoku yt,
Miri”.
Siç
shihet dhe nga këta pak shembuj, nuk është vetëm pandemia e koronavirusit që e
ka “sëmurur” gjuhën tonë, por pandemia më e madhe e saj është lehtësia dhe
papërgjegjshmëria e mjaft prej lëvruesve dhe keqpërdoruesve të saj në
administratën shtetërore, rrjetet sociale, media, tekste shkollore etj.