E enjte, 25.04.2024, 08:20 AM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Vallja e stinëve

E enjte, 07.01.2021, 03:18 PM


Kater skica poetike

VALLJA E STINËVE

Nga Resmi Osmani

Stinët,të zëna dorë për dore, me dymbëdhjetë valltarë, hedhin vallen e vitit, rreth pemës së jetës. Ndërrohen, ikin dhe vijnë, pafundësisht, me të njëjtin emër, me të njëjtat dukuri. Ne i ndjekim pas, pa e ditur jemi pjesë e tyre, apo janë ato pjesë e jona?Ndryshe pej tyre, stinët tona të jetës, që edhe ato janë katër, rrjedhin në një drejtim, përpara, pa kthim: fëmijët lulëzojnë e rinohen, të rinjtë burrërohen dhe vjelin frytet, burrat plaken dhe ikin. Jeta fillon me pranverën dhe mbyllet me dimrin.Çdo stinë përjetohet si një ëndërr. Dhe kështu përjetësisht.

1. Pranvera

Pranverë, pranverë, o kohëz dashurie

Pushkin

Tinëz, pa kuptuar si të dojë t’I vidhet dimrit, pranvera e drojtur shfaqet me frymëmarrjen e vakët dhe fryma e saj e ngrohtë që vjen me puhizën nga deti, ngroh dhe shkrin damarët e mardhur të tokës. Dielli në qiellin pa re nis e derdh më bujarisht dritën lbyrëse.Natyra nis të ngjallet.Farërat e fjetura nën borë dhe tokën e ftohtë, zgjohen e buisin duke nxjerrë mbi dhe syrin e tyre të gjelbër.Nis e shkrin bora e manëmaleve dhe ujërat e kristalta ushqejnë burimet.Bajamja kjo dashnore e dritës dhe pranverës, fryn sythet dhe nxjerr lulet e bardha, anipse, dimri xheloz e i pabesë, jo rrallë dërgon si hakmarrje të grahmave të fundit, brymën vrastare dhe “Plakat” e tij idhnake.Sheh pema pemën ,sheh lulja lulen dhe, një ditë si një befasi pemët hedhin velin e bardhë të luleve, si fustan nuserie,shpalosin flamurin e pranverës që hedh hapat e parë të marshimit.Ato thërrasin: “O njerëz, erdhi pranvera”. Kthehen dallandyshet te folezë e vjetër. Harliset bimësia arave, fushave, livadheve.bari shkëlqen nga pikat e margaritarëve të vesës, në prozhme dhe shullëre çelin aguliçet, karakaftet, kuqëlojnë anemonet, në qilimin e blerët të barit, zbardhin luledelet. Vjollcat e turpshme e të drojtura çelin nën gëmushat . zambakët e zymbylat i gëzohen diellit, trëndafilat shfaqin tërë bukurinë e tyre mbretërore. Ajri i tejpashëm ermiron aromë jete. Turren bletët lule më lule në kërkim të mjaltit.Ah sikur të gjitha kandrrat të bënin mjaltë! Natyra kapet nga dalldia e pllenimit, e çiftëzimit, në ajër pluskojnë miriadat e kokrrizave pjalmike, ngjizen frytat, zogjtë çiftosen dhe ngrejnë çerdhet, shumohen gjallesat.Ky ajër i vakët që mbart magjinë e pllenimit, kjo dritë, kënga e laureshave, qielli i bruzët, shtjenë në shpirtin e gjithkujt një molisje ëmbëlcake, një ngasje dhe magjinë e së pritshmes, që patjetër do të jetë më e mirë, melodinë e motiveve të jetës, të ëndërrimit dhe pritjen e ndodhjes së tëpazokonshmes, të së bukurës, trokitjen e dashurisë dhe të lumturisë. Dita e pranverës. Katërmbëdhjetë marsi. Gëzim, shpresë, hare, ekstazë. Gëzuashi ditën e parë të pranverës! Harrojini të paktën për një ditë hallet. Në qafat e duarve lidhen veroret kuqe- bardhë :shëndet e dlirësi, ballokumet, ëmbëlsi.Bujqit derdhe arave lërojnë dhe hedhin farat. Të mbjellësh farën, oh ç’mrekulli, të zgjosh jetën e fjetur në një embrion: netët e majit, misteri i gjithësisë, që breron me  vesën e dritës së yjeve dhe hënës së plotë, vallja e çartur e bukurezave, zërat e përmalluar të zogjve të natës, aroma e vlagës që vjen nga frymëmarrja e tokës, janë kurthe këndellëse, poezi lirike e shpirtit të qënies, mrekullia e ekzistencës si pjesë e krijimit, e natyrës që pakuptuar hyn brenda nesh. Grishin për dashuri dhe poetët drithmat e shpirtit i trupëzojnë në lirizmin e poezive. Pemët vishen me rroben e gjelbër, vashat zhveshin petkat e dimrit, zbukurohen, llërë e gushëbardha,faqe paputhura, ngarendin andej këndej.Kërkojnë djemtë!

Tungjatjeta jetë!

2. VERA

Sa kam qarë beharë

S’kam qarë as nënën e babanë

Populli

Vera:qiellkaltra, dritëshumta, shkëlqimtarja, rrezearta, del në krye të valles dhe dredh shaminë me ngjyra të ylberta.E motra bujare e ka lënë tryezën të mbushur, por ende të pa arrirë.Vera përvjel llërët, I duhet dritë dhe ngrohtësi. I ka të dyja me tepri.Zverdhon e pjek grurin në ara, e shin dhe mbush hambarët, rrit bimësinë tjetër ndër ara, kuqëlon qershitë në degë, zverdh kajsitë, skuq aromatizon dhe pjek pjeshkët, rrit qingjat në kullota, i mbush duart me plot të mira e begati, i jep jetës shije dhe hijeshi.Bletarët nga hojet vjelin mjaltin, bujqërit ndër ara gdhihen e ngrysen.Me djersë lqajnë plisat e ugarit, djersën derdhin lumë. Çdo e mirë me djersën e tyre është mbrujtur e gatitur. Syri i diellit, i qeshur, i ndritur, i zjarrtë dërgon rrezet përvëluese i varur në qiellin-saç së larti. Vapë, uf sa vapë, sin ë furrë! Gjinkallat cinxërojnë, milingonat punojnë, delet në hije mrizojnë, fëmijët lodrojnë.

Ku je o det bujar, i paprehje dhe valëshumë, plot bukuri, që mërmërin këngën e përjetshme të ujit të njelmët, që luan e kuvendon me diellin dhe erën, na puth me dallgët, na freskon me puhizën tënde, na flladit e na jep prehje. O anëdeti rërëartë, që u bronzon vashave e djemve cipëzën e butë dhe u shton bukurinë dhe hijeshinë. Drejt teje në Sarandë, Vlorë, durrës, Shëngjin e Ulqin, po vijmë! Ku jeni o majëmale me ksulën e bardhë të borës, o bukuri parajsore të atdheut. Bjeshkët e Alpeve, Thethi, lugina malore bleroshe ujëkristaltë e Valbonës, të Sharrit e Rugovës, o pyje hijedëndur të Lurës, u dëshirojmë në këtë zheg, lum kush u ndodhet pranë.

Qershori i jep puthjen e lamtumirës korrikut dhe korriku puthjen e mirseardhjes gushtit. Gushti dashamir, freskon pak netët dhe aty nga dita e pesëmbëdhjetë kujtohet të derdhë një shi(rrallë e harron) që toka e rreshkur të pijë një gllënjkë ujë që të shuajë etjen dhe bimësia të gjallërojë. Gushti na del borxhit me paralajmërimin: O njerëz, bëni gati Gunën!

3. VJESHTA

Na erdhi vjeshta e veshur me najlon

Na erdhi llërëpërveshur,gji zbuluar.

Fustane mjegullash I ndërron përditë

Në bahçe prehrin e mbush me fruta.

Bilal Xhaferri

Gushti ia dorëzon stafetën shtatorit.Ky njëzet e tre ditë pasi ka hyrë, kur arrin baraz ditë-natën, nënshkruan protokollin astronomik: hyrjen zyrtare të vjeshtës dhe ajo ulet këmbëkryq me gjithë begatitë e saj. E bukur, flokëartë, firomëfreskët, ngutet të përfundojë punët e lëna gjysmake nga motër Vera:pjek dhe ëmbëlson rrushin në vreshta, e vjel,e derdhmushtin në bute dhe grafullon verën kuqaloshe.Korr misrin, mbledh yshyret, këput shegët nga degët, vjel mollët, shkund arrat dhe gështenjat, shtegëton bagëtinë nga kullotat verore në ato dimërore, përgatit zahiretë për dimër. Eh sa shumë punë!

O vjeshtë, stinë e ëmbël, që ngyen me ar e purpur gjethet, na ngjall trishtim e mall, për atë që shkoi dhe të pritshmen e paditur! Na gostit me një diell të ndritur që nuk djeg, me freski të këndshme na ledhaton fytyrën.Me fryta të shijshme na e gostit tryezën.Tetori qorton shtatorin për dashamirësinë, dërgon erën që vë përpara ushtrinë e mjerë të gjetheve jetëshuara, thërret retë dhe zbraz shiun.Kujtohemi për çadrat dhe rëndimin e veshjeve.

Vjeshtë, e dashura e piktorëve dhe poetëve, me të verdhën dhe grinë, vesën e dritës që përndrit hapësirën, shiun që rigon.Ti hyn në vargje të përmallshëm dhe tablo paksa të trishtuara, si klithma e asaj që ikën e që mbetet si kujtim, si mirazh i së panjohurës që avitet.

Sërish bujqit derdhen arave, duhet lëruar toka e mbjellë gruri që ushqen jetën, në ara hidhet fara.E kur punët janë vënë në vijë, mbushen hambarët, dërmishet rrushi, tharmëtohet e grafullohet, rakia rrjedh nga llullaja.Është koha e gëzimeve.Të rinjtë që pranvera dhe vera i dashuroi, vjeshta i marton.Jehojnë tupanat, dridhen valet, ngrihen dollitë”Çiftet të trashëgohen! Ta pimë me fund!”Lumë rrjedh vera e rakia.Dy martohen, njëqind gëzohen!

Vjen nëntori, i treti i vjeshtës, frymëftohti, shimadhi, erëshumi që ve përpara gjethet dhe vjeshta ikën e mbytur në lot e duke qarë.O njerëz, harrojeni verën e vjeshtën, dimri erdhi!

4. DIMRI

O murla, ti nj’at frym nale,

Nal o akull mos më ngri.

Ndre Mjeda

Qielli mbulohet nga dyndja e reve të zeza, ditët errësohen si në muzg, retë gërnjare ushtojnë kur përplasen, në zemrim e sipër gjuhen me rrufe, flaka e të cilave u hap plagë të zjarrta.Nga humbellat e plagëve derdhen si lot dhimbjeje vrundujt e ujit, shira të rrëmbyera si të ishte fundi i botës. Fryhen azdisen dhe tërhuzen lumenjtë që me mëri i turren fushës dhepërmbytin ç’gjejnë përpara .Pastaj retë pajtohen, shkrihen e bëhen njësh.Kubeja e plumbtë e qiellit, mbulon dhnë si të dojë ta shtypë, pastaj varen tatëpjetë duke u dridhur në erë fluturzat e bardha të dëborës,që mbulon tokën, e çatitë me vellon e bardhë dhe i vesh pemët me argjend. Bota zbardhet si në ëndërr. Mbyllen rrugët dhe shtigjet.

Me rropamë rrokullisen orteqet.Fryma e ftohtë e erës së acartë vjen duke vërshëllyer nga veriu.Egërsirat struken në strofulla, ciasin zogjtë e mërdhirë, blegërinë bagëtia në ahure.Dielli i zbehtë, nganjëherë, nëpër plasat e reve, na dërgon përshëndetjen e vakët, sikur don të na thotë:”më vjen keq ,por nuk mundem më shumë!” Anipse rebel, zemërak, sherret e i prapët,shpesh i beftë, që na shkakton vuajtje e mundime, dimri nuk na mund. Të bashkuar jemi më të fortë, triumfojmë mbi ‘të. Për ta sfiduar Prometeu na ka dhuruar zjarrin, përvoja veprimin dhe zgjidhjet, solidaritetin dhe humanizmin, bashkimin dhe forcën që mposht ashpërsinë e klimës dhe të keqen që vjen sojesh.

Fund dhjetori. Kërshëndellat, fundviti. Stoliset bredhi.Në Prishtinë pritet “Baba Dimri” në Tiranë ”Babagjyshi i Vitit të Ri”. Mjekër e flokëbardhë, ksulkuq, bujar e gazmor, që i grah sajës së drerëve me thesin plot dhurata! Tryeza e mbushur plot(sipas kamjes e mundësisë). Përcillet viti që po ikën, pritet bujarisht e me shpresë viti që vjen.Fëmijët gëzohen që po bëhen një vit më të mëdhenj, të rinjtë dhe prindërit plot shpresa e dëshira për ditë më të mira: pa  kovid maska , karantina e frikëra. Gjyshërit e tyre të kënaqur që jetuan edhe një vit e me shpresën që të jetojnë edhë ca vite të tjera! Gëzuar! Trokiten gotat. Pritet me brohoritje e fishekzare Viti i Ri, gëzimi derdhet rrugëve e shesheve:“Mirë se erdhe  Viti i Ri! Na sjellç gëzim e lumturi!”

Janari, i acarti, rrokullis ditët e veta për t’ia lënë vendin shkurtit.Dielli edhe kur ndrin nuk nxeh. Shkurti i shkurtër por inatçor e idhnak, edhe pse në grahmat e fundit, skërmit dhëmbët e akullt, por fuqitë i priten, dielli nis e ndrin, ngroh, dita zgjatet, marsi avitet dhe del në krye të valles me një tufë lulemimozash të arta në duar, me flamurin e bardhë të lulebajameve.

Pranvera erdhi përsëri e siç thotë poeti, në fytyrat tona zbret gëzimi ……

Stinët hedhin vallen e tyre dhe ne tok me to, ecim në udhën e jetës, e kështu përjetësisht.

Mars 2012-janar 2021.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora