E enjte, 25.04.2024, 01:03 PM (GMT+1)

Kulturë

Hamza Halabaku: Dashuria që nuk u kurorëzua

E enjte, 07.01.2021, 11:30 AM


DASHURIA QË NUK U KURORËZUA

Nga Hamza Halabaku

Çadrat e vendosura në ranë nuk ishin afër njëra-tjetrës sikur gjatë dy muajve të shkuar. Gjatë korrikut e gushtit, cili do plazh i Ulqinit, ishte aq i ngarkuar që, si thuhet, as mollën nuk kishe ku ta lije! Atë fillim shtatori moti kishte vazhduar të jetë i nxehtë sikur në fund të gushtit, ndërsa çadra të lira kishte sa të duash. Edhe pse moti vazhdonte të jetë i nxehtë çadrat jepeshin me çmim të zbritur e shumë nga ato mbetnin të pa shfrytëzuara!

Në mëngjesin e të dielës së dytë të shtatorit ndër të parët në plazh kishte dalë Albani. Atë ditë kishte vendosur të rrezitet në Plazhin e Vogël!

Dita kur Albani ishte shtrirë, gati i vetmuar, në Plazhin e Vogël, ishte ditë shumë e nxehtë! Duhej një kujdes i shtuar për mbrojtje  nga djegia e lëkurës.

Në hyrje të Plazhit vëreheshin dy-tri shporta të vogla fiku të freskët  kokërrmadh të cilat mbledhësit e hershëm i kishin sjellë që në agim për shitje. Brenda murit, që në anën e veriut e rrethonte plazhin, në ranë, përveç Albanit, aty këtu, dukej ndonjë pushues i rrallë që herët kishte zënë vend në plazh. Kishte edhe çadra, aty këtu, pjesërisht të mbuluara me ndonjë peshqir plazhi që të bënte me dije se ishin të zëna!

Nga faqja e fundit, Albani, kishte nisur ta lexonte gazetën e asaj të diele shtatori! Sa po e kishte gjetur fjalëkryqin kishte filluar ta plotësonte së pari vertikalisht e pastaj, ishte përpjekur t’i gjente edhe fjalët në pozitën horizontale të fjalëkryqit! Shumica e njerëzve  kur nisin plotësimin e fjalëkryqeve fillojnë t’i gjejnë fjalët që kërkohen në pozitën horizontale e pastaj ato në pozitën vertikale, ndërsa Albani e bënte të kundërtën! Edhe vet habitej pse nuk bënte  si të tjerët!

Sa po e kishte rrotulluar fletën e  gazetës ku ishte fjalëkryqi, në çadrën e parë fqinje jo, një rresht çadrash përtej, kishte arritur një femër flokë gështenje e sy ngjyrë liqeni!

Duke e shtri peshqirin e pambuktë ngjyrë hiri me vija të zeza horizontale në ranë, ajo e kishte përshëndetur Shpendin me të cilin i ndante vetëm një çadër boshe në mes. Përshëndetja nuk ishte në gjuhën shqipe edhe pse ishin  në plazhin e qytetin ku më së shumti flitej shqipja. Përshëndetjen Albani ia kishte kthyer në gjuhën e vet amtare!

- Mirëmëngjesi edhe për juve zonjushe - i kishte thënë ai buzagaz - e si nën faj që nuk e kishte kuptuar fare gjuhën në të cilën e kishte përshëndetur vajza flokëgështenjë! Gjatë shkollimit, si gjuhë të huaj, e kemi mësuar gjuhën franceze e gjuhën në të cilën më përshëndetët ju, që më duket se ishte anglishte, le që nuk di ta flas, por edhe se kuptoj dot fare!

- Më vjen mirë që e flisni frëngjishten. Unë fola në gjuhën angleze, por nga pak e flas edhe atë frënge! Në Londër, që nga klasa e dytë, si gjuhë të huaj, e kemi mësuar gjuhën franceze – ishte përgjigjur vajza me sy ngjyrë liqeni emrin e të cilës ende nuk e kishte mësuar Albani!

Ditë të mbarë e pushim të këndshëm! -  i kishin dëshiruar njëri-tjetrit. Ajo nga çanta e saj kishte nxjerrë një libër me kopertinë të fortë  dhe kishte filluar të lexoj.

Kjo kishte qenë e tërë biseda e tyre paraditen e asaj të diele shtatori!

Menjëherë pas mesit të ditës ajo ishte ngritur në këmbë dhe po shikonte valët e qeta të ujit ngjyrë kaltër që vinin nga jugu e përplaseshin lehtë në rënën e plazhit.

Albani i kishte përcjellë lëvizjet e saj dhe ishte përpjekur t´ia lexojë mendjen. Me gjasë kjo do t’i bie ujit, kishe menduar ai!

-Doni të freskoheni? - e kishte pyetur në frëngjishten e tij jo edhe aq të rrjedhshme!

-Dua të bëj pak not. Gjatë leximit, më duket se më është ngrohur edhe truri nga  këto rreze të forta dielli. Nuk e kam vërejtur se më paska ikur hija e çadrës – kishte thënë ajo.

- Më mirë do të ishte sikur të rrinit më gjatë nën çadër. Këtu dielli është shumë i fortë – i tha Albani.

-Do të përpiqem kur të kthehem nga noti, edhe pse e dua shumë diellin – i kishte thënë me ngadalë ajo në gjuhën frënge, duke ecur herë në maje të gishtërinjve të këmbës e herë në thembra për shkak të nxehtit të madh të rënës derisa iu afrua ujit dhe u zhytë në të.

Albani kishte vazhduar me leximin e një vështrimi interesant, në faqen e tretë, të gazetës së asaj të diele të ngrohtë shtatori.

Kur ishte kthyer ajo nga noti, Albanin nën hijen e çadrës, me gazetën mbi fytyrë, e kishte kot gjumi.

Deri sa ajo po e tundte peshqirin e saj ngjyrë hiri me vija të zeza horizontale, për ta hequr rënën, Albani ishte zgjuar nga gjumi i lehtë i drekës nën hijen e çadrës së diellit.

-Hë, ishte ujë i mirë për not apo...?  – e kishte pyetur ai.

- Kur të hysh në ujë të duket pak i freskët, po trupi mësohet shpejt me freskinë e tij e pastaj vështir e ke të dalësh! Është mrekulli të notosh në këtë ujë. Është i pastër edhe i qetë. Valët që duken mbi sipërfaqen e detit janë nga lëvizjet e  këtyre  barkave të rralla që po lundrojnë me pasagjerë nga Plazhi i Madh këtu dhe anasjelltas, si dhe nga noti i këtyre pak notuesve që janë në ujë.

Albani deshi ta pyeste edhe diçka po ajo e ndërpreu.

- Tani do të iki për drekë, por së pari e kam një lutje. A mund të kujdeseni derisa të kthehem për këto rraqet e mia këtu nën hijen e çadrës – i tha ajo Albanit nga i cili në vend të përgjigjes mori një buzëqeshje, e cila asaj iu duk shumë magjepse. Duke lëvizur me një delikatesë të veçantë iu afrua Albanit. Ia zgjati dorën dhe i tha: Unë jam Elizabeta. Njerëzit e mi më thërrasin Liza. Tani edhe ju mund të më thërrisni, si të doni, Elizabeta, ose Liza.

-Të faleminderit shumë, i tha Albani. Unë jam Albani. Alban Guri. Tani mund të më drejtoheni me ti e jo me ju! Tërë paraditen ishim fqinjë të parë me çadra, këtu në plazh. Ishim shumë afër në këtë ranë kaq të gjerë e të nxehtë e me kaq pak pushues. Kurse, sa për rraqet, mos u merakos fare. Ashtu si do t’i lesh do t’i gjesh – tha Albani .

Të nesërmen çadrën që e kishin në mes nuk ishte më. Ata ishin vërtet fqinjët e parë. Liza ishte ofruar për një çadër më afër Albanit .

Sa herë Albani shkonte e sillte ndonjë pije freskuese nuk e harronte asnjëherë Lizën. Edhe Liza e bënte të njëjtën gjë. Në mbrëmje secili shkonte në banesën e vet me dëshirë që të pushonin e të flinin të qetë.

-Nesër ai që zgjohet i pari i zë çadrat e njëjta – i kishte thënë Liza në ndarje.

E tërë java e atij fillim shtatori ishte e Lizës dhe e Albanit. Mëngjesin e fundit që ishin së bashku, Albani i pari kishte treguar se të nesërmen, pas dite, do të largohej nga Ulqini.

-Edhe unë kam siguruar biletën për të udhëtuar pikërisht nesër. Autobusi, me të cilin do të udhëtoj deri në aeroport, niset në orën gjashtëmbëdhjetë! Deri në ora dymbëdhjetë do të jem këtu në ranë. Besoj që katër orë më mjaftojnë për drekë dhe për ta përgatitur valixhen e udhëtimit – tha Liza.

Të nesërmen i kishin zënë të njëjtat çadra. Biseda e tyre ishte më e afërt se ditëve të shkuara. Koha ecte shpejtë e atyre u kishin mbet shumë gjëra pa ia thënë njëri-tjetrit.

- A ke nevojë që të ofroj deri në stacionin e autobusëve? – e kishte pyetur Albani.

- Të faleminderit shumë, që mbrëmë e kam porositur taksinë – ishte përgjigjur Liza, duke i thënë se do t’ia lë adresën e saj.

- Unë, mbrëmë vonë e kam shkruar timen, e ke në këtë copë letre – kishte folur Albani duke ia ofruar një copë letre ngjyrë të kuqe ku e kishte shkruar adresën e shtëpisë dhe numrin e telefonit.

Atë ditë gjatë kishin notuar së bashku duke u kujdesur për njëri-tjetrin që as njëri të mos largohej shumë nga bregu i detit.

-Ky Plazhi i Ulqinit mund të sjell edhe befasi... – kishte folur Albani.

Nuk kishte shkuar shumë kohë pas ndarjes, e Albanit në arkëzën e postës së vendosur para dyerve të hyrjes, i kishte ardhur një letër nga metropoli i Mbretërisë së Bashkuar! Në mes tjerash në letër shkruante: “Nëse ke kohë të lirë, për festen e Krishtlindjeve, do të na gëzoje mua dhe familjen, sikur të jesh me ne në Londër! Këtu në familjen tonë, po edhe në tërë kryeqytetin bëhet festë e mrekullueshme! Babi dhe mami do të gëzohen shumë nëse na paralajmëron se do të na bashkohesh për festë”.

Deri në festën e Krishtlindjeve kishte më shumë se një muaj kohë. Albani edhe pse i ishte përgjigjur letrës së Lizës nuk i kishte përmendur fare festat e fundvitit.

Pa ndërpre  kishin vazhduar korrespodencën. Në  letrën e javës së parë të dhjetorit Albani i kishte premtuar se për festë do të jetë në kryeqytetin  e Britanisë së Madhe. Në ditën e njëzetë e dytë të muajit të fundit të atij viti Liza kishte dalë, me veturë, për ta pritur Albanin në aeroportin më të afërt të Londrës. Festa e Krishtlindjeve kishte edhe dy ditë dhe familja e Lizës i kishte bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme.

Atë ditë në orët e pasdites Albani për herë të parë kishte shkelur në tokën e Mbretërisë së Bashkuar.

Pas festës së Krishtlindjeve Albani edhe disa ditë e kishte vazhduar qëndrimin e tij në Londër.

Liza kishte vendosur që kur ta përfundojë Albani vizitën, të mos e lë vetëm të kthehet në vendlindje. Liza do ta shoqëronte Albanin derisa ai do t’i rregullonte dokumentet e nevojshme për të lidhur kurorën e martesës.

-Kurorëzimin do ta bëjmë këtu në Londër. Këtu me rastin e celebrimit, kur zyrtarizohet martesa dhe regjistrohet në zyrën e gjendjes civile  është një ceremoni interesante dhe e mrekullueshme.

Me propozimin e saj ishte pajtuar edhe Albani.

Javën e fundit të qëndrimit të Albanit në Londër, gati për çdo ditë kishin qarkulluar nëpër shitoret më të mira të kryeqytetit për të blerë dhurata për prindërit e Albanit, për motrat e vëllezërit e tij, por Liza, nuk i kishte harruar as ata të rrethit të dytë të farefisit të Albanit.

Ditën e fundit, duke u kthye nga qyteti për në shtëpinë ku jetonte Liza me prindërit, pak pasi kishin hyrë në autobusin urban, Liza ishte me duart plot rraqe të vendosura në qeska najloni e letre. Me kokë i kishte bërë shenjë Albanit që ai ta shtypte biletën e udhëtimit. Albani ishte bërë se nuk po e kuptonte shenjën që i kishte bërë Liza.

-Shtype biletën – kishte folur me një zë të ultë Liza, që në autobus ishte ulur dy karrige më përpara se Albani. Albani, duke buzëqeshur, ishte bërë se nuk e kishte dëgjuar atë që i kishte thënë ajo.

Për së treti, Liza ishte përpjekur edhe një herë ta bindte Albanin që ta shtypte biletën e udhëtimit në vendin e caktuar në hyrje të autobusit. Albani, prapë kishte buzëqeshur e biletën nuk e kishte shtypur dot.

Autobusi kishte mbërri në stacionin ku Liza e Albani duhej të zbritnin! Liza me duart plot po edhe Albani me rraqet që i mbante në të dyja duart kishin zbritur nga autobusi. Liza kishte dal nga dera e mesme e autobusit e Albani nga ajo e fundit. Ata nuk kishin mund të uleshin afër njëri-tjetrit nga numri i madh i pasagjerëve. Si në kryeqytet ma...

Tanimë dukej e qartë se Liza nuk ishte në qejf si ditëve të tjera. Kur mbërritën në shtëpi, pas një pushimi të shkurtër Albani i kishte propozuar që t’i rregullojnë rraqet me të cilat do të fluturonin të nesërmen herët në mëngjes.

-Jo, kishte folur Liza – nesër do të fluturosh vetëm! Unë nuk do të vij me ty.

Kishte pushuar pak dhe prapë kishte folur – nuk më vihet.

- Liza, ne jemi marrë vesh që nesër herët të fluturojmë së bashku?!

-Jo Alban!

Tani më Liza nuk i tha, si ditëve të tjera, Alban i dashur. Kështu i kishte thënë  për çdo ditë sa kishte qëndruar ai në Londër.

-Ti sot, gjatë udhëtimit me autobus, e kishe biletën e udhëtimit e nuk e shtype. Me fajin tënd të dy udhëtuam me autobus pa bileta. Udhëtuam në të zezë, si thuhet. Ti sot e mashtrove vendin tim për vetëm pesë Pound! E çka do të bësh me mua nesër, për pak më shumë para?! Po deshe do të mbesim në një farë miqësie, po për t’u martuar, nuk do të martohem kurrë me ty...!

Të nesërmen herët në mëngjes Liza e përcolli deri në aeroportin më të afërm të Londrës e Albani fluturoi i vetmuar për në vendlindje.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora