Mendime
Gjokë Dabaj: Toka në vitin 2021, meteor apo planet?
E premte, 08.01.2021, 03:41 PM
TOKA, NË VITIN 2021, METEOR APO PLANET?
NGA
GJOKË DABAJ
Meteori është një trup
qiellor, i cili “vrapon” me shpejtësi të madhe nëpër gjithësi dhe, kur bie në
kontakt me oksigjenin, merr flakë, digjet, thërrmohet dhe asgjësohet. Planeti
është një trup qiellor, i cili rrotullohet rreth një ylli, me rregullsi
përsosurisht të përcaktuar dhe merr prej andej dritën dhe ngohësinë.
Mua, në hyrje të
vitit 2021, Toka po më ngjan më shumë me një meteor, sesa me një planet. Po më
duket sikur njerëzimi këtë herë ka vendosur të shkojë drejt një djegieje
totale, për t’u thërrmuar dhe për t’u asgjësuar, përfundimisht ose pothuaj
përfundimisht.
Ajo që ndodhi në
Vashington më datën 6 janar, ishte një idiotësi nga më vulgaret. Njeriu
çuditet, si mund të organizojë një president, tashmë ish-president i SHBA-së,
“shfaqje” të atilla, aspak të denja për një bashkësi shtetesh, konsideruar deri
më sot model e shembull për të gjithë shtetet e botës… Por habia nuk mbaron
aty. Njeriu me logjikë të rregullt e bën edhe pyetjen: Si arriti Partia
Republikane e SHBA-së të kandidojë për president një klloun? A nuk dëshmon kjo
një degradim të asaj partie deri në shkallën e diskreditimit?! Njeriu me
logjikë normale bën më në fund edhe këtë pyetje: Kur arrin të vihet në krye të
një bashkësie shtetesh si SHBA-ja, një i tillë person i pamoralshëm, tip sheiku
me 3 apo 4 gra (dhe çuditërisht të gjitha sllave), cili është niveli, por edhe
sistemi qeverisës në atë bashkësi shtetesh?!
Në Rusi na ka
ardhur në pushtet një autokrat-dhelpër, të cilit do t’i shkonte më së miri
cilësimi mjeshtër makinacionesh. Ç’po ndodh në Rusi në këtë kohë
gjithnjerëzore kaq të papërcaktueshme? Po punohet që kapitali rus të konkurojë
në Evropë e gjetkë nëpër botë. Po shpenzohen miliarda për të prodhuar armë,
duke e lënë popullin rus përjetësisht të varfër, atdhebraktisës dhe të
rrëzikuar në mënyrë permanente nga luftërat bërthamore, kimike e bakterike.
Në Kinë, politikën
shtetërore po e bën një klasë multimiliarderësh (si në SHBA e Rusi), së cilës
po i duket se e ka siguruar përjetësinë, duke i sunduar kinezët me metodat dhe
praktikën e monarkivet të dikurshme dhe duke u përbiruar kudo nëpër botë me
kapitalin e vet, të krijuar me kosto fare të ulët.
Me të këtilla
politika vetjake, meskinisht egoiste, këta shtete të mëdhenj nuk po mendojnë
aspak për krejt njerëzimin, por po mendojnë vetëm për vete. Fiktivisht
po u duket sikur po mendojnë e punojnë për vete, por në të vërtetë, për shkak
të shkallës ku ka arritur teknologjia e sotme, secili prej tyre po ia hap
varrin vetëvetes. Edhe SHBA-ja po e çon veten drejt asgjësimit, edhe Rusia po e
çon veten drejt asgjësimit, edhe Kina po e çon veten drejt asgjësimit, secila
me iluzionin se do të dalë vetë fituese.
Të tre këta
dinosaurë, këto kafshë gjigante, të destinuara për t’u asgjësuar nga pesha e
trupit të vet, po synojnë dhe shpresojnë që, nëmën, mallkimin e vetasgjësimit,
ta “delegojnë” te shtetet dhe popujt më të vegjël.
SHBA-ja eksperimentoi,
me njëfarë suksesi iluziv, në vendet e Afrikës Veriore dhe në Lindjen e Afërme.
Ajo, SHBA-ja, arriti të fuqizojë në ata vende, në vend të një filozofie të
kthjellët iluministe, filozofinë obskurantiste islamike dhe, duke i verbuar
ashtu ata popuj, arriti pothuaj t’i shkatërrojë. Pat sukses, nga Tunizia deri
në Siri, i nxori miliona njerëz në rrugë të madhe dhe i grumbulloi nëpër kampe,
por prapë nuk arriti atje ku deshi, sepse, në të vërtetë, me këtë rrugë nuk
mund të shkohet asgjëkundi.
Në Iran dhe në
Turqi SHBA-së i hasi sharra në gozhdë. Jo se do të mund të shpëtojnë Irani e
Turqia, me filozofinë e tyre tashmë të vjetruar të islamit, por sepse vetë
SHBA-ja tashmë po zhytet në ujëra të ndotur të filozofivet dalëboje, e pakta
prej shekullit XIX e këndej.
Rusia dhe Kina po
nguten për të kapur Evropën Perendimore, e cila gjithashtu është në krizë
filozofike, fetare, ekonomike e organizative. Por, ç’do të fitojnë, Rusia e
Kina, edhe nëse ia dalin ta shtyjnë SHBA-në prej këndej?! Do të fitojnë luftën.
Do t’u duket sikur po e shkarkojnë energjinë e vet shkatërruese mbi Kontinentin
e Vjetër, por, në kohën e sotme, tërmetet tokërrafshues asnjëherë nuk mund të
mbeten, as lokalë, as rajonalë.
E njëjta taktikë,
nëse dinosaurët do të mundohen ta shkatërrojnë Indinë, Afrikën apo Amerikën
Latine, do të rezultojë shpërthyese në vetë trupin e tyre. Dinosaurët do të
shemben, do të rroposen, duke i shkretuar të gjithë kontinentet, bashkë me
vetëveten.
Përfytyroni tri
kafshë të stërmëdha, të ngordhura, mbi trupin e të cilavet fluturojnë turma
shpendësh kancerozë duke krakavitur dhe rreth të cilavet zvarriten mijëra qen e
kafshë të egra, gjithashtu kanceroze, duke shqyer nga mishi i qelbur i atyre
kafshëve!..
…Është koha kur
njerëzimi duhet të nxjerrë mësime shumë seriozë nga skenat, edhe komike,
edhe tragjike, që i pamë më 6 janar, në vendin që popujt janë mësuar ta quajnë
“kryetempulli” i demokracisë botërore.
Popujt nuk duhet
kurrsesi të lejojnë që planeti Tokë të shndërrohet në një kometë theqafëse
vetëthërrmuese.